Albspirit

Media/News/Publishing

Eranda Zorba: Pasiguria në Shqipëri!

Sot pasiguria është bërë aq e dukshme dhe e pranishme, gati -gati sa nuk ulëret. Pasiguri për të jetuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen, në një vend ku siguria ka qenë vazhdimisht e largët dhe abstrakte. Kjo ndjenjë pasigurie po kaplon çdo ditë e më shumë shoqërinë tonë, e cila për 1001 arsye ndihet e pafuqishme për t’i bërë ballë ose ndoshta e lodhur dhe e pashpresë. Pse vallë është kaq e vështirë rezistenca, fitimi i të drejtave të mohuara, ngritja e zërit dhe përballja me të vërtetën? A thua se kaq e pavlerë është e ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë në këte vend, ku fati deshi të jetojmë?! Është shqetësuese për një shtet, kur të rinj dhe të vjetër të vetmen mundësi shpëtimi nga kthetrat e pasigurisë shohin largimin nga vendi i tyre. Pikërisht atëhere kur çdo fije shprese është shuar dhe ajo drita në fund të tunelit është realisht inekzistente, pasiguria dhe frika kanë triumfuar heshturazi. Është rrënjosur një shoqëri, ku vlerat njerëzore, të drejtat, liria dhe dinjiteti njerëzor, shkelen dhe hidhen poshtë dhunshëm dhe askush nuk mban përgjegjësi për to. Një shoqëri ku e ashtuquajtura elitë politike historikisht shkel për të komanduar, dominon për të përfituar dhe luan “lojën” e saj, pa rregulla, parime apo norma. Madje, ajo ka aq guxim sa performon në kurriz të të gjithe atyre, që në kushte normale e legjitimojnë dhe i japin zë veprimtarisë së saj. Jetojmë në një shoqëri ku çdo gjë që sheh, dëgjon dhe përballesh është një armik i padukshëm me emrin pasiguri. Një armik që është i aftë për të paralizuar çdo gjë dhe gjithçka, pa kursyer as vetë të ardhmen. Përkundrazi, ai e vret atë, vret të ardhmen e të gjithëve…

Maj 2020.

Please follow and like us: