Mrekullitë kineze të arkitekturës nuk kanë të sosur
Një kompleks godinash me sipërfaqe prej 1,12 milionë metrash katrorë është pranë përfundimit në Chongqing, Kinë. I projektuar nga arkitekti Moshe Safdie, kompleksi është i përbërë nga tetë kulla gjigante që lidhen me një urë mes tyre, një dizajn që i ka dhënë edhe nofkën “qiellgërvishtësi horizontal”. Ura 250 metra e gjatë, e quajtur Kristal, mendohet se është një ndër më të lartat në botë. Kur të hapet për publikun, në të do të ketë një pishinë, kopsht botanik dhe disa restorante, ndërsa në mbrëmje do të ndriçojë qiellin përmes spektaklit të dritave. Gjithashtu aty do të ketë një qendër tregtare, 1400 apartamente banimi, një hotel luksoz dhe hapësira pa fund për zyra dhe biznese. Kosto e ndërtimit të kësaj mrekullie ka qenë 3,8 miliardë dollarë, por sipas ekspertëve, sapo të hapet këtë vit, nuk do të kalojë shumë kohë deri sa investimi të kthehet.