Historia e Shkollave të Vashave në Korçë
“Historia e shkollës së parë shqiptare për vasha, – shkruan në kujtimet e veta Sevasti Qiriazi, – është si një romancë plot aventura. Është historia e luftës kundër injorancës, që pati arritje të rëndësishme dhe me vlerë. Ishte si një re pluhuri e krijuar aty-këtu prej erës që u hoq nga shkretëtira ku kishte lindur dhe papritur u shndërrua si me magji në një shtyllë të bukur e të fortë për të ndriçuar e stolisur kombin”.
Nuk është e rastit që mësuesit e kësaj shkolle janë ndër patriotët më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare. Ata i gjen në ballë të luftës për liri e arsim kombëtar e në krye të ngjarjeve më të rëndësishme të atyre viteve. I gjen gjithmonë të orientuar drejt dhe në krahun progresist, duke bërë sakrifica të mëdha: i gjen mësues në shkollën shqipe, përkthyes e shpërndarës librash në gjuhën amtare, propogandues të ideve kombëtare, hartues abetaresh e gramatikash, tekstesh shkollore, pjesëmarrës në Kongresin e Alfabetit, 1908, pjesëmarrës në Kongresin e Elbasanit që solli çeljen e shkollës pedagogjike (normale), luftëtarë politikë, përkrahës të shtetit shqiptar më 1912, përkrahës të qeverisë së Vidit. Ata i gjen gjithmonë duke kontribuuar me sakrifica atje ku ka një copë Shqipëri.
Në parathënien e autobiografisë së Sevasti Qiriazit, botuar së fundi, studiuesja e saj zonja Dana Stucky citon Sevasti Qiriazin, që thotë: “I quaj heronj ata që sakrifikojnë veten për hir të të tjerëve dhe jo ata që sakrifikojnë të tjerët për hir të vetes.” Pikërisht kjo sakrificë e këtyre njerëzve na bën të përkujtojmë sot këtë përvjetor të shkollës shqipe, për të mos e harruar kurrë.