Albspirit

Media/News/Publishing

Helena Kadare nderohet me Mirënjohje të Lartë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në kuadër të Tetorit të Librit

Bashkim Kuçuku
Kritika, studimet dhe institucionet kulturore nuk janë treguar aq të vëmendshëm e vlerësues për veprën letrare të Helena Kadaresë, që mishëron një stil më vete në tërësinë e stileve të prozës shqipe bashkëkohore. Në këtë mangësi të kritikës përfshij dhe mungesën e ndihmesës sime.
Krijimtarinë e saj, tregime, novela, romane, i kam lexuar me kënaqësinë e një ndjeshmërie të brendshme, të përftuar nëpërmjet një rrëfimi të rrjedhshëm, si në një bisedë intime, për ndodhi e përjetime të femrës/vajzë dhe grua, për të qenë e lirë prej vetes dhe prej mjedisit. Heroinat e saj, që mund të merren edhe si një figurë e vetme, me profile psikologjike e morale të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme, lirinë që kanë në qenien e vet, shkallë-shkallë e fitojnë edhe në mjedisin ku jetojnë, dhe, po ashtu, ndikojnë në lirinë e tij, në kontekstin e vështirë shqiptar me një kornizë kufizuese ideologjike tepër të rreptë, gjithashtu, dhe me tabu e norma të ngurta tradicionale e deri patriarkale, të lashta. Liria e femrës, vajzës dhe gruas, që përcjellin novelat e romanet e saj, është liria e njëmendët e shoqërisë njerëzore, që në shekuj ka qenë e padrejtë me të, duke ruajtur epërsinë e mashkullit. Për këtë liri në evolucion, te individi dhe bashkësia, proza e saj është thellësisht humane, me ndjeshmërinë karakteristike të një shpirti human dhe poetik.
Vlerë më vete është libri ‘Kohë e pamjaftueshme’, kujtime, sikurse i cilëson autorja, por kujtime janë një pjesë e tij. Pjesët e tjera, edhe më të rëndësishme janë biografi dhe portret i shumanshëm, psikologjik, moral, letrar estetik, familjar e shoqëror i shkrimtarit Ismail Kadare. Për të dhënat, dokumentet, faktet e shumtë, të shkruar e të pashkruar, të ditur e të paditur prej të tjerëve, ‘Kohë e pamjaftueshme’ hapi gjerësisht rrugën për biografitë e ndryshme që do të shkruhen për shkrimtarin e njohur botërisht, biografi që nuk do të mund të shkruhen pa u nisur e pa marrë prej saj. Për këto dhe ndihmesa të tjera, themi, se, kritika, studimet dhe institucionet përkatëse, e kanë vlerësuar me dorë të kursyer veprën e saj.

 

Please follow and like us: