Albspirit

Media/News/Publishing

Kujtimi më i mirë për Reiz Gumën nga Luzati është “Qytetar Nderi i Tepelenës”

Reiz Guma me bashkëshorten

 

Dr. Ramadan Garo

Natyrisht janë të shumtë njerëzit që kanë punuar në fusha të ndryshme të ekonomisë, në bujqësi, në frutikulturë, në blegtori e kudo tjetër, por xha Reizi në Luzat të Tepelenës ishte njeri i veçantë, me fantazi e dhunti të rralla në kultivimin ebimëve të arave, sidomos për bostanet e perimet.

Reiz Guma lindi në 19 dhjetor 1900 në Luzat të Tepelenës, në një famile që merrej me blegtori e frutikulturë. Që në moshë të vogël u edukua me punë bujqësore. Për shkollim bëri vetëm dy klasa turqisht dhe pas largimit të turqve e shpalljes së pavarësisë nuk ndoqi më shkollë. Gjatë gjithë jetës së tij ai iu përkushtua punës. Ishte njeri me sedër të rrallë dhe punonte nga mëngjesi në mbrëmje. Ishte trupmadh, me sy bojë deti dhe mustaqe të bardha, që i shkonin shumë me veshjen e tij të zonës së Jugut. Si në kohën e pronës private, ashtu edhe në kooperativën bujqësore (ishte ndër të fundit që u fut në kooperativë në 1957), ai u mor me kultivimin e pjeprit, shalqirit, domateve e specave. Duke ia njohur cilësitë dhe njohuritë për frutikulturën, drejtuesit e kooperativës së asaj kohe i besuan që të merrej me kultivimin e bostaneve.

Në vitin 1958 u caktua bostanxhi. Ishte njeri me shumë sedër dhe përpiqej shumë me detyrën që i ngarkuan. Duhej patjetër të nderohej dhe të dilte faqebardhë. Bënte mirë plugimin e tokës, branimin e saj për nivelimin e Ugarit dhe më tej caktonte dhe shënonte vijimin e ujit të vaditjes, të cilat i bënte me largësi një hosten kau, në mënyrë që uji të rridhte vetë por jo me shpejtësi të madhe që të gërryente tokën. Uji, thoshte ai, duhet të vërshojë me shpejtësi të vogël, që të mos gërryejë tokën sepse gërryerja nuk siguron prodhim. Në vende të tjera ku toka ishte e pjerrët, ai përdorte sistemin e materrikëve, të cilët i krijonte me lastarë lofate apo me mjete të tjera rrethanore.

Gropat e bostanit i hapte të mëdha, me diametër 80 centimetra, i pastronte nga guriçkat dhe e shkriftëronte dheun në çdo gropë lastari. Në të hidhte nga një legen me pleh dhie të stazhionuar dhe përsëri e përziente ku kryente edhe mbjelljen e farave. Punës i qëndronte në kokë, sidomos në periudhën kur zogjtë dhe miliongonat mund t’i dëmtonin prodhimin; ai ngrinte dordolecë dhe disa çanga për të trembur zogjtë.

Rëndësi i kushtonte vaditjes, sidomos asaj të parës, pasi uji i tepërt mund të thante bimën. Uji, thoshte Reizi, duhet bërë me shumë kujdes dhe me rregull. Kohën më të mirë të vaditjes e kishte në 4 të mëngjesit deri në orën 8 ose 9 dhe më tej e ndërpriste. Këtë e bënte që toka të ishte e ftohtë dhe të merrte bima vesë, në mënyrë që të mos digjej fidani. Bostani, thoshte ai, është si puna e bletës, duhet t’i rrish pranë deri në vjeljen e prodhimit, duhet t’i rrish me shatë në dorë duke e prashitur e shkulur barërat, diku ta prashitësh dhe të mos lejosh lastarët të valëzohen nga një leh në tjetrin.

Puna e bostanit, vijonte ai, fillin që nga zgjedhja e farës. Ai vetë zghidhte farërat më të shëndetshme dhe nuk i përziente variatetet me njeri-tjetrin. I thante farërat mirë e mirë në hije dhe pastaj i fuste në qese pëlhure dhe i fuste në sënduk që të mos i kapte lagështira gjatë dimrit dhe të mos dëmtohehsin nga brejtësit.

Por puna nuk mbaron me kaq, këtu ai duhte të ruhet jo vetëm nga kafshët shtëpiake, por edhe nga lepuri i egër, nga iriqët, karkalecët e breshkat. Në periudhën e pjekjes ai mblidhet me kujdes e grumbullohet në vende të caktuara, në tenda me hije, me shumë kujdes vendoset në kofina prej purtekash druri, me të cilat dërgohet në treg, detyrë që e kryenin të tjerët si   Rushit Kopelli, Bedo Musaraj, Veiz Karafili e shumë të tjerë.

Xha Reizi kishte një shkallë të lartë përvoje e njohuri për këtë profesion, ai me takt pyeste edhe specialistët e bujqësisë si mua, kryeagronomin Veli Gaxhin, Kamber Qilimi, të cilët e pasuronin profesionin e tij të bostanxhiut. Cilësia e prodhimeve ishte e shkëlqyer, po ashtu edhe sasia; merreshin 40-50 kg për një gropë bostani apo shalqi. E veçantë ishte ëmbëlsia e tij si dhe aroma. Kur hapej një pjepër bakër, siç i thuhej,, aroma përhapej si parfum parizien.

Një veçanti tjetër ishte se në asnjë rast nuk përdoreshin plehrat kimike, pasi ato rrisnin por ulnin cilësinë, i hiqnin ëmbëlsinë dhe aromën. Nën kujdesin e Reiz Gumës në vitet 1960-1972 u hapën disa shkolla treguese për të mësuar përvojnë të rinjtë nga ferma dhe fshatra të ndryshme të vendit. Po ashtu në to u angazhuan edhe shumë profesorë të bujqësisë si unë, Lefter Veshi, Abedin Çiçi, Elhma Malaj si dhe shumë studentë të të Agronomisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Me dëshira dhe pasion xha Reizi u tregonte kultivuesve të rinj të gjitha të fshehtat e këtij profesioni.

Për prodhimet bujqësore të Reiz Gumës kanë folur dhe shkruar shumë si gazetat e asaj kohe, por edhe televizioni shtetëror, madje puna  etij u nderua në shkallë republike. Në kujtim të punës, diturisë e bujarisë së xha Reizit, ja çfarë shkruante Jetnor Karafili:

Ç’të shkruaj për xha Reizin

Bostanxhiun si ai

Agronom e shkëncëtar

Tek ti merrnin dituri…

Reiz Guma i takonte asaj plejade ku mishërohej bujaria, burrëria, tradita e punës dhe ndershmëria shoqërore. S’ka mbetur njeri që të ketë kaluar aty pranë dhe të mos ketë provuar prodhimet e tij. Ministra të Bujqësisë dhe zyrtarë të tjerë, jo vetëm vinin dhe e takonin personalisht, por edhe i dërgonin farëra të zgjedhura, të cilat ia sillnin si dhuratë nga jashtë.

Por puna e Reiz Gumës nuk mbaronte me mbjelljen, shërbimet dhe vjeljen e bostanit. Kur mbaronte çdo gjë, i shkulte bimët dhe i digjte, pasi pot ë liheshin në fushë atom und të infektonin tokën dhe rrezikonin mbjelljen në vitin e ardhshëm. Jo rrallë herë ai i kërkonte kryetares së kooperativës Liljana Boni dhe kryeagronomit Veli Gaxhi që t’ia ndërronin parcelën sepse bostani, ashtu si bleta, ishte qibar. Ata e dëgjonin dhe ia plotësonin kërkesat. Gjatë atyre viteve Luzati realizonte 2-3 plane bostani që shpërndahej në Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Gjirokastër, madje deri edhe në Tiranë. Ndonëse pagesa ishte e vogël në krahasim me përpjekjen e mundimin, xha Reizi krenohej me punën e tij. Është në nderin e njerëzve, veçanërisht të këtij profesioni, që ta kujtojnë dhe t’i japin vendin e nderit këtij specialisti që me djersën dhe përkushtimin e tij ngriti vlerat e Luzatit po edhe të Tepelenës. Për këto cilësi mendoj se atij i takon titulli “Qytetar Nderi i Tepelenës”.

Reiz Guma u nda nga jeta në vitin 1987, por bashkëfshatarët e kujtojnë si punëdashës dhe njeri të përkushtuar.

Please follow and like us: