Gelanda SHKURTAJ: Kush politikan vodhi më pak e kush më shumë?
SHQIPËRI 1939
Indro Montanelli, një ndër intelektualët dhe historianët italianë më të spikatur të shekullit XX, ndoqi atin e tij, një funksionar të Ministrisë italiane të Arsimit, i ngarkuar me reformat në Shqipëri në vitet e largëta 1938-1939. Montanelli, asokohe një gazetar rreth të tridhjetave, mbeti shumë i impresionuar rreth jetesës në vendin e shqiponjave.
E vizitoi Shqipërinë edhe në 1942, por vite më vonë, eksperienca shqiptare e çoi atë në përmbledhjen e kujtimeve, tashmë në librin e njohur nga shumëkush “Shqipëria një dhe një mijë”.
Paçka qëndrimit apo orientimit politik të Montanellit në vitet kur ai e vizitoi Shqipërinë, ngushtësisht i lidhur me regjimin fashist të kohës, teksti mbetet brilant në përshkrimin e ambientit ekonomik, social e fetar, ku spikat hapur përshtypja e thellë, rreth jetesës kontradiktore të shqiptarëve. Ky libër që ngjan më shumë me një fotografi të Marubit për nga vërtetësia dhe koha, ngelet gjithaq aktual edhe i paradokseve shqiptare.
I huaji Montanelli nuk arrinte të shpjegonte se si në ajrin e shëtitores kryesore të Tiranës përziheshin krah njëri-tjetrit aroma që linte një qerre e tërhequr nga kuajt ngarkuar me mbetjet urbane, me parfumin e zonjave të veshura me astrakanin e blerë në butikët më të shtrenjtë të Europës.
Sot, në “Bulevardin e Kombit” ecin prapë krah njëra-tjetrës karrocat e ngara nga tërheqja e kuajve dhe zonjat me “BMW”-në e fundit, që ndonjë familjar i tyre, ndoshta “punëtor krahu” nëpër Europë apo politikan në Shqipëri, ua ka dhuruar. Ato nuk kanë astrakan, por botoks, injektuar nga industria e vetme në rritje galopante, ajo e qendrave estetike, në trupat e skalitur që nuk shënjohen nga puna në fabrikë apo studimi në bibliotekë.
SHQIPËRI 2020
Nëse një i huaj sot do të pyeste sa është minimumi sindikal i pagave dhe se si justifikohen makinat më të fundit në qarkullim, nuk do kishte specialist finance që do të mund të zgjidhte një ekuacion me një variabël kaq të komplikuar, por ku, në fakt, përmblidhet e gjithë filozofia e parimeve politike dhe ekonomike, e shqiptarëve dhe e klasës udhëheqëse të saj në fillimshekullin XXI.
Dikush që nuk jeton nga brenda Shqipërinë dhe vëren se nuk ka fabrika të mëdha, ndërmarrje prodhimi, industri turizmi dhe punësim, me pak fjalë ato instrumente që e gjithë bota përdor për rritjen e prodhimit të brendshëm, është gjithmonë në dilemën se si gjenerohen të ardhurat për frymë në këtë vend. Burimi i të ardhurave pas ’90-ës, ndër shumë, ka pasur të pandryshuar vetëm tre faktorë: remitancat, vjedhjet e fondeve publike me korrupsionin e gjeneruar nga strukturat shtetërore, paratë nga aktivitetet kriminale.
Nëse remitancat përbëhen nga dërgesat e emigracionit që nuk po i ngadalëson ritmet dhe që mundësojnë mbijetesën e familjarëve të tyre në Shqipëri, dy burimet e tjera janë gjithmonë në indeks rritje dhe gjithaq të pandara nga zhvillimet politike të Shqipërisë. Ku gjenden?
Në pallate, resorte, vila, spitale private, shkolla private, makina luksoze dhe çmimet respektive, të pamundura edhe për nivelet e larta të pagës në vendet e G20-ës. Polarizimi shoqëror dhe ndarja ekonomike ka krijuar hendekë klasorë, ku distanca midis tyre është një humnerë. Kategoria më e madhe, rreth 90%, përfshin njerëzit në varfëri të rëndë dhe ata që frymojnë duke pasur mesatarisht minimumin jetik, ku futet edhe një pjesë e intelektualëve të vendit.
Ndërkohë, kategoria e mbetur përfshin të pasuruarit, ku, përjashtuar një numër të vogël biznesesh dhe po aq profesionistësh të kërkuar, përmbledh në pjesën më të madhe të saj shkelësit e ligjit, në të cilën bëjnë pjesë edhe politikanët.
Po atëherë cili është modeli ekonomik që ndjekin shqiptarët? Montanellit mund t’ia thoshim italisht: “Con l’arte di arrangiarsi”, fjalë kjo shumë e vështirë për t’u përshtatur në shqip, por që në fakt, as i famshmi Shvarc nuk do të arrinte dot në momentin më të ndritur të mendjes, të gjente shqipërimin perfekt të hedhur në qarkullim nga liderët e politikës në këtë vend, nëpërmjet akronimit “kçk” ose “kap ça të kapësh”! .
POLITIKA SI BINDJE APO SI BURIM TË ARDHURASH
Edhe pse ka qindra shkolla anembanë botës që tregojnë se çfarë duhet të përfaqësojë lidershipi i një vendi, këtu te ne eksperienca e gjatë ka treguar se edhe ky është një fenomen tipik dhe që mund të kuptohet vetëm nga psikologjia e masave të vendeve të prapambetura, që tranzicionin e kanë kalvar gati shekullor. Në Shqipëri është shumë e thjeshtë.
Pa dashur aspak përgjithësimin, kandidati që prosperon për pushtet politik mjaftohej të kishte tri cilësi: qëndrim të pastër karrierist dhe servil, ku me aderimin synohet jo vetëm pushteti, por edhe garantimi i anës financiare; mungesë integriteti moral dhe profesional që është prelud i cilësisë së parë; të jetë pjesë e strukturave partiake. Kjo ka bërë që shumica e politikanëve të jenë thjesht ushtarë besnikë të liderit dhe të kuletës.
Tek ata, mendimi individual nuk ka qenë kurrë në pronësi të tyre, interesat kombëtare dhe “larg qoftë” mirëqenia e votues vetë tyre, mbeten vite drite larg. Parë nga ky këndvështrim, pjesëmarrjet politike në Shqipëri, janë gati të njëjta, diferencat në afera korruptive janë sasiore dhe jo cilësore. Mjafton t’i referohesh standardit ekonomik të shumë politikanëve dhe jo vetëdeklarimeve të tyre.
Në vijim të këtij fakti barrierat ideologjike janë sfumuar dhe nuk janë më ato që ishin në gjenezën e pluralizmit politik. Më e keqja e këtij modeli është se ai bëhet frymëzues për brezat e rinj, që e shohin politikën në Shqipëri si një profesion të thjeshtë dhe të shpejtë pasurimi, pa u lodhur dhe u munduar në shkollim apo punë të tjera që kërkojnë sakrifica. Tashmë, politika, e parë nën prizmin e arsyeve të mësipërme, nuk ofron shumë alternativa. Me të drejtë ngacmon pyetja se cilat janë partitë e majta dhe të djathta dhe a shkojnë programet paralel me ideologjinë e tyre.
E djathta, që nënkupton lirinë ekonomike dhe individuale, nuk u shpërngul nga mentaliteti dispotik i drejtimit dhe diktoi leksionet e para të monopolizimit ekonomik. Ndërkohë që e majta, e cila nënkupton një ekonomi të barazisë sociale pranë të varfërve, e ka zbatuar me përpikëri këtë politikë për pjesën e popullatës jashtë kastës së saj.
Montanellit do t’i thoshim se i kemi pak a shumë si komunistët italianë, me jahte dhe “Ferrari”. Po atëherë, cili është modeli i politikëbërjes që ndjek klasa politike shqiptare? Montanellit mund t’ia thoshim italisht “con l’arte di arrangiarsi”, fjalë kjo e përshtatur me shqipërimin perfekt të hedhur në qarkullim nga liderët e politikës në këtë vend, nëpërmjet akronimit “kçk” ose “kap ça të kapësh”! .
PËRKATËSIA POLITIKE E SHQIPTARËVE
Pa dyshim, përkatësia politike e shqiptarëve është faktori më i rëndësishëm dhe shtylla më e fortë, në të cilën qëndron ngrehina e “rrumpallës” politike, për të përdorur një nga përkufizimet më vulgare, por fatkeqësisht reale në këto dekada. Po cila është përkatësia e tyre? Kjo është një pyetje njëqindmilionëshe, pasi vështirësia nuk qëndron te statistikat, por te mendësia e elektoratit shqiptar, që mban në këmbë një klasë politike të shtrembër. Mjafton të pyesësh dhe do marrësh përgjigje të sigurta dhe që mbrojnë deri me jetën liderin e partisë së përkatësisë.
Çështjet që shtrohen janë: 1-A e dinë shqiptarët nëse partia politike që i përfaqëson përmbush aspiratat e tyre ekonomike dhe sociale?. 2 – A e kanë pyetur veten nëse partia e përkatësisë është ajo e të njëjtës ideologji apo mbart nga kjo e fundit vetëm emrin? Vihet re një mospërputhje radikale midis votës së dhënë dhe ideologjisë politike të masave, nisur të paktën nga përkatësia politike. Interesant është fakti se klasa politike e këtij vendi nuk përpiqet që të sofistikojë as mënyrat e bërjes së politikës dhe as mjetet e vjedhjes së fondeve publike, pra, lekët e qytetarëve, dhe e bën këtë nën dritën e diellit dhe pa u trembur nga gjykimi i masave.
Nën sloganin përtej së majtës dhe së djathtës, klasa politike shqiptare ka emërues të përbashkët mbajtjen peng të interesave ekonomikë e politikë të vendit brenda kastës së saj dhe gjithashtu vendet ku konsumojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre, fjala vjen vilat, ato të jetesës së përditshme dhe ato turistiket, shkollat e fëmijëve, spitalet private e shumë të tjerë. Klasa politike në Shqipëri nuk është ndier asnjëherë e kërcënuar apo e frikësuar për shkeljet që ka bërë. Në fund të ditës, ai që të jep përgjigjen për këto shkelje është elektorati. Po cili elektorat?
Në Shqipëri, ndarja midis fronteve politike për qytetarët ka çuar deri në divorce çiftesh apo mosfolje mot e jetë, vëlla e motër. A thua vallë e njohin aq mirë politikën sa të ndahen për së gjalli apo thjesht janë ndarë me tifozllëkun bipartizan, ku asnjëri nuk e di pse e do njërën dhe e urren tjetrën. Ky është modeli më naiv, fatmirësisht në minorancë, por nuk është më i dëmshmi. Kategoria më e rëndë, dhe fatkeqësisht shumica, janë ata që nuk shohin jashtë hijes së tyre, të cilët nën petkun e përkatësisë politike lëvizin të gjithë gurët e përmbushjes së interesave ekonomikë personale dhe klanore.
Te këta individë, përkatësia dhe bindja politike ka ngjyrat e kameleonit dhe formën e gjarprit dhe përtej aparencës ajo është e lidhur vetëm me perspektivën në rang individual dhe familjar përtej nuk ka vizion. Dëshmia më kokëforte e kësaj, është fakti se edhe të pasuruarit e këtij vendi, fëmijët i degdisin larg Shqipërisë. Në fushata parazgjedhore, elektorati opozitar ka si armën më të fuqishme për të goditur kundërshtarin, korrupsionin e thellë, në të cilin klasa drejtuese është zhytur. Problemi është se kur vijnë vetë në pushet, pushtetarët e rinj prapë zhyten në korrupsion, pra, bëjnë ekzaktësisht të njëjtën gjë, me ndonjë ndryshim të vogël sasior.
Por ajo që vret është fakti se në debatet midis njerëzve të zakonshëm opozitar me njëri-tjetrin, argumenti që ndez dhe mbyll diskursin është një dhe i vetëm: “Kush politikan vodhi më pak e kush më shumë”!. Askund nuk dëgjohet “Kush punoi për Shqipërinë më pak apo kush më shumë!”. Kjo ndodh pasi atdhedashuria në vendin e shqiponjave, është kuptuar si një maratonë politike se kush të kapë më parë “vendin e pëllumbave”. Po atëherë, cila është përkatësia politike e shqiptarëve? Montanellit mund t’ia thoshim italisht “con l’arte di arrangiarsi”, fjalë kjo, e përshtatur në shqipërimin perfekt të hedhur në qarkullim nga liderët e politikës në këtë vend, nëpërmjet akronimit “kçk” ose “kap ça të kapësh”!
*Lektore e së Drejtës.