Albspirit

Media/News/Publishing

Ermira Zyrakja Lefort, një ambasadore e kulturës shqiptare në Zvicër

Intervistoi Eda Merepeza

Ermira Zyrakja Lefort, pianiste e mirënjohur, pedagoge dhe veprimtare e suksesshme e komunitetit shqiptar në Zvicër . Ajo konsiderohet si një ambasadore e kulturës shqiptare në këtë vend.

CMG: Prej afro 30 vjetësh jetoni jashtë atdheut, në Zvicër por nuk jeni shkëputur asnjë çast nga vendlindja. Si e keni mbajtur gjallë atdheun në përditshmërinë tuaj?

Ermira Zyrakja Lefort: Sinqerisht duhet të pranoj se duke ardhur nga një vend, ku botën e njihnim vetëm nëpërmjet librave apo nga çfarë shikonim fshehurazi në televizionet e radiot e huaja, plus shumë viteve të studimeve cilësore për muzikë, i vetmi bagazh shpirtëror dhe intelektual, herë i lehtë e herë i rëndë në përjetime, ishte vendi im Shqipëria. Thënë kjo që konkretisht ky bagazh ishte i vetmi fillimisht e me përjetimet në dimensionin e një vendi. Kur  u largova nga Shqipëria për arsye e mundësi profesionale, që dhe i kërkova dhe mu prezantuan gjatë viteve të para të vendosjes jashtë atdheut, ky bagazh mori tjetër përjetim, vlerësimi, emocionesh, referencash, malli e nostalgjie. Edhe pse fillova të jetoj dimensionin e admirueshëm të një vendi të gjerë në mundësira dhe hapësira, në çdo aspekt jete të bukur, si Zvicra, çdo detaj dhe kujtim nga Shqipëria, merrte gjithnjë e më shumë vlerë, ashtu si një bizhu që nuk përcaktohet vlera e saj vetëm nga dimensioni dhe rëndësia, por dhe nga pesha emocionale që mbart në vetvete, në jetën e dikujt ose të disa brezave.

CMG: Rruga juaj si pianiste ka nisur herët, në fëmijëri, ndërsa në rininë e hershme publiku ju njohu si aktore, por kurrë nuk u larguat nga tastiera e pianos. Artistët në emigracion kanë vështirësi të shumta, po ju si keni mundur të mbeteni pianist dhe të arrini nivelin më të lartë të këtij profesioni?

Ermira Zyrakja Lefort: Si gjithë muzikantët është një rrugëtim i bukur, por dhe i mundimshëm me studime shumëvjeçare, të qenurit artist kudo, me emocione, sfida e përballje me një audiencë gjithnjë e më të gjerë, si dhe për shumë profesione të tjera. Pa u demoralizuar gjithnjë mendoja “Mirën e vogël” që kur i propozuan violinën refuzoi  dhe zgjodhi vetë pianon në moshën 6 vjeçare, mendoja gjithë mbështetjen e prindërve, entuziasmin dashamirës të mësuesve për mua dhe të ardhmen time, ëndrrat e performancave, rrjetin shoqëror të bashkëpunimeve profesionale e miqësore…e për të gjitha këto “i detyrohesha “ vetes për këmbënguljen në gjetjen e vetes si pianiste këtu. Për nga natyra e profesionit që në moshë të vogël jemi mësuar e kalitur me sfida e konkurse për vazhdimësinë e profesionit përgjatë shumë viteve. Në Zvicër perfeksionova në universitet gjuhën frënge që e njihja që në Shqipëri, më pas u bë njohja e diplomës sipas kritereve në Francë dhe Zvicër  dhe me besim konkuroja në institucionet përkatëse. Atë që unë dhe miqtë e mi e quanim “kafshatë e madhe” profesionalisht, atë që pretendoja në ato vite gjë që më dukej normale madje të provoja dhe të mos fitoja….aq më tepër kur nuk dihej asgjë për artin dhe artistët shqiptarë në ato vite në Zvicër. Mbaj mend që me diplomat e mia profesionistët në komisione herë buzëqeshnin lehtë e herë hapnin sytë kur lexonin mes disiplinave artistike “shërbim ushtarak, aksion, sjellje etj”, e duke folur pa inferioritet për të gjitha këto, i shpjegoja si eksperienca që duheshin bërë dhe nuk vareshin prej meje. Emocioni nuk mund të përshkruhet kur erdhi përgjigja pozitive e punësimit me shikim mirënjohjeje të shumë viteve mbrapa me muzikë në vendin tim.

CMG: Shqiptarët brenda vendit por dhe në diasporë ju vlerësojnë dhe si veprimtare. A mund të na tregoni për bashkëpunimin tuaj me komunitetin shqiptar në Zvicër?

Ermira Zyrakja Lefort: Me modesti e dëshirë për të kontribuar vullnetarisht, që në fillim mora kontakte me struktura dhe grupime shqiptare më të vogla atëherë, ku kontribuoja me fëmijët e moshave të ndryshme në këngë, piano e korale. Ishte kënaqësi kur shumë shpejt u mësua se një artiste nga Shqipëria ndodhej në Gjenevë dhe kështu u krijua miqësi dhe admirim i sinqertë që më prekte. Për 7 vjet përveç punës së përditëshme kisha dhe një atelie për piano dhe muzikë në Rinia Contact, me fëmijë dhe të rinj shqiptarë ku pasioni për muzikën ashtu siç e kisha krijuar projektin u bë një instrument integrimi drejt konservatorëve të muzikës në Gjenevë për shumë pjesmarrës të brezave në këtë atelie muzike, që tashmë edhe pse të rritur më thërrasin “mësuese”.  Në shumë vite tashmë, me shumë vlerësim më ftojnë në aktivitetet me karakter historik, kulturor dhe artistic në Zvicër, por dhe në shtete të tjera nga diaspora shqiptare, bëjmë projekte individuale dhe në kuadër të shoqatave, në nivel gjithnjë e më cilësor artistik, ku piano, kanto dhe instrumenta klasikë nuk janë më një rijësi në programet shqip dhe me repertor të huaj, në funksion të tematikës së multikulturalizmit dhe integrimit.

CMG: Keni një lidhje të bukur me komunitetin arbëresh në Itali, madje jeni pjesë e artistëve që krijuan të parin disk me këngë liturgjike shqip. Duam të dimë më shumë rreth këtij bashkëpunimi?

Ermira Zyrakja Lefort: Kam një ndjeshmëri të fortë e të madhe me çdo detaj arbëresh, duke nisur nga arti i trashëguar në 500 vjet, si në muzikë, etnologjinë e kostumeve, intervalet e harmoninë e zërave në këndim. Më lindi projekt-idea “Nga antika arbëreshe tek lirika shqiptare”, një koncept pikësëpari vazhdimësie muzikore por dhe bashkëpunimi në prezantime bashkë me artistë nga Arbëria, Shqipëria dhe Kosova. Po këtë koncept pjesmarrjeje dhe përfaqësimi pati dhe “Festivali ballkanik i këngës liturgjike shqiptare 2019” në Aarau të Zvicrës dhe CD-ja e prodhuar prej tij me “Këngë liturgjike shqiptare”, organizuar nga Preng Prend Kola, me drejtim artistik nga unë, ku gati gjysma e repertorit këndohet nga dy artistët arbëreshë Maria Cristina dhe Mimmo Imbrogno si dhe shumë artistë të talentuar shqiptarë.

CMG: Komuniteti shqiptar në Zvicër por dhe jashtë saj ka përshëndetur së fundmi zgjedhjen e bashkëshortit tuaj, Fransua Lefort në detyrën e rëndësishme të Presidentit të Republikës e Kantonit të Gjenevës. Si e vlerësoni këtë arritje dhe përgjegjësi të lartë të bashkëshortit tuaj?

Ermira Zyrakja Lefort: Vlerësoj së pari gjithë rrugëtimin gati 40 vjeçar (nga aktivist i të Gjelbërve në Francë dhe Zvicër) me integritet, këmbëngulje dhe optimizëm për kauzën që Ekologjia ka qenë, është dhe duhet të jetë e tashmja dhe e ardhmja gjithnjë e më e rëndëdishme në politikëbërje. Vlerësoj faktin që nga të gjithë komponentët politikë të të gjitha partive u votua me vlerësim për punën e bërë e që do të bëjë bashkëshorti im François Lefort (Fransua Lefort) si President i Republikës e Kantonit të Gjenevës tashmë. Vlerësimi, respekti e mirënjohja si ndër vite i diasporës shqiptare në Zvicër për zgjedhjen e Fransuasë na emocionoi familjarisht. Për mua si Ermirë, vazhdoj e preferoj të jem ajo që kam qenë në raport me miqtë, punën, kontributin, diasporën shqiptare. Për më tepër kur në Zvicër je “i edukuar” me modestinë e jetën normale mes njerëzve, të të gjithë politikanëve, nga deputetët e në poste relative të rëndësishme.

CMG: Në karrierën tuaj të gjatë si pianiste profesioniste dhe pedagoge a keni patur bashkëpunime me artistë kinezë dhe si e vlerësoni kontributin e tyre në këtë fushë të muzikës?

Ermira Zyrakja Lefort: Që nga Shqipëria nga bashkëpunimet artistike të kohës më kishte lënë mbresë multivlera e artit, muzikës ( vepra Koncert për piano “Lumi i Verdhë”, interpretuar nga pianistja shqiptare Lili Tafaj) . Ndjek me kënaqësi dhe vlerësim “Ditën e Kulturës Kineze”, që organizohet  pranë OKB-së nga misioni diplomatik kinez në Gjenevë, artistë kinezë  që performojnë mrekullisht në koncerte të ndryshme, ku dominon kënaqësia që nga bisedat e kontaktet fillojnë të kenë adhurim për shqiptarët, artin, filmat e muzikën tonë. Jam në përgatitje të një propozim projekti për bashkëpunim me artistë kinezë  dhe shqiptarë, pas takimit këtu në Gjenevë me ambasadorin kinez dhe bashkëshorten dhe këshilltaren e tij si dhe një bashkëpunim të propozuar nga Instituti i mirënjohur  Schiller dhe zëvendëspresidenten e tij zonjën Feride Istogu Gillesberg me artistë shqiptarë dhe artistë të Institutit Confucius në Danimarkë, pas bashkëprezantimit artistik të veprimtarisë “Dialog kulturor”që patëm në Kopenhagen.

Please follow and like us: