Veton Surroi: Mësime njëjavore prej praktikanti
Qeveria e Kosovës sërish e ka vënë vendin në negociata për çështje të brendshme
Mund të jetë një mungesë përvoje dhe mund të mos jetë një e tillë, ngase tashmë po përsëritet disa herë kur kryeministri i Kosovës deklaron se ai dhe Qeveria e tij do të bëjnë negociata vetëm për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, e cila përmban njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.
Në mënyrë që kjo të ndodhte, Kosova dhe Serbia do të dakordoheshin paraprakisht se do të fillonin negociatat mbi këtë parim, pra konceptin se do ta njohin njëra tjetrën, dhe se mbi këtë parim atëherë do të zhvillonin negociata mbi çështje që të dy palët i konsiderojnë kontestuese. E kontestuese mund të ishin, pastaj, që nga obligimet e ndërsjella financiare e deri te ndonjë hollësi të vijave kufitare.
Kjo nuk ka ndodhur prej momentit kur Kosova, pas mendimit të GJND-së që ka legjitimuar dhe legalizuar shpalljen e pavarësisë së vendit, ka pranuar konceptin tjetër, se me legjitimitet dhe legalitet të njëjtë është edhe pozicioni kontestues i Serbisë. Pra, Kosova që nga viti 2011 ka hyrë në negociata ku pranohet se pavarësia e vendit është e kontestueshme, rrjedhimisht ka negociuar për mënyrën se si për Serbinë kjo të mos jetë e kontestueshme.
Ky parim nuk ka ndryshuar në Washington, në Shtëpinë e Bardhë. Kosova ka shkuar te presidenti Trump ashtu siç ka shkuar te Cathorine Ashton, Federica Mogherini apo kush të ketë qëlluar atë ditë në Bruksel për të ndërmjetësuar.
2.
Pra, ekziston një shpërputhje mes asaj që deklaron apo beson se po bën Qeveria e Kosovës dhe asaj që po bën. Në rrafshin e konfliktit të brendshëm politik opozita dhe mediat kritike tashmë e kanë të lehtë evidencimin e deklarimeve të Qeverisë dhe të kryeministrit dhe veprimeve të kundërta. Rasti më eklatant ishte ai i “Mini-Shengenit”, i cili prej një projekti për rikrijimin e Jugosllavisë, siç u quajt para shkuarjes në Washington, u trajtua si e arritur e madhe historike për Kosovën, si çdo gjë tjetër që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë.
Rast edhe më eklatant është edhe deklarimi se kjo qeveri do të shkojë të negociojë vetëm për marrëveshje për njohje të ndërsjellë, për t’u kthyer me një listë zotimesh të nënshkruara, disa prej të cilave nuk janë fare pjesë të konfliktit të pambaruar mes Kosovës dhe Serbisë, si dekriminalizimi i homoseksualitetit në botë, apo shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste.
3.
Kryeministri i Kosovës mund të ketë mësuar brenda një jave disa mësime të rëndësishme për negociata. Së pari, jo, nuk është duke zhvilluar negociata për “marrëveshje përfundimtare që përfundon me njohje të ndërsjellë”, por është duke zhvilluar negociata për çka do që ta thërrasin, qoftë edhe për diçka që quhet “normalizim ekonomik”. Së dyti, në momentin kur ka pranuar që të negociohet për çdo gjë, nuk ka fokus tematik e as kufizime konceptuale. Pra, do të pranojë, që ndonëse Serbia ende e konteston ekzistencën e Kosovës, të bisedojë në Washington për Ujmanin e në Bruksel për “rregullimin për komunitetet joshumicë”. Brenda një jave, pra, ka pranuar të negociojë për asete strategjike me ndjeshmëri strategjike (Ujman) dhe për njërën pjesë bosht strategjike të Kushtetutës së Kosovës (të drejtat e komuniteteve joshumicë). Së treti, mund të ketë mësuar se ai mund të niset me qëllimet më të mira dhe me betim se do të mbështetet në Kushtetutë, por kjo nuk e mbron prej dëmit që shkakton: Kosova është duke negociuar sërish për çështje të brendshme të saj.
Kjo qeveri mund të thotë se edhe ato të mëhershmet bënë gabime të njëjta. Po, kryeministri Thaçi dhe ai Mustafa pranuan hapjen për negociata të Pakos së Ahtisaarit, pra Kushtetutës së Kosovës, dhe pranuan konceptin e autonomisë territoriale politike të serbëve në Kosovë. Të gjitha këto, për më tepër, i pranuan në këmbim të asgjëje, gjegjësisht , vazhdimit të mëtejmë të negociatave, me destabilizim të qartë të brendshëm politik në Kosovë, prej demonstratave masive e deri te vendosja e taksës njëqind për qind.
Por, fakti se qeveritë e mëhershme gabuan nuk e absolvon këtë qeveri. Ajo mund të ketë mësuar prej gabimeve të tyre, e jo të mësohet në cilësinë e praktikantit.
Kjo qeveri e ka vendosur sërish Kosovën në një proces negociator, në të cilin i kërkohet që vendi disi t’i akomodohet shijes së një shteti tjetër, Republikës së Serbisë. Gjatë këtij zhvillimi Kosova mund të ofrojë se do të bëjë këtë dhe atë, siç ka premtuar nga viti 2011, por kjo jo domosdoshmërisht mund të jetë e kënaqshme për Serbinë. Ajo nuk ka kurrfarë detyrimi për ta pëlqyer Kosovën, çfarëdo rirregullime të brendshme të bëjë apo të premtojë se do të bëjë.
4.
Këto negociata kanë krijuar një paradoks në balancë të fuqisë negociatore. Serbia udhëhiqet prej presidentit të saj, i cili mund të nënshkruajë çdo gjë, sepse ka dy të tretat e përkrahjes parlamentare për ta implementuar. Kosova udhëhiqet prej kryeministrit të vendit, i cili mund të nënshkruajë çdo gjë, sepse bëhet e paimplementueshme, ngase ai sot për sot nuk e ka kontrollin as të shumicës së thjeshtë.
Ky paradoks nuk zgjidhet ndryshe, pos me krijimin e një fuqie të re negociatore kosovare me legjitimitet politik, por kjo tash u përket partive në vend. Ajo çka i përket vendit është se negociatat, me apo pa përkrahje të mjaftueshme, krijojnë realitete të reja në formën e obligimeve të vendit. Kosova ende ka problem me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të nënshkruar nga Thaçi më 2013 e të ratifikuar në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare. Çdo raund tjetër negociator ka sjellë risi, herë lehtësi e herë obligime. Tash, siç u pa brenda një jave, Qeveria i ka hyrë punës së negociatave në cilësinë e praktikantit që po mësohet gjatë punës dhe mund ta fusë vendin në telashe më të mëdha./koha.net