Albspirit

Media/News/Publishing

Zija Basha: Dërrasaxhiu i Dunavatit, Lezo Makriu

 

“Qyteti i gurtë”, siç quhet Gjirokastra, nga larg, nga afër edhe brenda saj, të befason sa thua me vehte: “Si është ndërtuar gjithë ky qytet, gurë-gurë dhe perla e saj, kalaja legjendë?! Ku është gjetur gjithë ky gurë me të cilin janë krijuar nga duar mjeshtrish këto ndërtesa, njëra më e bukur se tjetra”?! Po. Ky qytet i bukur u ndërtua ndër vite dhe shekuj me gurë të nxjerrë nga thrllësite e tokës ku flinin miliona vjet të kohërave gjeologjike nga të tjerë mjeshtër që ua prishën ‘rehatinë’, i coptuan duke i shndërruar në dërrasa, kapakë e gurë muri e kalldrëmi. Ata qenë mjeshtrit e mademeve (guroreve). Kam parë si bëhej muri me llaç e pa llaç kur isha i vogël në fshatin tim si usta Dhoskën, Skënder Kallfën, Peçi Koçollarin, Simi Llukanin, korçarin Thanas Gjokën e të tjerë gjirokastritë, Kiço Zhdavon, Kristo Qiriakon, Pilo Rajdhon, Priftin duar artë Papa Mihalin e Dakove të gjithë nga Derviciani, po në këtë shkrim do të rrëfej për mjeshtrin e nxjerrjes së gurit, gjirokastritin Lezo Makriu.

Në qershorin e vitit të largët 1957, në shtëpinë tonë në Kollorcë, një mëngjez erdhën dy burra trupmëdhenj e të bëshëm gjirokastritë. Kishin këmisha të bardha, xhamadanë të zinj shajaku, pantallona të zeza kilota shajaku me feste të bardha në kokë. Ishin Lezo Makriu e Halil Llaziku, mjeshtra të nxjerrjes së gurëve, dërrasave e kapakëve. I kishte porositur babai se duheshin për të mbuluar një shtëpi të re. Sollën veglat e punës, pyka hekuri lloje-lloje, vare e 2 lloza. Si u bëmë pritjet e rastit me babanë shkuan në përruan e Bezos. Me kërshërinë e një fëmije, si do të krijonin mjeshtrat mademin, shkova edhe unë pas tyre. Ata kundruan vendin e pikasën rradhojtë për t’i levizur. Filluan punën me pastrimin e vendit. Unë do të kujdesesha për ushqimin, ujët e ftohtë nga burimi i Spilos e çdo nevojë që kishin. Atë ditë mademxhinjtë përgatitën plotësisht guroren për të nesërmen dhe si hëngrën drekën shkuan në mbasdite në qytet.

Të nesërmen erdhi vetëm xha Lezua se xha Halili ato ditë martonte djalin. Si hëngri mëngjezin shkuam të dy në gurore. Une mezi prisja të shikoja si nxirrej guri, dërrasa e kapaku. Xha Lezua veshi një palë pantallona të gjera ushtarake të zbardhura e mbajti vetëm kantieren prej leshi që i pinte djersët dhe filloi punën. Vrojtoi me kujdes shkëmbin dhe vendosi sfynat (pykat prej balestre të hollë makinash) dhe i goditi lehtë me varrenë e vogël. Shkëmbi mbi një pëllëmbë i trashë lëvizi i tëri. Mori dy cfyna të trasha mr majë dhe i goditi me varenë e madhe. Shkëmbi u ngrit lart mbi 5 cm dhe ja bëri ‘krek’…

-Ku i ke bërë këto cfyna, mo xha Lezo?!, – i thashë.

-Këto mi përgatit kovaç Qatua. Ai është mjeshtri më i mirë që ka Gjirokastra në pjekjen e hekurit. Ka mësuar në Selanik të Greqisë me një derviciot, Mitro Kserën. Dy mjeshtra hekuri ka Gjirokastra e tre nuk bëhen.

Pastaj Xha Lezua i futi llozin shkëmbit të zi dhe e ngriti edhe 5cm më lart dhe i futi poshtë një gur që kishte prane. Mblodhi në përrua gurë të rrumbullaktë dhe i futi shkëmbit në vende të ndryshme.

-Përse i hodhë këto popla?!-e pyeta.

-Këto do të shërbejnë si rrotka.-më tha mjeshtri.

Nga ana tjetër e shkëmbit ku ia bëri ‘krek”… futi majën e qysqisë (llozit) dhe shkëmbi lëvizi me lehtësi si mbi kushineta drejt rrëpirës në buzët e përroit. Ai shkëmb, mbase 4-5 metra katrore rrëshqiti ‘vëzhd’ e qëndroi pjerrtas në faqen e përroit. Me varenë e vogël pastroi faqen e shkëmbit dhe u dalluan shtresa e gurit poshtë, dy shtresat e kapakëve, dy shtresat e dërrasave sipër. Me presën e varesë dë madhe goditi në disa vende vijen e shtresës së gurit e cila u hap pak dhe futi një pykë të hollë balestër duke e rrahur me varenë e vogël e shtresa e gurit u nda nga shtresat e tjera. Shtresat e kapakëve e dërrasave i hapi me lehtësi me varenë e vogël e një çekan të rëndë e i bëri fleta -fleta e me mjeshtëri i godiste në anën e ngushtë. Kapakët i bënte katrore, dërrasat si i donte ustai i çative dhe i vendosi veç e veç. Gurin e theu me kujdes në formë trekëndëshi duke i rënë në faqen e ngushtë sepse muratori e lidh më mirë murin dhe nxjerr me lehtësi qoshet e ‘kyçet’ e dyerve e dritareve.

Xha Lezua punonte duke goditur saktë aty ku do të priste gurin dhe ruante materialin që të mos kishte dëmtim e papastërti në faqen e sipërme të mademit. Kështu vazhdoi të punonte çdo ditë xha Lezua duke punuar në gurore me mund e djersë, por me këngë trimash në gojë. Unë vetëm e kundroja dhe i shërbeja për çdo gjë që i duhej si ushqim, ujë të ftohtë Spiloje, duhan të cilësisë së parë që kishim me bollëk. Pranë shkollës së fshatit kishim një gurore që punonin mjeshtrat Velo Skënduli me të vëllanë Bajon, Rakip Difon, por ata s’na linin të afroheshim nga terreni i thyer e ciflat e gurit të bardhë që të prisnin si brisk.

Një ditë xha Lezua erdhi si pa qejf. Shkuam bashkë në gurore. Me përtesë filloi punën. Gjatë punës psherëtinte e nuk këndonte këngë për Çeçon e Avninë. Një çast u ul të shplodhej. Lehtë ja mori një kënge pikëlluese:-Goja qanë,goja këndon,

Zemëra katran kullon,

Për ca derte që kujton!….

E shikova me keqardhje dhe pashë se edhe sytë i kishte të skuqur.

-Xha Lezo, do të iki pak tek shtëpia e do të vij prapë!-i thashë.

-Mirë, bir! Ik e eja kur të duash!-më tha.

Shkova në shtëpi me një frymë dhe kërkova babanë, por ai korrte jonxhën larg shtëpisë. Vrapova drejt tij. Ai u shqetësua e më pyeti.-Ç’ka ndodhur mor djalë?! Është mirë Lezua?

-Xha Lezua mirë është, por ka një shqetësim,-i thashë.

-Ç’ka?

-Nuk e di. Sytë i ka të skuqur e nuk është si ditët e tjera, -i thashë. Babai la kosën e të dy shkuam në gurore. Xha Lezua, kur pa babanë, sikur u përtëri dhe e priti buzëgas, por babai në fytyrën e tij pa pikëllimin.

-Lëre punën. Veglat do t’i marrim te shtëpia e sot nuk do të punosh se u lodhe gjithë këto ditë. Je edhe vetëm,-i tha babai.

-Po mirë makari. Rrimë sot,-tha mjeshtri.

Shkuam në shtëpi. Nëna shtroi sofrën. Vuri në sofër shishen me raki Derviciani e gotat e përgatiti meze me djathë taze, vezë të ziera fillimisht. Unë shkova thirra xhaxhanë më të madh që ma kishin graduar ‘kulak’ e që xha Lezua e kishte mik të vjetër. Biseda vazhdoi e qetë, miqësore e vëllazërore. Një shi i madh ra atë mbasdite e Xha Lezon e mbajtëm për darkë. Duhani i ri që kishim shkuar në vargje qe zbutur dhe xha Lezua me një thikë të mprehtë griu duhan nga të tri llojet që kishim ‘oriental’,’merullato’ e ‘bullgar’. I griu për qejf si kadaif dhe i përzjeu se ‘orientali’ i verdhë qe i lehtë, ‘mrullatua’ e kuqërremtë qe mesatare, ‘bullgari’ i kafenjtë qe i rëndë.

Të nesërmen xha Lezua filloi punën si zakonisht dhe sikur i erdhi vehtja në vend.

-Po ç’kishte xha Lezua dje?-i thashë babait në prani të nënës, të vëllezërve më të rritur e motrave.

Dje Lezua kishte 13-vjetorin e vrasjes së djalit të madh nga gjermanët,-tha babai.

Heshtëm të gjithë.

-Bah,i ziu! -tha nëna dhe sytë i mbushi me lotë e veshtroi ne djemtë me radhë duke iu lutur zotit.

-O zot mos na i prufsh më luftrat se mezi i kemi djemtë! Bëja def (largoi) luftrat e të ligat këtij vendi e këtij populli! Xha Lezua i nxorri gurët, kapakët e dërrasat, mori lekët, duhan sa deshi, lesh deleje për fanella e çorape dhe u largua si mik i mirë. Miqësia vazhdoi.

Kur vazhdoja shkollën pedagogjike disa vjet më vonë sa herë e takoja xha Lezon më përqafonte dhe më jepte 20 lekë të vjetra që ia merrja me shumë ndrojtje se unë e dija si i nxirrte ai prind për të rritur fëmijtë e mbajtur familjen. Ai ma priste shkurt:-Shko tani merri galeta tek furra pranë Doktor Ali Tepelenës.

E adhuroja atë prind që edhe pse i kishte kaluar të 60-at punonte në gurore llërëshpërveshur edhe pse i pikëlluar si baba dëshmori. Në një miting elektoral korrik 1966 xha Lezon e vuri në tribunë Sevo Tarifa që për hir të së vërtetës kujdesej e i respektonte familjarët e dëshmorëve në dallim nga drejtuesit e tjerë. Xha Lezua qëndronte me ballin lart me kostumin e tij karakteristik me kësulën e bardhë pak të shtypur në majë. Pranë meje qenë dy djem gjirokastritë që ditën e parë ishin liruar nga ushtria dhe ishin me rroba ushtarësh se kishin qenë në reparte pune nga ‘biografia’ e keqe. Njeri tha:

-Si duket xha Lezua si Çerçiz Topulli kur qe i ri.

-Mua më ngjan me Bajram Currin,-i thashë unë.

-Burrat si Lezo Makriu janë të rrallë, -tha djali tjetër. Radio Gjirokastra në vitet 70-të jepte përherë këngën e djalit dëshmor të xha Lezos të kënduar nga djem të Gjirokastrës e Lazaratit, “Partizan i vogël, o Barjam Makri”.

Një ditë e takova xha Lezon në mes të pazarit dhe e shpura në birrari. Filluam bisedën e në një moment më tha: – Dje kam bërë fjalë me një palo djalë i një palo burri. Bëmë baba të të ngjaj.

Unë qesha dhe i thashë se ka edhe njerëz të këqinj e të mos mërzitet.

Një mëngjez shkova në gurore në përruan e Dunavatit se më kërkoi për Komunalen Çeço Dumi një lloj guri që vetëm unë e dija ku qe. Tek një portë më doli një djalë mbi 20 vjeç e më tha: – Xha Lezo! Mos shko në Lazarat se atje ka reaksionarë. Atje vete reaksionari Braho Zverku. Se ti je dhe baba dëshmori. Më hipi gjaku në kokë, më doli përpara si gjarpër zullumqar.

-Pa thuama dhe njëherë mo se nuk të dëgjova mirë!-i thashë. Ma përsëriti këshillën.

Dëgjo fjalët e mia e t’ia thuash babait!-i thashë. Lezo Makriu i ka krahët të njoma e punon e jeton me djersën e ballit. Rrukullis gurë e shpella sa tronditet gjithë pazari. Babai yt ku e mësoi gjithë atë dituri, apo tek mulla Kamani. Në luftë qe lango pazari e nuk kuptohej me kë qe me Idriz Jazon apo me Bedri Spahinë. Po ai Braho Zverku si e bën reaksionin mo duke rritur bletë që bëjnë mjaltë? Po ata lazaratasit si e bëjnë reaksionin mo duke mbjellë grurë e misër e duke rritur bagëtitë? Ik e gremisu me të gjithë babanë te ura e lumit! Kështu i thashë.

Nërhyra unë: Mirë i the se këta parazitë e servilë me gënjeshtra rrojnë. Xha Brahua shpie bletët çdo prill-maj në Lazarat pranë kopshteve të Mustafa Çakos se janë rreth 50 gështenja të mëdha e nga lulet e gështenjave ai nxjerr mjaltë që shëron mëlçinë e pastron trupin nga disa sëmundje. Sekretari i partisë e këshilloi të mos kishte kontakt me xha Brahon, por ai ju përgjegj: Jo more do të të marr leje zotrote se kë do të kem mik e shok. Shiko punën tënde se punën time e shikoj vetë. Mba vendin! Di seç bëj unë.

Po si qe puna e Braho Zverkut që e quanin reaksionar me pa të drejtë?

Ishte djalë i ri në çetën e parë partizane “Koto Hoxhi”. Pas lufte shkoi për studime në Jugosllavi e u martua me një vajze jugosllave. Edhe pse Shqipëria u divorcua nga mikja internacionale, Brahua nuk u divorcua nga e shoqia, por lindën e rritën dy fëmijë të zgjuar e të bukur si yje. Brahua, kryeredaktor i gazetës “Puna” kishte vënë emrin për diskutim në konferencën e partisë për Tiranën në prill 1956, por nuk diskutoi. Diskutantët kritikuan privilegjet e ‘borgjezisë’ së re të Bllokut dhe partia i dënoi me burgje e internime. Xha Brahua erdhi në Gjirokastër e punonte me të shoqen të rriste e shkollonte fëmijtë i respektuar nga qytetarët e tij.

Djali i tij, Perlati doli një mësues i mrekullueshëm, por u burgos si shumë kurbane të pleniumeve famkeqe të vitit 1973.

Po le të vazhdojmë bisedën me xha Lezon. Dëgjo mor djalë: Ne që kemi humbur njerëzit e dashur në luftë krenohemi me ta se ranë për Shqipërinë të qe e lirë, por s’duam privilegje. Duam të rrojmë si gjithë populli me punë e në paqe me të gjithë se një tokë e një perëndi na mbulon të tërë. Unë s’e heq varenë nga dora, Lutfi Karagjozi shkonte e hapte dyqankën te sheshi i Çeços megjithëse djalin ia vranë gjermanët, Refat Lengua s’e hoqi parmendën nga dora që iu vra djali në luftën e Lunxhërisë, Sako Berberi s’e hoqi gërshërën e briskun nga dora që i varën vajzën në Selanik dhe këndonte: Sako Berberi me derte, berber ishe, berber mbete! Dine Asqeriu shkon e vjen në punë në postë e me të gjithë buzëgas është. Ndërhyra unë:-Po, xha Lezo! Në vitin 1952 me drejtorin e shkollës Galip Sinoimerin shkoi shtëpi më shtëpi të Lazaratit për të vazhduar vajzat shkollën 7-vjeçare që u hap atë vit dhe ia arriti qëllimit. Shkolla u mbush me vasha. Ai vazhdoi: Puna të sjellë lumturi e jo të shikosh të gjesh ndonjë rreze e të rrosh si parazit me spiunllëqe. Lëri njerëzit në punën e hallet e tyre! Mos kij lakmi të hash në sofrën e tjetrit, por po pate mundësi ndihmoji njerëzit! Idriz Makrinë e Fuat Loloçin i kam të mitë, po më thuaj ua pashë zyrën ndonjëherë? Nuk i besdisa kurrë.

E vështroja xha Lezon me dhemshuri dhe çdo fjalë që thoshte e rezervoja në kujtesë se ishin fjalë që dilnin nga një zemër e përvëluar për të birin, por me një logjikë të hekurt ndante si me brisk të mirën nga e keqja e shpirtkatranëve. Në pamje të parë më dukej si “Bariu me shkop” i piktorit të madh shkodran Andrea Kushi dhe isha krenar që babai im e të afërmit e mi, kishin një mik të mirë puntor, fisnik e të besës si xha Lezo Makriu, i respektuar nga qytetarët e tij e fshatarët e mi. U prehtë në paqe!

Please follow and like us: