Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Kur është vetëm

I ndodh nganjëherë
Njeriut në vetmi
Të kërkojë karrigen
Përpara pasqyrës.
Ngacmuese lëkura,
Nga drita përballë
Përthyhet si hekuri nën zjarr.
Ja humb qetësinë njeriut
Eshtrat dhembin,
Gjembat e pashpirtë
Të ndërgjegjes,
Godasin venat
Gjaku përmbyt shtëpinë.
Gjymtyrët humbin gjatësinë
Tkurren në barishte.
I djersitur, Ai, njeriu,
Zgjat thonjtë
Të vetmet që i kanë mbetur.
Mbërthen mbështetësen
Pas ngjitet, të vetëmbrohet.
Pasqyra humb formën,
Shëmtohet
Merr trajtën e njeriut kërmill
Që dihat me vështirësi
Kur rilexon vetëveten
A thua më pas, do ta ndjekë
Një tjetër, njeri i ri?!
Please follow and like us: