Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: POETI DINO CAMPANA -MES DELIREVE DHE POEZISÈ

 

Dino Kampana ishte një poet mes delirit dhe poezisë, mes jetës dhe vdekjes, bukurisë dhe egërsisë, jeta e tij është një vepër e pambaruar. Poet misterioz, hyjnor dhe demoniak. Ai jetoi 47 vjet si një rrebesh i virgjër përmes arës së poezisë italiane duke lënë vetëm “Këngët e Orfeut”.

Kampana ishte i vetmi poet i kohës së vet që i këndoi shpirtërave të paqetë, reflektimeve natësore, me forcën e një komete që çan qiellin duke tronditur shpirtëra dhe hapësira. Pakufijshmëria e poezive të tij nuk u mbyt as nga moskuptimi i njerëzve, as nga prangat e çmendinës ku iu desh të kalonte më tepër se gjysmën e viteve të jetës.

Vdiq po atje në çmendinë, duke lëshuar poezinë e vet si shpend lajmëtar.

 

DINO CAMPANA: UDHËTIM NË MONTEVIDEO

 

Unë pashë nga ura e anijes

Kodrat e Spanjës

Të përhumben në gjelbërim.

Brenda muzgut të artë toka brune fshihet

Si një melodi

E një skenë e panjohur, njomëzake, vetmitare

Si një melodi

Blu, një manushaqe lëkundet ende mbi brigjet e kodrave

Lëngonte mbrëmja e kthjellët mbi det;

Madje heshtjet e arta nga çasti në çast

Kalonin përtej lehtësisht në një kaltrim…

Vizatime të largëta ngjyrash të ndryshme

Nga më të largëtat heshtje

Mbrëmjen e kthjellët varkojne zogjtë e artë; anija

Tashmë e verbër, duke lundruar e duke luftuar errësirat

Me zemrat tona të mbytura

Krahët përshkojnë errësirën e duke e mundur.

Por një ditë

U ngjitën mbi anije gratë e rënda të Spanjës

Me sytë e lëngët engjëllorë

Me gjinjtë e mëdhenj, marramendës, kur,

Në një baule të thellë të një ishulli ekuatorial;

Në një baule të qetë e të thellë për më tepër se qielli mbrëmësor

Ne shihnim të rridhte nëpër dritën e këngëzuar

Një qytet të bardhë, i përgjumur

Nën këmbët e larta të maleve ku shuhen vullkanet

Në fryrjen e lagësht të ekuatorit; gjersa

Pas shumë britmash e shumë hijesh të një vendi të panjohur

Pas shumë kërcitje zinxhirësh e shumë përndezjesh

Ne lamë qytetin ekuatorial

Drejt detit të paqetë natësor.

Ecnim e shkonim përditë e përditë; anijet

Me vela të rënda që takoheshin me erëra të ngrohta tek kalonin lehtaz pranë nesh, shfaqej e bronztë

Një vajzë e racës së re

Sytë e shndritshëm dhe veshjet nëpër erë! Dhe ja;

I egër është fundi i një dite që shfaqet,

Bregu i sertë atje poshtë mbi detin e pakufijshëm

Dhe unë pashë dunat prej rëre të shkrifeshin si kuaj me

Shpejtësi marramendëse

Drejt fushës së pafund

E shkretë, pa shtëpitë njerëzore

Dhe ne, duke lënë pas dunat na shfaqet

Një det i verdhë, pasuria e jashtëzakonshme e lumit

Të kontinentit të ri, kryeqytetit detar.

Lëng i freskët dhe elektrik ishte drita

E mbrëmjes dhe atje shtëpitë e larta ngjanin të shkreta

Poshtë mbi detin e piratit

Qyteti i braktisur

Mes detit të verdhë e dunave të rërës…

 

(Përktheu Rifat Ismaili, dhe përfshirë në librin “S’JAM GJITHMONË KOLOMB”- poezi, ese, përkthime, DEA 1997).

 

Shumë njerëz kanë shkruar dhe shkruajnë në jetën e tyre me mijëra faqe, por nuk qenë dhe nuk janë shkrimtarë, por edhe nëse kishin në vetvete diçka prej shkrimtari, tani janë harruar.

Kampana shkroi vetëm një libër “Këngët e Orfeut” në të cilin përmblodhi gjithë vjershat dhe prozat e veta.

Jetoi në Firence duke shitur dorë më dorë, kafenë me kafenë, për dy grosh, mrekullinë e vet poetike.

Punoi si komedian rrugësh në Francë, si pjatalarës në Amerikë, por fati dhe ai ecnin në drejtime të kundërta.

Vepra letrare e tij është e mbarsur me farën e gjeniut.Si të gjithë sundimtarët, ai e vështron botën nga lart…

Tani Italia është në kërkim të një tjetër biri të madh.

Please follow and like us: