Albspirit

Media/News/Publishing

David Hosaflook: Origjina e panjohur e Himnit të Alfabetit

Kongresi i Manastirit (14–22 nëntor 1908) ishte ndër kuvendet më të rëndësishme në gjithë historinë politike dhe kulturore të kombit shqiptar. Çështja kryesore ishte njësimi përfundimtar i alfabetit shqip, i cili qe i domosdoshëm për bashkimin e kombit.
Kur flitet për këtë kongres, emri i Parashqevi Qiriazit duhet të nderohet po aq sa edhe burrat e Komitetit. Si përfaqësuese e Shkollës së Vashave të Korçës, ajo ishte e vetmja delegate femër në Kongres. Ajo u zgjodh sekretarja e Komitetit, duke punuar gjithë ditën me të njëmbëdhjetët.2
Në vitin 1909, Parashqevia shkroi “Himnin e alfabetit”, botoi një abetare me alfabetin e ri, si edhe themeloi shoqërinë kombëtare për gra, “Yll” i Mëngjezit”. Më vonë, në Amerikë, ajo botoi një gazetë me të njëjtin emër (Yll’ i Mëngjezit, 1917–1920), e cila trajtonte tema patriotike, kulturore dhe arsimore për kontekstin shqiptar dhe amerikan.
Në pothuaj çdo numër botohej abeceja shqip, që të përhapej dhe të kuptohej. Deri tani, është hamendësuar se Parashqevia e ka kompozuar vetë Himnin e Alfabetit, ose se e ka huazuar nga një marsh francez. Por cila është origjina e vërtetë e kësaj muzike?

***

Në fillim të shek. XX, ndeshjet e futbollit amerikan midis kolegjeve rivale Yale dhe Harvard ishin shumë të forta. Para një ndeshjeje në vitin 1900, një student nga kolegji Yale, Allan M. Hirsh, krijoi një këngë frymëzuese me emrin “Boola” për të motivuar studentët dhe tifozët e tjerë të Yale-it. Teksti i këngës thoshte guximshëm se Yale-i do të fitonte thellë dhe lojtarët e dërrmuar të Harvard-it do të qanin: “Bula bula, bula bu!”. Si melodi, Hirshi e përshtati këngën e tij prej një kënge popullore me emrin“La Hoola Boola”, kompozuar nga muzikanti afrikano-amerikan Bob Cole. Me të vërtetë, kolegji Yale-i e fitoi ndeshjen 28–0.
Më 1905 kënga filloi të përdorej edhe nga Universiteti i Oklahomës dhe përdoret ende sot para ndeshjeve të tyre të sportit, me titullin: “Boomer Sooner”.

***

Midis viteve 1900–1901, këngës iu shtuan ca strofa të reja, jo më për sportin, por për vitet e shkollës, për krenarinë e të qenët student në Kolegjin Yale, për miqësitë që krijoheshin në kolegj, si edhe për besnikërinë që një student duhet të tregojë “ndaj Zotit, atdheut dhe Yale-it”, teksa largoheshin e niseshin për të punuar në “botën e turbullt si deti”.
Më 1904, Parashqevi Qiriazi, si edhe motra e saj e madhe Sevasti, u diplomua në një kolegj amerikan protestant për vajza në Stamboll, Constantinople Ëomen’s College (Sevastia u diplomua më 1891). Duhet të hamendësojmë se pedagogët amerikanë të këtij kolegji e kishin sjellë në Stamboll këngën e Kolegjit Yale për të frymëzuar studentet, dhe se Parashqevi Qiriazi duhet ta ketë dëgjuar e kënduar këngën. “Adelina”, studente ideale e Kolegjit Yale në folklorin e kolegjit. Kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, përballë trysnisë së krijuar nga xhonturqit, të cilët kundërshtonin alfabetin e ri, ajo e shfrytëzoi melodinë që ende oshtinte në kokën e saj prej vitesh, duke qenë e sigurt se kjo muzikë mund të këndohej lehtë dhe se do të kujtohej për një kohë të gjatë deri në ditët tona.

Parashqevi Qiriazi, me fjalët e saj, për Kongresine Parë të Manastirit dhe Himnin e Alfabetit

Për në Kongresin e Parë të Manastirit Komisioni pregatitor ftoi edhe motrën time Sevasti të përfaqësonte shkollën shqipe të vajzavet në Korçë. Vjeshtën e motit 1908, për shkak të rrethanavet politike të krijuara me shpalljen e regjimit konstitucional në Turqi, shkolla jonë u çel me një numër shumë më të madh studentesh se sa në vjetët e robërisë. Puna e shumë për të zmadhuar shkollën dhe internatin e penguan drejtoreshën të largohet prandaj ajo ma delegoi mua të drejtën e mandatin për të perfaqësuar shkollën e vajzavet të Korçes në këtë Kongres të Parë Kombëtar, sikundër u quajt atëhere prej shqiptarëvet. Si dihet, inisiativen e mori Kllubi i Manastirit “Bashkimi”, i cili u themelua fill pas Hyrietit, dhe vellai im Gjergj Qiriazi pati luajtur rolin kryesor. Qyteti i Korçës në këtë mbledhje të shënuar dërgoi përfaqësues, Mihal Gramenon, Gligor Cilkën, Sami Pojanin dhe Thoma Avramin. Si grua që isha nuk munda të udhëtoja vetëm, pra mora shoqen time Fillomenen A. Bonoti të më shoqëronte n’atë mision i […]. Nuk do të flas këtu mbi vështirësitë …[që] paten hasur im vella Gjerasim me motrën Sevasti, për të çelur shkollën shqipe të vajzavet e për ta mbajtur hapur njëzet vjet me radhë gjatë sundimit tiranik të Sulltan Hamitit. Përpara shpalljes së Hyrietit shkollat shqipe nuk munden të vazhdojnë pa ndërprerje as për djemt e të krishterëve, dhe sa për djemt e mohamedanëvet, atyre u qe ndaluar kategoresisht të mësonin shkrim e këndim në gjuhën amtare.
Dhe vete me mësueset e shkollës kur delnim nga shkolla, Mitropoliti grek porositi rrugaçët të na shanin “Masonka, Protestante, Papiste” me gjithë se nuk ishim asgjë tjetër veç se shqiptare patriote. Në një kohë të këtillë, pra, kur sundonin kushte barbare për femrat, pa të drejta politike për ato, dhe gratë muhamedane në rrugë s’mund të delnin pa ferexhe. Plotësish e pa mundur dhe e pa dëgjuar që një grua të delte sheshit në një kongres burrash. …
Im vëlla Gjergji qe këshilltari kryesor i Klubit “Bashkimi” dhe inisiator kryesor i Kongresit, ai më keshilloi të mos ekspozohesha në Kongres e të mos dilnja në tribunë. Ai qe burrë i urtë dhe i mençur dhe me kulturën e tij të gjerë kish fituar simpatinë e miqve të Shqipërise edhe mund të them respektin e të huajve.
Me gjithë këto pengesa mua prapë mu dha një rast i mirë të shërbenj në Komisionin që zgjodhi Kongresi për të caktuar abecenë. Ky komision i bënte mbledhjet në shtëpi të Gjergj Qiriazit i cili qe edhe kryetar i tij. Nëna jone, Maria, ishte e pamundur, por unë ndihmoja zonjen e Gjergjit për të pritur e përcjellë … anëtarët e komisionit të cilët punonin me ditë të tëra të veçuar për të shikuar çeshtjen e alfabetit, por edhe dhashë dorë duke mbajtur shënime për Komisionin.
Por puna ime gjatë Kongresit qe efemere [d.m.th. “që nuk zgjat më shumë se një ditë”, D.H.]. Ajo që mbeti në formë konkrete dhe e dobishme prej dorës sime, punë e frymëzuar prej Kongresit të Parë të Manastirit, është botimi i abetares sime të hartuar sipas rregullave që vendosi Kongresi vetë. Kjo abetare, e para e llojit të saj, doli pas disa muajve dhe u lajmua prej shtypit kombëtar si një punë e vlefshme. “Bashkimi Kombetar” me 5 të Vjeshtësë Tretë 1909 shkruante: “Kjo libre e vogël me 32 faqe dhe me 18 fytyra eshte radhitur bukur e pas [?…] me abecenë që vendosi Kongresi i Manastirit”. Abetarja vërtet mbajti çmimin 20 para copa por e vërtete është se ajo u shpërnda gratis jo vetëm të [?…] por edhe në gjithë nxënësit e shkollavet shqipe të atëhershme.
Që në Kongresin e Manastirit turqit edhe grekërit treguan planet e tyre ndaj shqiptarëvet. Bënë çmos që të merret alfabeti arab edhe grek për të shkruar gjuhën shqipe.
Për të luftuar punën e vlefshme të Kongresit të Parë të Manastirit dhe për të penguar mbrothësinë e popullit shqiptar t’arsyer me gjuhën amtare, xhonturqit nisën fushatën kundër abecesë shqipe duke botuar një abetare të tyren me shkronja arabe. E zemëruar nga kjo punë e keqe e xhonturqvet kundër abecesë aty për aty shkrova himnin e alfabetit kombëtar i cili u këndua në katër anët e Shqipërisë më 1909:

Sot ësht’ dita shqipëtare
të përpiqemi
Alfabetin ton’ të mbrojmë,
Shpejto burrani.
Shkronjat tona jan’ të arta,
Këto duamë.

Refreni:
Shqipëri, atdhe i dashur
Ne s’të lemë ty të varfër.
Shkronjat ton’ kanë
për të mbrojtur
Me gjithë shpirt shqipëtarisht.
2.
Arëmiqtë o shqipëtarë
po përpiqenë
Shkronjat turçe dhe gërqishte
Të na japinë.
Le t’i mbajnë ato për vete,
Kemi tonatë.
3.
Ata duan shqiptarë ndarjenë tonë.
Këtë punë shumë kthjellet
e treguanë.
Ngrihuni pra t’u tregoni
se ju s’i ndroni

Udhëtimi nga Korça për në Manastir e bëmë atë kohë me dy ditë. Nuk më del nga mendja nata që ngrysënë në han të Stenjës. Katër burra dhe dy gra në një kthinë trualli pa tavan e pa oxhak. Me rrobat e udhës e me pallton e madh krahëvet u mblodhëm të gjithë rreth zjarrit të ndezur në mes të vatrës me tymin që ntrashej sa me shumë, se s’kish nga të dilte.
Natën e gdhime me biseda kombëtare dhe rreth çështjes abecesë dhe herë-here duke dëgjuar ndonjë shaka prej xha Mihalit [Grameno] i cili ndërsa dërdhnim lot prej tymit, përpiqej të na bënte të qeshnim. Kur arrimë në Manastir një ditë para se të çelej Kongresi qemë pa gjumë e të lodhur prej udhës.
Edhe ky udhëtim edhe Kongresi vetë më shtynë të mendohem se ç’duhej bërë për ta shpëtuar gruan nga gjendja në të cilen kredhej. Përveç Abetares dhe Himnit të Alfabetit, vendosa ashtu e heshtur, që kur të kthehesha në Korçë, të ftonja shoqet e mija të qytetit dhe së bashku të fillonim organizimin e një shoqërie kombëtare për gruan. Brenda vitit e themeluam, me emrin “Yll’i Mëngjezit” me qendër në Korçë edhe me degë nepër qytetet e tjera të Shqipërisë.

Parashqevi Qiriazi

Please follow and like us: