Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta shkrimtari dhe regjisori i njohur durrsak, Gjergj Vlashi

Regjisori dhe shkrimtari i njohur durrsak, Gjergj Vlashi është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare. Lajmin e bën me dije Teatri ‘’Aleksandër Moisiu’’ që në rrjetet sociale shkruan se kjo është një humbje e madhe për komunitetin artistik duke e konsideruar regjisorin si ‘’Gjergjin e madh të Durrësit”.

I lindur në vitin e largët 1928, Vlashi shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes, Durrës.

Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës’, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj. Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës. Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj.

Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para. Gjithashtu ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi është nderuar nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin “Nderi i Kombit”./balkaweb/

Please follow and like us: