Ymer Nurka: Proza e tenorit shqiptar Agim Hushi me titullin kozmik ‘Udha e Qumështit’
Shkrimtari jo rrallëherë gjendet përpara dilemës krijuese: “Të shkruash, a të mos shkruash”?! Megjithatë kjo mëdyshje nuk vlen për ata më të talentuarit, për ata që e kanë ‘hambarin’ e përvojës jetësore plot, të cilët krijimtarinë artistike e kanë jo vetëm një ndër dimensionet e personalitetit, por edhe një nga misionet e jetës së tyre. Vullneti qëndron tek ata krijues, të cilët guxojnë të rrëfejnë vizionin e tyre e që besojnë se ka ligje dhe energji të mjaftueshme për transformimin e shoqërisë, duke perfeksionuar e përmirësuar gjithë sistemin e vlerave humane. Nëse një krijues nuk udhëhiqet nga motive të tilla idealiste, në veprat e tij, pa dyshim, do të ketë ‘kërcitje’ nga lënda e materies. Për fat të mirë, apo të keq, qëllimi kundrejt pragmatizmit për individin e sotëm është kthyer në një filozofi jetike. Te kapitali si doktrinë konvergojnë dhe vërtiten tërë aksiomat dhe idetë, aty janë orientuar pothuajse gjithë sensorët e shoqërisë njerëzore.
Teksa lexova me ëndje vëllimin me prozë të shkurtër, me titullin kozmik “Udha e Qumështit”, të poetit Agim Hushi, jo thjesht u mrekullova, por njëkohësisht dhe u freskova në këtë zheg korriku, u freskova me tematikën e larmishme të përzgjedhjes për t’ia sjellë përpara lexuesit. Fati im të kem në dorë këtë libër dhe të jem nga të parët lexues që ‘degustoj’ këtë koktej ngjyrash, ndjenjash, udhëtimesh, të sjella me mjeshtëri nga përvojat e çmuara, në etapa të ndryshme të moshës së autorit. Ngjarjet vijnë të përshkruara, nëpërmjet një verbi të bukur rrëfimtar, të spikatur dhe modern, pa predikime, moralizime dhe mesazhe të drejtpërdrejta. Lojën e bëjnë personazhet, autori rrëfen duke ruajtur me kujdes statusin si asnjanës e më tej duke shpalosur çastet më mbresëlënëse e më të papërsëritshme të jetës së tij. Jam i sigurt se një thesar i tillë shpirtëror do të bënte ziliqar çdo poet, ose shkrimtar, madje çdo eksplorator të pasionuar, pas aventurave për udhëtime të gjata e me plot surpriza.
Natyrisht që një komoditet të tillë nuk e ka gjithkush. E cilësova ‘komoditet’ edhe pse nuk është i tillë, përveçse fryt i një pune titanike, i një durimi gati mitik, për të arritur në majat e artit, pikërisht aty ku gjendet sot poeti, prozatori, piktori, akademiku dhe tenori me famë botërore, Agim Hushi. Nuk e teproj aspak nëse individualitetin e tij e cilësoj si një diamant të çmuar, i cili u zbulua së pari në këtë vend dhe i përket deri në krenari po kësaj toke që quhet Shqipëri.
Autori shkon e vjen natyrshëm nga skaji në skaj, ku pavarësisht amplitudave të jetës, sukseseve të arritura, ai nuk mohon aspak rolin e vendlindjes për formimin e tij bazik si qytetar dhe si artist. Qyteti i vogël, është pikënisja e ëndrrave, e konvertuar në vargje dhe vokalica, për të ardhur deri këtu, në majat triumfuese, gati të pabesueshme, të auditorëve dhe skenave botërore. Pa një jetë aktive, gjithmonë në lëvizje të autorit, në këto tregime do të na mungonte larmia e fakteve, karaktereve dhe motiveve e mbi të gjitha do të na mungonte filozofia njerëzore, që me përzgjedhjen e kujdesshme të tematikës, së bashku me radhitjen e ngjarjeve në kohë, ravijëzon tamam si në një ‘puzzle’, portretin e saj.
Shkrimtari nuk trillon, ai i njeh thellësisht të dyja ekstremet e jetës, që nga fëmija i braktisur e deri tek “Udha e Qumështit” në Malajzi, ku të lë të kuptosh se uria e popujve nuk mund të shuhet me një apo me dy vakte të dhuruara, por do zgjidhje madhore. Pastaj autori, si për të mbushur boshllëkun shpirtëror të lexuesit, shenjtëron edhe më tepër natën e falënderimeve te “Darka e shenjtë”, duke ngjallur shpresën e duke shuar urinë e Sofisë dhe dy fëmijëve të saj në një tryezë të bollshme. Përsëri të fut në mendime se hallet e njerëzimit nuk zgjidhen me magji.
Shkrimtari e ka në dorë situatën dhe me një të rënë të lapsit mund ta ndryshojë rrjedhën e subjektit, por ai nuk e bën këtë sepse nuk i shmanget problematikës. Krijimtaria e çdo autori të njeh me opinionet dhe mendimet që ka ai kundrejt fenomeneve sociale, por në të njëjtën kohë krijimtaria shpalos dhe karakterin e tij. Agim Hushi me zgjidhjen që u jep rrëfimeve shfaq botën e tij të madhe dhe të ndjeshme. Të kreshpëron tregimi “E përdala” që zbulon instinktet e paskrupullta të turmës dhe të rrëqeth te tragjedia “Dy vëllezërit”.
Dhe kapërcimet vazhdojnë me kontrastet e thella, që lindin nga njëri tregim, tek tjetri. “Profesori”, simboli i dijes, ai që sa e sa fëmijëve u ndriçon mendjen, pse jo u ndryshon edhe fatin, pikërisht ky njeri ndihet i braktisur dhe i harruar; merr një pagë gjysmake që e detyron të zgjidhë urinë në kazanin e plehrave. Autori nuk ka për qëllim thjesht të tregojë bëma dhe gjëma, por të sjellë argumente të pakundërshtueshme pse jemi katandisur kështu. Ai sjell dramën e jetës, që në çdo çast merr përmasat e një tragjedie për brezin e ri, ku mendja fluturon ndër ëndrra dhe dëshira, ndërsa këmbët janë në llumin e varfërisë dhe injorancës. Si të mos mjaftonte kjo autori trajton një temë edhe më të guximshme, atë të kalbjes së sistemit shoqëror, pikërisht atje në krye të tij. Marrëdhëniet midis njerëzve nuk janë aq humane, diçka i provokon rëndë ato.
Ajo që më befason është se autori di të bëjë diferencimin e temave, pasi Shqipëria dhe vendet e qytetëruara nuk kanë të njëjtat halle. Nga uria e fëmijëve, nëpër metropole dhe zona rurale, te “Mbretëresha”, që jeton në luks. Jeta mondane e monarkes së plakur, e cila dremit dhe kërkon paqen mbi qefinin e një kohe që po perëndon. Përfundimi në çdo rast vjen natyrshëm. Po autori nuk do të ndalet as këtu. Në një tjetër çast ai e çon lexuesin të udhëtojë bashkë me të, me avion drejt Sidneit e në një tjetër moment zbret në Moskë e niset me tren për “Një takim në stepë” drejt Siberisë. Me shtegtimin për në Polin e Jugut, përshkruan shpirtin njerëzor deri në dhimbje, te “Shtëpia e engjëjve” aty në sediljet e vendosura pranë dritares së avionit takon personazhin më interesant, murgun budist, një krijesë “e fortë”, pjellë e mëkatit, i cili transformohet në një qenie e brishtë e mishërimit të mirësisë. E në Polin e Veriut, heroi lirik, zbulon “vëllanë” e burrëruar me një peng të madh në zemër, “produkt” i një sistemi kriminal, që mbi çdo gjë, e mbi gjithçka vendos dogmën e një filozofie utopike.
Barbaria sintetizohet qartazi deri në ekstremitet, te tregimi “Pata e artë”. Një rrëfim jetësor, që e sjell thjesht me naivitetin e një krijese delikate, siç është fëmija, duke përcjellë natyrshëm gjendjen e degraduar sociale të një shoqërie që vret deri në qelizë ndjenjën latente, besimin e natyrshëm dhe lirinë sublime të fëmijëve, duke e nxjerrë lakuriq atë kohë, plot slogane dhe dogma, e cila në emër “të shumicës” degradoi personalitetin e njeriut, shkatërroi boshtin themelor të vetë arsyes, për hir të së cilës dhe jemi në këtë jetë.
“Pata e artë”, në harkun kohor sa hap e mbyll sytë, kryen fluturimin tragjik, duke përcjellë natyrshëm mesazhin se një shoqëri që nuk respekton dëshirat e fëmijëve, herët a vonë, është e destinuar të shembet. Por vektori i krijimtarisë së shkrimtarit përsëri lëviz me shpejtësi, në një rreze të gjerë në hapësirë dhe në kohë, ai në çdo rast mban për seli shpirtërore vendlindjen, atë qytetin e vogël rrëzë kodrave të ulëta në breg të Adriatikut. Aty bën një retrospektivë romantike, me “cicmicet” e dashurisë në adoleshencë, pasi për Agimin, nuk ka tema të mëdha apo të vogla, për të ka qëllime të shprehura me art, në funksion të mesazhit social. “Shtriga” e bukur, me ndjenjën mbisunduese, që me një egoizëm femëror ndan të sapodashuruarit, të bën të vësh buzën në gaz e ta duash më fort. Është një psikologji e tërë që duhet të merret me këtë fushë.
Ndonjëherë, surpriza të befason me rastësitë e saj e të bën të dyshosh, si mundet të ndodhë kështu?! Te “Maskat e Romës”, “Udhëtim për në stepë”, edhe vetë autori e kupton këtë, por gjithçka kryet në funksion të asaj çka duhet thënë. Apo “Ullishta” që fshehu dhe zbuloi njëherësh surprizën e padëshiruar të djelmoshave. Mësuesja e tyre e bukur, idhulli i ëndrrave të tyre, etaloni me të cilin ata do të matnin bashkëshortet e ardhshme, na dashuruaka dikë?! “Ullishta”, pa dyshim, që përgjithëson aq bukur ndjenjat e asaj moshe, ku zhgënjimi lë vragë në shpirt, e cila zbehet vetëm kur personazhet rriten.
Papritur autori si një shtërg i bindur shtegton përsëri, por këtë radhë në Europë. “Maskat e Romës” një nga tregimet më tronditëse. Simoni, ky personazh me tipare tejet njerëzore, i cili beson verbërisht në virtytet e gruas së tij, shokohet pikërisht në atë moment kur dhe vetë tundohej të kryente aktin e parë të tradhtisë bashkëshortore. Ai kuptoi se tradhtia paskësh qenë e ulur këmbëkryq në vatër me kohë, por shpeshherë i zoti e merr vesh i fundit. Kjo ngjarje mund të sillte goditjen fatale për familjen, po çuditërisht godina e saj nuk u shemb, por qëndroi më këmbë, pasi hyri në lojë gjykimi dhe arsyeja, e ardhmja e fëmijëve, mbi të cilët nuk qëndron asgjë. “Maskat”, simbol i hipokrizisë njerëzore. Ato askush nuk guxon t’i heqë, pasi tashmë ato për qytetërimin janë bërë tabu. Nëse guxojmë t’i prekim, atëherë do t’i ndiejmë deri në palcë tërmetet sociale.
Autori herë pas here kthehet dhe trazon kujtimet, të cilat i rrëfen me një butësi të admirueshme, e pastaj si bën një tango të bukur së bashku me avionin “Çesna”, “degdiset” te “Fillimi i botës”, aty për aty zbret në tokë e vallëzon me aborigjenët, të cilët ruajnë ende në shpirt zakonet e moçme, raportet arkaike, por tejet të besueshme të njeriut me zotat dhe me mëmën natyrë. Ajo çka të trishton pasi ke mbaruar leximin, është braktisja deri në harresë të plotë e këtyre njerëzve, ndërsa ajo çka më mahnit se tepërmi, janë detajet e dhëna për pilotin, për shpirtin e tij të aventurës. Një përshkrim gati personifikues i avionit “Çesna”, që çante qiellin dhe dukej sikur për karburant përdorte merakun dhe dashurinë e pakufishme të Berrit. Vërtet ky është udhëtimi më magjik i kryer ndonjëherë, por nga rrëfimi, në rrëfim mbizotërojnë kontrastet e thella. Tregimi që të bën të sëmbojë/të sëmbon në zemër është “Armiku”. Një subjekt i papërsëritshëm, me një mesazh të madh.
Historia e tmerrshme e luftës së klasave, shpëlarja e trurit, ku njeriu urren njeriun, ku mendja halucinante, pasi zgjohet, kupton rrethin vicioz të barbarisë që ka kryer. Ndërgjegjja nuk ka më paqe dhe kërkon drejtësinë dhe faljen e madhe, të cilat i lyp si një çelës, që duket sikur nuk kanë asnjë vlerë tjetër, veç për të hapur portën e botës së përtejme. Këto rrëfime, me të gjitha elementet e një proze klasike, diku më shfaqen si prozë poetike, madje vijnë si një poezi me varg të bardhë. “Dreri” bart një mesazh universal edhe pse duket një subjekt gati si një përrallë. Zbritja me një trajektore në kohën e luftës shekullore për liri te “Nata e fundit”, stoicizmi epik i personazhit Jaho, të lë mbresa të pashlyera në kujtesë. Proza e shkurtër përgjithësisht kërkon fabul, këtu kam parasysh tregimet e Mopasanit, Çehovit, apo Elin Pelinit, pse jo dhe të Dino Buxatit, por te ky libër nuk ka trill, as “surpriza” të sajuara me stil, me qëllimin e vetëm për të mbajtur në ankth lexuesin.
Tek “Udha e Qumështit” do të gjeni jetë dhe vetëm jetë, të shprehur pa pompozitetin e një letrari të madh. Vëllimin e përshkon fund e krye si një fill i kuq, gjuha e thjeshtë deri në modesti e autorit, që mund të vinte edhe në formën e ditarit, por autori me ndërgjegje ka zgjedhur këtë gjini artistike, pasi këtu galeria e personazheve të tij, me simbolikën e përgjithësimit, merr gjithë vëmendjen e lexuesit. Një nga një tregimet ngjajnë si substancat e një tharmi, nga ku mundet të zinin fill rrëfime më të gjera, në nivele novelash apo romanesh, por autori e njeh mirë psikologjinë sociale të shoqërisë së konsumit, e cila është e prirë drejt esencës dhe i do gjërat t’i rrufisë “flesh”. Me këto impresione, që po marr nga këto tregime, i garantoj sukses të sigurt librit “Udha e Qumështit”, duke shpresuar që së shpejti krijimtaria e poetit Agim Hushi, përpos poezisë dhe tregimit, të kulmojë me romanin e tij të parë! Një fillim i mbarë të çon gjithmonë drejt majave dhe këtë më mirë se çdokush tjetër e di poeti Agim Hushi.