Albspirit

Media/News/Publishing

Femrat fshatare në zonat e thella ruse

Shoqëria në Rusi është kryesisht patriarkale, por gratë në fshatra të largta janë shtylla që mbajnë gjithçka në këmbë. Edhe pse burrat bëjnë sikur kanë pushtet, shpesh gratë janë ato që drejtojnë familjet, paratë dhe marrin vendimet kryesore. Fotografja ruse, Olia Ivanova, ka që në vitin 2009 që fotografon jetën në fshatrat më të largët të Rusisë. Ajo ka bërë një përshkrim interesant për këto fshatra. Ajo shprehet se: “Gratë kanë në dorë ushqimin dhe mbarëvajtjen e familjes. Burrat përpiqen të bëjnë sikur e kanë ata pushtetin, por janë totalisht të varur nga gratë. Prania kaq e fortë e grave në këto zona ndodh për shkak se, burrat udhëtojnë për punë ndërtimi në qytete, ose si shoferë në distanca të largëta”. Një tjetër arsye se pse ka kaq pak burra është abuzimi i tepërt me alkoolin, gjë që i bën burrat të vdesin shumë më herët se sa gratë. Njerëzit janë shumë të lidhur në këto komunitete të vogla. “Askush nuk është i huaj, të gjithë përfshihen për çdo problem. Kur ka festa, nxirren tavolina të përbashkëta ku ulen të gjithë për të ngrënë, për të pirë, e për të festuar. Gratë në këto fshatra janë të forta, të afta të bëjnë gjithçka pa ndihmën e një burri”,- thotë më tej fotografja. Edhe pse të forta, gratë në këto fshatra ëndërrojnë të kenë një burrë të fortë. Ato zbukurohen dhe mblidhen te qendra kulturore e fshatit, ku bëhen festa të tipit “Disko”, ose veprimtari të tjera kulturore.

Please follow and like us: