Sabina Darova: ‘Tamli’, një nga dritaret krutane që shikon të ardhmen e ushqimit me sytë bio
Për arsye pune, këtë vit kam shkelur më shpesh në vendin tim, e në veçanti në Krujë. Dhe për çdo herë, kam gjetur diçka të re që i shtohet qytetit duke e zbukuruar akoma më shumë.
Para pak ditësh, gjeta fidanët e pemëve që ngrinin kokën në lartësi të kështjellës, në sheshin e ri përpara Bashkisë. Pak më lart, një ambjent të ri që merr drejt rrugës së pazarit. Ky kënd i ri që i shtohej shoqeve të saja në krah, quhet “Tamli“. Më tërhoqi vemendjen targa e shkruar bukur dhe me finesë. Por, jo vetëm.
Sapo e lexova me sy, një dëshirë e brendshme më shtyu ta shqiptoja me zë fjalën e rallë. Tingëllimi i saj më drithëroi shpirtin sepse imagjinata dhe kujtesa më dërguan në livadhet që shtrihen përgjatë kodrave dhe malit të qytetit, aty ku shtrihen dhe kullotat e bagëtive, të cilat i gjen jo me pak vështirësi, ashtu si bukuria e vashave të porsarritura.
Nëse i hedhim një sy shpjegimit etimologjik të fjalës, kuptojmë që rrjedhën e ka nga gegënishtja, dhe i përqaset formës së mbiemrit Âmel ( i ëmbel si shija e mjaltit, pra aspiron cilësinë e një shije të jashtëzakonshme që transmeton kënaqësi), që duke i shtuar parashtesën t- na formohet ky emër kaq i bukur i fjalës qumësht, që njohim nga gjuha zyrtare e vendosur nga Kongresi i drejtëshkrimit të vitit 1972.
Kjo fjalë kaq e ëmbël më sjell në kujtesë mbresat e gjuhës se epikës apo poezisë së poetëve si Fishta, Mjeda e me radhë që aq bukur e lëvruan në vargun e tyre. Më sjell ndërmendje qumështin e Rozafës, i cili rridhte edhe pse i muruar, për të ushqyer foshnjen e saj.
E si mundej të qëndroja indiferente e të mos e shtyja atë portë për t‘i dhënë një shpjegim kureshtjes?
Pasi ulemi në tryezë së bashku me mikun tim, Olsi Pengilin, përgjegjës i “Kruja infoPoint”, i cili ka dhenë një ndihmesë të konsiderueshme në realizimin e këtij projekti, na afrohet ideatori dhe pronari i lokalit, zoti Leonardo Doku.
Emrin “Tamli” shpjegon ai, “u zgjodh sepse perfaqëson emrin e një produkti për të cilin kemi më shumë se 10 vjet që punojmë për ta prodhuar sa më cilësor. Nga ky start cilësor i qumështit, ndërvaren të gjitha nënproduktet që i punojmë me kujdesjet dhe parametrat që pretendon klientela mjaft e zgjedhur në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Prodhimi cilësor i qumështit është i lidhur me ushqimin që marrin gjedhët. Dhe ky është tërësisht biologjik, sepse jemi një skuadër që kryejmë një punë të palodhur për të prodhuar e mbrojtur kullotat.”
Dizenjimi dhe mobilimi i lokalit të ofron në formë të zhdërvjellët mikpritjen. Ngjyrat e zgjedhura po ashtu.
Provon ndjeshmërinë e ndodhjes në natyrë tek të kundrojnë sytë e lopëve për të kuptuar nëse qumështi i porsa mjelë prej gjinjve të tyre, të ka bërë mirë apo jo.
Vë re që, të gjitha objektet kanë si bazë drurin dhe permblidhet ne te ashtequajturin mobilim minimalist si koncept dhe që bën tendencë sot në fushën e mobilimit në të gjithë botën. Stili i gjetur më përcjell shijen e stilit të Provencës në Francë.
Çdo element është zgjedhur në bazë të një funksioni dhe jo rastësisht. Leonard, më tregon që është realizuar nga specialistë të Pana-Home, biznes social e krijuar nga arkitektja Pezana Rexha, dizenjies dhe prodhues mobiljesh prej drurit të vjetër apo nga mbetje të tjera urbane.
Ekipi drejtues i këtij lokali nuk ka harruar të shënojë me logon e tij edhe sendet që shërbejnë ushqimin e shijshëm, siç janë rakia e rrushit ruajtur në fuçi të bëra në dru lisi, prodhimin e vajit dhe të bulmetit bio, me të cilat furnizohet nga zona pjellore e Zaharisë së Krujës.
Kreperi & Akullore artizanale tek ” Tamli”, shërben krepe të mbushura me reçelra të frutave të vjela po nga Zaharia, krem çokollatë apo djathra të gatuara me mjeshtëri nga pjesëtarët e familjes Doku.
Ndërsa dikush na shërben rakinë e familjes Doku, nuk mungojnë dhe qershitë e mëdha sa një kokërr kumbull mbi tryezë. Ndjehem si në shtëpinë time.
Por, në lokal nuk më mungojnë edhe të tjera surpriza. Në tryezën karshi, vë re dy miqtë e tim eti, muzikantët Mehmet Llubani dhe Shpëtim Mallkuçi. Aparati fotografik ve në lëvizje shkrepjen. Dy lot që rrumbullakosen mbi mollëza më sjellin kujtimin e babait, që ky qytet e ruan të freskët e të madhërishëm.
Me ne bashkohet dhe mikja tjeter e mirë Rezarta Balla.
Urimet për një stinë verore të gëzuar bëjnë që atmosfera të marri ngjyra të ngrohta miqësie.
Largohem nga ky kend mikpritës duke falenderuar edhe një here mikun tim Olsi dhe të zotin e lokalit, zotin Leonardo Doku me premtimin për t‘u ndalur në Zahari e të tregoj dashurinë e tij për tokën dhe punën e palodhur që ai e kryen me plot pasion në të përditshmen.
Rritja e vlerave te prodhimeve ushqimore të marra nga natyra ne format e saja sa me natyrale, janë një premtim për një zhvillim të gjerë të turizmit kulinar, që i bashkangjitet atij kulturor e historik të qytetit. Objektiv ky, që miqte krutane e kane bërë të tyren prej kohësh.