Historia/Katër breza shqiptarësh të suksesshëm në Massachusetts
Kostandin Mosko, Boston, MA, SHBA
Një vizitë në fermën “Kane”, Danvers Massachusetts, SHBA
Isha në kërkim të një biznesi bujqësor nga një shqiptar këtu në Amerikë. Më erdhi në ndihmë miku im, Vasil Koçi, patriot lunxhiot, i cili më njoftoi se aty afër shtëpisë së tij ku banonte, kishte një biznes që drejtohej nga një shqiptar i vjetër në moshë. Pa u zgjatur, vendosa ta vizitoj dhe në se do të pranonte bosi, do ta intervistoja për të mësuar më shumë mbi rrugët dhe përpjekjet e tij për të ngritur këtë biznes bujqësor, që në kushtet e shtetit tonë Massachusetts këtu në Amerikë, nuk është e lehtë.
Në vështrimin tim, shqiptarët janë njerëz druidë, i duan pemët, bimët dhe natyrën. Dinë si të ndërtojnë një jetesë paqësore me to, si të ruajnë biodiversitetin për të jetuar shëndetshëm. Gjithmonë në shkrimet e mia e kam vënë në dukje këtë dhunti, do ta quaja të shqiptarëve dhe vazhdimisht kërkoj të zbuloj fakte e praktika të reja. Më vijnë në kujtesë kopshtarët më të mirë e të përkushtuar në Kostandinopojën ose Stambollin e sotëm gjatë periudhës bizantine e osmane, ata kanë qenë përmetarët. Një kopshtar dhe njohës i mirë i bimëve ishte edhe bamirësi filantrop në katër shtete, me i madhi i të gjitha kohërave në Ballkan ndoshta dhe në Europë, Vangjel Zhapa, nga Labova e Zhapës, i cili kishte përfunduar dhe shkollën e lartë për agronomi në Paris, Francë.
Rruga për tek biznesi
Ditët e korrikut janë të nxehta edhe në Boston, por kjo e vizitës ishte një ditë e mirë, e freskët e me fllad të vazhdueshëm. Dukej sikur kishim rilindur nga që qëndrimi i gjatë në shtëpi dhe izolimi për shkak të COVID-19 na kishte lodhur. Së bashku më bashkëshorten time, këtë udhëtim e morëm si një shëtitje. U nisëm të pajisur e të “armatosur” me maska, doreza e dezinfektantë.
Ja ku më në fund u duk qyteti industrial Peabodi me rreth 53 mijë banorë. Është larg rreth 45 km në veri të Bostonit. Atje banojnë shumë shqiptarë, më të shumtit janë me origjinë nga Elbasani, por ka dhe nga Gjirokastra, kryesisht nga fshatrat Labovë e Kryqit dhe fshati Suhë. Aty afër është edhe qyteti i Salemit, i dëgjuar si vendndodhja e gjyqeve famkeqe të Shtrigave të Salemit, në vitin 1692, të njohura edhe në Shqipëri nëpërmjet një filmi të shfaqur në kinematë, me sa më kujtohet ishin vitet 1970 e më pas.
Në Peabody takuam Vason dhe të shoqëruar prej tij, u nisëm drejt biznesit bujqësor të shqiptarëve. Ishte jo më shumë se 7-8 minuta larg nga qendra, në një qytet tjetër Danvers, me rreth 23 mijë banorë që shquhet në këtë rajon për kultivimin e bimëve bujqësore.
Sa arritëm, na ra në sy një tabelë e madhe e cila paralajmëronte se ishim afër një biznesi që shquhej midis sivëllezërve të tjerë rrotull. Para syve tanë u shfaq korpusi kryesor dhe serrat e shumta në vazhdim. Njerëz të shumtë, të gjithë me maska, ata që blinin si dhe punëtorët. Jashtë në oborr kishte një zyrë informacioni ku mund të merrje të dhëna të hollësishme. U drejtuam tek kjo zyrë dhe kërkuam bosin, kështu i thamë punonjësit, që me sa kuptuam ishte latino-amerikan. Ai na u përgjigj se bosi ishte ende në shtëpi dhe pas pak do të mbërrinte. “Po ju mund të takoni motrën e tij, shtoi ai, edhe ajo mund t’ju ndihmojë”. Nuk na u desh shumë të prisnim. Pas pak vumë re se drejt nesh ishte drejtuar një grua e qeshur, me sa duket punonjësi i shërbimit e kishte lajmëruar në telefon. U përshëndetëm dhe biseda jonë rrodhi natyrshëm në shqip dhe për Shqipërinë. Ajo na tha se kishte lindur në Amerikë por origjinën e kishin nga fshati Frashër i Përmetit dhe nënën Persofoni nga qyteti i Përmetit. Kishte qenë në Shqipëri 12 herë, herën e fundit e kishin ftuar në një dasëm, familja Vorpsi në Tiranë. Na tregoi me gëzim për disa lidhje në Përmet dhe në Tiranë.
– Kam vizituar Përmetin dhe Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë, po nuk jam ngopur, dua të shkoj përsëri – na tha ajo plot gëzim e vendosmëri. Mësuam se ishte plot 74 vjeçe, por nuk dukej e tillë.
– Edhe nëna ime shkonte shpesh në Shqipëri, ndjesë pastë, e donte shumë atë vend, – e mbylli ajo bisedën duke psherëtirë.
Ja ku u duk edhe bosi, ose pronari i gjithë kësaj pasurie siç i thonë në shqip. Ishte trupmadh, muskuloz, dukej i mbajtur mirë, megjithëse siç na tha kishte hyrë tek 77 vjeç. Për një çast m’u kujtua jeta e babait tim. Në pamje të parë ky njeri kurajoz të ngjallte përshtypjen se nuk e mposhtin dot çastet e vështira të jetës, dinte si t’u dilte punëve në anë. U përshëndetëm sikur të ishim të njohur prej kohësh dhe bisedën e vazhduam në zyrën e tij. Emri i tij ishte Ralph Kane. I takonte brezit të tretë të shqiptarëve në Amerikë. Njëkohësisht edhe motra Ruth nuk na u nda për asnjë çast gjatë gjithë vizitës tonë.
Një jetë e tërë përpjekjesh të mëdha mes luleve
Tashmë dihet, kur flitet për qytetin e Përmetit, ai përshkruhet si qyteti i luleve, apo i trëndafilave dhe i njerëzve diturakë, të mirë e punëtorë. Këtë ndjesi e përjetuam gjatë gjithë kohës së vizitës tonë edhe në këtë fermë bujqësore. Biseda jonë ishte e përzemërt e miqësore, sikur ishim njohur prej kohësh, shqiptarçe, nga ato bisedat karakteristike që bëhen këtu në Amerikë kur takohen shqiptarët.
Historia e kësaj familje në Amerikë zë fill në vitin e largët dhe shumë të trazuar për shqiptarët, në vitin 1913. Gjyshi i Ralphit, Thimjo Karçini me familjen e tij lë fshatin malor Frashër të Përmetit dhe vjen në tokën e premtuar, Amerikën e largët. Me vete kishte marrë edhe babain e Ralphit, Arthurin(Thanasin), në moshën tre vjeçare. Gjyshi u vu ne krye të punëve e përpjekjeve për të siguruar jetesën e familjes. Fillimisht bënte çfardolloj punësh. Më vonë, pasi ishin stabilizuar mirë, i vuri syrin një dyqani lulesh në qendër të Bostonit (Faneuil Hall Marketplace). Mbasi punoi për pak kohë, ai kontraktoi në atë vend një dyqan dhe filloi të bënte tregëtinë e luleve. Punët ecnin mirë për gjysh Thimjon. Ky lloj biznesi ishte me fitim. Në vitin 1930 mori kredi nga banka dhe bleu një serë në Dedham per t’i prodhuar vetë lulet. Por punët u vështirësuan, ishte në prag të luftës së dytë botërore dhe nuk ishte në gjendje të paguante kredinë që kishte marrë, kështu serrën ia sekuestroi banka në vitin 1937.
Puna në dyqanin në qendër te Bostonit vazhdonte. Ishte kohë lufte, ushqimet po pakësoheshin në treg. Gjyshi, tregon Ralph, me dy djemtë e tij, gjatë asaj periudhe të Luftës së Dytë Botërore, filloi të tregtonte patate, kjo i dha një dorë të mirë biznesit të tij, sepse kishte furnizim të mirë, trenat i shkarkonin mallrat në qendër të Bostonit, aty ku ai kishte dyqanin, çmimet nuk kontrolloheshin edhe aq shumë. Gjyshi Thimjo e peshkoi me guxim situatën. Ishte punë me fitim të shpejtë.
Babai i Ralphit, në vitin 1940, martohet me Persofonin nga qyteti i Përmetit. Ajo ishte një emigrante e ardhur në ato vite. Me dollarët që bënë nga tregtia e patateve blenë një serrë tjetër ku punët fillimisht ecnin mirë. Kultivonin lule dhe i shisnin në dyqanin në qendër të Bostonit. Në atë kohë jetonin shtatë veta në një shtëpi në Roxbury, lagje e Bostonit, gjyshërit, dy vëllezërit dhe tri motra. Drejtimin e këtij biznesi, në këto vite, tashmë e kishte marrë në dorë babai i Ralphit, Arthuri me të vëllanë e tij, Vasilin.
Ralph lindi në vitin 1943, vazhdoi një pas një shkollat dhe në vitin 1960 u diplomua për agronom nga “UMass Ahmerst”, në atë kohë, “Massachusetts Agricultural College”. Ralph tregon se kur shkoi në klasën e parë nuk fliste anglisht, sepse në familjen e tyre të madhe flisnin vetëm shqip. Gjatë kësaj periudhe Ralph edhe studionte por edhe punonte e ndihmonte në biznesin e babait të tij. Në serrën, pas kësaj periudhe, me xhaxhanë filluan të shfaqen mosmarrëveshje, kështu u ndanë, gjithsekush në bizneset e vet. Edhe xhaxhai e vazhdoi biznesin me lulet, por diku tjetër. Babai i Ralphit me një hua që mori në vitin 1964, bëri një investim të guximshëm, bleu tokën ku është ngritur sot biznesi. Në atë kohë nuk kishte asgjë në këtë vend, pyll dhe shkurre, por me kalimin e kohës, hap pas hapi, filluan të ngrihen biznese të tjera tregtare si dhe të ndërtohen shtëpi e apartamente banimi.
Biznesi sot
Në tokën që ata blenë me hua bankare në Danvers, filluan të ndërtojnë serrat e para dhe të tregtojnë fidanë lulesh, perimesh, fidanë frutore, farëra të ndryshme, etj. Tani përveç përvojës familjare, Ralph ishte edhe i shkolluar e i specializuar në këtë lloj sektori. Biznesi po ecte mirë në saj të punës së palodhur dhe zbatimit të njohurive shkencore që Ralphit kishte marrë në universitetin e agrikulturës. Ai edhe sot, pavarësisht që është në një moshë të thyer, që nga mëngjesi e deri në darkë kujdeset për biznesin dhe përpiqet që çdo gjë të shkojë mirë. Në vitin 1994, babai i Ralphit vdiq dhe të gjitha punët e shërbimet agroteknike i mbetën atij. Punët mekanike që nevojiten në serra, Ralph i kryen vetë. Ne vumë re një ofiçinë të kompletuar në shërbim të agregatëve që i përkiste këtij biznesi. Shumë shpejt, si familje, në vitin 1970, e shlyen edhe huanë që kishin marrë dhe filluan të punojnë për vete. Nuk kishin më borxhe. Tani ata, çdo fitim e investojnë duke rritur sipërfaqen e serrave, përmirësimin e teknologjisë së kultivimit të fidanëve, etj. Ngrohja dhe ujitja e serrave është automatike, e kompjuterizuar për të 17 serrat ku mbillen fidanët. Biznesi është shtuar dhe konsoliduar mjaft mirë. Në çdo vit vjen duke u rritur. Ata shesin të gjitha llojet e produkteve që nevojiten në bujqësi nga a-ja tek zh-ja. Konsumatori që futet në dyqanin e tyre gjen çfardo që i lypset për të tilla lloje biznesi si fidanë perimesh, lulesh, pemësh frutore, shkurre, farëra, plehra, pesticide, paisje, mjetet e punës, etj.
Kur e pyeta Ralphin në se kishte ndonjë ndihmë nga shteti, ai me tha se çdo investim ishte kryer nga kursimet e familjes së tij.
– Shtetit, qytetit të Danversit, i paguaj rregullisht taksat, për çdo vit rreth 80 mijë dollarë, – tha ai -, shteti na ka krijuar një lehtësi vetëm në taksën e tokës, është me e ulët duke e kategorizuar si tokë bujqësore. Kam të punësuar rreth vitit 30-35 punëtorë. Gjate periudhës së COVID-19 humbëm rreth 250 mijë dollarë, biznesin e kishim të hapur por nuk kishim blerje.
Mbi tavolinën e punës së tij vumë re një tufë me revista të kompanive të ndryshme të prodhimit të farërave, plehrave, pesticideve me të cilat ishte lidhur. Unë e pyeta
– A ke marrë ndonjë farë nga Shqipëria?
– Po dhe kam marrë, tha shkurt, po nuk përshtaten këtu, është klimë tjetër.
Si një specialist i mbrojtjes së bimëve, e kuptova çfarë më tha Ralphi.
– Po me trajtimet kimike?
– Jemi të liçensuar për pesticide, po kam dhe djalin specialist. Problemet tepër të vështira i zgjidhim me UMass Boston. Shpesh na mbledhin dhe bëjmë trajnime të veçanta për teknologji, sëmundje, dëmtues, etj.
Ralph është i martuar me suedezen Karen, kanë një djalë dhe një vajzë, Jeff dhe vajza Tina. Drejtimet e punëve në biznes dalëngadalë po kalojnë në dorën e Jeff, i cili ka përfunduar studimet për agronomi, katër vjet në Universitetin Bujqësor Maine (Agricultural – University of Maine). Për mendimin tim Jeff tashmë e drejtonte atë fermë. Kështu Ralph, ashtu si babai i tij, kishte siguruar vazhdimësinë e biznesit të luleve në brezninë e katërt të përmetarëve frashallinj në Amerikë. Në përfundim të vizitës tonë tek ferma “Kane”në Danvers takuam dhe përfaqësuesen e breznisë së pestë me origjinë përmetare në SHBA. Ishte vajza e Jeff gjimnaziste, ai kishte dhe një djalë. Me siguri edhe këta do të ecin në gjurmët e paraardhësve të tyre, shqiptarë të dashuruar me tokën bujqësore, me perimet, lulen dhe gjithçka të mirë materiale që prodhon toka e bekuar amerikane.
U larguam nga Danvers të gëzuar që u njohëm me një histori të gjatë të biznesit shqiptar, u lumturuam që u miqësuam me njerëz të origjinës dhe të gjakut shqiptar. Ata, me përkushtimin, dituritë dhe punën e palodhur, na bëjnë krenarë. Janë shumë pak kaq sa munda të shkruaj për ta dhe historinë e tyre, por me siguri që aty do të kthehemi përsëri e përsëri do t’ju tregojmë. Dielli
Historia / Katër breza shqiptarësh të suksesshëm në Massachusetts