Një kompani gjermane gati të paraqesë teste të shpejta për antigjenet e COVID-19
Kompania R-Biopharm AG që ofron shërbime diagnostikimi klinik tha të enjten (8 tetor) se po planifikon të paraqesë testet e shpejta për të diktuar antigjenin për koronavirusin që në fillim të këtij muaji. R-Biopharm AG bëhet kështu kompania e parë gjermane bioteknologjike e përmasave të mesme që zhvillon një provë të tillë.
Synimi i provës është që të bëhet një test që njerëzit duhet ta bëjnë vetë. Është e lehtë për t’u përdorur dhe kushton rreth 5-10 euro. Testi ofron një rezultat të besueshëm brenda 20 minutash dhe mund të përdoret direkt në të ashtuquajturat ‘Pika Kujdesi’, siç shpjegoi zyrtari kryesor për shkencën në kompani, Peter Schubert.
“Shumë njerëz do të donin të bënin një test, para se të vizitonin të afërmit e tyre në një spital ose në një azil për të moshuar. Ose kur të kthehen nga një udhëtim pune”, thotë ai.
Është i lehtë për t’u përdorur dhe sipas kompanisë një nga më të besuarit në treg. Një studim që po bëhet aktualisht, nuk e ka verifikuar ende se sa praktik është testi.
“Unë mendoj se është ideale ta përdorësh këtë test përveç atij laboratorik sepse ke një reduktim të ndjeshëm të kohës së pritjes. Dhe kjo është vetëm për të provuar nëse dikush mund ta transmetojë virusin, jo nëse është pozitiv”, thotë dr. Schubert.
Një tampon gryke ose hunde, futet në një lëndë të veçantë të lëngshme, dhe pas një periudhe inkubimi, tregon një rezultat pozitiv ose negativ të ngjashëm me testet e shtatzënisë.
Dr. Schubert thotë se testi i shpejtë i antigjenit i kompanisë R-Biopharm nuk është ai përfundimtari që duan njerëzit të kenë në shtëpi, por është një hap më pranë tij. Sidoqoftë, ai paralajmëron se sfida kryesore përpara do të ishte të shtohet prodhimi në përmasat e nevojshme.
“Nuk është aspak e rëndësishme nëse furnzimi vjen nga Kina apo Gjermania. Askush nuk është i përgatitur për ato sasi. Dhe ndonjëherë e vetmja gjë që pengon është një vidë plastike shumë e vogël për testin. Ndodh që mungesa e një pjesëze fare të vogël në një makineri, të pengojë prodhimin”, thotë Dr. Schubert./voa