Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Andrea GUDHA: Pandemitë dhe Njerëzimi

Pandemitë dhe Njerëzimi                                                                                    

(Abstrakt pa fund)

               

Dhe hamendësimet e shkencëtarëve u bënë realitet.

“Po, nëqoftëse ndodh një pandemi”?

Dhe, ajo ndodhi! Covid-19!

“Po tani, çfarë do të ndodhë”?

***

Ç’na tregon historia e Pandemive?

Sa më të civilizuar bëheshin njerëzit, aq më të shpeshta ishin mundësitë për t’u prekur nga Pandemitë, të cilat bëheshin edhe më agresive!

Viti 431 Para Krishtit: Murtaja e Athinës. Pandemia e parë e botës perëndimore

Në vitin 431 p.e.s., shpërtheu Lufta e Peloponezit midis Athinës dhe Spartës. Për t’i bërë ballë ushtrisë të Spartës, komandanti athinas Perikli i shpërnguli banorët në Akropol dhe ruajti lidhjen me jashtë vetëm nëpërmjet portit të Pireut. Tifua, nga Afrika Lindore u soll në portin e Pireut nëpërmjet morrave në anijet e flotës së Athinës dhe u përhap shumë shpejt në Akropol. Brenda një viti, vdiqën 1/4 e popullsisë së Athinës (100 mijë athinas), përfshirë dhe Perikliun. Djegia e kufomave në mënyrë të përqëndruar ishte metoda efikase për frenimin e përhapjes së epidemisë.
Athina, ky qytet-shtet i lulëzuar, i dha lamtumirën “epokës së artë të Perikliut”!

Viti 165, Murtaja Antonine, perandor i Romës

E njohur dhe si Murtaja e Galenit,  preku Azinë e Vogël, Egjiptin, Greqinë dhe Italinë. Ajo erdhi në Romë nga ushtarët, që ktheheshin nga Mesopotamia. Shkaku i Murtajës mendohet Lia? Vdiqën 5-10 milionë njerëz.

Shënim: Kleopatra, perandoria e Egjiptit, është  e njohur për martesën me perandorin Antonin. Filmi “Kleopatra” (1963). Rolin e Kleopatrës -Elizabet Tejlor, rolin e Antonine- Ricard Burton.

Murtaja e Justinianit (541-542)                                                                                                           

Murtaja e Justinianit (Perandor i Bizantit) ishte një shpërthim i murtajës bubonike, shkaktuar nga minjtë dhe pleshtat.  Preku Perandorinë Bizantine dhe qytetet portuale të Mesdheut. Vdiqën 25 milionë njerëz gjatë një viti. Kështu ra “kambana e vdekjes” për Perandorinë Romake!

Historiani William H. McNeill citon: “deri në fund të shekullit të 3-të, pandemitë në rajonin e Mesdheut ishin shkaktuar nga: virusi i lisë dhe i fruthit.  Ato, fillimisht u shfaqën në tufat e bagëtive në Afrikën Veriore dhe pastaj u përhapën në mes të konsumatorëve të mishit të gjedhit në Europë…”. Rënia e Perandorisë Romake Lindore (Bizantit) dhe, ngritja e Perandorisë Arabe, ndërpreu burimin e përhapjes së shkaktarit të murtajës në Europë nëpërmjet rrugës së Mëndafshit drejt Perëndimit (lidhja e Mesdheut me Azinë Lindore).

Kryqëzatat, shek. 10 –13-të

Kryqëzatat ishin pikat e para të kontaktit me botën arabe, me sëmundshmërinë dhe me transmetimin e ndërsjelltë të sëmundjeve infektive.

Shek. 13: Leproza (Karantinë, izolim, distancim social)!                                                                     

Leproza u shndërrua në pandemi në Evropë. Leprozët izoloheshin në vënde të karantinës – leprozariume, në masa të rrepta sigurie. duke shmangur kontaktet me njerëzit. Në ishull, i  thoshin:“lamtumirë  jetës”!

Shek. 14: Murtaja e zezë ose vdekja e zezë, (1346-1353

Shpërthimi i Murtajës së zezë shkatërroi Azinë, Evropën dhe Afrikën. Vdiqën 75-200 milion njerëz.  Nuk kishte më vend në varreza. Papa Klementi IV shenjtëroi ujërat e lumit Rhon në Francë, ku hidheshin kufomat.

Shënim. Libri “Dekameroni” i Bokaços (1313–1375) lidhet me këtë pandemi.

Shek. 15: Zbulimet e mëdha gjeografike dhe teknike si:                                                                  

Rruga e re detare për në Indi e zbuluar nga Vasko de Gama. Zbulimi i Amerikës nga Kristofor Kolombi, Busulla, harta gjeografike, shtypshkronja Gutenberg etj.  Portet detare, u bënë qendra të mëdha për anijet tregtare me produkte blegtorale dhe bujqësore, por ishin vend i përsosur dhe  për shumimin e minjve dhe pleshtave. U shtua qarkullimi i njerëzve me popullsi të ndryshme (skllevërit, koloniziatorët).

Shënim. Filmi “12 vjet skllav”, filmi më i mirë i  vitit, 2014.

Shek. 16-17-18-të Lia (Variola)                                                                                                                 

Valët e epidemive nga Lia, ndërbshekuj, zhdukën perandori, miliona njerëz, por nuk kursyen as mbretërit: Mbretëreshën Meri ll të Anglisë, Perandorin e Shenjtë Romak Jozefin I, Mbretin francez Luigjin XV dhe Carin Pjetër ll të Rusisë. E. Jenner, më 14 Maj 1796 i injektoi një djaloshi të ri të shëndetshëm material nga plaga e lisë së lopës. Djaloshi nuk u sëmur!

Filloi epoka e vaksinimt  të njerëzve! Imunizimi!

Në shek. të 18-të, 400.000 europianë në vit vdisnin nga lija, 1 në 7  fëmijë ishte rus. Katerina e madhe e Rusisë, për të inkurajuar rusët për vaksinën, e aplikoi e para! Në fytyrën e Stalinit dallohen pasojat e Lisë të  kaluar në moshën  fëminore!

Pandemia e tretë e Kolerës (1852–1860) 

Në shek. 19-të ndodhi shpërthimi i tretë i Kolerës, më vdekjeprurëse, duke shkaktuar vdekjen mbi një milion njerëzve. Edhe kjo Pandemi e kishte origjinën në Indi, duke u përhapur në katër kontinente: Azi, Evropë, Amerikën e Veriut dhe Afrikë.

Shek.19: U zbuluan shkaktarët e Pandemive vdekjeprurëse të Njerëzimit

U vendos Diagnoza bakteriologjike.

Shënim. Deri në shek. 19 shkaktarët e pandemive ishin të pa njohur! Robert Koch zbuloi bacilin e TBC dhe bacilin e Kolerës (1883).

Fillon epoka e Asepsisë dhe Antisepsia                                                                                                    

Louis Paster identifikoi mikroorganizmat, që shkaktonin sëmundje dhe metodat e Asepsisë dhe Antisepsisë (larja e duarve, dorezat, maskat, dezifektimi etj).

“Gripi Aziatik” (1889-1890). Ishte epidemia e parë e vërtetë në epokën e bakteriologjisë! 

“Gripi Aziatik” ose “Gripi Rus” u shkaktua nga virusi i influencës A H3N8.  Numri i vdekjeve: 1 milion njerëz.

“Vijë karantine” midis shteteve

Vendet e Europës Perëndimore vendosën bllokimin e detyrueshëm të zonave të prekura, si dhe sistemin e statistikave të përditshme. Në kufirin midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane u krijua një “vijë karantine”. Çdo njeri a mall, që vinte nga Lindja në Perëndim, duhej të karantinohej rreth kësaj vije për 21 ditë.

Shek. 20, “Shekulli i gripit”                                                                                                             

Në Ligjin e Shëndetit Publik u theksua:  Krijimi i komiteteve vendore për mbikëqyrjen e mjedisit publik, kushteve higjienike, masat mbrojtëse parandaluese për sëmundjet infektive,  vaksinimi…
Reforma e standardeve mjekësore dhe shëndetësore.

“Gripi spanjoll”                                                                                                                                

Në vitin 1918, e gjithë bota ra në tmerrin e “Gripit spanjoll”. Virusi i gripit Spanjoll (H1N1) u përhap në Evropë, Amerikë, Azi dhe Afrikë. Origjina gjeografike e pandemisë, meendohet nga Kina…? Vdiqën mbi 50 milionë njerëz. Pas 2 vjetësh, “gripi spanjoll” u zhduk papritur, ashtu si erdhi!

Tani dhe në vazhdimësi, vlerësimet epidemiologjike dhe statistikat vijnë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, (7 prill 1948) me qendër në Gjenevë të Zvicrës.

“Gripi Aziatik”  (1956-1958)                                                                                                                   

Gripi Aziatik ishte një shpërthim pandemik i Gripit A të nëntipit H2N2.  Gripi Aziatik u përhap nga Kina në Singapor, Hong Kong dhe në SHBA. Zgjati 2 vjet dhe vdiqën 2 milionë njerëz.

“Gripi i Hong Kongut” (1968) 

“Gripi i Hong Kongut” u shkaktua nga virusi i influencës A, lloji H3N2, mutacion gjenetik i nëntipit H2N2.  Rasti i parë u raportua në Hong Kong dhe, brenda tre muajve, u përhap në Indi, Australi, Evropë dhe në SHBA, duke shkaktuar 1 milion vdekje në njerëz.

HIV/AIDS (SIDA), 1981…                                                                                                          

SIDA u identifikua në vitin 1976 në Kongo dhe u përhap në të gjithë globin (sëmundja e shek. 20-të). SIDA ka vrarë më shumë se 36 milionë njerëz në të gjithë botën. Kërkimi për të gjetur kurën dhe vaksinën kundër HIV, po vazhdon prej 36 vjetësh!?

 Shek. 21: Njerëzimi në luftë me viruset, “armiqë të njohur, por të pa dukshëm e vdekjeprurës”

SARS-CoV. 2003                                                                                                                   

Sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes (SARS) u raportua për herë të parë në Kinë dhe u përhap në Azi, SHBA dhe Europë. Shkaktari ishte një koronavirus, (SARS-CoV), që shkaktoi 774 njerëz të vdekur. Nuk ka vaksinë!? Sëmundja, si erdhi, ashtu iku në vitin 2004!?

Gripi H1N1 (gripi i derrit) 2009-2010

Gripi AH1N1 (1918) u rishfaq në vitin 2009, por më i zbutur. (Cikli natyror)! Origjina: në Kinë.  Pritej vala e dytë e pandemisë në pranverën e vitit 2010, por kjo nuk ndodhi? Vdiqën 500 mijë njerëz. Brenda 7 muajve u prodhua vaksina, por ngeli stok! Edhe kjo pandemi, ashtu si erdhi, iku!

Covid-19, 2019                                                                                                                                    

Pandemi e përmasave historike! Gjëja më e keqe, që ka parë  njerëzimi që nga viti 1918. Ekspertët, në fillim parashikuan, se pandemia e koronavirusit mund të vrasë deri në 40 milion njerëz!  Sars CoV, u rishfaq papritmas, më agresiv, tinzar e vdekjeprurës!

Më 31 dhjetor 2019, Kina njofton për një pneumoni misterioze në qytetin e Wuhanit.

Më 9 Janar 2020, Kina raporton se ka  identifikuar një koronavirus të ri, Sars-CoV-2, që është nga e njëjta familje me SARS-CoV (2003).

Më 11 janar, Kina njoftoi vdekjen e parë të shkaktuar nga Covid-19. Po, më 11 janar, Kina e vuri hartën gjenetike të virusit në dispozicion të autoriteteve shëndetësore botërore për studime shkencore, për ilaçet dhe prodhimin e vaksinës Covid-19.

OBSH, më 30 janar shpalli urgjencën ndërkombëtare të shëndetit publik.

OBSH, më 11 shkurt emërton sëmundjen e frymëmarrjes: Covid-19. “Kunjat” e kurorës së Koronavirusit u ngulitën në të gjithë globin tokësor.

OBSH, më 11 Mars shpalli: “Pandemi globale”

Luftë me armikun e padukshëm mikroskopik SARS CoV2! Panik!                                         

Shkencëtarët dhe strategët e Shëndetit të OBSH i gjeti të pa përgatitur për luftë! Qeveritë në mbarë botën u kapën në befasi! Sistemet shëndetësore në botë të pa përgatitur! Personeli shëndetësor, që ishte në vijën e parë të frontit të luftës, të pa mbrojtur, luftonin si “Don Kishoti me ushtë”! Ritmi mortor po shtohej nga dita në ditë! Pamje të tmerrshme në stacionet TV! Kufoma. Në sheshe vetëm ushtarë!

Njerëzimi u gjunjëzua nën pushtetin e  Covid-19! Bota u ndal!                                       

Qeveritë ndërmorrën masa drastike! Mbarë njerëzimi në karantinë. Jeta sociale u paralizua! Tregjet botërore u tronditën, krizë e rëndë financiare dhe psikologjike. Transporti dhe kufijtë shtetërorë të mbyllur. Shtetrrethim! Vetëm, komunikim dixhital!                                        

Situatë kritike në spitale: mbingarkesë të sëmurësh, mungesë pajisjesh, shtretërish dhe personel shëndetësor. Infektim dhe vdekje ndër personelin shëndetësor! E pazakontë: seleksionimi i të sëmurëve…!                                                                                                                                            

Edhe shtetet më të pasura në botë diskutojnë për mungesën e testeve, maskat, ventilatorët…?!

***

Mësim nga Historia!

Shkencëtarët dhe OBSH iu rikthyen historisë së Pandemive me masat mbrojtëse: Karantinim, Izolim, vetizolim, Distancim social, Higjienë vetjake dhe publike, Testim, gjurmim…

Politikat shëndetësore janë më të vështira se politikat qeveritare.  Përse? Sepse ato varen nga politikat qeveritare.

Kërkimi i fajtorit. Akuza të ndërsjellta

 Presidenti amerikan Donald Trump akuzoi Kinën për epideminë e koronavirusit“Nëse Kina do ta kishte informuar botën që në fillim, kjo epidemi mund të ishte ndalur më herët… origjina e virusit është nga një laborator në qytetin kinez të Wuhanit”.

Akuza nga Kina: “…Kjo çështje duhet të trajtohet nga shkencëtarët dhe jo nga politikanët…  Diplomati i lartë amerikan e ka humbur busullën e tij morale…Virusi e kishte origjinën nga SHBA-ja dhe u çua në Kinë nga ushtria amerikane”.

Donald Trump akuzoi dhe OBSH për “fshehjen e rolit të Kinës në pandemi, për veprimin e vonuar në shpalljen e situatës emergjente dhe të pandemisë”. Trump urdhëroi ndërprerjen e fondeve për OBSH.

OBSH akuzon  presidentin Trump për politizim” të virusit Covid-19

Shkenca për origjinën e Covid-19. Natyra apo njeriu?                                                                     

Ekspertët më të rëndësishëm të sëmundjeve infektive në Amerikë, Angli dhe Australi: “e pamundur” që koronavirusi i ri të kishte dalë nga një laborator…”.                                   

Dr. Anthony Fauci: “…virusi nuk mund të jetë manipuluar artificialisht ose qëllimisht… ky virus evoluoi në natyrë dhe më pas kaloi te speciet”.

Misteri i laboratorit të Wuhanit                                                                                             

Laboratori  i Wuhanit është i vetmi laborator në Kinë ( pjesë e Akademisë)   i pajisur për nivelin më të lartë  të kontrollit (Niveli 4 i Biosigurisë). Eshtë ndërtuar për të studiuar patogjenet më të rrezikshme të botës, siç janë dhe koronaviruset. Laboratori është projektuar dhe ndërtuar me ndihmën e Francës.

Shkenca në konflikt me Politikën                                                                                   

Dr. Anthony Fauci (këshilltar i gjashtë presidentëve të SHBA), u kërkoi udhëheqësve të SHBA-së, që ta bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskës. 

Presidenti amerikan Donald Trump: “Nuk do t’i urdhërojë amerikanët, që të përdorin maska mbrojtëse…”. 

Kryeministri anglez Boris Johnson në fillim i nënvlerësoi këshillat e ekspertëve. Ai u ndërgjegjësua nga përjetimi personal i sëmundjes Covid-19, më mars. Pas daljes nga spitali, Johnson duartroket personelin shëndetësor! Shkenca kërkon kujdes në rihapjen e ekonomisë së vendit! Politika këmbëngul në rindezjen e shpejtë të motorëve të ekonomisë.

 

Gratë udhëheqëse të sukseshme në menaxhimin e pandemisë

Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë. Jacinda Ardern, Kryeministre e Zelandës së Re. Erna Solberg, Kryeministre e Norvegjisë. P.S. Kandidate për Çmimin Nobel në mjekësi !(A.G) Përse? Ato ishin të besueshme dhe të sigurta për popullin në menaxhimin e Covid-19. Rezultati: Kishin vdekshmërinë më të ulët!

Ndryshimi. Ato rrezikuan më pak me jetën e njerëzve dhe më shumë me ekonominë kombëtare, ndërsa udhëheqësit burra bënë të kundërtën.

Imuniteti?                                                                                                                                         

Në fillim u hodh idea “Imuniteti i tufës”! Por, kjo gjë nuk ndodhi.

Vaksina Covid-19- kryefjala  botërore e shpëtimit të njerëzimit!

Më 11 janar 2020, studiuesit në të gjithë botën u vendosën menjëherë në start për prodhimin e vaksinës kundër Covid-19.

Etika mjekësore: Vaksina, për prodhimin  e saj, duhet të kalojë  në  3 faza për 2-4 vjet, për të qenë  e sigurt dhe me efikasitet!

Garë e ethshme për vaksinën

Konkurrenca përfshin botën e shkencës dhe shumëkombëshet e mëdha farmaceutike, për të arritur në finish, për marrjen e patentës… Mbi 120 projekte kërkimore në zhvillim e sipër! (14. 9. 2020).

Në vëmendje! OBSH: “Vaksina nuk mund të prodhohet më herët se 1 vit e gjysmë”.

Dr. Fauci: “Nëse arrijmë të kemi një vaksinë kundër koronavirusit 70 % të efektshme dhe, e kombinojmë atë me disa elementë të praktikave më të mira të shëndetit publik, atëherë mund të kemi një mbrojtje të mjaftueshme për të gjithë komunitetin”.

Suprizë!  Vaksina “Sputnik V”                                          

Presidenti rus Vladimir Putin më 11.8.2020 njofton: “Për herë të parë në botë  është regjistruar  një vaksinë “Sputnik V” kundër koronavirusit të ri. Një nga vajzat e mia  u vaksinua…”.

***

Pandemia ndodhi!

Inteligjenca e koronavirusit triumfoi ndaj inteligjencës natyrale të shkencëtarëve Nobelistë dhe inteligjencës artificiale në Mjekësinë moderne të sofistikuar. Stili i Jetës ndryshoi!

Ditët e normalitetit krejt të pasigurta, i ngjajnë një kujtimi të largët. Shkrimtarët dhe kineastët do të shkruajnë romane dhe skenar filmi. Të rinjtë do të shkruajnë ese për to. Rrjedha e pandemisë dhe fati i kombit tani varet nga distancimi shoqëror!

Ç’do të ndodhë më tej…?    

OBSH: “Kriza e shkaktuar nga Covid-19 nuk do të përfundojë domosdoshmërisht me një vaksinë. Virusi nuk do të zhduket, ndaj, shoqëritë duhet të mësojnë si të bashkëjetojnë me të”. OBSH: “Kjo nuk do të jetë pandemia e fundit dhe as urgjenca e fundit globale shëndetësore. Ne nuk e dimë se cila do të jetë urgjenca e ardhshme shëndetësore, por e dimë që  do të vijë dhe ne duhet të jemi të përgatitur”. 15.9.2020

E ardhmja e njerëzimit e pa sigurt! Refleksion për liderët botërorë dhe për njerëzimin!

Sa më shumë zhvillohet bio-teknologjia mjekësore, aq më shumë shtohen të panjohurat dhe pikpyetjet ndaj sigurisë së shëndetit të njeriut, aq më i madh është tmerri për përsëritjen e pandemive.

Përse? Misteri i botës së viruseve

Në univers ka më shumë viruse sesa yje! Triliona viruse notojnë në ajër.  800 milion viruse bien në çdo metër katror të planetit çdo ditë, të cilat nuk ndërpresin kopjimin dhe ndryshimin e virusit (cikli natyror).  Njohuritë e njerëzimit për to janë vetëm një pikë uji në oqean!

Përfundim

Mikrobet, Viruset dhe Sëmundjet ngjitëse kanë bashkëjetuar dhe do të bashkëjetojnë me Njeriun, sa të jetë Jeta në Tokë!

Njerëzimi u ndal për një çast, megjithatë, Toka rrotullohet!

Jeta vazhdon…!

Shtator, 2020

 

https://alb-spirit.com/2020/10/06/andra-gudha-pandemite-dhe-njerezimi-2020/

 

Please follow and like us: