Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: Ka një sërë arsyesh pse i dua auditoret universitare

Ka një sërë arsyesh të forta dhe të mirëprovuara se pse i dua auditorët dhe përmbajtjen e tyre. Përgjegjshmëria e studenteve, etja për të mësuar më shumë e përtej, kurioziteti i sinqertë si dhe ëndrrat e tyre janë disa ndër to.

Pavarësisht kushteve sfiduese të pandemisë Covid-19 dhe paqartësisë për të nesërmen, studentet e mia të Ekonomikut, me të cilat zhvilloj në anglisht lëndën e Komunikimit, viti i parë Bachelor, u gjendën në auditorë, të përmalluara pas lodhjes së izolimit dhe mësimit virtual.

Më kishte marrë malli t’i shihja kaq pranë. Ato më bëjnë të shoh me sy ironik dhe mospërfillës tërë hipokrizinë dhe cinizmin njerëzor, aprofesionalizimin e korrupsionin intelektual të këmishave dhe kollareve, thinjat pa integritet e ndarjen mediokre klasore, ngërdheshjen institucionale e administrative, prepotencën e programeve prestigjoze boshe me lidera fodull, të panxënë të së ardhmes, të një vendi në varfëri ekstreme, strategjitë e stërfryra e letrat e bardha të harxhuara më kot, të një atdheu që në vend të dijë e të bëjë gjithçka për të mbajtur rininë të lidhur pas vetes, vlerave e konkretes-arsye për t’u krenuar, sikur e përgatit dhe detyron atë të largohet pa busull.

Unë e jap motivimin si kryefjalën e ligjërimeve të mia. Aty mes dijesh e rrëfimesh, i them se drita e tyre qëndron pikërisht tek kritika ndaj baballarëve, ambicia e puna e së tashmes dhe vizioni për të ardhmen. Sytë e tyre shkëlqejnë se janë së pari të pastër, dhe, mjafton t’i ofrosh qasje të qarta e pozitive, që s’ngjasojnë me asnjë premtim elektoral e asnjë abuzim shpirtëror, siç janë bashkëpunimi me, dhe respekti e vlerësimi ndaj tjetrit.

Në këtë rrugëtim, nisin të qartësojnë shikimin ndaj dritareve e dyerve të jetës së tyre dhe të ndërtojnë paralelisht mure mbrojtës.

Dielli dhe lulet dhe dashuritë do të jenë krah tyre.

Please follow and like us: