Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: Vjeshtë në Gjirokastër


 

 

Rigon.
Shi i butë
në Gjirokastër.
Të marrë
unë dhe sokaku.
Pa çadër.

Qorrohen gurët.
Vështrimhumben në qiellin e thinjur.
Të heshtur, si pleq të moçëm,
mbështillen nga flokët e shprishur të reve.
Dhe lumturohen,
u ndrin fytyra aq sa nuk merret vesh
në u pëlqen të besojnë, apo besojnë vërtet,
se dashurive të ikura po u përkëdhelin flokët.

Rrëqethem.
Zgjat duart dhe unë
ca fije nga floku i shiut
t’i vë në kokën time,
duke luajtur këtë pasdite vjeshte
të vetmin akt marrëzie.

Please follow and like us: