Shaban Murati: Sugjerim për bandillët e ekraneve të Tiranës
Kur thirrni në studio pashallarët me shtatë tuje, kuq apo blu qofshin, u bëni një pyetje të thjeshtë: Përse Shqipëria, vend anëtar i NAT0-s, nuk e ka ngritur asnjëherë në NATO absurdin armiqësor të Greqisë, shtet anëtar i NATO-s, e cila 75 vjet mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore mban në fuqi ligjin e luftës kundër Shqipërisë?
A përputhet ligji grek i luftës kundër Shqipërisë me Nenin e famshëm 5 të Traktatit themelues të NATO-s, i cili përmban detyrimin e shteteve anëtare për t’u bashkuar me një shtet anëtar, që është në luftë me një tjetër?
Dy alternativa ka: Ose NATO duhet pranojë që Lufta e Dytë Botërore nuk ka mbaruar ende dhe të adoptojë ligjin grek të luftës duke e bërë ligj atlantik të luftës me Shqipërinë. Ose NATO të detyrojë Greqinë që ta heqë një orë e më parë ligjin e turpshëm grek të luftës me Shqipërinë.
Mirpo a mund t’i vesh faj NATO-s, kur që nga 2009 e deri më sot asnjë qeveri shqiptare, që janë drejtuar nga pashallarët me shtatë tuje, nuk është kujtuar njëherë ta ngrejë në NATO këtë situatë absurde të një ligji lufte midis dy shteteve anëtare.
NATO nuk ka faj, ajo mendon se vetë Shqipëria sadomazokiste e ka qejf ligjin grek të luftës, përderisa pashallarët shqiptarë me shtatë tuje të qeverive kuq dhe blu gjithmonë i klasifikojnë marrëdhëniet me Greqinë si “të shkëlqyera”.