Albina Deda: Kauzë më të madhe se mbijetesa nuk ka!
Sot është Dita Ndërkombëtare kundër varfërisë dhe formave moderne të skllavërimit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 17 Tëtori i çdo viti shënon Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.
Kjo ditë shërben për të ndërgjegjësuar njerëzit për nevojën e zhdukjes së varfërisë në mbarë botën.
Organizata të ndryshme jo qeveritare dhe komunitetet e bamirësisë mbështesin këtë ditë duke u bërë thirrje drejtuesve dhe qeveritarëve që në axhendën e tyre luftën kundër varfërisë ta kenë prioritet.
Kjo ditë i gjen shqiptarët edhe më të varfër, pavarësisht premtimeve dhe propagandës së maxhorancës së sotme.
Varfëria rritet me shpejtësi çdo ditë që kalon, (deklaruar dhe nga Banka Botërore).
Edhe Banka e Shqipërisë thotë se 19.2% e familjeve shqiptare ushqehen me lista. 1 në 3 familje janë në pamundësi për të siguruar ushqim dhe veshje.
Kategoria e aftësisë së kufizuar dhe ndihmës ekonomike është larguar nga skema.
Asnjë rritje të masës së pagesës.
Sorollatje e invalidëve nëpër zyra e spitale duke iu shtuar burokracitë dhe gjoja kriteret.
Kjo maxhorancë e rrethuar me skandale e papërgjegjshmëri, nuk e ka për gjë të lërë në mëshirë të fatit këta njerëz që me ligj iu garantohet kjo ndihmë e përkujdesje, duke i varfëruar dhe jo siç thoshte para se të vinte në pushtet se do iu rriste masën e pagesës.
Duke ardhur në pushtet me vota të blera nuk kishte si të ndodhte ndryshe…
Pritej që ata të mendojnë vetëm për oborrin, për të rritur hendekun mes të varfërve e bijve të etërve, se ashtu i edukuan etërit që të skllavërojnë popullin që ai të nënshtrohet më lehtë.
Rritja e fondeve nga qeveria Berisha në vitet e fundit të qeverisjes së saj për shtresat në nevojë, dyfishimi i përfituesve, nga këta kalemxhinj shihet si abuzive dhe jo si masë përkujdesje.
Pra siç kuptohet vetëm ka show në televizion me shpifje për opozitën, asnjë masë për të ulur varfërinë në vend.
Në Mirditë ka pllakosur varfëria me mbi 60 për qind të popullatës e qindra familje janë tashmë në mjerim.
Zonat e thella janë të braktisura në këtë prag dimri dhe askush nuk shkon as për t’i parë jo më për t’i ndihmuar.
Kjo qeveri dhe pushteti lokal në Mirditë si dhe në mbarë vendin ka prioritet hajdutërinë, mashtrimin, presionin, hashashin e jo qytetarin, jo rrugët, jo përmirësimin e shërbimeve, jo ofrimin e shërbimeve, jo ndihmën ndaj të pamundurve, të sëmurëve, invalidëve, moshës së tretë, jetimëve, të verbërve!
Edi Rama po rishkruan dhe materializon poemën e mjerimit!
Apeli im në këtë ditë është ta largojmë sa më parë këtë qeveri të rritjes së varfërisë, mjerimit, këtë qeveri të papërgjegjshme, këtë qeveri të oligarkëve, të pafeve e të pashpirtëve !
Kauzë më të madhe se mbijetesa nuk ka!