Albspirit

Media/News/Publishing

Bukuria është thikë me dy presa…

Në foto Bukuri Deliallisi – Kokalari

 

“…Kur erdhëm pas disa vjetëve për pushime në Durrës, si zakonisht më dërgoi vjehrra në Shijak, tek Zonja e madhe. Kur hyri derën Bukuria, të cilën e kisha pasur nxënëse në Berat, kur ishin të internuara, u befasova. Ishte rritur dhe zbukuruar shumë. Thashë: Sa e bukur është bërë!
Gjyshja më tha: “Më mirë të ishte e shëmtuar, se tani kush e sheh e pëlqen dhe e kërkojnë shumë, por nuk e marrin se është vajza e Mustafait (Deliallisit). Më mirë ta marri mortja se të turpërohet dera jonë. Bukuria është thikë me dy presa”.
Më erdhi shumë keq për lotët dhe dufin e gjyshes. Kur u ktheva në Durrës i tregova vjehrrës dhe i thashë se mund ta merrnim Bukurien në Gjirokastër dhe mbase e martonim. “Për mua merre, por mos të të mërzitet kallaballëku. Bisedoje me Aliun dhe vendoseni bashkë”. Kur ia tregova Aliut, ai qeshi, bëri buzën në gaz dhe më tha “do bëhet si thua ti”.
Kështu shkova përsëri në Shijak, e bisedova me nënën dhe gjyshen e Bukurisë. Gjyshja nga gëzimi hoqi shaminë e kokës dhe tha: Ja u kemi bërë kurban. Ti që ke këtë zemër, sa fije floku kam në kokë aq të mira t’u bëfshin. Cdo gjë që të zësh me dorë t’u bëftë flori! T’u bëfshin kalamajtë që t’i kenë zili dynjaja”!
***
Xha Tahirin (Skënduli) e doja shumë. Çdo mëngjes e thrrisja nga dritarja të pinim kafenë e dytë me vjehrrën “se e kisha vënë xhevzenë në zjarr”. Uleshin në të dy anët e gjirmës, u vija kafenë përpara dhe nga një paqetë cingare. Kur hyri Bukuria, xhaxhai u çudit nga bukuria e saj dhe tha: “Mashallah! Zoti ka pasur nge kur e ka stisur me shtat e surrat”.
Xhaxhai vinte çdo mëngjes dhe Bukuria shumë e qeshur, e bukur e buzagaze bënte muhabet me xha Tahirin për shtatë palë qejfe. Atij i hyri shumë në zemër. Një ditë më tha: Ti e di mirë që mua më bëhen krushqitë, se gjithë vajzat e Skëndulit unë i kam fejuar dhe asnjera nuk është ndarë nga burri. Mendoj për Bukurinë, që është një vajzë e përsosur dhe ta fejojmë në Gjirokastër. Unë Qemal Kokalarin e kam më tepër se vëlla, kemi pirë gjakun, familje dhe njeri shumë i mirë. Ka qenë kryesekretar i Bashkisë, shumë i pasur se bën tregëti me Mikon (vëllain) në Amerikë me djathin kaçkavall.
Ai më thotë shpesh me shaka, që është gjysma e të vërtetës: Nuk më pihet kafja e mëngjesit në shtëpi, se ato që ma bien nuk janë aq të bukura si i dua unë. Qemali ka një djalë shumë të mirë e të zotin, jep mësim në shkollën e mesme teknike në Tiranë. E quajnë Tomorr. Do ta bisedoj, t’i them që ka ardhur te Doktor Aliu një vajzë shumë e mirë dhe ta shohim.
Kështu më tha xha Tahiri. Unë i thashë ta bisedonte njëherë me Aliun. Pastaj i tregova si i kishte punët: babain që kishte vrarë veten, internimin, arsimin vetëm 7-vjeçar dhe pa pajë e stoli.
Ai m’u përgjigj: Qemali nuk pyet fare për këto gjëra. Ai është dënga me flori. Ka fituar shumë nga tregëtia që ka bërë me Mikon në Amerikë. Nga ana tjetër ai vetë ka të pushkatuar në familje, madje edhe nipine tij Aqif Kashahun të pushkatuar si armik të popullit. Edhe gruan e ka bejlereshë nga Delvina. Pyet vetëm për një vajzë që t’i zbukurojë shtëpinë.
Të gjitha ia tregova Aliut. Ai tha: “Të mendohemi mirë. Të mos luajmë me zjarrin, se mos duam t’i vëmë vetulla dhe i nxjerrim sytë”.
Pas disa ditësh, xha Tahiri erdhi për vizitë me Qemalin, që të shihte Bukurien. I thashë Bukuries t’i qeraste se ishte shoku i xha Tahirit, pa i thënë gjë përse kishin ardhur. Xha Qemali e pëlqeu shumë. Më kërkoi një fotografi të Bukuries, që t’ia dërgonte Tomorrit. “Nuk kemi, po Tomorri le të vejë te Foto “Kallfa” dhe ta shohi se fotografinë e Bukuries e mbajnë të ekspozuar në vitrinë”.
Kështu xha Qemali i shkroi letër djalit dhe ai erdhi në Gjirokastër. Organizuam një takim. Ai sa e pa e pëlqeu dhe pas disa kohësh u fejuan dhe më pas u martuan.
Mirëpo ata që e deshën Bukurien, nuk lanë gur pa lëvizur në Ministrinë e Arsimit kundër Tomorr Kokalarit, që qe martuar me një “vajzë krimineli”. Tomorrin e larguan menjëherë nga shkolla dhe e dëbuan në Selenicë të Vlorës, e më pas në Manzë…”.
***
Shkëputur nga libri me kujtime të Nezaqet Deliallisi (Skënduli), me titullin “Gjirokastra ime…”./muzeu kokalari/

 

Iris Halili: Requiem për gjyshen time, Ganimet Gjilani Fratari

 

Please follow and like us: