Cikël poetik nga Bledar Koçi
Vjeshtë
Kjo vjeshtë mike që troket
Nën petk floriri netësh larë,
Si verdhacuke heshtas zbret
Mbi mal e kodër gjethesh tharë.
Një shushurimë valëvitet pyjesh
E tremb larashin fluturim,
Si këngë magjike ardhur yjesh
Pushton gjithçka me ngazëllim.
Zabelit tej, lodron një plep
Një përqafim të ëmbël nis,
Madhor, i hijshëm, merr e jep
Për duarsh kapur me një lis.
Përmes lajthish një gurgullimë
Rrëkezën nget e gjen një shteg,
Mes qiellit çan një vetëtimë,
Trumcaku fshihet nëpër degë.
Me petkun veshur larë në ár
Si verdhacuke heshtas zbret,
Mbi mal e kodër gjethesh tharë,
Kjo vjeshtë míke po troket.
Bledar Koçi. – Prishtë, 2015.
SHËTITORJA
Vjeshtonte shëtitorja
pa njerëz,
Shtriqej e përkëdhelej
atij Tetori të kthjellët.
Stërkala malli në grimca freskie
qëmtoja tek tuk.
Ritual i kahérshëm…
Tek bridhja vegimet
shëtitores së gurtë.
Bledar Koçi. – Poliçan, 2017.
FATI MBI LETËR
Një tufë kartash, letra fati
Shoh në qosh të një sirtari,
Një kureshtje dorën zgjati
Një kureshtje prej të marri..
Qesh me vete… tek i prek,
Nëpër gishta i rrëshqas.
Një kujtim mbi to më ndjek
Dhe një tjetër larg e ngas…
….
Letra – gjashtë, thoshte; “rrugë..”
Pesa – letër, ish mërzitje
Ti një mall e unë një rrudhë
Mbetëm fatit.. në një pritje
Ç’del e para? Ja një Çupë.
Je ti ndoshta. Ndaj s’më mund,
Kërri ters i zi si nata
Kur më puth me Asin kupë.
Shtata – thoshte; “ të mendon…”
Se ç’mendoje s’dita kurrë
Ja… Fanti-spathi, i vonë…
Fal kurajo, më bën burrë.
Vetes qesh e qesh sërish
Tek i mbledh, prapë mbi duar
Zemër – kuqja po më grish
Si dikur i dashuruar…
Tani letrash s’të gjej dot
Dhe kyç mallin në sirtar
Aty është e jona botë,
Unë i çmendur, ti e marrë.
NDJESI
Njoha mësues tek rendnin me kohën.
I pashë vetë kur dyndnin urbanesh,
trafiqesh,
pluhurash, e zhurmë..
Njoha mësues vërtetë.
Tek gëlltisnin nxituar kafétë,
me buzëqeshjet e lodhura, fisnike.
Ç’urtësi t’i ndjeje aq pranë!
T’i shihje..
Kur nisnin,
shkallmonin,
me kámat e shpirtit
errësirën e ditës.