Miho Gjini: Rikthim në Elbasan, në “kërthizën e Shqipërisë” së Sami Frashërit…
Një rikthim në Elbasan, në “Kërthizën e Shqipërisë” që kryerilindasi i shquar Sami Frashëri, ëndërronte të ishte kryeqyteti i vendit, qoftë edhe për të parë disa spektakle e performanca arti e kulture, i vetmi i këtij lloji, i organizuar nga Adonis Filipi, me një shtrirje ndërkombëtare, do të ishte për mua një kënaqësi e dyfishtë.
Së pari, sepse këtu do të niste jeta ime artistike, 57 vite më parë, si regjisor, aktor e Drejtor (i pari) i këtij Teatri Profesionist që sapo ishte krijuar atëhere, duke marrë kështu edhe ky, emrrin e qytetit të lashtë “Skampa”, përbri kështjellës me të njëjtin titull. Gjithçka m’u bë e njohur dhe e afërt, edhe pse ishte “tretur koha”, kishin rarë shume shira e ishin “rrëzuar motet” njera pastjetrës!…
Nostalgji! Kërkoj me sy shtëpinë ku kam banuar ato tre vjet të shkuara, po brenda kështjellës, në një nga rrugicat e tij… Disa djem vendosin karriget në distancë nga njera tjetra, sipas porosive të imponuara nga Covid-19, ta, për të parë shfaqjen e Luiza Xhuvanit. Regjisori Francez Eric Vigner e donte zhvillimin e spektaklit në një skenë natyrore ku të jeshilonte bari dhe kostumet e personazheve të ishin të një kohe të ndërmjeme xhentëlmenësh, kështu që ishte gjendur zgjidhja më ideale e atmosferës. Tetri “Skampa” ndodhet përball portës së madhe të kështjellës, tashmë i mbyllur dhe më duhet të sjell në përfytyrimin tim të dy shfaqjet që vura në skenë dikur, të cilat më dhanë diplomën e regjisorit. Po ja që kohërat kalojnë, shteti i dikurshëm do të rrëzohej, teatri me ato llozha të bukura do të digjej, po edhe une do të “digjesha”, mandej do të “rilindja” përsëri, do të mërgohesha larg e përsëri do të vija këtu! Ka gjithmonë një kthim dhe një “pikë mesi”! E pikërisht këtu në Elbasan, siç e mendoi edhe Samiu kur vajti në Belsh, i shoqëruar me disa inxhinierë gjermanë të asaj kohe e gjeti aty “mesin” e Shqipërisë, përreth 80 liqeneve “syshkruar”!
Eh… Teatri u dogj e u bë përsëri i ri, ndërsa unë, sikundër e shoh veten, jam plakur e jam bërë ëndërrimtar i madh, duke kërkuar me mendje e me “shpirtin e rrënuar”, shokët e mi të vjetër, aktorët që i pata në shkollë dhe që i sollën po këtu, fill pas meje: Robert Ndrenikën me Shpëtim Shmilin, Tomor Himçin, Qemal Mehmetin dhe me Xhelal Bilalin. O Zot! Prej tyre kanë mbetur Roberti e unë, të dy gaztorët e Shekspirit tek komedia “Shumë zhurmë për asgjë” që e vuri në skenë, si shfaqje diplome, pedagogu ynë Kujtim Spahivogli, të cilën e pa nga salla edhe ish ministri i asaj kohe i Arsim-Kulturës Thoma Deljana e na solli këtu menjëherë, në qytetin e vet. Ku do të realizoja edhe dramën finlandeze “Justina” të Hella Vuolijokit, me protogoniste një aktore që e mora drejt nga rruga (Xheko Koçin), po edhe dramën e Xhon Gollsuorthit “Kutia prej Argjendi”, duke aktivizuar ndër rolet kryesore shokët e mi të shkollës: Robert Ndrenikën, Shpëtim Shmilin, Qemal Mehmetin, Tomor Himçin, Xhelal Bilalin, të cilët do të interpretonin me një grupim aktorësh amatorë, me “stofin” e aktorëve profesionistë, sikundër qenë Demir Hyskja, Thanas Borodani, Haxhi Sejlko e tjerë… Doemos që do të interpretoja edhe vetë si aktor, në rolin e të Dërguarit të Vezirit, në shfaqjen e dramës “Shtatë Shaljanët” të Ndrekë Lucës, që e vuri në skenë regjisori Lec Shllaku, përball malësorit të Demir Hyskës, i cili kishte një shtat të ngjeshur e zë të fuqishm. Nisa ta ndjejë se kisha të bëja me një aktor të vërtetë dhe sipëror, në këtë dialog me të “Dërguarin e Vezirit”! Demiri ishte një nga ato talente të aktrimit, sikundër ishin edhe aktorët e parë që themeluan Teatrin Kombëtar e disa të tjerë ne Korçë, Shkodër, Durrës e gjetkë.
Vite më vonë ai do të ecte shumë më përpara, derisa të shpallej “Artist i Popullit”, madje të zgjidhej edhe si deputet! Ndërkohë, jo të gjitha ëndërrimet realizoheshin në ato vite të vështira, edhe për ne të shkolluarit e institutit të parë teatror, kur “na pështillte entuziazmi” i krijimit dhe jetonim me rolet e shfaqjet që do të vinim në skenë. Dhe më kujtohet se i “kisha vënë syrin e radhës” komedisë së Viktor Eftimiut “Njeriu që pa vdekjen me sy”, që e pata lexuar vite më përpara në një përkthim e botim të Gjergji Bubanit. Menjëherë i shkrova një letër akademikut rumun me origjinë Shqiptare, Viktor Eftimiut, i cili ndodhej në Bukuresht prej dekadash, duke i kërkuar lejen e vënies në skene, sipas të gjitha rregullave dhe as që e mendoja se prej tij do të vinte menjëherë edhe përgjigjia e favorshme në gjuhën rumune.
Letrën e tij e nisa në Tiranë, të ma përkthente i biri i Gjergjit, përkthyesit të nderuar, Dionis Bubani, komediograf edhe ai, të cilin e pata mik të mirë dhe që më dërgoi menjëherë përkthimin e letrës, po jo letrën, ku shprehej miratimi i tij, si edhe dëshira e tij e flaktë për të ardhur edhe ta shihte. Mirëpo, atëhere repertorin e miratonte Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, si edhe një inspektor i Komitetit të Partisë, të cilët bëheshin “ortakët”, “berberët” e “kasapët” tanë. Sikur kjo të ishte e paktë, vinin pa rreshtur orientimet nga lart, njera prej të cilave kishte të bënte me orientimin që, në Këshillat Artistike të Teatrove e të Estradave tona të përfshiheshin edhe përfaqësues nga Klasa Punëtore, për të vënë në jetë idenë e “vijës së masave” që shpiku diktatori i atëhershëm dhe na u rekomandua që të afronim nga Cërriku inxhinierin Hekuran Isai, si edhe shoferin e Kombinatit të Drunit, Pali Miskën, të cilët bënë paskëtaj një karrierë politike të hatashme, deri në majën e piramidës. Qe pikërisht kjo kohë “e prapë” që mua do të më “fluturonte nga duart” kjo komedi e suksesshme, kur sapo më kishin ardhur edhe dy interpretuesit për rolet kryesore (Filimoni i Robert Ndrenikës dhe Vagabondi i Shpëtim Shmilit), ndërkohë që e pata aty Haxhi Sejkon që do të lozte Farmacistin. Gjithçka që do të ndodhte ishte si në një komedi, kur në mbledhjen e Këshillit Artistik erdhi personalisht Kryetari i Kom. Ekz, A.M,-një injorant i tmerrshëm, po partiak i flaktë, i cili tha se: “këtë theatro të radhës duhet ta vërë ndë skenë L.Sh. që ka përvojë të madhe e jo Drejtori M.Gj. që sapo ka dalë nga bangat e shkollës dhe mund të prishë kështu fytyrat e aktorëve”.
Shtanga! Mbeta pa zë fare. Kaq tha ai “u tha dhe u bë”! Që nga çastet më të hidhura të jetës sime ajo ditë dhe kështu do të mbetej, për të përjetuar më mbrapa edhe ngjarje më të rënda, kur zhbëhej e gjithë jeta. Po kisha pranë edhe dy miq të mirë, poetët Behxhet Çerma e Musa Vyshka që më donin e më përkrahnin. Te dy e donin edhe Teatrin, po ishin krejt të pafuqishm në këtë terren “të minuar”. Mbaj mend edhe dy-tri vargje nga një poezi tejet e goditur që ma lexonte Musai:” Nga i dihet fundi kësaj jete,/kush’di ku përgjon fundi si kusar”! Por, s’kaluan shume kohë që të më thërrisnin “për më lart”, në dikasterin përkatës, ku pas 12 vitesh pune aty më prisnin “Dyert e Burgut”! E vetëm atëhere do të rikujtoja këto dy vargje profetike të mikut tim për “fundin që përgjon si kusar”!
E kështu, megjithatë, më “gërryen malli ” dhe nis e kërkoj aktorët e vjetër të teatrit, ku janë e ku s’janë… Po ata s’janë! Asnjë për be… Hidhërohem që as nga artistët e vjetër të Estradës nuk ka mbetur asnjë, përveç dirigjentit muzikor të Estradës Profesioniste Rustem Serica, që kishte mbetur në shtëpi me pleqërinë e tij. Kërkova të pi një kafe me të birin, Sopotin, muzikant i talentuar edhe ai, i cili ka zënë vendin e atit të tij denjësisht. Po nuk ndjehet më as vibrimi i telave të kitarës nga virtuozi Alfred Balliçi. E mori Perëndia edhe atë, pak më mbrapa nga instrumentsti i telntuar Gëzim Veliu, i cili vrau veten pas një krize shpirtërore! Ndërkohë më bëhet shumë i afërt e miqësor, i biri i aktorit Hysen Biza, një nga artistët më të mirë të Estradës, po edhe Regjisori i Teatrit të Kukllave Eduart Cala, njeri i përkushtuar edhe për Arshivën e Teatrit (para djegies!). Me ta flasë. I pyes për partnerët e lezetshëm të Hysenit: Ferid Gjevorin, Mahmut Kurtin, Agron Gracenin, Llambi Burgjin, Bukurije Xhoxhin dhe Evelina Hakën. Nuk janë më. Trishtohem që kanë ndërruar jetë edhe tre nga aktorët më të mirë të Teatrit Dramatik Profesionist që ishin si “Tri kollonat” e Teatrit”: Demir Hyskja, Haxhi Sejko e Thanas Borodani. Skënderi, Thomai, Antoneta, Hysniu, Efraimi e ndonjë tjetër gjithashtu që nuk më afrohen në mendje. Po edhe një “Yll” i kësaj skene nuk eshtë më, Shpëtim Shmili, -i “shuar” edhe ai, një nga artistët më të shkëlqyer të skenave tona! Kurse aktoria më e re e asaj kohe, Shane Llangu (Shllaku) se ku m’i kishte gjetur “gjurmët” disa vite më parë dhe, si ishte kthyer nga një shtet i Europës më ftoi të pinim një kafe, po në Kafe “Europa” të Tiranës…”Eh,-psherëtiva unë,-Ti Miho s’ke pse rrëmih vetveten më tej e rikujton ata që ikën, kur nuk i sjell dot këtu, po je ti që do të shkosh, së shpejti atje ku janë ata, më të shumtët”!
Dhe mbetem çdo ditë me Fetahun, të birin e Hysen Bizës, të vetmin njeri që më përfill këtu me gjithë shpirt, i cili ka një predispozitë të çuditshme, të kujtojë, të “afrojë” e të digjitalizojë ata artistë të qytetit të tij që kanë ikur në “botën e përtejme”, tok me atin e tij”! Herë- herë, i bëj bisht takimeve me të, kur bie zilja e telafonit në Hotelin e Periferisë “Kriva”, ku na ka sistemuar Adonisi, sepse “më krren mallin” e personazhit Çiçikov të Nikollaj Gogolit, për “oreksin e tij të çmendur” që të mblidhte firmat e të vdekurve! Po për këtë çështje arkivore, jo pa rëndësi, një elbasanas tjetër që jeton ne Toronto të Kanadasë e ka mbledhur “pesë para”, i ka dërguar një aparat digjitalizues e, me ketë punë merret edhe ai. I ka mbledhur të gjitha “shenjat” e të vdekurve që e kanë një emër e diçka kanë bërë për teatrin, estradën ndër vite, për gjithë zhvillimet kulturore e historike të Elbasanit e që kanë nxjerrë në dritë këta njerëz të mirë e të ditur, në atë dhomën e katit të dytë të Hotel Turizmit të Elbasanit, të cilën e paguan përsëri ai “Çiçikovi” i Kanadasë! Kështu, m’u “bë rrodhe edhe mua”, më tërhoqi deri aty e ma shkëputi një intervistë për Elbasanin, për Teatrin e Estradën, se “çfarë dija e çfarë nuk dija”. Josifi që nuk ndahet me mua, apo unë me Josifin, e kishte për bezdi që të humbiste kohën e tij të çmuar… Dhe kishte hak, nga që tërë jeten e vet me kësi punësh është marrë, duke lexuar e digjitalizuar me qindra autorë, artistë, njerëz të Kulturës, të Historisë, të Letërsisë e të Shkencës, derisa i kanë “plasur sytë” e tij, me 30 librat që ka shkruar e me ato dy Enciklopedi të Mëdha,njerën për teatrin, botuar vite më parë dhe tjetrën për artin, letërsine e shkencën që sapo e ka dorëzuar e tani i jep dorën e fundit!…
Megjithatë, ata që e bëjnë sot teatrin janë përsëri rreth meje e Josifit: është Luiza Xhuvani, sarandiotja jonë, aktore në Teatrin Kombëtar që na ngazëlleu me performancën e saj që sapo e dha me Vasjan Lamin, i cili më kujton me nostalgji se, kur donte të konkuronte për aktrim e kisha dëgjuar e përfillur, i kisha zgjedhur disa materiale që i përshtateshin dhe se i paskisha thëne se: “Ti do të bëhesh aktor”!… Takohem përsëri me Alfred Trebickën që e patëm dikur student e që në Festivalin e Dibrës “rrëmbeu” Çmimin e aktorit më të mire dhe që, këtu në Elbasan interpretoi Rolin e Ciceronit në tragjedinë “Jul Cezari ” të Shekspirit… Takohemi me Ema Andrean, aktoren tonë të mëvetshme që vazhdon të eksperimntojë me pasionin e saj “të çmendur”…, po kaq, pasionantin Alert Çeloaliajn që në Dibër nuk e njoha dot me rolin e nje të verbëri dhe në Festivalin e Elbasanit interpretonte rolin e Mark Antonit tek tragjedia e Shekspirit…E një befasi do ta kisha me një artist që nuk e njoha fare, me ish studentin tim, Ilir Gjinin e që tani merrej aktivisht me ringritjen e Cirkut Kombëtar e që menjëhere me të, do të rikujtonim Arjan Milukën, një nga krijuesit e parë të Cirkut tonë e mikun tim të afërt që tani ndodhet në Belgjikë e do t’i telefononim aty për aty Arjanit, atje ku ishte e ku ka ngritur edhe Shkollën e Cirkut, mu në qendër të Brukselit! Ritakohem përsëri këtu me nje tjetër pasionant qe shkruan drama , nga Prishtina, Naser Shatrollin , i cili promovoi këtu , brënda mjediseve të Kështjellës librin e tij me 6 drama dhe që sapo eshte emëruar edhe Drejtor i këtij Teatri Kombëtar. Shatrollit i pamë po këtu edhe njerën prej këtyre dramave, me karakter simbolik, të cilen e kishte realizuar po vetë, duke i “matur forcat” edhe në regji.
Ditën e fundit në Elbasan do të më befasonte edhe takimi me njërin prej aktorëve të rinj të kohës sime, Dhimosten Papën, që vite me vonë do të bëhej edhe Drejtor i Teatrit “Skampa”, i cili u martua gjatë po kësaj kohe me ish studenten time Veronika Todhri, të rikthyer nga Amerika , ku edhe banojnë. Çmallem me Tenin, ndërkohë që Veronika ishte e pamundur të delte nga shtëpia. Përmes tij i kërkova ndjesë studentes sime të dikurshme që nuk arrita dot ta inkuadroja portretin e saj krijues në librin tim “10+1”, meqënse nuk kisha mundur që të shihnja asnjë prej 60 roleve të saj në skenën e këtij Teatri shumë të dashur për mua, nga ku nisi edhe jeta ime artisike 57 vite më parë..Duke mbetur këtu edhe një ditë, në mjediset e Resursit “Kriva”, me Adonisin që e bëri festivalin dhe e mbylli me sukses, me Josifin tim të dashur që e ka “mendjen ngritur” nga dhjetra gjëra, me kordinatoren Klejda, që vazhdon të shkruajë edhe vjersha si dikur, si edhe me dy aktorët e rinj të Adonisit, Xhuljanon e shokun e tij,pa përjashtuar dhe pronarin e këtij Resursi Turistik të këndshëm që e sheh nga mëngjezi ne mbrëmje vonë duke punuar. Vetëm se ethet më të mëdha do t’i kishte Drejtori Artistik i ketij Festivali që i bëri bashkë edhe një herë Turqit e Shqiptarët, po në Kalanë e hershme të qytetit, përbri monumentit të Aqif Pashë Elbasanit, po me një ngazëllim artistik e vëllazëror…
Eh, këto kujtimet tona që s’kanë të mbaruar, me të cilat sikur u “mora kohën” edhe juve, miq të dashur!