Albspirit

Media/News/Publishing

Lutfi ALIA: Poezia e fundit!

Tregim

Marsi i këtij viti hyri i tronditur nga pandemia e Covid-19. Ditët e nisnin shtegtimin të ndrojtura dhe të trembura, me ndriçimin jetësor, që qëndronte pezull mbi Sienën pothuaj të boshatisur. Lockdown-i e mbylli jetën nëpër shtëpi, e paralizoi gjallërinë e zakonshme dhe zhurmëmadhe të qytetit. Më 4 mars shkollat u mbyllën. Nuk dëgjoheshin thirrjet e bukura dhe gazmore të fëmijëve, nuk kishte lëvizje nëpër rrugët, nuk qarkullonin makinat, ngado mbretëronte një qetësi e mbuluar me mistere dhe ndjenjat e frikës ndaj virusit të padukshëm, tinzar dhe agresiv, që kërcenonte me prepotencë shëndetin dhe jetët e njerëzve, sidomos të moshuarve. Kjo atmosferë surreale shoqërohej me cicërimat e zogjve dhe sirenat drithëruese të autombulancave që dërgonin të sëmurët në spital.

Të ngujuar në shtëpi, të ulur para televizorit, të gjithë ndiqnim kronikat e pandemisë, duke bërë dhe bilancin e takimeve të ditëve të kaluara, duke pyetur në se ndonjë prej tyre e kishte marrë këtë virus të mallkuar. Kështu kaloi java e parë e pak nga pak njerëzia filloi të çlirohet nga ankthi. Bisedat telefonike dhe sidomos komunikimet me WatsApp-in, sikur na bënin ta largonim vëmendjen nga koronavirusi, por kur dëgjonim se ndonjë i njohur, apo i afërm rezultonte pozitiv dhe shtrohej në spital, rikthehej përsëri ndjenja ankthit, frika dhe terrori nga ky virus që sulmon pabesisht duke e lënduar jetën, por dhe mund të vrasi jetët.

Në një nga këto ditë të zymta, me telefonoi miku im Pietro dhe më ftoi për kafè.

– Takohemi nesër në mengjes te bari i Beniaminit, është i hapur, mos u tremb nuk ka virus, të gjitha që thonë në televizor janë perralla, – me deklaroi me bindje dhe kompetenca si të ishte një ekspert epidemiolog, ky miku im Pietro që punonte ekonomist në Bankë.

– Pietro, mos thuaj marrëzira, nuk është ashtu dhe bën mirë të ruajsh veten dhe prindërit se janë të moshuar e me probleme shëndetësore, – iu pergjigja i revoltuar.

– Rri i qetë, mos u preokupo, i kam mjetet mbrojtëse, një dopio raki dhe një kokërr hudhër e grirë në vaj ulliri, e çdukin virusin, kështu nuk kam nevoj as për maskën – vazhdonte Pietro me të tijat, të shoqëruara dhe me të qeshura të pa motivuara.

– Hudhrat me vaj ulliri përdori si laksativ, por virusin nuk e zhdukin, – iu përgjigja edhe me pak nervozizëm dhe me ironi, por ai vazhdonte me kokëfortësi me të tijat.

– Takohemi nesër te bari i Beniaminit, – insistoi Pietro.

– Unë nuk vi, por dhe ty të këshilloj të mos shkosh dhe mbaj maskën të mbrojsh prindërit, – iu përgjigja me ton dhe prerazi.

Kështu e mbylla bisedën me Pietro, por me pushtoi një preokupim, se me këto daljet dhe me takimet nëpër bare, ai mund ta merrte virusin dhe të infektonte prindërit. Tërë jetën mbeti tralala Pietro. E kishte nga e mira. Prindërit kishin punuar në bankë, po në bankë e rregulluan dhe Pietron, i krijuan mirëqenie materiale, por jo intelektuale dhe shpirtërore. Vepronte ndryshe nga të tjerët, insistonte ne mendimet e veta shpesh herë të gabuara, donte të tregohej origjinal. Mendimet e tij të kundërta me realitetin dhe opinonet e mjekëve, e kishin vënë në një pozicion qesharak, por edhe preokupues. Në fakt kështu ndodhi. Dy ditë më pas me telefonoi e motra Simona e me tha se Pietro, babai dhe nëna e tyre ishin shtruar në spital me pneumoni dhe me shumë mirësjellje kërkoj të shkoja t’i shikoja e të flisja me kolegët. Të gjithë pjestarët e familjes të Pietros rezultuan pozitiv me Covid-19. Edhe Pietro e kaloi infeksionin shumë rëndë, e dërmoi fizikisht dhe e tronditi psikologjikisht. I ati vdiq në spital, Pietro dhe nëna e tij qendruan mbi një muaj të shtruar ne spital, deri sa u shëruan.

Në ditët e lokdown-it nuk pushonin telefonatat. Dikush kërkonte këshilla si të vepronin e si të mbrohen, të tjerë pyesnin nëse mund të përdornin ndonjë medikament për ta luftuar virusin, ndonjë donte të dinte sa takipirina duhet të merren për uljen e temperaturës, pyesnin çfare antibiotikësh kanë efekt kundër virusit edhe pse përditë thuhej se nuk ka medikamente me efekt kundër Covid-19, të tjerë kërkonin informacion në se ishte prodhuar, ose kur do të prodhohej vaksina anti-Covid-19, më të informuarit pyesnin për efektin kurativ të serumeve me antitrupa monoklonale kundër virusit, ndonjë më konfidencial më kërkonte të shkoja të shihja një të aferm të tij të shtruar në spital dhe ta informoja për gjendjen shëndetësore etj.

Kështu, gjatë muajit mars jeta e jonë u pushtua dhe u tensionua nga problematika që krijoi Covid-19. Si të mos mjaftonte aspekti epidemiologjik i pandemisë, u shtuan krizat sociale, psikologjike dhe ekonomike. Pranvera e këtij viti u trondit në të gjitha aspektet, një pandemi, që në se do të lihej e lirë dhe pa masa të fuqishme parandaluese, do të shkaktonte vdekshmëri më të lartë se epidemia e gripit spanjoll e viteve 1918 – 1920, që shkaktoi mbi 50 milionë të vdekur. Në fillimet e pandemisë u zgjua ndonjë “specialist” i lajthitur, sa arritën deri në marrëzi, duke rekomanduar imunizimin e tufës dhe në se do te ishte aplikuar asisoj, do të na kish krijuar pasoja katastrofike. Në këtë atmosferë të tensionuar nuk munguan dhe shmangiet dhe gabimet që në disa raste krijuan pasoja të rënda, sidomos nga të rinjtë e papërgjegjshëm, të cilët rezultonin pozitiv për Covid-19 dhe ndonëse pa shenja klinike, ishin bartës të virusit dhe shndërroheshin në burim infektimi për të tjerët. Ky virus nuk kursen asnjë.

Ndër ata që u infektuan dhe vuajtën ishin dhe të njohur, miq e kolegë, si ndodhi me mikun tim Roberto, i cili disa ditë me parë kishte shkuar në festimin e ditëlindjes të shefit e aty mori virusin, që ia transmetoi dhe nënës së tij. Pas katër ditesh, Sergio më telefonoi e më tha se ai dhe nëna Franka ishin me temeperaturë 38. 5° C dhe ndodheshin në urgjencën e spitalit.

I shtruan menjëherë të dy në të njëjtën dhomë. Prof. Piersante vendosi terapinë dhe ngarkoi Dr. Matteo të ndiqte ecurinë e pneumonisë. Infermierja Marsela i përkushtoi kujdes të veçantë nënës Franka, ia kontrollonte serumet, e ushqente, ia ndërronte veshjet dhe çarçafet dhe pasi ia krihte flokët i jepte telefonin e saj për të folur me mbesën Ginevra. Biseda me mbesën ishte mbushur me dashuri dhe tepër emocionuese, sa shpesh nëna Franka e pushtuar nga malli dhe emocionet e mbyllte bisedën me urimet pa fund për mbesën, që aq shumë e donte dhe e adhuronte. Bisedat mes Robertos dhe nënës Franka ishin të vazhdueshme, kështu duke folur për aspektet familjare, të dy i largonin mendimet dhe ankthin për gjendjen që po përjetonin. Gjendja e Robertos përmirësohej gradualisht nga dita në ditë, ndërsa ajo e nënës Franka po përkeqësohej, pneumonia nuk po i përgjigjej terapisë, vëshirësitë në frymëmarrje po e rëndonin, madje shpesh nuk kishte forcë të fliste, i mbylltë sytë dhe flinte edhe ditën.

Në mëngjesin e 21 marsit, Roberto po e vështronte me dhimbje nëna Frankën që merrte frymë me vështirësi. Sapo e pa që nëna i hapi sytë e përshendeti.

– Mirëmëngjes mama!

– Mirëmëengjes biri im, – u përgjigj nëna Franka, me një buzëqeshje të lehtë.

– Sot është 21 mars, dita e parë e pranverës dhe dita ndërkombëtare e poezisë, është festa tënde, – ia kujtoi Roberto me ndjenjë gezimi dhe krenarie.

Nena Franka kishte punuar mësuese dhe shkruante e botonte poezi, ishte poetesha e poezive të bukura për fëmijët, madje kishte fitur disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

– Po Roberto e di që është dita e poezisë, andaj thura pak vargje e po t’i recitoj, – iu përgjigj me zë të mekur.

Pasi e sistemoi tubin e oksigjenit në dy vrimat e hundës, i bëri shenjë Marselës ta ndihmonte të ngrihej gjysëmndejtur në shtrat dhe pasi respiroi disa herë thellë, si ai atleti që merr vrull para se të nisi vrapin, zgjati doren per nga Roberto dhe pasi u kapën të dy dorë me dorë, me sytë e mbyllur dhe me zë të mekur, filloi të recitonte poezinë:

E lodhur nga pleqëria,

mbrëmë natën udhëtova

e mbështjellë me terrin e natës pa gjumë,

hyra në pafundësinë e qiellit të yllëzuar,

çapita edhe nëpër rrugicat e errëta të Sienës

mendueshëm vështroja njerëzit,

por askush nuk më fliste, askush nuk më pyeste,

çfarë kam në mendje, çfarë kam në zemër.

Udhëtova e lodhur dhe pa shpresë,

tani e ndjej si po shuhet trupi,

pa zhurmë dhe pa ankime,

si një psherëtimë e hënës,

që ngadalë perëndon në horizontin e ngushtë.

Nesër nën tokë do të bëhem e padukshme,

e shpërndarë si materia e errët

por molekulat e mia do të çelen në lulet aromatike.

Me shumë mundim e me pauza nga vargu në varg, nënë Franka e përfundoi poezinë e saj të fundit, i mbylli sytë dhe me një buzëqeshje të lehtë e anoi lehtësisht kokën nga Roberto, që vazhdonte t’ia shtërngonte dorën nënës, por e ndjeu se u bë e palëvizshme.

– Mama, – e thirri Roberto me ngashërim dhe me zë të dridhur, por Franka nuk iu përgjigj.

– Nëna Franka po fle gjumin e përjetshëm, – i tha Marsela, – mos e shqetëso.

Atë mëngjes të 21 marsit, mësuesja fisnike, nëna e devotshme, gjyshja e adhuruar dhe e dashur e mbylli jetën me poezinë e saj të fundit dhe po atë ditë Roberto doli nga spitali.

Please follow and like us: