Albspirit

Media/News/Publishing

Sakip Cami: Iliada shqiptare e shekullit XIX

176 vjet më parë

 

 Varianti i vjetër i këngës kushtuar luftës kundër turqve dhe Hajredin Pashës, një iliadë shqiptare e shekullit XIX

 

Dihet tashmë se në vitin 1844 kur është zhvilluar beteja e famshme kundër ekspeditës turke të komanduar nga Hajredin Pasha nuk ka patur shkrim e këndim. Kështu që kronika e luftës është bërë nëpërmjet kangës, e cila është trashëguar nga brezi në brez, nga konaku në konak. Rapsodi popullor, njëkohësisht edhe kronikan në momentin e betejës, e ka krijuar kangën që të pasqyrojë të gjithë skenarin e betejës, armikun, armatimin dhe forcat e tij, forcat tona dhe qëndresën e tyre heroike dhe masive, heronjtë, dëshmorët, terrenin, motin dhe gjithçka u bë në atë betejë, që në aspektin historik, pas vdekjes së Skënderbeut, afro 400 vjet më vonë, është një nga betejat më të egrat, më të pabarabartat dhe më të përgjakëshme  në historinë e popullit shqiptar.

Kënga është shumë e gjatë, një iliadë shqiptare me qindra vargje dhe dhjetra strofë. Rapsodi duhej ta këndonte brez pas brezi pa harruar asnjë episod, trim apo dëshmor.  Është e domosdoshme që kjo betejë të njihet mirë nga populli, nga historianët dhe studiuesit shqiptarë.

Kjo luftë nuk nisi dhe nuk u zhvillua rastësisht. Ajo u zhvillua fill pas reformave antipopullore dhe antishqiptare  të Tanzimatit të Sulltan Abdyl Mexhitit, që e rënduan jetën ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Tansimati apo Rregulli i ri i Perandorisë Turke i hoqi shumë të drejta viseve shqiptare dhe ua zgjatën shërbimin ushtarak nizamëve shqiptarë deri në 7 vjet larg në skajet më të largëta të Perandorisë, ashtu siç thuhet edhe në kangën popullore“ Vinë pamporët përtej detit“ ku nizamët nisnin kartë (letër) që për 7 vjet t’i presin gratë.

…Dhe në mos pritshin për 7 vjet,/

le të marrin burra pleq/

burra pleq, pleq me mjekër/

Se mos vjen ndonji devër[1] tjetër.

Në Selanik kishte pasur kundërshti e trazira kundër këtyre reformave, por ato ishin shtypur me forcë nga gjenerali famëkeq Hajredin Pasha. Kur Dibra ngriti krye kundër këtyre reformave, Porta e Lartë për të shtypur këtë revoltë nisi pikërisht gjeneralin famëkeq Hajredin Pasha në krye të një ushtrie me 12 mijë forca dhe me armatim të rëndë e topa. Ushtria turke marshoi në itinerarin Selanik, Shkup, Gostivar, Grykë e Radikës, Gjoricë.[2] Qëndresën e parë kundër ushtrisë turke e bënë banorët e Rekës në malet e Vllajnicës, të cilët i shkaktuan armikut 3000 të vrarë e të plagosur. Qëndresa e dytë u bë në Fushën e thatë, në Gjoricë të Dibrës, buzë Drinit të Zi me 25 korrik 1844. (Shih Hartën e luftimeve, Muzeu historik, Dibër)

Më parë se të arrinin trupat turke në Gjoricë, krerët e Nandë Malet e Dibrës kishin bërë një kuvend ku kishin vendosur që ta presin me luftë Hajredin Pashën.

Forcat turke ishin vendosur në anën e djathtë të rrjedhës së lumit të Drinit të Zi me shtrirje nga Porgorca deri në Kojnarë. Përballë tyre ishin vendosur forcat dibrane me shtrirje nga Gjorica e Poshtme e deri në Viçisht. Taktika e luftimeve të Hajredin Pashës kishte për bazë goditjen me artileri, me topa të kalibrave të mëdhenj, që të shkaktonte panik dhe të bënte djegie të vendit.

Forcat turke kishin marrë me vehte në këtë betejë edhe Cen Lekën, gjeneral nga fshati Zogje, sjellur nga Turqia për këtë betejë për tu përdorur nga turqit në dëm të bashkëfshatarëve të tij, por ai  nuk pranoi. “Qëlloni mua të parin dhe më pas bjeruni qafirave”, u thirri Ceni bashkëfshatarëve të tij. Rreth 6000 forca, malsorë nga Gryka e Vogël, Gryka e Madhe dhe nga Malet e tjera të Dibrës morën pjesë në betejën kundër Hajredin Pashës në Fushën e Gjoricës, me pushkë karafile maxhare dhe kush nuk kishte pushkë, me sopata, kosore dhe cfurqe.

Kjo betejë  u udhëhoq nga figura të njohura si Ilias Pashë Dibra,  Sheh Mustafa Zerqani, Mustafa Ago Ostreni, Mane Cami, Elez Murrja, Hazis Dema, Nel Hoxha, Llan Kaloshi, Shaqir Daci, Abdi Sturçja, Shaqir Jegeni etj.

Organizimi i kundërofensivës ndaj ushtrisë së Hajredin Pashës ishte në bazë të një plani të mirëfilltë ushtarak dhe konkretisht organizimi i një dare rrethuese nga Ura e Topojanit, Meja e Kalasë, Qafa e Çerenecit, Kodra e Golovishtit, Ura e Spiles, Vrabiçi, Zupa, Elefca, Spasi, rrethim ky që e detyroi ushtrinë turke që të linte në fushën e luftimeve jo pak por 12 mijë ushtarë dhe të tërhiqej nga kishte ardhur.

Fusha e betejës së madhe ishte Gjorica, e cila ishte një ranishte e sheshtë, plot me plepa të mëdhenj shekullorë në anë të Drinit. Këtu ishte fronti kryesor që shtrihej nga kodrat e Viçishtit deri tek Ura e Topojanit. Malësorët shumica kishin hypur nëpër plepa dhe ishin maskuar me gjethe e degë. Armët e malësorëve ishin disa pushkë të gjata që qëllonin larg. Turqit kishin disa pushkë të shkurta që quheshin “sulltane”. Popullsia vendase ku zhvilloheshin luftimet ishte tërhequr në malet e Bllacës. [3]

Gjatë ditës së parë shtatë herë u mbush plot e përplot Drini e të shtatë herët, të gjithë sa u futën mbetën të vrarë.

Artileria turke goditi me ashpërsi të gjithë zonën por pa rezultat. E njëjta rezistencë bëhej edhe në qafën e Çerenecit, tek Ura e Spiles e kudo. Sheh Mustafa qëndronte në front me  malësorët, Hazis Dema ishte pranë tij.

Bien në fushën e luftimit Mustafa Jakimi në Gjoricë dhe Musa Izvira tek Ura e Spiles.

Populli e ka mishëruar në këngë këtë luftë heroike:

…Cen Leka vjen në kamë

U thrret shokëve prej matanë

Unë pale a mun vi

Po ju bini qenit t’zi

Krajsi pushka ke istikami

U skuq Drini me gjak nizami…

Figura mjaft interesante dhe luftëtarë të sprovuar janë Hazis Dema dhe Kurt Mete Dema nga Homeshi. Djemtë e Mete Demës që luftoi krahas Ali Pashë Tepelenës janë edhe në ballë të kësaj lufte.

Po pyet Pasha kë kanë të parë?

Hazis Dema asht kumanar.

Kush drejton ke instikami?

Hazis Dema e Sheh Zerqani.

Mustafa Jakimi nga Shtushaj është një hero i vërtetë që lufton edhe me një këmbë, pasi plagoset.

Mustaf Jakimi mustaqe bardhë

Bani yrish e zu n‘nji  dardhë

Karafilja e Mustaf Jakimit

Vret topçijtë e Hajredinit

Mustaf Jakimi me nji kam’

Ja vret Pashës shumë nizamë

Mustaf Jakimi mustaqe bardhë

Qiti malet faqebardhë

Siç e theksuam edhe në fillim në këtë luftë kanë marrë pjesë të gjithë dibranët. Por organizatorë kanë qenë Sheh Zerqani dhe Hazis Dema.

Sheh Zerqani në kalë të zi

Shembi malet e ra në Dri

Sheh Mustafa fjalë ka çue

Hazis Dema me m’nimue

Në ndihmë të Sheh Zerqanit dhe të dibranëve që luftonin në fushën e Gjoricës vjen edhe Llan Kaloshi nga Dibra e Poshtme  së bashku me trimat e tij.

Llan Kaloshi i hipi atit

S’i trembet pushkës as taksiratit

Hajredin Pashën e ka xhet belaja

E  ka xhet belaja si e ka xhet

Nand Malet e Dibrës janë lidhur me vdekë

Lidhur me vdekë, lidhë të tanë,

S’nigjojnë Malet me  dhanë nizamë.

Në këtë betejë legjendare ka edhe shembuj të mirëfilltë heroizmi dhe patriotizmi si ai i Ahmet Lokës nga Sopoti i Grykës së Madhe. Në fshatin Sopot të Grykës së Madhe në Dibër bëhej dasëm. Liman Loka martonte djalin, Ahmet Loka. Njerëzit ishin mbledhur nga të katër anët për dasëm. Por hasmi shkeli në prag. Turqit nisën drejt Dibrës një ekspeditë të madhe ushtarake me në krye Hajredin Pashën. Nandë Malet e Dibrës banë thirrje për t’a pritë Hajredin Pashën me luftë. Gryka e Madhe si dhe malet e tjera të Dibrës u përfshinë në këtë luftë. Ahmeti e la dasmën dhe nusen e re të sapo ardhur dhe shkoi në luftë. Pas tij të gjithë dasmorët. Ahmeti nuk u kthye më, mbeti në luftë, në betejën e Fushës së thatë të Gjoricës në korrik të vitit 1844.[4]

 “Ç’janë ata që luftojnë në gropa?

 Can Bajrami e Ahmet Loka

Or Ahmet ç’e bane Canin

Kokë për kokë me kapedanin

Ahmet Loka ka lan’ nam

U ba dhandër n’istikam”.

Nusja e re e Ahmetit shkoi në luftë së bashku me të shoqin. Komandanti Sheh Mustafa i dha asaj pushkën e tij. Ahmeti mbeti dëshmor në këtë luftë. Nusja e tij, pas betejës, lidhi kokën me shami të zezë dhe qëndroi në shtëpinë e burrit, besnike deri në fund të jetës së saj.

Rizvan Alla dhe Fasli Malja janë dy trima që shquhen për luftë burrërore ballë për ballë me turqit. Ja si thotë kënga:

“Rizvan Alla me sakorre

Paska bamun njizet vorre

Rizvan Alla me magore

I pret turqit me sakore

Kush ja prajshi festen Pashës

Fasli Malja , plaku i Krajkës“.

Nga vetë kanga kuptojmë rezultatet e kësaj beteje dhe përgjigjen që i dha populli i Dibrës.

“Hajredin Pasha, mor brek zi

Ty  taborrët të mbetën në Dri

Hajredin Pasha mor krajshenejk

Nuk asht Dibra Selanejk[5]

Selanejk e Prelepe

Çish kërkove, n’Dibër e xhete

Hajredin pasha ku e ke lanë atin?

Nat’ Spas m’ka met i ngrati

Hajredin Pasha ku i le taborrët?

Besa n’Dibër, nëpër llogore

Hajredin Pasha ku e ke lan urdinë?

Të gjithë në Dibër , besa m’i kan gri

Hajredin Pasha mor hutaç

S’rrajfen malet me kërbaç

Hajredin pasha ku i le taborret

Në fushë të Gjoricës nëpër llogoret

Krejt në Dibër m’i kanë gri

Jo ma pak se dymbëdhjet mijë

N’istikame, n’vorr pa hi

Luftimet u bënë edhe trup me trup. Humbjet në njerëz ishin të mëdha. Në këtë betejë u vranë 2500 dibranë Për mbrojtjen e tokës amtare mbanin thirrjen: “a besa-besë”. Kush nuk i qendron besës, edhe toka nuk e pranon. Kjo besë nxiti heroizmin masiv, karakterin e virtytet e larta të dashurisë për atdheun. Lufta zhvillohet e ashpër dhe burrërore. Luftëtarët përballen me vdekjen pa logaritur asgjë. Flamuri (bajraku) qëndron në ballë të luftës.

“Banë besë plak e i ri/

Banë yrysh e ranë n’Dri/

Ranë në Dri me gjithë bajrak, (flamur)/

E mbushën Drinin plot me gjak…”.

Beteja vazhdoi 5 ditë. Raportet turke drejt Selanikut shkruajnë për 3000 ushtarë turq të vrarë. Populli në kangë thotë për 12 mijë të vrarë turq. Haki Stërmilli te libri i tij historik në dorëshkrim “Dibra në prag të historisë“ si dhe tek libri “Fyelli i Dibrës“ i ndan  të vrarët e Turqisë në dy pjesë sipas zhvillit të saj, 3000 në Rekë dhe 9000 në Gjoricë[6].

Nand mijë vorret kush i bani

Dibra mbarë edhe Zerqani.

Turqit pas kësaj beteje për hakmarrje dogjën mbarë Grykën e Madhe dhe Grykën e Vogël, 30 fshatra.  Ja si thotë kënga që tregon për këtë djegie masive:

“Nga Topojani në qitet[7]/

Asnji shpi nuk paska mbet,

Luftëtarët, të tërhequr në malet e Bulqizës dhe në Prat, për një muaj nuk arritën të shohin dy krahinat nga tymi i gërmadhave. Peshën më të madhe të Luftës së Drinit dhe sulmet e furishme të turqve i mbajti Gryka e Madhe bashkë me Grykën e Vogël. Udhëheqësit e kësaj lufte Iljas Pashë Qokun, Mustafa Sheh Zerqanin dhe Mustfa Ago Ostrenin i internuan dhe i burgopsën në Turqi. Sheh Mustafa dhe Mustafa Ago Ostreni vdiqën në burgjet e Turqisë. Kjo luftë tregoi unitetin e nandë maleve të Dibrës dhe rolin  e tyre të madh për mbrojtjen e trojeve amtare.

Ja një variant i këngës së plotë:

Hajredin Pasha po vjen Radikës

Vallë ku janë malet e Dibrës?

Bëjnë xhelis në Fushë të Gjoricës

Në Fushë të Gjoricës, n’kodër të Drinit

Bajnë kuvendin e Hajredinit

 

Të nandë malet janë çue në kam’

Na kërkon mbreti nizmë

Asnjë gjallë s’kemi me mbet’

Kamb nizami s’japim për mbret

 

Moj Gjoricë, moj kasaba’

Të çon pasha nji rixha’

Por rixhaja nuk i ka shkue

I kthej topat me luftue

 

Ditën e martë u zu nizaja

Hajredin Pashën e gjet belaja

Hajredin Pasha një pashë i ri

S’ka marrë shumë , veç 20 mij

Me 9 malet ka nis pushkë në Dri.

 

Hajredin Pasha, mor hajvan

Nuk shitet Ceni me alltan

Cen Leka vjen në kamë

U thrret shokëve prej matanë

Unë pale a mun vi

Po ju bini qenit t’zi

 

Krajsi pushka ke istikami

U kuç Drini me gjak nizami

Hajredin Pasha taj mor shop

Shajfi t’vramit si bajnë not

Si bajn not e lakaçajten

Xhimsa t’u vranë, xhimsa t’u majtën.

 

Ju mor male tungjatjeta

Burrë i mir’ kish qenë Cen Leka.

Po pyet Pasha kë kanë të parë?

Hazis Dema asht kumanar.

Kush drejton ke instikami?

Hazis Dema e Sheh Zerqani.

Haziz Dema sy përgjak

Vall mos të duken malet pak?

Ti mor Kurt, mor im vëlla

Merr yrysh e bjer nat’ va

        

Mustaf Jakimi mustaqe bardhë

Bani yrish e zu n‘nji  dardhë

Karafilja e Mustaf Jakimit

Vret topçijtë e Hajredinit

Mustaf Jakimi me nji kam’

Ja vret Pashës shumë nizamë

Mustaf Jakimi mustaqe bardhë

Qiti malet faqebardhë

 

Oj Gjoricë, qofsh e shkretë

Luftë të madhe ban me mbret

Gratë e Zogje, gratë e Bllacës

Dilni para Sali Agës

 

Sheh Zerqani në kalë të zi

Shembi malet e ra në Dri

Sheh Mustafa fjalë ka çue

Grykën e madhe e kan‘ rrethue

Për rreth Drinit tuj luftue

Gjysma mbet, gjysma plague

Sheh Mustafa fjalë ka çue

Hazis Dema me m’nimue

Sheh Mustafa fjalë ka çue

Thuaj Kaloshit me m’nimue

Salinë e Llanin me m’i çue,

Kanë rrok armët e kanë shkue”.

 

Llan Kaloshi i hipi atit

S’i trembet pushkës as taksiratit

Ditën e martë u zu nizaja

Hajredin Pashën e ka xhet belaja

E  ka xhet belaja si e ka xhet

Nand Malet e Dibrës janë lidhur me vdekë

Lidhur me vdekë, lidhë të tanë,

S’nigjojnë Malet me  dhanë nizamë.

 

“Ç’janë ata që luftojnë në gropa?

 Can Bajrami e Ahmet Loka

Or Ahmet ç’e bane Canin

Kokë për kokë me kapedanin

Ahmet Loka ka lan’ nam

U ba dhandër n’istikam”.

 

Rizvan Alla me sakorre

Paska bamun njizet vorre

Rizvan Alla me magore

I pret turqit me sakore

Kush ja prajshi festen Pashës

Fasli Malja , plaku i Krajkës

 

Hajredin Pasha, mor brek zi

Taj taborrët të metën në Dri

Hajredin Pasha mor krajshenejk

Nuk asht Dibra Selanejk

Selanejk e Prelepe

Çish kërkove, n’Dibër e xhete

Hajredin pasha ku e ke lanë atin?

Nat’ Spas më ka met i ngrati

Hajredin Pasha ku i le taborrët?

Besa n’Dibër, nëpër llogore

Hajredin Pasha ku e ke lan urdinë?

Të gjithë në Dibër, besa m’i kan gri

 

Hajredin Pasha mor hutaç

S’rrajfen malet me kërbaç

Hajredin pasha nji sygogël

S’ke njoft Çidhën e Gryk’ të Vogël

Me barut ta djegin koklën

Hajredin pasha ku e ke lanë atin?

Nat’ Spas më ka mbet’ i ngrati

 

Hajredin pasha ku i le taborret

Në fushë të Gjoricës nëpër llogoret

Krejt në Dibër m’i kanë gri

Jo ma pak se dymbëdhjet mijë

N’istikame, n’vorr pa hi

Nandmijë  vorret kush i bani

Dibra mbarë edhe Zerqani. 

 

Referenca 

 

 

[1] Devër, turqisht, regjim

[2] Gazeta  “Ushtima e Maleve” , 1972

[3] A. Ndreu, Dibra ne udhen e historise, 2000

[4] S. Cami, Gazeta Rruga e Arberit , korrik 2009

[5] Hajredin Pasha, mor kryeshinik? Nuk asht Dibra Selanik, dmth nuk e bën dot atë që bëre në Selanik

[6] Haki Stërmilli, “Fyelli i Dibrës” kangë popullore

[7] Ura e qytetit, Valikardhe, Diber

Please follow and like us: