Anila Kalleshi: Më e thjeshtë se kurrë…
Kur flasim për ushqyerjen e shëndetshme është e rëndësishme të dimë se cilat janë hapat që duhen ndjekur për të pasur një shëndet optimal. A ndiqni një dietë të shëndetshme? A ushtroheni rregullisht? A pini së paku 8 gota ujë në ditë? A flini mjaftueshëm gjumë? A keni një stil jetese të shëndetshme?
Nëse jo, atëhere është momenti të merrni masa korrigjuese. Nëse nuk kujdesemi si duhet për shëndetin tonë, një sërë problemesh shëndetësore do të shfaqen. Sot, organet tuaja jetësore mund të funksionojnë si duhet, por ndoshta jo në një të ardhme të afërt. Mos e merrni shëndetin si të mirëqënë. Kujdesuni si duhet për shëndetin tuaj.
Një shëndet i mirë nuk është thjesht një ushqyerje e shëndetshme dhe ushtrime fizike, por ka të bëjë edhe me një sjellje pozitive, një vetë-imazh pozitiv për veten dhe një stil jetese i shëndetshëm. Në këtë artikull do të gjeni disa këshilla që do t`iu ndihmojnë të arrini qëllimin tuaj. Mbajini mend dhe zbatojini, pasi mund të jenë vitale për të pasur një shëndet optimal.
- Pini me shumë ujë
Shumë prej nesh nuk pinë mjaftueshëm ujë gjatë ditës. Uji është esencial që trupi ynë të funksionojë si duhet. Për më tepër, konsumi i ujit ndihmon edhe në humbjen e peshës. Një studim ka treguar që njerëzit që konsumojnë ujë (sa sasia e rekomanduar) gjatë ditës, kanë humbje peshe. Pra kur pini ujë gjatë ditës, stomaku mbushet, duke bërë që të jeni më pak të uritur dhe keni më pak gjasa që të konsumoni ushqim më shumë seç duhet. Sasia e ujit që na nevojitet varet nga shumë faktorë si aktiviteti fizik, pesha juaj por në përgjithësi rekomandohen rreth 8-10 gota ujë në ditë.
- Mundohuni të bëni një gjumë të mirë
Nëse nuk flini mjaftueshëm, i drejtoheni ushqimit, zakonisht ushqimit me përmbajtje kalorish boshe. Bëni një gjumë të mirë për të pasur një shëndet të mirë. Gjithashtu mungesa e gjumit shkakton plakje të parakohshme dhe ju nuk do e donit një gjë të tillë.
- Ushtrimet fizike
Lëvizja është jetë. Studimet kanë treguar që nëqoftëse ushtroheni çdo ditë sjell benefite të jashtëzakonshme për shëndetin tuaj, rrit jetëgjatësinë, ul rrezikun për t`u prekur nga sëmundjet kronike, rrit densitetin e kockës dhe ndikon në humbjen e peshës. Mundohuni të ecni sa më shumë në këmbë dhe provoni të angazhoheni në sporte të ndryshme si: basketboll, not, tenis etj.
- Konsumoni fruta
Frutat kanë shumë vitamina dhe minerale. E dinit që portokallet ofrojnë më shumë benefite shëndetësore se pilulat e vitaminës C? Sa më shumë të mundeni, konsumoni vitaminat dhe mineralet përmes dietave më shumë sesa përmes pilulave. Mund të arrini një shëndet optimal me anë të konsumit të frutave: banane, kivi, luleshtrydhe, boronica, manaferra, mjedra, shalqi, pjeshkë, mollë, mango, portokall etj.
- Konsumoni perime
Perimet janë një burim i shumë nutrientësh dhe mineralesh si folati, vitamina K, Vitamina A, kaliumi, pa përmendur fibrat dietike të cilat janë mjaft të rëndësishme. Janë dy lloje perimesh: perime me përmbajtje niseshteje si patatja, patatja e ëmbël dhe kungulli; perimet pa përmbajtje niseshteje si kale, arugula, spinaqi, brokoli, lakrat e Brukselit, domate, kastravec dhe kërpudhat. Të gjitha perimet janë të rëndësishme dhe pasurojnë dietën tonë.
- Zgjidhni perime/fruta të ndryshme me ngjyra të ndryshme
Gjithmonë konsumoni fruta dhe perime të ngjyrave të ndryshme. Fillimisht, frutat dhe perimet me ngjyra të ndryshme prezantojnë përmbajtje të ndryshme anti-oksidantesh, të cilat luftojnë radikalët e lirë që dëmtojnë qelizat tona dhe luftojnë inflamacionin në trup. Së dyti kur konsumojmë fruta dhe perime të ndryshme, krijohet një vijë mbrojtjeje në organizem, duke përmirësuar sistemin tonë imunitar dhe forcon shëndetin tonë.
- Reduktoni ushqimet e përpunuara
Ushqimet e përpunuara nuk janë një zgjedhje fort e mirë, për shkak se vlerat nutricionale humbasin në krijimin e këtyre ushqimeve dhe konservuesit e shtuar kanë ndikim negativ për shëndetin tuaj. Shumë ushqime të përpunuara përmbajnë sasi të lartë e cila çon në presion të lartë gjaku dhe në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës. Në përgjithësi, sa më shumë përbërës që ushqimi ka në etiketë (që mbarojnë me “ite” ose “ate”, aq më shumë i përpunuar është. Zgjidhni pataten e pjekur në furrë dhe jo patatet e skuqura, zgjidhni frutat e freskëta dhe jo frutat e konservuara dhe shmangni bukën e bardhë.
- Zgjidhni drithërat e plota në vend të drithërave të rafinuara
Drithërat e plota (të papërpunuara) përmbajnë të gjitha pjesët esenciale të drithit, me pak fjalë, ato përmbajnë 100% kernel original. Për shkak se shtresat janë të paprekura, drithi i plotë përmban një profil nutricional prej antioksidantësh, vitamina dhe mineralesh, ndryshe nga drithërat e rafinuara që humbasin vlerat nutricionale nga përpunimi. Zgjidhni drithëra si tërshëra, oriz kaf, quinoa, millet etj. Drithërat e rafinuara përfshijnë oriz të bardhë, miell të bardhë, shumë lloje bukesh, makarona, drithëra. Sa më shumë i përpunuar të jetë drithi, aq më i rafinuar është. Moderimi është çelësi. Mundohuni se paku t`i limitoni në 1-2 vakte në javë.
- Shmangni ushqimet nxitëse
Ushqimet nxitëse janë ato që ju bëjnë të humbni kontrollin te ushqimet. Por ushqimet nxitëse mund të jenë të ndryshme për këdo, por zakonisht janë ëmbëlsirat, patatet e skuqura, biskotat ose çdo gjë me nivel të lartë sheqeri, kripë ose mielli. Kjo sepse këto ushqime shkaktojnë një balancë jo të rregullt në gjak. Por cilat janë këto ushqime? Identifikojini dhe hiqini nga dieta juaj.
- Konsumoni vakte të vogla
Më mirë të konsumoni vakte të vogla sesa vakte të mëdha, në mënyrë që energjia juaj të shpërndahet si duhet. Gjithashtu është më mirë për stomakun tuaj që të mos mbingarkohet duke tretur një volum të madh ushqimi. Pra më qartë, hani kur të jeni të uritur dhe ndaloni kur të jeni të ngopur.
- Zgjidhni produkte organike sa herë të keni mundësi
Ushqimi organik është prodhuar pa shtues sintetik si pesticide ose përbërës të tjerë kimike; pra nuk përmban organizma të modifikuara gjenetikisht.
- Konsumoni vakte të ndërmjetme të shëndetshme
Nëse keni uri në punë, konsumoni fruta, lëngje frutash dhe kos. Kanë vlera ushqyese dhe reduktojnë urinë për sheqerna. Qëndroni larg ëmbëlsirave dhe patatinave.
- Eliminoni/Reduktoni ushqimet ose pijet me sheqer
Ushqimet me sheqer konsistojnë në ëmbëlsira, çokollata, biskota, petulla etj. Jo vetëm që nuk ju ngopin, por iu nxisin të hani akoma dhe më shumë. Të konsumoni njëherë në disa kohë nuk është problem, por jo çdo ditë. Zgjidhni vakte të shëndetshme. Pijet me sheqer shiten çdo ditë akoma dhe më shumë. Këto pijet nuk janë të shëndetshme dhe shkaktojnë shtim në peshë. Pini sa më shumë ujë, çajëra ose lëngje natyrale/të freskëta.
Ndiqni këshillat më lart dhe padyshim që do të jeni në rrugën e duhur drejt një shëndeti optimal.