Azgan Haklaj: Lejimi i vetëflijimit të grave ballshiote është krim kundër njerëzimit
Letër e hapur për Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Shkëlqesinë e saj, Yuri Kim!
E nderuar znj Ambasadore!
Prej një jave dhjetëra gra, nëna dhe motra të naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit janë ngujuar në grevë urie të vendosura për të sakrifikuar jetën e tyre për të drejtën themelore të njeriut atë të pagesës e të shperblimit për punën e papaguar prej një viti.
Ky veprim është një akt i paprecedent në historinë e Europës së sotme, i cili tregon se deri në çfarë shkalle ka degraduar Qeveria Shqiptare dhe Kryeministri i saj, i cili është i gatshëm të sakrifikojë jetë të pafajshme vetëm për të përjetësuar sundimin e tij dhe të oligarkëve të krimit.
Si ambasadore e një vendi e kombi të madh simbol i lirisë e demokracisë botërore, i cili është edhe aleati strategjik e mik i shqiptarëve, ju duhet të ushtroni të gjithë autoritetin tuaj që ju jep posti i lartë që keni për të detyruar Kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama t’u plotësojë të gjitha kërkesat e drejta e legjitime grave fisnike, të cilat po vetëflijohen në emër të lirisë, drejtësisë dhe të ardhmes së familjeve të tyre, të cilat jetojnë në kushtet e mjerimit e të varfërisë ekstreme, në një kohë që Ballshi e nëntoka e tij janë bastioni naftëmbajtës më i madh i Europës.
Znj Ambasadore!
Vetëm një qeveri tiranike e regjim i talebanëve janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e grave e të vajzave në një kohë që e Drejta Zakonore Shqiptare e traditat tona mijëravjeçare e konsiderojnë femrën të shenjtë e të padhunueshme.
Znj Ambasadore!
Ju jeni shprehur se mezi prisni të vizitoni Shqipërinë!
Shkoni në Ballsh, e atje do të gjeni gjurmët e një qytetërimi të lashtë e të magjishëm, qytetin antik të Bylisit e amfiteatrin e tij, ku janë luajtur tragjeditë e Eskilit të pavdekshëm.
Si ambasadore e shtetit më të fuqishëm të botës mos lejoni që të luhet një tragjedi e re, ajo e vetëflijimit të grave të naftëtarëve, sepse ky akt do të mbetet një njollë e pashlyeshme në ndërgjegjen e shqiptarëve, por edhe të kombit tuaj dhe të botës së lirë!
Këtë akt të shëmtuar po e bën sot Kryeministri Shqiptar, për të cilin një pjesë e madhe e opinionit publik thonë që gëzon mbështetjen tuaj dhe të ambasadorëve të rëndësishëm të vendeve të BE- së, nuk ka guxuar ta bëjë as Hitleri e Musolini, Françisko Franko, apo Pinoçeti.
Sulltani i Qeverisë Shqiptare nuk mund ta “lajë” duart me grevistët e urisë që po shkojnë drejt vetëflijimit ashtu si dikur Ponc Pilati me Jezu Krishtin!
E kjo për faktin se Rama e qeveria e tij kriminale janë përgjegjës të drejtëpërdrejtë, janë personazhet primare të dosjes së zezë të Ballshit, e cila është kthyer prej tëtë vitesh në epiqendrën e krimit ekonomik shtetëror më të madh në Europë.
Sot padronët e vertetë të “arit” të zi të rajonit të Ballshit janë trusti i Qeverisë Rama dhe baronët e krimit të cilët dalin papritur në skenë dhe të nesërmen zgjohen milionerë me vulat e firmat e një qeverie të korruptuar në çdo qelizë të saj.
Dosja e krimit ekonomik të Ballshit është ‘thembra e Akilit’ të drejtësisë shqiptare dhe ajo nuk do të zbardhet kurrë për aq kohë sa të jetë në pushtet sulltani i rilindjes, i cili është i vetmi kryeministër që i bën shantazh drejtësisë dhe në anën tjetër merr në mbrojtje ministrat e politikanët e korruptuar.
Vetëm ai guxon të kërcënojë organin e akuzës me spastrime, largime nga puna e pranga në një kohë kur vendi juaj dhe BE-ja kërkon nga organet ligjzbatuese shqiptare të çojnë para drejtësisë peshkaqenët e mëdhenj, ministrat e politikanët e korruptuar.
SPAK e drejtësia janë në duart e kryeministrit të korruptuar.
Ata nuk mund të bëjnë asgjë pa inkurajimin e bashkëpunimin me organet hetuese, investiguese e ligjzbatuese të SHBA- së dhe vendeve aleate të BE- së.
Znj Ambasadore!
Është koha t’i hiqni Ramës mantelin e mbrojtjes dhe t’i kërkoni qeverisë suaj dhe vendeve partnere të BE- së dhe NATO-s një hetim të specializuar e shterrues të dosjes së Ballshit sepse aty është nyja gordiane e krimit ekonomik shtetëror.
Shqiptarët, të cilët e kanë të qartë se drejtësia e tyre është peng i qeverisë dhe i politikës, kanë besim tek drejtësia e SHBA- së dhe BE- së.
Mbështetini shqiptarët në këtë moment të trishtë znj. Ambasadore Yuri Kim.
“Miku i mirë njihet në ditë të vështirë”, thotë një fjalë e urtë popullore.