Gjergji Mihallari: Lermë…
Lermë të të prek
Kudo dhe askund
Ti je iluzion, një e vërtetë, ëndërr
Që mbush çdo qelizë me kumt.
Sot jam eksplorator i botës së paqënë
Nuk ka dete, oqeane, kontinente të reja,
T’i zbuloj e t’u jap emër,
Ti ke qëlluar një ishull që asnjë hartë
Nuk të përmend.
Lermë të të prek e dashur,
Në çdo qelizë që përmban trupi yt,
Xhungla përmban edhe egërsinë
Dhe enigma pafund.
Lermë të të prek e dashur,
Si një udhëtar i lodhur, i mbaruar
Që kërkon ujë në tokën shkrumb të thatë,
Gjeti tek ti ujë të ftohtë që buzët të lag.
Ti je krijesë e perëndive antike,
Gjendur gabimisht në këtë grumbull apokaliptik,
Nuk jam as lajmëtar apo roje e perëndive,
Ndaj nga unë mos ki frikë.
Lermë të lëviz gishtat mbi lekurën e bardhë,
Të luaj hyjnoren melodi,
Jeta është tepër e shkurtër,
Pse merr frymë vetëm nga ti…
Lermë, pra lermë,
Ti je ylli që ndjek rrugës për t’u kthyer në shtëpi…