Fari (drita udhërrëfyese)
Nga Blerina Ruka
Diku pas mesnate
U takuam si çdo herë, porse kishte diçka ndryshe sot asnjërit prej të dyve s’na e mori mendja. Ishte ndoshta mungesa e aromës së shpirtit kur preheshim si në tempull. Mëngjeset ishin një adhurim i gjatë, të ngrohta frymë më frymë, të thella nëpër trupa të përqafuar e shumë të zvarritura, zhytur në emocione. Puthja e tij ishte gati-gati helmuese, më afër se Zotit të çonte afër Satanit… ishin dehëse edhe pa hapur dritaret aromë e ngjyraplot të rrugicës.
Ishte si një shkëputjeje nga realiteti nëpërmjet verës, opiumit, udhëtimit, pasionit…
Prej kohësh isha harruar në mugëtirë. Ashtu ditët rendnin pas njëra-tjetrës
Vuri një muzikë jazz si për ta thyer ca heshtjen se veç heshtje s’mund të kish.
– E nëse bota do të merrte fund nesër, ti çdo të bëje?
– Do të vija tek ti dhe do të bënim dashuri deri nesër…
Koha rridhte dhe sytë shihnin matanë dritares dhe ne druheshim se e linin të largohej atë që shihnim. Patëm vënë aty gjithë mendimin, gjithë zemrën, gjithë besimin dhe gjithë urrejtjen.
Asnjë ditë s’kish pasur vlerë deri kur sekreti filloi të mos ish më i tillë që kur vendit iu zbulua origjina. Mu bë se madhësia e dashurisë vinte paralel me gjatësinë e farit dhe gjithë udhërrëfimi ynë u bë drita që zgjatohej bregut.
Flisnim…
– Ishim unë dhe deti. Deti ishte vetëm dhe unë po ashtu. Njëri nga ne të dy mungonte.
– Asnjëherë nuk imagjinoja se mund të të doja kështu. Është e pamundur për mua të të shpjegoj se çfarë është kjo gjë e fuqishme dhe e gjallë që mbaj në shpirt dhe brenda trupit tim. Jam ndonjëherë si e çmendur nga dhimbja dhe ndjej se të gjitha rrugët e mia të tjera jashtë kësaj dhimbje janë prerë.
E vetmja rrugë nga ku mund të kaloj…
Vjeshtë, Montreal.