Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: ‘Real Story’ e turpshme për Kadarenë, prapë me Lubonjën!

Nga Sadik Bejko

Ndoqa mbrëmë “Real story”, një emision televiziv të drejtuar nga Sokol Balla. Të ftuar ishin Fatos Lubonja, shkrimtarja Diana Çuli, analisti A. Gjekmarkaj dhe Alda Bardhyli. Nga matanë Atlantikut ndërhynte Demaliaj.
M’u dhimbs gazetaria shqiptare aq e mjerë… m’u dhimbs kjo gjëja, çorba, apo tallavaja televizive që u serviret shqiptarëve.
Për të mos thënë paçavurja televizive.
Ka dhjetëvjeçarë që gazetat, televizionet marrin në qendër Lubonjën, tani edhe një a dy mendje të tjera të çakërdisura për të mbajtur një emision për Kadarenë.
Kur them dy mendja të çakërdisura, do të shkonte më mirë dy mendje të turbulluara nga helmi, mendje jo të kthjellëta për të gjykuar me logjikë normale ndaj Kadaresë. Kur je në situatë të tillë, situatë kur njerëz me mendje të errësuar nga armiqësia gjykojnë për objektin e bisedës, për shkrimtarin Ismail Kadare, është mirë të mos harxhosh kohën tënde me ndotësi të tilla. Problemi është se helme, ligësi, mashtrime e manipulime do të vërshojnë nga ekrani dhe do të ndotin audiencën.
Kjo është e turpshme. Është e palejueshme. Nuk mund të lejohet që shkrimtarin shqiptar më të njohur në vend dhe në botë ta përbaltin si mashtrues dhe si manipulues dy figura të dyshimta të gazetarisë.
Pse të dyshimta? Se ata nuk e kanë për gjë të vjellin vrer kundër çdo vlere kombëtare.
Ata janë figura me integritet intelektual të cënuar, nuk mund të shprehin mendime kompetente çdo ditë e për çdo gjë, dhe veçanërisht, ata nuk kanë tagër, aftësi profesionale, të flasin për një shkrimtar. Në rastin konkret ata mund të shfaqen si figura pa arsyetim të kthjellët, sepse njihen botërisht si urrejtës të shpallur të Kadaresë.

Një argument fare i thjeshtë mund ta rrëzojë gjithë atë ngrehinë mendërisht çalamane të Lubonjës. Ai thotë se vepra e Kadaresë i ka shërbyer më vazhdimësi propagandës së Hoxhës. Ai ngulmon se Kadareja ka mashtruar dhe ka manipuluar publikun shqiptar.
Shumë e thjeshtë. Po e zëmë, siç thotë Lubonja, se shqiptarët Kadareja i paska mashtruar, manipuluar. Vetëm se ai është botuar më 50 gjuhë botërore. Tërë botën e paska manipuluar?
Ai ka fituar çmimet kombëtare e ndërkombëtare anë e mbanë Europës. Tërë kombet e Europës i ka mashtruar Kadareja?
Libri i tij “Kamarja e tradhtarit”, botuar para 40 vjetësh në Shqipëri, tani para dy vjetësh u shpall ndër 10 romanet më të mira në SHBA.
Si i botuar në të pesë kontinentet, Kadareja gjithë planetin e paska verbuar e trullosur me manipulime? Gjithë planeti botoka dhe pëlqeka veprat që i kanë shërbyer propagandës së E. Hoxhës (siç)?

Tani më thoni, a janë në vete shqiptarët që lejojnë të tilla turpe, sjellje kaq të pacipa në televizionet e tyre?

18 Shtator 2020.

“Real Story” e turpshme për Kadarenë, prapë me Lubonjën!

https://fjala.al/2020/09/18/nje-koment-per-ata-te-marre-qe-sulmojne-kadarene/

 

Procesverbali i gjykatës, 24 shkurt 1975/Todi Lubonja hedh poshtë Fatos Lubonjën

Please follow and like us: