Mark Strand: Nga një festë e trishtuar dhe e gjatë
Dikush po thoshte
diçka për hijet që mbulojnë fushën, si
gjërat kalojnë, si dikush fle në dalëdritë
e mëngjesi shuhet.
Dikush po thoshte
si era shuhet, po prapë kthehet,
si guaskat janë qivure të erës,
por koha s’ndalet.
Ishte një natë e gjatë
dhe dikush tha diçka për hënën që humbi bardhësinë e saj
mbi fushen e ftohtë. Asgjë tjetër për të shtuar
më shumë se njëjtë ish.
Dikush përmendi
një qytet ku pat qenë para lufte, një dhomë me dy qirinj
përballë murit, dikë që vallëzonte, dikë që vështronte.
Ne zumë të besonim
se nata s’do të kishte fund.
Dikush po thoshte se muzika qe ndalur e kurrkush
nuk e vuri re.
Pastaj dikush tha diçka për planetët, diçka për yjet,
sa të vegjël ata ishin dhe sa të largët.
Përktheu: L. Stani