Shkrimtari i madh vetmitar
Ilirian Dahri
Shqipëria e Hoxhës vendosi të bashkëpunonte me Republikën Popullore të Kinës. Njerëzit zbrisnin nga pallatet për të djegur librat e Hrushovit a që kishin të bënin me Rusinë. Nëpër librari filluan të mugullonin librat e Maos dhe të poetëve kinezë me ato titujt e gjatë të poezive të tyre. Këto ishin vitet më të errëta për kombin shqiptar. Duke ndjekur shembullin e Maos, diktatori Hoxha shkoi përtej si në revolucionin kulturor po aq dhe në luftën kundër fesë.
Gjatë revolucionit kulturor, zemëratat e diktatorit u adresua tek shkrimtarët. Shkrimtarët transferoheshin nga qytetet për të qëndruar përbri klasës punëtore. Nuk u kursye asnjë. Mesazhi ishte i qartë: duhet të bënin një autokritikë të thellë në vetvete. Censura bëhej akoma dhe më e tmerrshme, autocensura gjithaq. Hoxha ia arriti qëllimit, pothuajse të gjithë pranuan në heshtje udhëzimet e partisë. Pothuaj të gjithë. Diktatura forcohet më tepër. Shqipëria deklarohej vend ateist. Pasi ishte prishur ne rusët, me perëndimin, pasi burgosi intelektualët, pasi vrau priftërinjtë dhe njerëzit e tij më të afërt, tashmë, askush nuk mund ta ndalte diktatorin Hoxha.
Megjithatë në terrinën e përgjithshme shquhej një flakëz shprese. Hoxha nuk mund ta dinte se nga qyteti i tij i lindjes, Gjirokastra, mund t’i vinte rreziku më i madh. Ndoshta në të largëtin vit 1944, ndërsa hynte si triumfator në Gjirokastër, mund të kishte dëgjuar për një djalë të vogël të cilit i kishte pëlqyer aq shumë Makbethi i Shakespirit saqë ta kopjonte me dorë të tërë librin, por nuk mund ta imagjinonte që vogëloshi do të bëhej kundërshtari i tij më i madh.
Zemërata e diktaturës ndaj shkrimtarëve dhe artistësve nuk kurseu as shkrimtarin më të famshëm, duke veçuar për një hop poezitë e tij, romanet e pakta të botuar deri në atë kohë ishin pothuajse të ndaluar nga censura a botoheshin vetëm me disa kapitu në revistat e ndryshme letrare. Sidoqoftë ai konsiderohej më i madhi me atë mënyrën e tij të të shkruarit ndryshe nga të tjerët. E kishin dërguar të studionte në Moskë në një institut që duhej të fabrikonte – përgatiste shkrimtarët e ardhshëm të realizmit socialist, duke ndjekur shembullin e Gorkit që i kishte dhënë ndërkaq dhe emrin Institutit.
Në të kundërt, ky shkrimtar me emër mysliman dhe mbiemër të krishterë si besimet që ndiqnin prindërit e tij, shkruante në një mënyrë që dallohej qartazi që s’ishte ajo e realizmit socialist. Madje më 1962 pasi kishte mbaruar studimet në Moskë, shkruante dhe do të botonte romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, të cilit i mungonte diçka themelore që karakterizonte letërsinë e realizmit socialist, roli i partisë, që nuk përmendej në faqet e romanit. Qoftë tek “Gjenerali…” qoftë tek “Qyteti…” stili i tij ndryshon krejtësisht, gjë që vihet re edhe në romanin e tij të tretë “Përbindëshi”, që u botua në vitin 1965 në faqet e revistës “Nëntori” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
I kthyer nga Moska, Ismail Kadare, vëren diktaturën e egër që po thurej. Është koha e vendimeve të mëdha. Të gjithë duan të ngrihen, politikanët, populli. Populli eshtë i frikësuar o ndoshta nuk arrin të kuptojë mirë kurthin që po i ngrihet. Duhet të jetë dikush që t’i tregojë më mirë gjërat, shkrimtarët. Nuk duhet humbur kohë, është koha e vendimeve të mëdha. Duhet shkruar hapur. Populli duhet të kuptojë. Por kupton edhe censura. Regjimi gjithaq. Shkrimtarët frikësohen. Tërhiqen. Por dikush duhet ta pranojë therorinë. Duhet guxim. Kjo ishte historia përpara se të shkruhej dhe botohej “Përbindëshi” i Ismail Kadaresë. […].
Post scriptum
Në laboratorin e tij të shkrimtarit, Kadare rimerr përvoja të provuara në të kaluarën nga tragjikët grekë, e më pas nga Dante e Shekspiri. Këto përvoja ai do t’i zgjerojë duke kërkuar formulën e një përmase, që të përmblidhte kohën dhe hapësirën. Kështu, hapësira e Trojës është zhvendosur në një qytet shqiptar dhe rrethinat e tij. Kurse koha, ajo bëhet e shumëfishtë. Ajo nuk rrjedh në të njëjtën mënyrë për ata që fërgëllojnë në barkun e kalit të madh, që ka ngecur përballë qytetit, dhe për ata që jetojnë brenda mureve të qytetit. E njëjta ngjarje ka njëkohësisht dy mosha. Herë koha është e ndaluar në një kamp, herë në tjetrin. Kështu, në këtë vrapim kali, në disa çaste, e lë pas “Ilionin” dhe në disa çaste i mbetet prapa, në mos qoftë e kundërta, ashtu si planetët që gjatë rrotullimit të tyre, kapërcejnë njëri-tjetrin dhe nuk lëvizin me të njëjtën shpejtësi, por sipas largësisë së tyre nga dielli. “Te ‘Përbindëshi’ gjendet ndoshta diçka nga imazhet që reflektojnë pasqyrat kohë pas kohe”, shkruan Kadare. Pa vetëdije ai ilustron në këtë roman koncepsionin aristotelian të kohës. Në mjegullnajën romaneske të shkrimtarit, kjo punë përbën veçantinë e “Përbindëshit”, edhe pse me “Spiritusin” ai do ngjizë përsëri kohën në mënyrë krejt të ndryshme.