Albspirit

Media/News/Publishing

Vargje poetike nga Ajne Ibërhysaj

TEMPULL LOTI

Lufton ta njohësh shpirtin
Sa herë veten e ndëshkon
E qorton.

Harron edhe si të dashurosh
Ndonjëherë vetveten nuk e kupton
Si e marrë vazhdon të shtegtosh
Çdo rrugë e ndërton me pika vese

Shpirt
Tempulli i lotit
Sa i fortë bëhet brenda teje


TI, JETA IME…

Ditët sikur tokës i bien grusht
Kufijtë e dashurisë janë brenda nesh
Puthjet e ngrohin edhe humnerën e ligë
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike
Në çdo frymëmarrje marr ajrin tuaj
Edhe buzëqeshjes i japë ngjyrë
Mes librave e kall veten
E gjej edhe shpresën
Jam aty buzë errësirës e dritë më ke
Me durim i kap ditët
I nënvizoj me gishtat e dorës
Si ushtari i një armate pambarim
Më mban një qëllim
Ka një diell ku prehet dashuria
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike
Unë jam destinacioni
Ti je kufiri
Unë jam ëndrra
Ti je drita
E gjithë bota çfarë ka brenda
Është një pikë loti e shprese
Unë e Ti
Jemi vetëm një frymëmarrje
Jeta ime
Të puth deri në amshim

(13 mars 2020)


ËNDRRAT T’I TRAZOJ

Më pëlqen ta përqafoj thellësinë e shpirtit
T’i trazoj ëndrrat e vetminë tënde

Kam dëshirë më shumë se dëshirë
Te të përqafoj
Derisa mungesën time të mos e ndjesh
E harrimi mos të ketë vend
Më pëlqen heshtjen e përqafimit tënd ta shtrëngoj
Kur të jam larg teje
Në çdo vegim dite
Me drithërima te të zgjoj

Më pëlqen te të përqafoj
E ritmin e mëkatit ta përjetosh
Deri sa të dalin fluturat nga ashti

Më pëlqen te të përqafoj
Derisa flaka e përqafimit tim
T’i kallë krahët për të shtegtuar…


MOZAIK HIJESH TË HESHTURA

Ti ngjanë si një gjethe e vetme në pyll
E rrethuar me gjethënjoma të heshtura
Shijen e dhimbjes tuaj
E ndiej në gryken e shpirtit

E trishtuar nga heshtja
Nga qetësia e fjetur e fjalës
Buzëqeshja jote
Ngjanë si zemra e dimrit
Të gjitha stinët të ngjajnë
Si një mozaik hijesh të heshtura
Mëshira e dhimbja
Netët e pafundme t’i mbështjellin

Kohën e mbulon me vragë
Edhe me sytë e ënjtur
Ti je klithmë e sagë epike
Drithërim trupi burrëror
Mëngjeset i puth me diellin
E jetën e bekon me lotin
Ende ditët ikin

Me përshëndetje të rënkuar
Grua…!


FJALËN E ZGJON VETËM FJALA

Errësirën e natës e trazon vetëm hëna
Heshtjen e fjalës e zgjon vetëm fjala
Mbi gjoks përpëlitet zhurma e saj
Jeta si fjalëkryq shëtit me enigmën
Mendimet përqafohen e thyhen me dritën
Me mijëra pjesë e përmasa pasqyrohen
Hartë e fshehtë shpirti nën vulën e sakramentit
Rrezet bien mbi lignum vitae e loti e njomë gjethet
Për çudi i kap rrezet i mbledh në pëllëmbë të dorës
E fjala e zemrës le të digjet me lindjen e diellit

E vë dorën mbi gjoks të qetësoj puhizën e mendimeve
E zgjodha për ta shijuar zjarrin e Neuronit
Vegimet humbasin e mbesin nëpër errësirë
Ardhja i puth gjurmët e pafundme të dhimbjes

Vargjet shëtisin nëpër labirintet e kokës
Ndoshta diku do tretën me erën e fjalës
Vargu si epsh i adhurimit si dhuratë i bëhet dhimbjes
E zgjon qetësinë brenda shpirtit me aromën e harresës
Fjala e ka syrin pishë
I zgjon shekujt e fikur./exlibris.al/

Please follow and like us: