Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: In memoriam për kovaçin e Borshit!

 

Është bërë zakon që të bëhen homazhe kur ikin nga jeta njerëz të rëndësishëm: Presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, deputetë, artistë e biznesmenë të mëdhenj, si edhe heronj të luftës e dëshmorë me nam, po edhe për ata njerëz të mëvetshëm të shpallur ‘shënjtorë’, apo personalite të kishave e të xhamive në botë, por (të me falni!) unë do të bëjë një homazh publik, kundër ‘këtyre rregullave’, të nënëzëshëm, të heshtur, për NJERIUN E THJESHTË, kovaçin e Borshit, Bebin e Çane, (Sokratin!), i cili ka tre vjet që është mbuluar me dhe e duket si i harruar nga njerëzia. Më dhëmb shpirti për të. Pikërisht sepse nuk kishte një emër si gjithë të tjerët, një post zyrtar dhe që, krejt rastësisht mbante emrin e një filozofi grek, po s’kishte të bënte asfare me të, po s’kuqte me zjarr e rrihte me çekan hekurat e bënte vegla bujqësore që të rronin prindërit, dy vëllezërit dhe e motra e vogël, të cilët ropateshin në punëzat e lodhshme të fermës së Borshe… Kishin ardhur nga Kudhësi ‘me kuç e me maç’ qe të vendoseshin në një vend më të hajrit e më të butë, buzë detit e t’u ndriste pakëz jeta, ca më tepër se në atë rrëzë malore të Kudhësit dhe këtu e lidhën jetën e tyre. Rastësia e solli që unë të afrohesha me ta, pas mënxyrave të mëdha të asaj kohe, kur gjoja ishim “më të lumturit në botë” e kur realisht këtu ‘hante njeriu njeriun’. varfëroheshim nga dita në ditë, mbeteshim pa një dhi e pa një pulë në shtëpi dhe burgoseshim për ‘një fjalë goje’. Unë sa kisha dalur nga burgu dhe trokita në këtë shtëpi, për të marrë për grua kushërirën e parë të tij dhe ajo më thoshte gjithmonë se, përveç prindërve të saj e të tre vëllezërve në Piqeras, ku edhe jetonim, kishte edhe tre vëllezër në Borsh: Leandron, Bebin, Cenin, Ladin e një motër më të vogël, Donikën… Po vija re se, këtë që quhej Bebi, sikur e kishte në një si ‘xhep të veçantë’ dhe e donte ca më tepër se të tjerët… Sepse, kur erdhi në Borsh familja e Dajo Vangjelit në vitin 1959, ai, Sokrati, sa kishte lindur dhe ishte i lidhur nëpër shpërgënjtë e lindjes dhe sepse, kur nisi të rritej e të bëhej edhe ai njeri, një puntor i dalluar i fermës “Qazim Pali”, kishte zgjedhur profesionin e çuditshëm të kovaçit, bile me buzën në gaz!… I pëlqente të merrej me zjarrin dhe e ndjente vehten më mirë me hekurat se sa me të tjerët që merrnin e jepnin me veten me “robt’ e Zotit” dhe me Ndërmarrjen e Shtetit që kishte lidhje me pushtetin e Qeverinë. Dhe akoma, e kishte një të mirë të madhe në shpirt: vyrtytin e zemërbardhësisë dhe jo pak herë nuk u merrte para fukarenjëve të fermës që vinin e trohisnin një thikë, një sqepar, një kazmë, një levë a hekur parmrnde, për të lëruar tokën, porse i “delte e i mjaftonte” edhe një gotë raki, verë a birrë, të pinte me ta, kur të kishin nge e te merreshin me të. Kishte prekur kështu “çelësin e zemrave” të borshjotëve dhe të gjithë e donin me shpirt e thonin “S’ka njeri si Bebi i Çane”!… Dhe “duhej të vdiste” po ky njeri i mirë që nuk duhej të vdiste! Se edhe Perëndia nuk e di kë merr ngadojëherë!

Po. Nuk duhej të ikte nga jeta më i miri njeri, më i drejti, më i varfëri, më zëmërbardhi dhe më hallemadhi!… Qe një kohë, kur ai u largua nga fshati, më i fundit pas vëllezërve, kur u hapën portat e kufiri. Ngaqë sapo ishte martuar e i lindën menjëherë dy fëmijë, po edhe nga që vëllait të vogël, Cenit i hodhën hekurat, sepse e zunë në mes të detit, duke lundruar për në Korfuz, natën, me një sajesë dërrasash, mbi goma makinash, për një jetë më të mire. Qe një tronditje e madhe për të e për të gjithë familjen, aq më tepër se të vëllan e kishin lidhur pas një “Zetori” dhe po e zvarrisnin, si një kafshë, që ta shihte gjithkushi e të merrnin frikë, që nga Borshi e deri në Sarandë, si në shekujt primitivë, për ç’ka bëri, me ëndërrimet e tij “borgjezo-kapitaliste”! Zemra e këtij njeriu të mirë u lëndua, u vra! Nisi ta mbyste hidhërimin me një gotë raki, me dy, me tre e me pesë gota raki, aq sa alkooli t’i humbiste mëndjen… Dhe erdhi një ditë, kur i la hekurat, e mbylli kovaçanën e Borshit dhe ia ‘mbathi’ drejtë Greqisë”!… Dhe Bebin e Çane nisën ta shohin nëpër rrugët e Patisios të Athinës, të Kato Patisios, të Shën Lefterios, të Shën Nikollës e deri në Pire, nëpër Pazaret Greke. Fillimisht me një afendiko grek që e mësonte si të thërriste me të madhe për të afruar klientët e më pas, edhe kur u bë vetë “sfendiko”, të bërtiste deri në qiell që t’i shitej malli i tezgave që merrte me qera… Që herë e shiste e here s’e shiste e qe i detyruar ta kthente, po ama, pa e hequr racionin e përditshëm të kënaqësisë, po edhe të brengës vetjake: me një shishe birrë, dy, tre a më shumë, derisa Bebi i Çane, mbeti i shëndetshëm, i rrumbullakosur si gjithmonë, i këndshëm, me buzëqeshjen e tij të kursyer, po plot mirësi. Dhe me atë humor të përhershëm. Hovardar si ai! Figuara e tij u bë ‘mitike’, shumë e dashur për të gjithë ne e për këdo që shkelte në Borsh… Aq sa, nga herë e më tepër më ngjante me aktorin amerikan Kevin Spacey, i cili dukej si të ishte sozia e tij. Koinçidenca bëhej edhe më e çuditshme, ngaqë edhe i vëllai Leandro, guzhinieri i dikurshëm i “Ujëvarës së Borshit”, tani ishte pronar i një restoranti në Florida, kur ndofta edhe ky artist që ngjante aq shumë me të vëllanë, e kishte ngrënë nje vaktë dreke a darke, para se edhe ai të largohej nga kjo “botë e rreme”, siç thoshte nëna ime!

U prefsh i qetë, vëlla Sokrat, i mbiqujturi BEBI I ÇANE, atje ku është trupi yt i bëshëm, ndofta i patretur akoma, buzë një përroi që vjen nga malet e takon detin! U prehtë në paqe edhe nëna jote, i dashuri im, që erdhi e të gjeti aty, fill pas teje, e kllapuar nga hidhërimi i humbjes tënde!

(E shkruar sot në Piqeras, në vetminë time, duke kujtuar i brengosur ikjen e tij, më 14 tetor 2017).

Please follow and like us: