Albspirit

Media/News/Publishing

Brahim AVDYLI: ZOGU DHE KËNGA

 

Leximi i shënimit apo i tregimit të Agron Ilirianit, i trembëdhjeti me radhë…

 

Tërë kohën më rridhte gjak prej plagëve. Më kishin rënë pa pushim. Një ditë, edhe unë do t’u vdes nëpër duar. Qëndrova me frymëmarrjen e rënduar dhe zemrën time të gufuar, të cilën e shtrëngoja brenda kraharorit, që të mos dalë. Ndërsa më ushtonin pa ndërprerë veshët e qenia ime ishte e lodhur, sa nuk ka më tepër, fillojnë që të më cicërrojnë zogjët e vegjël, të cilët, nëpër ditë të acarta, i mbaja dikur me ngohtësinë e duarve të mia, sa të merrnin veten pak e të hanin grimcat e vogla të bukës, në dorën time. Ishin zogj të vegjël të dhembjeve tona. Edhe ata strehoheshin në shpirtin tonë…

Gjithmonë i kam dashur zogjtë e vegjël dhe gjithmonë vinin edhe tek unë, përveç dallëndysheve. Kisha mëshirë me ta, sikurse me të gjitha shpezët e kafshët e shtëpisë. Nuk e di pse ishin aq të vegjël, njëkohësisht aq të bukur e me ngjyra të ndryshme. Zogjtë e njihnin shpirtin, më përpara se trupin

U kujtova gjatë, përderisa më pushuan sadopak plagët dhe veshtë, e nuk i ndëgjoja më, të mrekulluarit. Po solidarizoheshin me mua, në çastet më të rrebta, apo më ushtonin veshtë. Bilbili ishte si zot i këngës. Kur të vdisja, të këndonin pranë meje aq bukur, do të isha mëse i lumtur! Zogjtë, kur edhën në këtë botë, e pranuan trupin e qenies së tyre, me kusht që zëri i tyre të jetë i mrekulleshëm, pa marrë pasysh kushtet e jetës, se si do të kalojnë…

Mu kujtua një fjalë e dëgjuar prej gojës së pleqëve, të cilët, ne, fëmijët, në odë të burrave, i dëgjonim me plot vëmedje. Flisnin rrallë e përmallë.

-Pa e dhënë të dhimbshmen, nuk fitohet e këndshmja!

Kjo fjalë e urtë dhe kuptimplote, simbolike e filozofike, dëshmonte shumë çka! E këndshmja vie vetëm nëpërmes rrugës së dhembjes. Disa e quajnë se është idealiste, por pa ideale nuk sendërtohet realistja dhe nuk gjën vend të krijohet realizmi. Realizmin e kuptojnë të gjithë, ndërsa idealizmi u ikë në përmasat e tjera të kuptimit. Të mënçurit, do t`i kuptojnë që të dyja.

Në radhë të parë dëshmon se sa e vështirë është që të kesh ideale në një kohë të pa kohë dhe sa e vështirë do të jetë te kesh përkushtime idealiste.

Do të sakrifikosh në radhë të parë diçka tepër të dhimbshme nga vetja për të ndihmuar që e këndshmja t`i ketë shtigjet e hapura që të vie. Ajo nuk vjen kot e nuk vjen nëpër shtigje të mbyllura! Kur themi kështu, e kemi parasysh botën paralele. Askush nuk ka lindur me flatra që të mund të zotërojë vetë hapësirën. Duhet të japësh nga vetja diçka, për të marrë diçka.

I ngjanë tregut të sotëm në botën njerëzore. Dikur ishte: jap e marr! Kjo që kam, nuk më nevojitet. E e jap këtë gjë, që të marr diçka tjetër. Para ndarjes së shoqërisë në klasat e para skllavo-pronare, kjo ishte ndërrimi gjërave, në një ditë të caktuar, e kjo gjë vlente edhe për idealet. Gjithsesi, duhej “dhënë” diçka me të gjitha forcat tua, në një ditë të volitshme, në drejtim të caktuar, që të kesh mundësi të arrish në cakun e dëshiruar, duke vuajtur, duke ecë nëpër tehun e hollë të dhembjeve, shpesh herë deri në përpjekje kulminate, që të bësh të pamundurën të mundshme; që ta bësh reale dhe të prekshme! Thënë më shkurt, sakrifikohet trupi, që të fitojë shpirti dhe ideali!…

A e kuptoni këtë punë?! Ndoshta nuk dini se si mund të bëhet idealja një realiste. Të dyjat janë të lidhura në një drejtëz: idealistja është nën mjegulla të dendura, e realistja është pranë teje dhe e dukshme. Ajo që më së vështiri është për njeriun, është që arrijë deri te njohja, e pastaj sakrifikohet diçka nga vetvetja. Nuk ka njohje pa e bërë sakrificë kohën dhe mendimin.

T`i njohësh mundësitë e tua, do të thotë të shohësh përtej mjegullës. Me ndjenjën tënde fillon sakrifica e madhe jetësore. Nëse e ke mbajtur në mend, se ke lindur “për qëllime të caktuara”, shpirti i juaj e starton njohjen dhe vinë përkushtime të ngjeshura me veprim, individual e kolektiv, sa të bëhet forca e duhur për deportimimin e gjërave, ashtu si thotë lëvizja e tyre.

Kur njeriu i mbyllë sytë para të bukurës, e cila ka gjasa që ta zbutë e ta thyej edhe çelikun, ai i vë gjërat personale në prapavijë apo i ndrynë thellë sa të mos ndjehen, diku nëpër dhomat e mëdha të arkivit personal, i cili quhet “ndërdije”, dhe i përkushtohesh një ideali. Te njerëzit normal, kjo ndahet prej vetëdijes, me shtresa të mëdha të ujit të padukshëm, të cilit nuk ia di thellësitë. Aty është ërrësirë e plotë. Të kalosh nga vetëdija në ndërdije, do të thotë të hedhesh nëpër errësirë në një pus të thellë, pa e ditur se ku bjen. Nuk e di ku mund të përpasesh, e do të bëhesh copë – copa apo do të jesh i gojuar midis gurëve të një bunari, prej të cilit nuk e di se si mund të dalësh, nëse je i palënduar. Kush të ndihmon që biesh në vetvete? E ke mbuluar me errësirë, që nga lindja, e nuk e di sa aty është arkiva e madhe…

Në fakt, njerëzit e tillë të idealeve të larta lindin me mekanizma të denjë e mjaft të qëndrueshëm. Vendimet e tyre i kanë me kodekse të posaçme e të veçanta. Kodekset janë të shkruara me shifra. Edhe nëse mundohen që të shohin e t`i marrin këto kode apo kodekse nëpër mendjen e shfrytëzuar, do të kenë shumë probleme të mëdha, derisa t`i marrin prej njeriut. Kodekset janë urdhëra apo ligje të veçanta; janë të mbrojtura maksimalisht.

Ka edhe të atillë që krijojnë rrethana të caktuara, porse në të shumtën e rasteve rrethanat e caktuara ndikojnë edhe në argumentimet personale, për të vijuar një rrugë të caktuar dhe për të qetësuar luftën e brendshme, e cila zhvillohet te çdo qenie njerëzore. Ti je i lindur në një bashkësi dhe bashkësia ndikon edhe në personalitetin tuaj. Karakteret e forta i mundin shpesh apo me shpejtësi këto konflikte të brendshme dhe i mbyllin kopertinat e tyre në distanca të gjata kohore. Atyre u mjaftojnë ndonjëherë rrethat e jashtme, që të krijonë bindjen e vet, mjaft të qëndrueshme.

Kjo rrugë, thotë një palë, nuk është rrugë e mirëfilltë, nuk sjellë rezultate, të cilat do të ishin për nivelin tuaj. Kështu kthehet një palë në drejtime të tjera, sikur janë më të dobishme. Në qoftë se je në një rrugë të veçantë e të drejtë, pra në një rrugë të vlerëshme, edhe nëse këto paraqesin mjaft shtigje të vështira jetësore, nëpër të cilat fare pak janë në gjendje që të ecin apo që të ngriten, do të vazhdosh rrugën tënde besnike ndaj kodekseve.

Maft të tjerë luhaten gjatë apo edhe e humbin ekuilibrin e tyre në mes të ndjenjës personale dhe të dobishmes, duke u ndalur hap pas hapi, e duke mos e kthyer kokën pas vetes, nga frika, e cila gjithnjë të pushton. Për këtë shkak e humbin hapin apo dalin shpesh nga rruga, për veprimet e flashkëta, ose i kanë harruar kodekset dhe nuk arrijnë të kapërcejnë edhe mekanizmat e konflikteve frenuese, me natyrën delikate të njeriut. Të tillët, nuk arrijnë të bëjnë as sakrificat e mirëfillta, prandaj edhe kur sakrifikohen në këtë udhë të vështirë e delikate, janë viktima të papritura të rrugës së tyre jetësore.

Akrobatët e mirëfilltë të këtyre sukseseve arrijnë të mundin hamendjet e dyshimet për një periudhë të gjatë dhe i koncentrohen qëllimit, duke i parë edhe rreziqet përgjatë rrugës. U ngjajnë gladiatorëve të mëdhenj në arenën e madhe të kohës, të cilët përleshen me luajtë e uritur në mish njeriu, për jetë a vdekje. Nuk kanë kohë të qajnë e të ligështohen apo të mendojnë sa e sa gjëra të mira të kësaj jete, pra gjëra të këndëshme të jetës normale, sepse e dinë mirëfilli se ato janë vetëm një fasadë mashtruese. I mbajnë parasysh vetëm nevojat e tyre shpirtërore. Çdo hamendje e tyre mund t`i kushtojë me humbje të mëdha, sa vetë jeta, edhe pse mund të mos jenë të bindur se do ta gëzonin pas kësaj beteje gëzimin e vërtetë të lirisë.

Në fund, njeriu i ditur e ka të qartë se koha rrjedhë përpara dhe ai kohën e tretur pas tij nuk e ka mundësinë që ta kapë e ta korigjoj. Ai, kurrë nuk mund që ta rikthejë. Nuk e shijon asnjëherë për së dyti këtë kohë që ka rrjedhur, pos kujtimit për te. Kjo është vetëdija e tyre për detyrën që ia ka hedhur momenti i ardhjes në këtë jetë të përkohshme; është koha e caktuar që prej lindjes dhe e përcaktimeve të tij. Kujtimet nuk e ndryshojnë të kaluarën, por ndihmojnë për të korrigjuar të ardhmen tuaj. Nuk guxojmë të humbim aq shumë kohë me kujtimin e të kaluarës, sepse koha tretë me shpejtësi. Atëherë, nuk na mbetet aq kohë për t`i realizuar detyrimet tona.

Vetëm pasi të ketë ngordhur luani i egërsuar në amfiteatrin e kohës; pasi të kenë plasur duartrokitjet admiruese të të tjerëve; dhe të ketë dështuar plani djallëzor i tiranit, pra kryedemonit; do të gjësh kohë nëpër buzëqeshjen ngadhnjyese të ndiesh në thellësin e qenies suaj ulurimën pozitive të vetë ndijimeve e të sakrifizave tuaja. Kjo është faqja tjetër e medaljes; është plaga e ngulitur në trupin e përpjekjeve tuaja; është dora e skuqur me zjarrin e marrë nga Prometheu prej zotrave, për hirë të njerëzimit. Dije se mija qenie njerëzore, që nuk arritën të shkëputen nga vargonjtë e të Ligës së kësaj jete e të përmbajtjes nën zapimin e errësirës, do të ndjenjë këtë çast të rrallë e të përjetuar nga ana e sakrificave dhe do të faleminderojnë para Zotit të Madh apo Zotit NJË. Këto faleminderime vlejnë nëpër të gjitha kohërat.

Guximi i të mëdhenjëve, i të dënuave me vdekje, i gladiatorëve të kohës, i të të përkushtuarve idealistë dhe atributëve të tjerë të dhembjes, janë në një gjendeje të veçantë të sakrificave për NJERIUN e vërtetë. Ata e kanë zemrën e madhe, shpirtin e pastër, mendjen e hollë dhe forcën shpirtërore, sa të të dërgojnë trupin njerëzor e të dobët nëpër këngë të lavdishme! Shpirti i gjason zogut të vogël, i cili, në vend se të ushqehet, i parapëlqen të këndojë dhimbshëm e bukur; të ndjeshëm e pastërt, siç e ka shpirtin e tij; i cili është në gjendje të durojë suferinat më të tmesrrshme e acaret më të mëdha, si nëpër malet tona apo male të egra. Kënga thonë se gurët i dridhë, me zë të artë prej bilbili. Zogjtë e tjerë i përkulen atij për këngët që këndon. Ai që këndon, nuk është i humbur, as në thellësitë e mëdha të pyellit.

Le të mendojnë sa të duan të tjerët se ai është i trishtë dhe i humbur; në trup të gabuar; një kërthi i vogël, që nuk e ka asnjë formë të mbrojtjes së tij, pos këngës së gjallë! Atij i mjafton një çast nga një moment kohor t`ia thotë zërit të tij melodik, me cicërrimat e këngës së tij të sinqertë, sa të mbushen degët e lisave me cicërimat e ringjallura të këngës së tij. Sa të trishtojnë me vogëlsinë e trupit, aq të ngushëllojnë me këngë dhe më zërin e tyre. Kënga është shpëtim nga dhembja e vaji; nga dëshprimi e zhgënjimi! E kanë trupin e vogël, por këngën shumë më të fuqishme!…

Është mëkat të përqeshim trupin përballë shpirtit! Kjo tregon se ata nuk i shohin shpirtërat, por e shohin trupin. Të kishe shikim të thellë e polaroid, do ta piketoje aureolën e shpirtit. Para trupave të tyre ne mund të kuptojmë gjëra të rëndomta apo ndonjë ndijim të papërcaktuar, të cilin na e rrëfen me zërin e tij, por nuk njohim më tepër, sepse na ndalin toka dhe errësirat e saj, ndërsa shpirti ka mundësi që të fluturojë nëpër dimensionet e mëdha e në hapësirat e pamatura të gjithësisë, sa të hapësh dhe mbyllësh sytë! Ata nuk na shpjegonjë për hapësirët e qiellit, të cilën e njohin. Janë gjallesa me trup në këtë mjedis, e që e kanë shpirtin e tyre të shkrirë nëpër këngë, prandaj nuk mendohen se a i përcjellë ndonjëri apo nuk i përcjellë. I përngjaj zogut në këtë skëterrë dhe madhëroj me zërin e këngën e tij!…

Në fund, po i afrohem fjalës LIRI. Çka është ajo? Jemi NE! Të lirët, ilirët dhe kombi ilir! Kjo është fakt i gjallë, i shkapërderdhur kudo; i zhvendosur edhe në greminë, e nuk mund të na shkatërrojnë, sepse prapë do t`u dalë në shesh ky kombi më i madh, pos indianëve. Prej shumerëve dhe egjyptianëve, nëpër Azinë e Vogël e tërë Europën, deri në Angli e Amerikë, etj., kemi qenë ne, ilirët. Na thonë se “jemi të tjerë”; se jemi “të maleve”; e na luftojnë të na zhdukin, ata që “kanë lindur dje”, nëpër gënjeshtra e pushtete të rrejshme.

Kjo është ëndërra më e pakapshme e gënjeshtarëve. Nuk kemi nevojë që ta fantazojmë lirinë, edhe pse nuk e kemi këtë liri të merituar dhe luftojnë me çdo kusht djajt e ngjallur me fé të na e marrin gjuhën, kulturën, mendimin, gjallërimin, por prapë do të nguliten aty: në simbolikën e papërshkruar të fjalëve e të gjuhës! Aq shumë e dashurojnë lirinë, saqë e dëshmojnë se jemi të lirë, edhe nën qindra e mija vargonjë të robërisë! Për te, i japin të gjitha, edhe fëmijët që i kemi pjellur vetë, edhe pse dhëmbin mjaft fuqishëm, madje edhe jetën tonë të kësaj bote. Duket sikur të gjithë e mendojnë lirinë, si një gjë konkrete. Por edhe ajo e ka dëshmuar një rrethanë të re.

Të dashuruarit e rrallë të lirisë, tregon se nëse nuk janë ilir, gjakojnë për lirinë. Këta janë të vetëdishjshëm në këtë pikë e janë miqtë tanë të rrallë! Personalisht jemi të vetëdijshëm për këtë rrethanë apo unazë të qëllimit të përbashkët. Të gjithë sa ecin përmes kësaj rruge mjaft të vështirë, e duan që ta përjetojnë sendërtimin e mundimshëm të lirisë. Ajo është ëndërra e jonë e pavdekshme! Ajo është emri simbolik në eter, pa fill e pa skaj, për të cilën, në tërë hapësirën, e shkruajnë yjet me miliarda pika të bardha drite!

Natyrisht, edhe unë, nuk e zë dot e dorë, por e shkruaj me pika gjaku, në këtë letër të paktë. E shkruaj me gjak dhe e dashuroj tërësisht me zemër!…

Tani, më marrin edhe njëherë në tradjet e tyre të mëdha. Për mua, është në të gjitha dhembjet. Nuk e di sa mund t`u shkojnë më tutje paudhësitë.

Mund të mendojnë se “do të vdes”, por nuk e dinë se do të më kenë njërin gjykatës në jetën tjetër, para Zotit të Madh. Atje, nuk shiten gënjeshtrat…

E pra, me kaq po i jap fund, nëse do të shpëtoj nga vdekja…

 

Please follow and like us: