Albspirit

Media/News/Publishing

Besnik Velaj: NAFTËTARËT E TOKËS MËMË TË LABËRISË

 

Njerëzit e arit të zi, naftëtarët nderohen në jetë të jetëve për dashurinë, sakrificat, përkushtimin, djersën e derdhur, nderohen deri në heroizëm për profesionin e tyre. Nuk janë lodhur kurrë dhe rrezatojnë afër, larg një dritë njerëzore, që është një paralajmërim për këdo që has me ta e njihet në qytetin e Vlorës, njihet akoma me gjerë. Ai është një mesazh i mirë, se po afrohen naftëtarët. Njerëzit ndalojne hapat dhe i nderojnë mirësisht, në mënyrë të ngjashme përshëndesin dhe naftëtarët.

Kishte kohë që miqtë e mi inxhinierët, Mezan Veseli, Musa Xhafa dhe tekniku Feim Lamaj më kishin ftuar për të shkruajtur për naftëtarët e nxjerrjes së naftës ne zonën e Amonicës, nga respekti qe kanë për mediat dhe mua, që jam lab i këtyre shkrepave të Labërisë.

Naftëtarët e Amonicës duke patur në gjak ndjenjën e vërtet të punës per 40 vjet të aktivitetit prodhues të vendburimit, ngrihen herët kur mëngjezet s`kanë aguar mirë dhe yjeve në qiell s’u ka ikur akoma drita e marrë hua nga diejt me të mëdhenj. Qytetin bregdetar të parët e zgjuan nga gjumi naftëtarët dhe fshesarët. Te parët na japin naftën dhe të dytët na mbajnë pastër rrugët e shpirtit tonë qytetar. Më tutje dhe fshatrat Qishbardhë, Xhyherinë, Peshkëpi, Mallkeq e deri në Amonicë i zgjojnë të parët nga gjumi naftëtarët dhe kënga e gjelit të parë-një mesazh i lashtë ky, që nga kohët e këngëve pellazgo-ilire te Homerit.

 

Në udhëtim

 

Shoferët e dalluar Vladimir Mata, Lavdosh Kongjoni, Fatmir Alushi, Edi Cenaj, Arben Toro janë një dëshmi hipotetike e traditës në Shqipëri që të shpie tek setenca: – “Pa transport s’ka naftë”!

Shoferët, sidomos më të moshuarit Lavdosh Kongjoni-i biri i xha Fetiut, shofer dhe ky, dy breza në naftë dhe Vladimir Mata, i kanë jetuar të dy kohët në naftë. Ate para viteve 1990 dhe pas viteve 1990. Për shoferët ky është një udhëtim i gjatë nga diktatura në demokraci. Udhëtimi i parë i lodhi deri ne asht, duke rrugëtuar falas natë e ditë për një shpërblim simbolik në çdo terren të vështirë ku kerkohej naftë e gaz…udhëtimi i dytë i rinoi sepse në ekonominë e tregut punojnë për veten e tyre..

Shoferët punëtorë e njerëz të mirë Lavdosh Kongjoni dhe Vladimir Mata punuan për transportin e punëtoreve nga vitet 1990-2006, per transportin e naftëtarëve nga Vlora në Amonicë plot 16 vjet punë të ndershme. Ikën ata për të udhëtuar rrugëve të tjera të Atdheut, erdhën të tjerë me ndjenjën e jetës mbi timon. Stafeta ngelet në duar të sigurta punëtore.

Ndërsa isha ulur ne sedilen e autobuzit dhe po meditoja per shoferët, jetët mbi timon, kishim arritur tek qafa e Gërnecit, ballkon i Komunës Vllahinë. Akoma nata nuk ishte dorëzuar për t’ia lënë vendin ditës. Vështrova tutje dhe pashë të  më parakalonin në të dy anët e rrugës fusha e ish-NB Kotës, fusha e Petës prej qindra-qindra hektarësh, tokat si bukuvale te Gërnecit, Mallkeqit që sot nuk punohen më, se njerëzit kanë ikur për në “Kasaba” dhe më tutje në një tunel të errët, në rrugën pa kthim të emigracionit.

Ku janë detet e dallgëzuar të grunjrave… ku janë zhurmat si këngë te arave me misër që dëgjoheshin natën kur i vadiste uji si qelibar i dy rezervuarëve te Petës… ku janë barinjtë me meloditë e fyejve-orkestrat e zileve të  kopeve të leshta e të dhirta… ku janë lojrat e bukura kolektive te shqerkave e kecave… të gjitha ngjajnë me detin e trazuar që nuk mund të qetësohet, ujrat e të cilit nxjerrin leshterikë dhe llucë te zezë?!

Në  shoqëri ata janë të gëzuar dhe kane zemër të madhe. Naftëtarët e Amonicës nuk lejojnë që shpërdorimet në demokraci t’i joshin e t’i largojnë nga drita hyjnore e punës. Ata punojnë për të nderuar punën, burimi i ta ardhurave për të jetuar dhe për mos ju ikur dashuria e traditës ndaj profesionit të naftëtarit. Besimi i tyre nuk është rënuar nga ndryshimi i sistemeve, siç janë përtacia, paraja, politikat anti punë të 50 e ca partiçkave, imoraliteti antipunë. Jeta e tyre si nje anije lundron në detrat që duan ata, timonin e jetës e mbajnë drejt FARIT plot dritë e jo në shkëmbenjtë thikë, ku anija e jetës shkallmohet.

Vlerat materiale që i japin shtetit sidomos shoqërisë, naftëtarët janë të pallogaritshme, të pallogariteshmë se japin ar… por nevojat e tyre për një transport komod nuk plotësohen. Tenderat, tenderaxhinjtë që nuk rregullojnë rrugët nënvleftësojnë arkërkuesit.

Rruga 40 km nga Vlora deri në Amonicë nuk mirëmbahet mirë. Dikur e shtruar me asfalt, sot është kthyer në gropa-gropa që kur udheton duhet të kërcesh nga zori “Vallen e Kuksit”. Gjysma e rrugës nga Vllahina e deri në vendburim është udhëtim skandal me origjinë nga vitet 1974. Thuhet nën zë se do ta rregullojnë dy komunat, Vllahine+Sevasterit, në bashkëpunim me Qarkun Vlorë dhe Ndërmarrjen e Nxjerrjes-Prodhimit, Gorisht-Kocul.

Po të realizohet kjo i bëhet mirë dhe komunitetit, se shesin prodhimet e tyre bujqësore e blektorale në Vlorë. Zëri i nevojave të naftëtarëve të Amonicës  duhet dëgjuar mirë dhe për zvëndësimin e autobuzave 30 vendsh me autobuza më shumë vendsh që ata të udhëtojnë lirshëm, rehat dhe mos të rrinë në këmbë.

 

Ndjenja e vërtetë e punës

 

Autobuzi me naftëtarët mbërrin në orarin e caktuar për të ndërruar kolegët e tyre që kanë punuar në turnin e tretë. Korektësia për ndrimin e turneve është një ndjenjë që buron nga dashuria për punën me traditë 40 vjeçare në Amonicë. Tek kjo ndjenjë nuk kanë  ndikuar as politika, as partitë, as votat, ajo është nje aleancë shpirtërore midis tyre ku janë shtrembëruar të gjitha vullnetet, përfaqësimet e mbrapshta politike. Kjo është shumë solide nga udhëheqja e sektorit e deri nëpër operatorët, ndihmës operatorët e grupeve.

Ja ç’thote  Ing. Mezan Veseli:

-“Emërimet në këtë sektor të rëndësishëm të naftës bëhen sipas pregatitjes profesionale, djersës së derdhur dhe mos shtrembërimit të dashurisë për punën. Brenda 8 orshit sundon disiplina e punës mbi çdo disiplinë tjetër jashtë saj”.

Ne respektojme tek njeri-tjetri edhe doket, zakonet si shqiptarë të mirë për lindjet, fejesat, martesat, ndihmojmë në raste fatkeqësish apo mort me kontribute e fonde!

Vendburimi i Amonicës është pjesë e Ndërmarjes së Nxjerrjes Naftes Gorisht-Kocul nga ku është vartësia administrative. Nga treguesit teknik-gjeologjik-gjeografikë dhe planifikim prodhimi ka pavarsinë e vet me detyra te detajuara dhe plan prodhimi me zëra të veçantë.

E gjithe gjeografia industriale naftënxjerëse është 50 ha. Është mbuluar nga 60 puse me thellësi mesatare shfrytëzimi mbi 2500 metra. Mbi të gjitha çka duhet nënvizuar është se baticat e ngritjes e uljeve të politikës nuk kanë  prekur sukseset e realizimit të detyrave. Puna, vetëm puna ka përkrahësit ligjorë, të heshtur, por te vendosur, mesazhi i punës është vetëm realiteti sundues në demokraci: Ja ç’na thon inxhinierët gjeolog ëSofie Lera dhe Musa Xhafa:

-“Sot në ndërmarrjet e naftës, shkenca e gjeologjisë është nënvlerësuar, mbasi sot puset në prodhim të nxjerrjes së naftës nuk u bëhet puna duke përdorur metodat e dyta që janë punimet intesifikuese. Në Amonicë punohet me sakrifica. Puset në prodhim më shumë mbahen nga vetëperatorët, ndihmës operatorët, punetorët, nga vetë Ndërmarja e Prodhimit të Nxjerrjes së Naftës, Gorisht-Kocul pa pasur ndihmë nga vertikalja. Inxhinieri gjeolog është mbështetësi kryesor për mdjekjen e prodhimit, se ai di presionin e shtresave, konturin e vendburimin, mënyrën-metodën e shfrytëzimit të vendburimit, më tepër bashkëpunon me shtabin e sektorit dhe punëtorët e tre e grupeve. Kjo është garancia për realizimin e detyrave të prodhimit. Për këtë ndihmë të madhe mbështetje kemi patur nga Dega Gjeologjike e Ndërmarrjes, Ing. Musa Xhuveli, Ing. Bashkim Bedini!

Sukseset vihen re sidomos në terrenin gjeografik të shahut të vendosjes, vlerësimit, ndarjes, teknologjisë, shfrytëzimit të puseve. Nga ky fond pusesh në prodhim, aktiv, në shfrytëzim 24 orësh janë 26 puse. Këto puse japin prodhimin 24 orësh, prodhimin kryesor të Amonicës. Gjendja e mirë e marrëdhënieve në prodhim midis drejtuesve dhe operatorëve, ndihmës operatorëve, punëtorëve të turneve ka ndihmuar që të shihet mbarëvajtja e realizimi i zërit kryesor të prodhimit, detyra prej 17 tonësh në ditë nafte bruto, ka gati 2 vjet që arrihet. Përzgjedhja e një drejtuesi të aftë në krye të sektorit të Amonices si inxhinieri Mezan Veseli, ka përcaktuar përfaqësimin e vlerave te realizimit të treguesve të prodhimit të naftës.

Ky njeri i aftë, komunikativ, shumë punëtor, i plotësuar në çdo karakter të detajit të tij njerëzor e professional, pranon te bëjë çdo punë me vartësit, pranon çdo kritikë dhe midis vartësve është më i padallueshmi pa bërë përjashtim.

Ai ka mbaruar Universitetin Shtetëror të Tiranes më 1987 për inxhinieri shpim-prodhim naftë dhe gaz dhe nuk është shkëputur nga nafta. Nën shembullin e tij realizimi i planit të prodhimit, (shtetit) është realizuar jo vetëm në global, por edhe në zërat e tjere të prodhimit. Shpenzimet materiale si pjesë ndërrimi për makineri e pajisje, karburanti, energjia elektrike janë realizuar me një kursim 7% që bëjnë 200.000 lekë të reja, si mbyllje e vitit, fuqia punëtore është mbajtur në numrin e duhur, por duke respektuar shkallën profesionale për drejtimin e vendburimit.

Fuqia punëtore është 60 vetë bashkë me personelin inxhiniero-teknik. Duke parë kërkesat imediate të kohës, zbutjen e problemeve sociale të punësimit, mundësinë dhe aftësinë paguese nga realizimet e të ardhurave kanë hapur vende të reja pune duke punësuar 10 veta. Praktika e punës së drejtimit të sektorit dhe prodhimit është në nivelin e kërkesave të kohës shkencërisht, sepse drejtuesit e turneve që janë dhe antarë të bërthamës shkencore karakterizohen nga zotësia, dhënia e shembullit vetiak, operativiteti. Ata janë Këndim Skëndaj, Bastri Shahaj, Bashkim Mema, Dino Abazi, Kastriot Beja, të gjithë me përvojë mbi 35-vjeçare në naftë dhe teknikë të mesëm. Ata kanë të veçantë kërkesën e llogarisë ditore, duke kërkuar me llogaridhënie çfarë bën çdo antar i bërthames shkencore. Ata kontrollojnë çdo ditë realizimin e detyrave, eleminimin e difekteve, avarive që ndodhin objektivisht gjatë punës. Ata janë drejtues të marveshur, ta paizoluar-të hapur me njeri tjetrin. Nga ky mosizolim i marrëdhënieve shpirtërore-profesionale në këto kohë disi fatkeqe në politike, është arritur që nuk është lënë asnjë pus i ndaluar dhe nëntokës i është marrë dhe pika e fundit e naftës. Kjo mendësi e përvojë e mirë, ka gjetur strehë me dashje, vazhdon të gjejë strehë edhe tek naftëtarët e rinj, duke nxjerrë në pah naftëtarë të rinj në sektorin e naftës të Amonicës.

Të rinjtë punojnë krahas naftetarëve të vjetër që janë: Naun Golloshi, Petrit Mustafaj, Feim Lamaj, Novruz Shakaj, Nazif Beja, Laver Beja, Agim Sina, Besim Duka, Përparim Shkurti, Latif Dalipi, Abedin Caushi, Lefter Jonuzi, Afgron Kapaj, Mitat Abazi, Qenan e Baço Shoraj, Ali Shahaj, Viron Rama, Sulejman Sulejmani, Levend Lloja, Bashkim Çobaj, Niko Pali, elektriçisti Luan Danaj, saldatori Hiqmet Hoxha, mekaniku Laze Gjika-i nipit rapsodit të shquar Xhebro Gjika, Ing.Petrit Maze, Petrit Beja, të cilët me punën e mirë, propozimet e tyre kanë rritur ndjeshëm aktivizimin e puseve të ndaluar për një kohë të gjatë. Ajo më e mira e tyre është se kanë futur në prodhim dhe dy puse te tjerë. Amonica 46, Amonica 33 dhe Amonica 88 që japin 10 ton naftë bruto shtesë prodhimi. Në të ardhemen me minimumin e shpenzimeve si shtrim tubacioni, transport nafte, shpenzime të rrjetit elektrik do të vihen në punë dhe Amonica 75, i cili është pus i gjallë që duhet aktivizuar si shtesë prodhimi. Në të ardhmen pune dobiprurëse do të bëhet dhe përmiresimi, mirëmbajtja e rrugëve të brendshme qe lidhin puset me njeri-tjetrin dhe me vendburimin, rruga e grupit 2, Amonica 15 dhe Amonica 39.

Si sektori me i largët që është Amonica, sot – po sot që është koha e internetit, infrastrukturës moderne duhet ndihmuar për ndërlidhje që të komunikojnë grupi me grup, sektori me ndërmarrjen në Vllahinë për raportimet e prodhimit, të rregullohet çentrali, hallet e njerëzve, punëtoreve dhe përgjegjësit e turneve të pajisen me karta celulari. Ku t’i gjejnë paratë përgjegjësit e turneve për celularët privatë, kur njoftimet për ndërmarrjen e prodhimin bëhen çdo  8 orë apo 2-3 herë ne ditë?

 

“Mjekët” e nëntokës

 

Gjithkush, cilido është vizituar tek mjeku. Ruajtësi i shëndetit me shumë kujdes përdor stetoskopin për të dëgjuar funksionimin e çdo organi të njeriut, sidomos të zemrës, për të parë e gjykuar me sytë e mendjes, deri sa ta kurojë sëmundjen. Edhe brigada e rimontit nëntokësor, njerëzit që bëjnë pjesë në këtë kolektiv, janë në rolin e “mjekut” për të shëruar atje ne fundin e pusit dhimbjet që ka nëntoka, për te shëruar atë dhe nëntoka të japi dhe pikën e fundit të naftës. Pjestarët e brigadës të remontit nëntokësor të puseve nuk i kanë lejuar vehtes që të shpërdorojnë e largojnë vëmendjen gjatë 8 orëshit, por për ta parë vehten nga drita e punës.

Me këtë ndjenjë besimi i tyre për të qenë pjesë e sukseseve të kolektivit të sektorit të Amonicës është e garantuar. Përgjegjësi i kësaj brigade është tekniku Kastriot Bejaj. Ai është një njeri i qeshur, hokatar, i aftë profesionalisht dhe me vullnet në punë. Besimi i të tjerëve tek Kastrioti është i madh dhe nuk është rrënuar nga shkëmbenjtë e rrezikshëm të shfaqjes të përtacisë, dembellëkut, mendjemadhësisë nga ana e përgjegjësit me buzë ne gaz. Vetë Kastrioti me shokët e tij i ve veshin grykës së pusit për ta ndier me shpirtin e punëtorit se ç’anomalira ndodhin mijra metra në thellësi të puseve, për ta ndier se ç’dhimbje ka zemra e pusit që është pompa e thellësisë që dërgon naftën lart dhe arteriet që janë tubat që e transportojne naftën nga balli i puseve në sipërfaqe. Brigada që bën remontin nëntokësor të puseve ka për detyrë këmbimin e pompave, nxjerrjen e tubave-pajisjeve që janë të difektuara. Pjestarët e brigadës kanë nje bazë njohjeje shkencore të të gjithë pajisjeve nëntokësore të çdo pusi në prodhim. Puna e tyre i ngjan prapë asaj anijes që me besim tek kapiteni-drejtuesi lundron mirë për të mbërritur tek porti i sukseseve. Ata janë afër, kaq afër me lundrimin e brigadave te tjera.

Nga cilësia, kujdesi që tregojnë naftëtarët si Çuman Dalipi, Sokrat Idrizi, Astrit Murati, Azis Hoxha, Veiz Beqari, Asllan Lula, Luan Hodo, kanë arritur që puset me difekte nëntokësore të vihen në punë, kurse për periudhën vjetore kanë bërë 40 rimonte nëntokësore. Shtojmë se nga rimontet me cilësi, treguesit e prodhimit të puseve pas rimontit, janë në kuotën e prodhimit të planifikuar. Njerëzit e brigadës së rimontit nëntokësor të puseve duke lundëruar pa problem me një anije në detin e errët të nëntokës me naftë e kanë nderuar vehten duke mbërritur tek porti i suksesit.

Shembujtë konkretë flasin vetë. Prodhimi i puseve Amonicë 15, Amonicë 20, Amonicë 26, Amonicë 44, para rimontit të tyre jepnin 3,6m3 dhe pas rimontit japin 4,8 m3 prodhim. Prodhimi ka qenë në rritje duke marrë nga shtresa nafte bruto dhe me përqindje sa më të vogël të ujit, duke siguruar edhe koefiçientë të lartë naftënxjerrjeje. Duke e kqyrur me mendje të kthjellët profesionale nëntokën cilësia e rimonteve është bërë e mirë dhe nuk ka punë te përsëritura. Në historinë e këtyre njerëzve të mirë, mund të lexosh si në një libër të mirë ulje të shpenzimeve për këtë zë të punës. Është kursyer duke mbajtur mjetet, veglat e punës dhe shërbimet e Mjetit Kryesor që është traktori. Në fletët e librit përshkruhet saktë se rimonti është bërë nga vetë punonjësit me mekanikët e sektorit të Amonices duke kursyer 10 milionë leke të vjetra.

Për këtë janë dalluar Dashamir Hodaj, Perlat Gjoni-Kota, Laze Gjika, elektriçistët Besim Shoraj, Ladi Bejko, Koço Bejaj. Fletet e librit përshkruajnë bukur e mirë dhe punën e operatorëve të studimit të puseve. Këta janë matësit, laborantët. Ato kanë ardhur vajza të reja në sektorin e naftës në Amonicë, u bënë nuse, nëna me fëmijë, martuan fëmijtë, sot janë bërë gjyshe në naftë. Që të hysh në shpirtin e tyre të punës do të duhet të përshkruash në rradhë të parë qëndresën ndaj vështirësive, energjive te harxhuara në shi, dëborë, erë, në të ftohtë e acar dhe vapë përveluese, për të nderuar vehten, familjen, si meshkujt.

Ditët apo netët në shtëpi, punë për to nuk kanë qenë kurrë të vështira, qoftë për te punuar qoftë për të rritur-shkolluar-edukuar fëmijtë. S’kanë pyetur për punët e vështira që po dikton koha në tranzicion… për të rrënuar besimin burrëror dhe qëndrimin e butë modern femëror. Bukurie Xhelilil, Sofie Hodaj, Rajmonda Shorraj janë të ndihmës e të drejtimit në prodhimin e naftes. Ato janë të zonjat, por ndihmohen edhe nga bashkëshortët shëmbullorë. Detyra e përditshme e tyre është marrja e kampioneve, matja e niveleve të naftës, puseve me aparat për studim, ndjekja e prodhimit. Ato janë me një durim e vullnet për t’u çmuar, dinë se si bashkëjeton nafta, gazi, uji. Në bazë të analizave të sakta orientojnë operatorët e prodhimit për të marre masa që pusi të japi naftë. Duke kapur në raste të shumta dhe në kohën e duhur ndërprerjen e prodhimit të naftes puseve, informojnë bërthamën shkencore që te japi urdhra të saktë për rivënien e puseve në punë. Kjo ka ndodhur me puset Amonicë 26, Amonicë 88, ku në sajë të analizave të sakta është ndërhyrë që gjendja e puseve të tillë të kalojë në ardhjen e naftës. Naftëtarët vazhdojnë të jenë strehë e mendimit të përparuar profesional dhe të gjithë u vënë veshin këshillave të tyre. Naftëtarët na japin shembuj të mirë në sektorin e largët naftënxjeres të Amonicës në Labëri, per të treguar si edhe në ekonominë e tregut kapitalist, ato punojnë – drejtojnë–marrin pjesë në prodhim me emancipim qytetar, të barabarta me burrat.

U ndamë me mirënjohje me naftëtarët e Amonicës, duke marrë me vehte gjithë ato suksese si dhuratë. Koha ishte në ngjyrë të plumbit, me një qiell të varur. Bënte shumë ftohtë dhe pas pak filloi një dëborë që mbuloi gjithë Amonicën me një qilim të bardhë, tjetër dhuratë e dytë.

Derisa në Amonicë  punohet, ajo është më e mira, është ky dhe një mesazh se në këto 30 vjet demokraci naftëtarët e Amonicës në Labëri nuk kanë shtuar radhet e emigrantëve shqiptarë në botë. Ata pëfaqësojnë vetëm vehten me punë si naftëtarë në tokën NËNË TË LABËRISË!

 

Please follow and like us: