Vargje poetike nga Haris Vongli
Më mori malli për ty!
E u mblodha e u shtrydha e dremita
Mbi piano luajta fjetur një sy gjumë.
Tutje dritares zogjtë kënduan
E unë qerpikët qull pushova mbi gishtat e tu.
Ti ngjite katet me një frymë drejt e në buzë
E unë t’u lëshova plot fëmijëri në lëkurë.
Lehtë-lehtë me kurajo boll mblodha tërë detet
Siç mbledh ëndrrat kur qafën tendos mbi ty.
Më mori malli për ne të dy.
Më mori malli për ty!
Dhe mbylla sytë e u ula pjerrtas mbi ballkon,
Ku lindja e diellit qe e zakonshmja mbrëmja jonë.
E po në mall zhytur me kokë,
Në shkallët ku ti më prisje dje,
Shkallët e fëmijërisë tonë,
U ula unë sot.
Ah, ta dish ti se ç’pashë…
Yllin më të bukur në botë,
Atë përqafimin tonë.
Më mori malli për ty!
E sikur gjëmon e pikon tërë bota.
Fort-fort të shtrëngoj
Se ti je gjithë malet e mia,
Je edhe toka.
Për tek ti
Shpirt i ëndrrave të mia, ti.
Ëndrrat e shpirtit tim, ti.
Ti, gjithë dëshirat e qerpikëve të mi.
Ti, dëshirat e gjithë qerpikëve të mi.
Damarët kacavjerrës të trupit tim,
Të gjithë drejt e në zemër, për tek ti.