Tuneli i Llogarasë prej 6 km, shpallet projekti fitues
Konsorciumi i përbërë nga 5 kompani, austriakët e “iC Consulenten”, “ELEA iC” dhe “IBE” të Sllovenisë dhe dy kompanitë vendase “SEED Consulting” dhe “InfraKonsult”, janë shpallur fitues për projektin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka vlerësuar këtë bashkim operatorësh për zgjidhjen më të mirë teknike, kapacitetet dhe kualifikimet e stafit teknik të duhura për të realizuar projektin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Pas përfundimit të afateve ligjore, do të bëhet hapja e ofertave ekonomike, dhe shpallja e fituesit të garës për tunelin. Në garë morëm pjesën 7 kompani teksa u përzgjodhën për fazën finale 2 prej tyre. Të gjithë konkurrentët pjesëmarrës ishin bashkime operatorësh ekonomikë të kryesuara nga kompani të huaja me eksperiencë në fushën e projektimit dhe ndërtimit të tuneleve”, thuhet në njoftimin e ministrisë. Tuneli i Llogarasë pritet të jetë një vepër komplekse inxhinierike por qeveria ka kërkuara që procesi i tenderimit të mbarojë në kohë rekord në mënyrë që puna të mund të nisë para zgjedhjeve të prillit. Ndërtimi i tunelit do të financohet nga buxheti i shtetit, që do të thotë se qeveria do t’i drejtohet një tjetër borxhi. Ai do të jetë i gjatë 6 kilometra dhe pritet të shkurtojë rrugën nga 55 minuta në 10 minuta.