Lek Pervizi: Albina Marashi, 6-vjeçarja që pa babain të varur në mes të Shkodrës
Ishte vetëm 6-vjeç, mosha kur krijon kujtimet e para, kur Albina Marashi (Pervizi) do të nguliste në sytë e memories së saj kujtimin më të tmerrshëm; atë të varjes së babait të saj, Majorit Llesh Marashi, nga komunistët e sapoardhur në pushtet.
Që nga ai moment, jeta e saj do të ishte një rrugëtim vuajtjeje nëpër kampe internimi, por edhe një akt qëndrese ndaj komunizmit të egër. Albina Marashi, e cila u martua me një tjetër të internuar politik, Genc Pervizin, djalin e Prenk Pervizit, gjatë kohës që ishte në internim, u nda nga jeta në janar të këtij viti.
Në 6 janar 2020, në Neë York, u nda nga jeta zoja Albina Pervizi, një viktimë dhe heroinë e kampeve të internimit. Lamtumirë Albinë, nji grue energjike, stoike, guximtare e papёrkulun…
Albina Pervizi – Marashi, ishte vajzë e parafundit e Major Llesh Marashit, me tre vllazën dhe nji motër ma të vogël.
Më maj tё 1945, familja do tё internohesh në Berat, ku Albina do tё ishte vetёm gjashtë vjeçe.
Me kapjen e Llesh Marashit, familja Marashi lirohet, kёshtu ajo në moshë tё njomё fëminore, do tё ishte e pranishme në varjen e atit tё saj nё mes tё qytetit tё Shkodrёs, tue pësue nji tronditje tё madhe, dhe njё traumё qё do kthente nё forcё pёrballё sё keqes…
Qysh atё çast në shpirtin e vajzёs do tё lindte urrejtja për ata që i kishin vra babën. N’ato kushte tё vёshtira, familja qëndron në Shkodër, ku ajo me shumё vёshtёrsi mund tё vazhdojë shkollën e tё mbarojё gjimnazin.
Në vitin 1955, do tё arratiseshin dy vllaznit e saj: Alfredi dhe Rudolfi, kurse i treti Eduardi, do tё përfundonte në burg. Pra, sёrish pa mbushё 17 vitet, Albina sё bashku me nanёn e saj, do tё nisnin internimin e dytё tashmё nё fermën Çlirimi, në Fier, ndёrsa e motra, Xhina do tё martohej e re ndёr Pistullorё.
Si vajzё e internueme ajo do tё përfshihej në punët e randa e tё detyrueme të bujqësisё deri më 1958, ndërkohë qё do tё fejohej me Genc Pervizin, djalin e dytë të Prenk Pervizit, dhe do tё transferohej nё Gradishtë të Lushnjes, ku nё nji vorfni ekstreme do tё bahej edhe martesa e tyne.
Burrë e grue u pёrballёn me punët e randa të bujqësisë, me nji forcë të madhe shpirtnore dhe dinjitet tё naltё. Edhe pse nё njё kamp internimi, ajo do tё ishte nana e gjashtë fëmijëve, dy vajzave dhe katër djemve. I shoqi, Genci do tё vazhdonte nё internim tё pafundmё. Mbas 10 vitesh burg, ai s’do tё lejohej të lëvizte kurrё nga kampi dhe baltat e famshme tё Gradishtës.
Sot përshkrimi i asaj periudhe, duket si diçka normale, ndërsa gjendja e familjes Pervizi ishte tejet e rëndueme. Trajtimi i keq, mbajtja gjithë kohёs nën kontroll, presionet e Degёs sё Brendshme, vorfnia ekstreme. Por ata kёt gjendje e përballen me vendosmёri e krenari për mos me iu mposhtё kurrë se Keqes. Nga fundi i viteve ’70, nё Gradishtë u ba nji seri arrestimesh dhe kudo nisi tё mbretnonte klima e pasigurisë.
Në Gradishtë jetonin edhe nana e Gencit, Ana, e shoqja e gjeneralit Prenk Pervizi, djali i madh, ushtaraku Valetin Pervizi, kurse djali i tretë, Leka, jetonte i internuem nё Pluk, afër Lushnjës.
Në këto kushte terrori e frike, Albinës iu ba nji gjyq para popullit, duke e demaskue pse fliste në fushë kundër partisë dhe shtetit. Ky demaskim ishte njё presion i hapёt mbi burrat e familjes, Gencin e Valentinin. Nuk vonoi u demaskua edhe kunata e saj, grueja e Lekës, Gjuliana. Tё dyja gratё kurajoze e krenare qёndruen tё pamposhtuna edhe në kёt rast.
Albina, qe grua me zemёr tё madhe e shpirt tё bardhё. Energjike e palodhun, nanë shembullore, e arsyeshme dhe e ndjeshme edhe n’ato kushte tmerrsisht të vështira i rriti me kujdes e sakrifica, me mundime dhe pёrkushtim, me vlera dhe dashuri gjashtё fёmijёt e saj.
Me forcën e krahëve po edhe tё krenarisё sё malёsores stoike ajo s’u ligёshtua kurrё, as nё kampet e vuejtjes as në kanalet e kёnetёn e Myzeqesё, ku të internuemit ishin pёrcaktue robёr tё pёrjetshёm pune dhe nёnshtrimi.
Ndërkohë jeta e saj pёson trauma e drama tё pafundme. Agjentët e sigurimit i vrasin në Paris, vëllanë e madh, Alfredin. Ndёrkohё vëllai në burg, Eduardit, i presin tё dyja kambët dhe e lirojnё. Mbas pak kohёsh vdes, e prej dёshpёrimi i vdes edhe nana. Diktatura e kishte realizue nё mёnyrё shembullore masakrimin e familjes Marashi.
Kur pritesh tё gёzonte ndonji ditё lirie mbas rrёzimit tё Murit tё Berlinit, i vdes edhe i shoqi, Genci, nё prill 1989 mbas nji jete me 42 vite burg e internime. Edhe kёtu shfaqet sёrish ana makabre e diktaturёs dhe shpirtligësia komuniste arrin kulmin, sepse Lekës, vёllait tё vogёl tё Gencit qё jetonte nё Plug, mezi i dhanё pak orё leje veç të shkonte e të vinte mbrenda ditës, pa i dhanё mundёsi të merrte pjesë në varrimin e tё vëllait.
Këto rrethana të tregueme sot thjesht si njohuni, fshehin nё vetvedi, tragjedinë e nji grueje tё thjeshtё si Albina Pervizi – Marashi, po dёshmojnё dramёn e gjithё të internuemve dhe të burgosunve politikё.
Atё terror që mbretnonte kudo, nën të cilin ishe i detyruem të jetoje, tё punoje e tё rrisje fёmijё tё pashkolluem, nën diktatin e komunist, që i kishin vue qёllim vetes me asgjesue familjet ma të nderueme të Shqipnisë, duke i trajtue si robër, si skllevër, si bujkrobër.
Albina Pervizi ishte dhe mbeti nji vajzë e grue krenare, energjike e stoike, guximtare dhe e papёrkulun. Me vendosmëni të pashoqe, u ba shembull qëndrese dhe përballimi e vuejtjeve, survejimeve dhe sakrificave.
Sigurisht nji viktimë ndër mija viktimash të shumta, po sigurisht një heroinë midis heroinave si shumё vajza dhe gra të internueme, mes tё cilave Albina, spikaste me shpirtin e saj tё pamposhtun, si nji Norё e vërtetë Kelmendi.
Fëmijët e saj, gjithë familja Pervizi, ruejnë respektin, nderimin dhe kujtimn e saj, si njeri i dashtun dhe i sakrifikuem, si grue e nanë shembullore, që do tё mbetet e paharrueme në historinё e kёsaj familje.
Revista Kuq e Zi, u shpreh fëmijëve, dhe gjithё familjes së Prenk Pervizit, ngushёllimet ma të ndieme e ma të thella, fёmijёve e nipave tё saj tё shumtё.
Pushoftë në Paqë! – Requiescat in pace!