Lajm që nuk rekomandohet për horrat shqiptarë mbarëkombëtarë/Lajçaku sllovak që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës: Nuk ka marrëveshje pa asociacion
Emisari special i Bashkimit Europian për dialogun Miroslav Lajçak deklaroi sot se nuk do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa përfshirjen e asociacionit të komunave serbe.
Në një konferencë për media në përfundim të vizitës së tij në Kosovë, diplomati sllovak tha se marrëveshja për themelimin e asociacionit është arritur në vitin 2013, ndërsa ka mbetur të diskutohet statuti i tij.
“Nëse nuk ka vullnet për marrëveshje, nuk do të ketë marrëveshje. Nëse nuk ka marrëveshje nuk ka normalizim e nuk do të ketë marrëveshje pa asociacion. Ne nuk kërkojmë ta rihapin tekstin, por vetëm të implementojnë atë çfarë është nënshkruar. Gjithçka që është dakorduar, duhet të implementohet”, tha Lajçak.
Lajçak gjatë vizitës treditore në Kosovë është takuar me krerët e institucioneve shtetërore dhe të partive politike, përfshirë edhe komunitetet. Pas Kosovës, ai do të shkojë sonte për vizitë në Serbi.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është shprehur se nuk do të ketë themelim të asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive./KosovaPress/