Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Meta dekoron profesor Bardhosh Gaçe me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’

Presidenti Ilir Meta dekoroi tre historianë të njohur, Prof. Muin Çami, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe dhe Prof. As. Dr. Bernard Zotaj me tituj të lartë nderi për kontributin e tyre në fushën e historisë. Në një postim në Facebook, Meta shkruan: “Në vlerësim të kontributit të çmuar të dhënë në këtë drejtim, pata sot kënaqësinë të çmoj me tituj të lartë nderi tre historianët më në zë të Shqipërisë, Prof. Muin Çami, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe dhe Prof. As. Dr Bernard Zotaj, që me studimet dhe hulumtimet e tyre kanë lënë pas një trashëgimi tepër të vyer, veçanërisht sa i përket ndriçimit të epopesë së Luftë së Vlorës”. Meta shprehet se i “kemi borxh Shqipërisë, që trashëgiminë e vyer historike, kulturore, patriotike dhe atdhetare që na kanë lënë të parët tanë, ta mbrojmë, ta promovojmë dhe ta pasurojmë më tej, në mënyrë që të rinjtë tanë t’i duan e të ndihen krenarë për rrënjët e tyre dhe të mos e mendojnë kurrë braktisjen por ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre të sigurtë”.

1 shtator 2020

 

Kush është Bardhosh Gaçe?

Profesor Bardhosh Gaçe lindi në qytetin e Vlorës më 5 mars 1953 nga babai veteriner Shefit Gaçe dhe nga nëna edukatore, Raime. Patën zbritur nga fshati Tërbaç në vitin 1929, pas rrënimit të tij nga një tërmet i fuqishëm që goditi ato anë në prag të Krishtlindjeve të po atij viti, i mbiquajtur “ Tërmeti Jonik “. Ky tërmet rrafshoi Dukatin duke arritur deri në Tepelenë. Arsimin parauniversitar i riu Gaçe e mbaroi në vendlindje me rezultate të shkëlqyera, ashtu siç përfundoi edhe Universitetin e Tiranës, fakultetin e Histori –Filologjisë, dega gjuhë –shqipe dhe letërsi më 1977. Pas këtij viti mësuesi Bardhosh Gaçe do të emërohej në Veriun e Shqipërisë, Kukës e Tropojë, në ato vende ku baladat, legjendat, epet, kanuni i malsisë (Lekë Dukagjinit) u trazuan në shpirtin e tij energjik me baladat, legjendat, epet, kanunin e Labërisë. Dhe pse jepte mësim, Bardhosh Gaçe asnjëherë nuk e ndërpreu të mësuarin e vetvetes. Tmerrësisht e tërhoqi etnofolklori, si pasuri e shenjtë e të parëve iliro- shqiptar. Kjo bëri që edhe temën e doktoraturës ta mbronte me “Etnokultura e Labërisë”. Në vitin 1992 fitoi gradën”Doktor i Shkencave Gjuhësore – Letrare Shqiptare”. Titullin ‘Profesor’ e mori në vitin 2009. Ka vite që lektoron etnofolklorin, letërsinë fëminore, letërsinë e Vjetër Shqipe, letërsinë arbëreshe, letërsinë e Rilindjes, letërsinë Moderne Shqipe në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë.

Vepra e prof. dr Bardhosh Gaçes ndahet në krijimtari të mirëfilltë, eseistikë, publicistikë, vepra studimore, studime etnokulturore (albanologji), monografi, antologji, etj

Gjithashtu ai ka shkruar:

 

  1. Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1878-1912
  2. Hamza Isai: një jetë në shërbim të Kombit, monografi
  3. Sali Hallkokondi dhe “Historia e Shqipërisë së re”, monografi
  4. Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare
  5. Rapsodi Xhemil Veli Duka, monografi
  6. Flamuri dhe Ismail Qemali në këngë e rrëfime popullore,
  7. Xha Selimi i Bratajt
  8. Kënga popullore e Selim Hasanit
  9. Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1878 – 1912
  10. Gugatin pëllumbat mbi Prishtinë, libër poetik
  11. Osman Haxhiu, monografi
  12. Pse gezohet Keti i vogel,  libër poetik
  13. Lumi im s’fle gjume, libër poetik
  14. Referat ne konferenca shkencore ‘Vlora në rrjedhat e kohës’
  15. Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare
  16. Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë
  17. Naim Frashëri si frymëzim i kulturës kombëtare shqiptare etj.

 

Por ajo që mbart vlera shumëfishe, shumëshpirtëshe është antologjia poetike “Shtëpia e detit dhe e diellit” e përgatitur nga prof. Gaçe, Botimet Toena, Tiranë kushtuar Vlorës, me 338 faqe. Përmbledh në gjirin e vet vetëm një pjesë të vjershërimit të thurur prej poetëve tanë më në zë A. Z. Çajupi, Asdreni, Lasgush Poradeci, si dhe ajo e poetëve vlonjatë: Ali Asllani, Petro Marko, Nexhat Hakiu, Fatos Arapi, Hiqmet Meçaj, Irfan Bregu, apo poetëve të tjerë të shquar si Nonda Bulka, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Vorea Ujko, Agim Shehu, Ibrahim Gani, Ndoc Papleka, të cilët kanë ngritur këngën e tyre duke e quajtur Vlorën një Atdhe poetik të lirisë dhe dashurisë shqiptare. Kjo përmbledhje poetike nën titullin “Shtëpia e diellit dhe e detit” u botua me rastin e 70 -vjetorit të themelimit të bibliotekës publike “Shefqet Musaraj”, si një kujtesë poetike për traditat, kulturën dhe frymëzimin e këtij qyteti magjepsës në brigjet e detit. Bardhosh Gace është profesor në Universitetin e Vlorës.

Xhahid Bushati: Bardhosh Gaçe, ‘Kopshti i ëndrrave’ të poetit

Please follow and like us: