Sekreti i Papës Bergoglio!
Desaparaceidos, akuzat e pabaza për afërsi me diktaturën ushtarake, Kisha argjentinase, të varfërit; historia e vërtetë e Papës që po ndryshon botën.
Një mesazh në sekretarinë telefonike e manastirit të Karmelitaneve të Zbathura të Luçernës në Andaluzi, Spanjë: “Karmelitanet e Zbathura të Luçernës. Për momentin nuk mund t’u përgjigjemi. Nëqoftëse dëshironi, lini një mesazh pas dëgjimit të sinjalit akustik. Zoti ju bekoftë”. Një zë nga ana tjetër e fijes. Zëri i një burri, zëri i një guide shpirtërore: “Çfarë po bëkeni kaq të rëndësishme sa nuk mund të përgjigjeni? Jam Papa Françesko. Doja t’u bëja urimet e fundvitit. Do të shikoj më vonë nëse mund t’ju telefonoj. Zoti ju bekoftë”. Ati i Shenjtë është edhe ky: një telefon që cingërrin dhe Papa që lë një mesazh në sekretarinë telefonike si një njeri i zakonshëm i çfarëdoshëm.
Një njeri normal: është me këtë shpirt që Jorge Mario Bergoglio ka vendosur ta paraqesë papatin e tij. Qysh nga mesazhi i tij i parë si Papë, mbrëmjen e 13 marsit 2013, ditën e zgjedhjes së tij: “Vëllezër e motra, mirëmbrëma! Ju e dini se detyra e konklavit ishte që t’i jepte një peshkop Romës. Duket se vëllezërit e mi kardinalë kanë shkuar për ta marrë pothuajse në fund të botës, por jemi këtu. Ju falenderoj për mikpritjen. Komuniteti dioqezian i Romës e ka peshkopin e tij: faleminderit!”. Ajo “Mirëmbrëma” ka marrosur botën. Askush nuk e priste që Papa i ri do të dinte t’ua merrte zemrat romanëve dhe pjesës tjetër të botës me tri fjalë. Megjithatë, Françesko ia ka arritur në ndërmarrjen e tij dhe nuk ka reshtur akoma së habituri. Megjithatë, në momentin e zgjedhjes në fronin e Pjetrit, për Bergoglio nuk ka pasur vetëm fjalë entuziaste. Qysh nga ditët e para, Papës së ri i është dashur të ndeshet me disa zëra që e akuzonin se kishte qenë tepër i lehtë ndaj diktaturës që ka shkatërruar Argjentinën duke filluar nga mesi i viteve Shtatëdhjetë. Është e mundur e gjitha kjo? Është e mundur që Papa i cili po reformon Kishën, që i ka kushtuar gjithmonë vëmendje të varfërve, të sëmurëve, të rrënjëshkulurve ka mundur ta kryejë një akt të kësaj natyre? Është e mundur që Bergoglio, i cili po kërkon dialogun me fetë e tjera, që ka dënuar abuzimet seksuale, që ka mbrojtur paqen në botë, është fajtor për një krim të tillë?
Njeriu i vitit 2013
Revista e famshme “Time” e ka zgjedhur si Njeriun e Vitit dhe i ka kushtuar kopertinën. Por lajmi i vërtetë nuk është ky. Bergoglio ka ditur të prishë skemat e barrierat dhe të lërë shenjë edhe në zemrën e një populli të largët për nga kultura dhe besimi fetar: populli kinez. Papa Françesko deri është zgjedhur në elitën e lakmuar e të ngushtë të 10 njerëzve kyç të 2013, sipas masmediave, shtypit dhe shoqatave diplomatike më të rëndësishme të Kinës. Ka arritur i treti. Është hera e parë që një personazh fetar shfaqet në këtë klasifikim.
Por Bergoglio është i mësuar që të ecë kundërrymë. Një normalitet mbi të cilin, siç u tha, ka dashur të shënojë qysh nga fillimi papatin e tij. Qysh nga dita e parë pas zgjedhjes, kur është kthyer në Domus Sanctae Marthae me autobus sëbashku me kardinalët e tjerë në vend që të përdorë makinën papnore. Apo kur ka shkuar në Shtëpinë e Klerit ku kishte banuar në ditët përpara Konklavit për të marrë bagazhet dhe paguar personalisht faturën.
Afër me të fundit
Normalitet, por edhe thjeshtësi, për të qëndruar me të varfërit dhe të sëmurët e botës. Mendimi i parë i tij. Duke filluar nga emri që ka zgjedhur: Françesko. Por edhe normalitet, siç e kemi thënë, një mënyrë të vepruari që e kishte qysh përpara se të bëhej Papë dhe që nuk e ka braktisur kurrë. Si kur u bë cardinal dhe besimtarët bënë një kuletë për një festë: ai mori paratë dhe, në vend që t’i përdorte për të festuar, ua dhuroi të varfërve. Apo kur, në Buenos Aires, lëvizte nëpër qytet me mjete publike, si miliona njerëz në botë. Ose, akoma, duke menaxhuar i vetëm një apartament të vogël pa jetuar në peshkopatë.
Në Romë nuk ka ndryshuar: ka mbetur afër njerëzve, afër personave nevojtarë, afër pleqve, afër fëmijëve, duke u puthur këmbët të burgosurve apo të sëmurëve më AIDS. Ose në Lampedusa ku ka lëshuar një thirrje drejtuar Europës së pasur që refuzon emigrantët: turp? Papa Françesko pëlqehet për spontanitetin e tij dhe për gadishmërinë e tij. Për vendimet e papritura që vënë në krizë eskortën: të përshëndesë një fëmi apo një mik midis turmës, të shkojë e të takojë vajzën e sëmurë nga një sëmundje e rrallë apo të udhëtojë më makinën papnore të hapur, t’i telefonojë një student duke i kërkuar që ta thërrasë me ti, të vendosë qingjin mbi shpatulla. Sepse ky është Papa Françesko. Por historia e At Bergoglio është akoma pak e njohur dhe fillon nga larg. Nga Argjentina.
Një tifoz i madh futbolli
1 prill 1908. Në një orator të Buenos Airesit lind Shën Lorenco. Skuadra e futbollit e ka marrë emrin me emrin e At Lorenco Massas që kishte lidhur një pakt me djemtë e Barrios: “Unë në orator kam një fushë ku mund të luani dhe ja u jap. Në shkëmbim, ju hajdeni në meshë dhe në katekizëm”. Kjo skuadër sot luan në ligën superiore e kampionatit argjentinas dhe në radhët e saj ka një tifoz special: Papën Françesko. Tesera numër Nr.88235. dhe kjo skuadër, në dhjetorin e kaluar, është shpallur kampione kombëtare. Një tjetër mrekulli e Bergoglio? Në fund të fundit, argjentinasit janë shumë të apasionuar pas futbollit, por edhe italianët. Dhe në origjinën e Bergoglio ka një pjesë të madhe të tillë…
Pararendësit vijnë nga krahina e Piemontes. Stërgjyshi Françesko e ka origjinën nga Montechiaro d’Asti, ndërsa gjyshi Xhovani Anxhelo ka lindur në lokalitetin Bricco Marmorito di Portacomaro Stazione, fraksion i Asti. I katërti i pesë fëmijëve, kur ishte fëmijë, Bergoglio lunate shpesh briskola me babain, ndërsa e ëma ndiqte operat lirike në radio të shtunave pasdite. Ajo e tij është një jetë e thjeshtë: pas lindjes së fëmijës të fundit, nëna mbetet e paralizuar dhe Bergoglio fillon të ndihmojë në shtëpi. Pastaj, në moshën 13 vjeçare, ndërsa studion Kimi në një institut industrial, fillon të punojë. Fillimisht si pastrues në një fabrikë, pastaj kalon në administratë, së fundi në një laborator analizash. Në moshën 20 vjeçare sëmuret nga polmoniti, rrezikon të vdesë dhe do të shpëtohet vetëm falë heqjes së një pjese të mushkërisë së djathtë.
Argjentinë, ushtarakët marrin pushtetin
Me 24 mars 1976 jeta e Bergoglio dhe e miliona argjentinasve ndryshon papritmas. Forcat e armatosura realizojnë një grusht shteti, duke shkarkuar Presidenten Maria Estela Martinez de Peron, e quajtur Isabelita, qeverinë e saj dhe duke vendosur një juntë ushtarake. Është fillimi i një diktature që do të zgjasë vite të tëra. Një diktaturë që do të qeverisë duke mbjellë terror, nëpërmjet sekuestrimesh, torturash dhe zhdukjeve. Ushtarakët do ta quajnë “proces riorganizimi kombëtar”. Në praktikë një diktaturë ndër më mizoret e Amerikës Latine. U shpall gjendja e jashtëzakonshme, duke abroguar të drejtat kushtetuese. Tortura u bë norma në sigurimin e informacioneve.
Dhjetëra mijëra njerëz, të dyshuar se ishin subversivë, u arrestuan, praktikisht u sekuestruan. Arrestimet nuk regjistroheshin dhe për familjarët ishte e pamundur të kuptoheshin se ku mbaheshin: të burgosurit nuk rezultonin në regjistrat e komisariateve të policisë apo të autoriteteve ushtarake. Ishte e pamundur të siguroheshin njoftime. Mbylleshin në vende trishtueshmërisht të famshëm si ESMA, Shkolla e Lartë e Marinës Ushtarake, ku 90 përqind e rreth mbi 5000 të burgosurve që përfunduan aty, u vranë ose u zhdukën përgjithmonë. Ose Garage Olimpo, një ndërtesë e madhe, që së një bllok të tërë në lagjen Floresta të kryeqytetit argjentinas. Këtu dikur riparoheshin automjetet e policisë federale, më pas u konvertua në burgosje klandestine. Burra, gra, fëmijë të sekuestruar këtu torturoheshin me shkarkesa elektrike, zhyteshin në jashtëqitje njerëzore, rriheshin për vdekje dhe, shpesh, vriteshin në mënyrë sekrete. Është kështu që ka lindur fenomeni desapareicidos, fjalë për fjalë “njerëz të zhdukur”: sapo arrestoheshin, prej tyre nuk mbetej asgjë. As trupi, as vendi i varrosjes. Me mijëra, me t’u droguar, hidheshin në oqean nga avionët, të njohur si fluturimet e vdekjes. Në fund, viktimat do të jenë në total rreth 30000.
Ai “trajtim” për priftërinjtë
Kristianët jo të rreshtuar viheshin menjëherë në shenjë. Diktatura kishte një mision: të reduktonte në heshtje atë pjesë të Kishës që kishte zgjedhur të mos bashkohej me uniformat e gjeneralëve. Dhe regjimi nuk i toleronte qëndrimet që mund të konsideroheshin armiqësore.
Domethënës ai ndaj famullisë së Santa Kruzit. Këtu mblidhej një gru aktivistesh që reklamonin lirimin e disa të dënuarve dhe kërkonte përgjigje mbi fatin e desaparaceidosve. Këtu ushtarakët infiltruan një agjent special. Për të gjithë Gustavo Nino, rubito, biondini. Emri i vërtetë i tij është Alfredo Astiz, officer i Marinës Ushtarake argjentinase. Astiz, rrëfen Nelo Skavo i “Avvenire”, do të hiqet se është i afërm i një desapareicidosi. Do të tregojë se një vëlla i tij ishte chupado, i rrëmbyer nga makina e diktaturës ushtarake. Do të fitojë besimin e motrave dhe të famullitarëve në atë pikë sa atij do t’i besohet animimi i grupit skaut të famullisë. Dhe zakonisht në mbrëmje, kur këto familje mblidheshin dhe linin lokalet e Santa Kruzit, Astizi përdrote përqafimin dhe puthjen e personave që më shumë se të gjithë i dukeshin të rënë, të dekurajuar, të dëshpëruar në kërkimin e një të dashuri të zhdukur pas arrestimit nga ushtarakët.
Kjo puthje ishte sinjali. Puthja e Judës. Nga ai moment njeriu i puthur ishte shënuar. Ushtarakët e dinin se kë do të kapnin atë natë. I gjithë grupi i Santa Kruzit u asgjësua. Trupat e tyre u hodhën në oqean. I kërkuar edhe nga drejtësia italiane për zhdukjen e tri emigrantëve italoargjentinas, Astiz është dënuar me burgim të përjetshëm.
“Një dhimbje vërtet e fortë”, shpjegon Skavo, “që Argjentina e mbart me vete dhe brenda së cilës u gjet duke vepruar një figurë special, mund ta themi pasi investigimeve që janë bërë, si ajo e atëhere Atit Provincial të Jezuitëve argjentinas Jorge Mario Bergoglio”. Kjo ishte klima që ekzistonte në Argjentinë dhe kishën e vendit të madh jugamerikan.
Çështja Jalics dhe Yorio
Në ditët menjëherë pas zgjedhjes së tij si Papë, një vit më parë, Bergoglio është akuzuar për bashkëpunim me ushtarakët në kohën e diktaturës argjentinase. Ai që i ka drejtuar gishtin ka qenë një gazetar argjentinas, Horacio Verbitsky, që e konsideron të përfshirë në sekuestrimin dhe në torturimin e dy jezuitëve: At Jalics dhe At Yorio. Sipas kësaj akuze, Bergoglio do t’i linte të kapeshin si element subversivë dhe komunistë, duke parë impenjimin e tyre nëpër favelas në favor të të varfërve.
Megjithatë, realiteti duket shumë ndryshe. Në radhë të parë, të dy jezuitët janë arrestuar për një motiv të ndryshëm nga ai i treguar nga Verbitsky. Jo vetëm kaq: tortura psikologjike ka qenë arma më e butë që ushtarakët kanë përdorur kundër dy jezuitëve. I kanë bërë të besojnë se që i ka tradhëtuar ka qenë dikush i rëndësishëm i kompanisë së tyre. Ndoshta kreu i tyre: Jorge Mario Bergoglio. Do të duhet kohë përpara se e vërteta të dalë.
German Castelli, një prej tri gjykatësve autorë të vendimit në procesin kundër ushtarakëve të ESMA-s, Shkollës së Lartë të Marinës, që ka parë të dënimin e Videla me burgim të përjetshëm, lidhur me këtë pikë ka bërë sqarim: “Të thuash se Bergoglio i dorëzoi këta priftërinj është një gjë absolutisht false”. Amnesty International, që i ka studiuar për një kohë të gjatë qindar dëshmitë e të mbijetuarve dhe të provave kundër regjimit, të nesërmen e zgjedhjes së tij, ka komunikuar se nuk ka në arkiv asnjë akuzë kundër tij. Më së vonshmi, Presidenti i Gjykatës Supreme të Drejtësisë Argjentinase, Ricardo Lorenzetti, ka thënë me forcë se Papa Françesko “është një njeri absolutisht i pafajshëm” dhe nuk dyshohet për asnjë bashkëfajësi me shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera gjatë diktaturës ushtarake. Sipas tij, Bergoglio është një njeri absolutisht i pafajshëm.
Lista Bergoglio
Por ajo pak e njohur akoma sot është një histori që Bergoglio e ka fshehur gjithmonë. Një histori që gazetari Nelo Skavo ka arritur ta nxjerrë në dritë falë një investigimi skrupuloz dhe një hetimi të komplikuar e të vështirë. Sepse vetë dëshmitarët që e kanë përjetuar personalisht kanë qenë mjaft ngurrues për ta treguar: historinë e listës Bergoglio. Lista e njerëzve që Papa i ardhshëm ka shpëtuar gjatë diktaturës. Njerëz që kanë zgjedhur t’i zbulojnë këto ndodhi vetëm gazetarit të “Avvenire”, por që në të njëjtën kohë e kanë bërë me kusht që të mos zbulohen kohët dhe mënyrat e takimit. Të tjerë kanë kërkuar deri që t’i dërgojnë kujtimet e shkruara pa dashur që t’u citonin. Pse kaq ngurrim? Pse kaq shumë sekret? Rrëfimet e dëshmitarëve janë botuar në librin e Nelo Skavos të titulluar “Lista Bergoglio – të shpëtuarit nga Papa Françesko gjatë diktaturës”.
Arratia e Gonzalos
1977, Uruguaj. Gonzalo Mosca është 28 vjeç dhe është militant i majtë. Arratiset nga regjimi i Montevideos përpara se të kapet nga njësitë ushtarake. Strehohet në Argjentinë. Nuk e di se ka rënë nga shiu në breshër. Në demonstrim se sa qenë të zotë ushtarakët në qarkullimin pak të informacioneve. “Pothuajse menjëherë”, rrëfen Skavo që ka mbledhur dëshminë, “vihet në shënjestrën e juntës ushtarake”. Në këtë pikë, kur paralajmërohet se pas pak kohe do të kapet dhe ndoshta vritet, i dëshpëruar, i telefonon një vëllai që ishte prift jezuit. Duke mos ditur se çfarë të bënte, i vëllai i telefonon At Bergoglio, i cili i përgjigjet me fjalë të kursyera, me frikën se mos biseda ishte nën kontrollin e ushtarakëve. Të dy takohen, Bergoglio e hip në makinë Gonzalo, kalon qytetin në mënyrë që të mos ndiqet nga autopatrullat e shërbimeve sekrete, arrin kolegjin e Jezuitëve dhe e e zbret këtu. 30 kilometra që duken si 5000. Në çdo cep të rrugëve ka ushtarë. Frika, ndryshime të papritura drejtimi. Sytë gjithmonë të fiksuara mbi pasqyrat që shikojnë prapa. Gonzalo do të fshihet në kolegj. Pastaj do të marrë një fluturim të brendshëm argjentinas për të arritur një qytet kufitar, kufi të cilin do ta kalonte me varkë, natën, duke shkuar në drejtim të jezuitëve të Brazilit
Dëshmitari i vetëm që flet
Alfredo Somoza jeton në Itali, në Milano. Është një gazetar i Radio Popolare. Nelo Skavos i tregon se në vitin 1978, student 20 vjeçar, arrestohet nga ushtaraket sepse konsiderohet element subversive. E mbajnë në qeli për një javë. Duhet të vendosin se në çfarë burgu klandestin ta dërgojnë, por dikush, që mbetet anonym, e nxjerr prej andej. Në 1981 Somoza kthehet në shënjestrën e ushtarakëve. Një letër i vjen në shtëpi: nënshkruhet nga Gjenerali Viola personalisht. Është thirrje. Ky është sinjali se duhet të zhduket. Arratiset në Brazil. I vetëm, por, pa e ditur, përfundon në rrethin e të larguarve. Pastaj një dokument falso dhe një anije për Itali. Kush e ka ndihmuar? Ka zbuluar se kanë qenë jezuitët. Edhe një herë akoma At Bergoglio.
Dy nën akuzë
Në Itali jeton një çift që ia detyron jetën Jorge Maria Bergoglio: janë Sergio dhe Ana Gobulin. Edhe ata nuk flasin. Prej 30 vitesh janë aty pas një arratie marramendëse nga Buenos Airesi. Ushtarakët i kërkojnë. Me 11 tetor 1976 “thithen”, siç thuhej atëhere. Sergio e rrahin, e sekuestrojnë për 18 ditë. Sapo informohet, At Bergoglio vepron menjëherë: duhet t’ua heqë njeriun nfa duart ushtarakëve dhe të sigurojë Ana. Me 29 tetor përpjekja e fundit, pastaj Sergio lirohet. Por rreziku nuk ka mbaruar këtu: Bergoglio i këshillon ata që të largohen nga vendi. Konsulli Italian Enrico Calamai i ndihmon. E ruajnë këtë sekret për 40 vjet. Pastaj, përpara akuzave ndaj Bergoglio, vendosin të flasin.
Gjykatëse femër
Alicia Oliveira është argjentinasja e parë e bërë gjykatëse penale. Është viti 1973. Por ushtarakët nuk e duan. E shkarkojnë në vitin 1976, sapo vijnë në pushtet. Por nuk mjaftohen me kaq. I kishin përgatitur një vend në morg. Bergoglio ofrohet për ta ndihmuar, por ajo, megjithëse me mirësjellje, refuzon. Nuk është besimtare dhe, sidomos, nuk mendon se është në kaq rrezik. Bergoglio mbetet keq, por nuk e braktis gruan, e cila ndërkohë është e detyruar të dalë në klandestinitet. Është nënë e tri fëmijëve të vegjël. Kështu që vendos të veprojë. I fsheh fëmijët në kolegj dhe vetë në shtëpi miqsh. Një tjetër jetë e shpëtuar.
Se sa kanë qenë njerëzit e shpëtuar nga Bergoglio është e vështirë të thuhet. Dhjetëra, ka mundësi qindra. Dhe kanë zgjedhur rrugën e heshtjes për të mos bërë të lindë dyshimi se, nëpërmjet dëshmive të tyre, Papa mund të manipulonte në favorin e tij fakte që u përkisnin viteve të diktaturës. Vetë Bergoglio ka zgjedhur rrugën e heshtjes: e vërteta do të dalë, do t’i zbulonte një miku. Nga ana tjetër, ai nuk u është shmangur asnjëherë hetimeve. Me 8 nëntor 2010 është dëgjuar në kuadër të procesit lidhur me krimët e kryera në ESMA. Nga njëra anë ishte avokati Luis Zamora, që përfaqësonte viktimat e diktaturës, nga ana tjetër jezuiti qe do të bëhej papë. 3 orë dhe 50 pyetje gjithnjë e më të vështira. Asnjë skonto për të. Çdo moment i deponimit është i videoregjistruar. Të tri gjykatësit do të konkludojnë se asnjë faj nuk mund t’i kontestohet Bergoglio.
Sfidë e re: të ndryshojë Kishën
Papa Françesko ka kaluar edhe provat më të vështira. Tani misioni është të ndryshojë Kishën dhe ta çojë më afër të marxhinalizuarve të shoqërisë, të varfërve, të sëmurëve. Edhe Adolfo Perez Esquivel, pacifist argjentinas dhe aktivist i të drejtave të njeriut, që u burgos dhe u torturua për 14 muaj nga diktatura ushtarake, ka ndryshuar ide lidhur me të. Pasi e ka sulmuar për vite të tëra, nobelisti për Paqen e ka takuar Atin e Shenjtë dhe ka konkluduar se “Bergoglio ka qenë viktimë e diktaturës dhe jo bashkëpunëtor. Dhe kontribuoi në ndihmën e të persekutuarve”.