Albspirit

Media/News/Publishing

Poema e panjohur e Uillson Çërçill

Shtëpia e ankandit “Bonham” në Londër, njoftoi zbulimin e një poeme të panjohur të shkruar nga kryeministri Uillson Çërçill. Poema që titullohet “Slogani ynë modern”, përbëhet nga 40 vargje dhe 10 strofa. Ajo mendohet të jetë shkruar në vitin 1940, kohë kur Çërçilli në të njëzetat e tij shërbente në regjimentin e katërt Hussars të ushtrisë britanike. Poezia nuk mund të cilësohet si një kryevepër, por është intrigues fakti se është poezia e dytë e publikuar e Çërçillit. Poezia e parë ishte shkruar në moshë djaloshare për një konkurs shkolle. Poema e zbuluar së fundmi është e vetmja që Çërçill ka shkruar në moshë të rritur. Kjo poemë do të nxirret në ankand këtë vit dhe pritjet për vlerën e saj fillojnë nga 18 mijë dollarë. Çërçilli, jo vetëm që është i njohur për arritjet e tij në politikë, por është i njohur gjithashtu edhe si një shkrimtar i zoti. Për 70 vjet, ai shkroi 42 libra dhe 72 vëllime gjithsej, të gjitha këto ndërkohë që punonte edhe për karrierën e tij si politikan, e cila kulmoi me vendosjen e tij si udhëheqës i Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çërçilli shkruante jo vetëm se i pëlqente, por dhe sepse i duhej të shkruante. Ai lindi në një familje të rëndësishme angleze, nëna e tij Xheni Xherom, e lindur në Amerikë, ishte vajza e një biznesmeni të Wall Street. Babai i Çërçillit shpenzoi shumë nga pasuria e familjes, duke e lënë djalin e tij në kushte modeste. Si një student i dobët, Çërçill nuk u bë pjesë e ndonjë universiteti të njohur, por për fat u pranua në Kolegjin Mbretëror të Ushtrisë. Jeta ushtarake iu duk tërheqëse, por shpejt e kuptoi se nuk ishte shumë fitimprurëse, për këtë arsye ai kërkoi të punonte si reporter lufte. Në vitin 1895, ai udhëtoi drejt Kubës, vendi i parë i fillimit të shërbimit të tij të gjatë. Tri vjet më pas ai shkroi librin e parë për përvojën në luftën në Indi, e ndjekur edhe nga një novelë tjetër në vitin 1899 e quajtur “Savrola”. Çërçilli u bë i njohur për raportimet gjatë luftës së Afrikës së Jugut, për gazetën “The Morning Post”. Ai u zu rob dhe u burgos në një kamp, nga i cili arriti t?ia mbathte shëndoshë e mirë. Arratisja e tij bëri bujë në Angli dhe për këtë arsye, arriti të fitonte për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 1900-s. Historitë e tij të luftës, jo vetëm që e ndihmuan politikisht, por edhe ekonomikisht. Në vitin 1906, Çërçilli publikoi biografinë me dy vëllime për të atin, lordin Randolf Çërçill. Në vitin 1908 krijoi familjen e tij pas martesës me Klementin Hozer, e cila e bëri baba pesë herë. Karriera e tij politike vazhdoi të lulëzonte, në vitin 1911 ai u emërua Lord i Parë në Ministrinë e Forcave Detare. Roli i tij si arkitekti i fushatës shkatërrimtare të Gallipolit e detyroi atë t?i kthehej asaj që dinte të bënte më mirë: të luftonte e të shkruante. Pjesën e mbetur të Luftës së Parë Botërore e kaloi si një oficer në ushtrinë britanike, ku shkroi dhe veprën me shumë vëllime “Kriza botërore”. Ai e gjeti përsëri rrugën e tij të suksesit dhe në vitin 1923 u emërua kancelar i Thesarit, duke u bërë kështu drejtuesi i Financave të Britanisë. Është interesant fakti se teksa Çërçill drejtonte financat e Britanisë, bëri një gabim të pafalshëm me financat e tij. Në vitin 1922, edhe pas kundërshtimit të fortë të gruas së tij, ai bleu Chartwell, një pronë e rrënuar në periferi të Kentit. Chartwell u bë një “vrimë e zezë” për të ardhurat e Çërçillit deri në fund të jetës. Duke mos dashur të hiqte dorë nga shpenzimet për verë të mirë, ushqim dhe cigare, Çërçill vazhdoi ta mbante gjallë ekonominë e tij, duke publikuar libra, ndërkohë që shtrëngonte fort edhe punën në krye të qeverisë. Çërçill provoi se ishte një administrues i dobët i të ardhurave të Mbretërisë dhe u detyrua të largohej nga zyra, pas gabimeve të vazhdueshme që bëri me buxhetin. Në vitet 1930, Çërçill ishte larguar nga politika dhe kishte nevojën për një punë të paguar mirë. Ai kishte bërë gjithashtu disa investime të gabuara në tregun amerikan, duke shkaktuar kështu dëm në Wall Street kursimet e tij. Për të paguar faturat, ai merrte përsipër çdo punë shkrimi që mundej. Filloi të shkruante një biografi për një tjetër pjesëtar të familjes së tij, për Xhon Spenser, dukën e parë të Marlborough. Çërçillit iu kërkua nga familja Rrokfeler të shkruante jetën e kryetarit të familjes Xhon D. Rrokfeler. Ndodhi që trashëgimtarët e njeriut më të pasur të planetit nuk ranë dakord me shumën e tepruar të kërkuar nga Çërçilli. Në vitin 1932 ai filloi të shkruante një histori për botën perëndimore, një projekt ky që i mori më se 25 vjet për t?u përfunduar. Në fund të dekadës, Çërçill fitonte 30 herë më shumë para nga shkrimet sesa kishte fituar si anëtar i Parlamentit. Shumica e shkrimeve gjatë kësaj kohe kishin të bënin me rritjen e fuqisë të Gjermanisë naziste dhe kërcënimit fashist që i kanosej Perëndimit. Ndërsa pjesa tjetër e njerëzve fliste për paqe me këto regjime totalitare, Çërçilli fliste për marrje masash dhe veprime konkrete kundër tyre. Kur kryeministri britanik, Nevil Çamblerlein, dha dorëheqjen tetë muaj pasi Britania kishte hyrë në Luftën e Dytë Botërore, Çërçilli zuri vendin e tij. Pesë vitet e ardhshme të jetës së tij, ai i kaloi duke udhëhequr Britaninë e Madhe drejt fitoreve, por nuk hoqi dorë nga shkrimet e tij. Këtë herë ato kishin si qëllim ndihmën ndaj brezave të ardhshëm dhe jo publikimin për para. Fjalimet e tij frymëzuese forcuan moralin në Britani dhe kudo në botë. Vite më pas, Presidenti Xhon F. Kenedi shkroi në shënimet e tij se Çërçill mobilizoi gjuhën angleze dhe e dërgoi atë në betejë. Dalja e befasishme nga politika në vitin 1945, i dha Çërçillit shumë kohë të lirë. Pas kësaj, ai shkroi gjashtë vëllime për historinë e Luftës së Dytë Botërore, së bashku me shumë përmbledhje të fjalimeve dhe eseve të tij. Në vitin 1953, Çërçilli, njeriu që e udhëhoqi vendin e tij në kohën më të vështirë, u nderua me çmimin “Nobel”, i cili nuk ishte për paqen, por për arritjet e tij si shkrimtar. Në fund të viteve ’50 doli edhe botimi i shumëpritur me katër vëllime “Historia e popujve anglishtfolës”. Në këtë kohë Çërçill ishte i sëmurë. Ai vdiq në janar të vitit 1965. U llogarit se Çërçill ka shkruar gjatë gjithë jetës së tij mbi 2 milionë fjalë. Cili ishte sekreti i tij për gjithë këto energji dhe arritje? Formula e tij magjike ishte ndjekja e një orari striktë dhe shumë ndihmë nga të tjerët. Çërçill zgjohej herët, shkruante gjithë mëngjesin dhe më pas përsëri në mbrëmje. Ai bënte gjithashtu një sy gjumë pasdite, një zakon që e fitoi në Kubë. Kjo i jepte mundësinë atij të ndihej i freskët dhe gati për një turn të dytë shkrimi në mbrëmje vonë, i cili fillonte rreth orës dhjetë dhe përfundonte në orën dy të mëngjesit. Uiski me të cilin shoqëronte procesin e të shkruarit e bënte të palodhur për të shkruar faqe të tëra. Nëse do t?i duhej ndonjë informacion shtesë, i drejtohej një stafi kërkuesish të armatosur me materiale të pafundme. Kjo konsiderohet si “Fabrika e fjalëve” të Çërçillit dhe falë saj, ai ishte në gjendje të shkruante rreth 2 mijë fjalë në ditë. Ndonëse të shkruarit mund të ketë qenë një nevojë ekonomike, Çërçilli e ka shijuar shumë këtë proces të vështirë. Ai shprehej: “Të shkruash një libër është një aventurë. Në fillim është lojë dhe dëfrim; më pas bëhet një dashnore dhe pastaj një padron e në fund është një tiran. Në etapën e fundit, në çastin që ju jeni mësuar me këtë robëri ndaj shkrimit tuaj, vendosni ta vrisni përbindëshin në të cilin është kthyer ai dhe t?ia hidhni atë publikut”

Please follow and like us: