Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: ËNDËRR E NËMUR

Ç’më vinte në gjumin e rëndë
Kjo ëndërr e nëmur, e shkretë.
Një turtull nga saçmat dërrmuar,
Që qante e dridhej ndër fletë.

Në gjumin e ankthshëm më trembi
Polenit të lules një bletë.
Zukaste nektarit të ëmbël,
Helmuar mbi thumbin e vet.

Ç’llahtarë vegimit të frikur
Në ç’vende panjohur më nget…
Një muzë më hidhte humnerash,
Një tjetër më niste tek retë.

Çuditshëm më çoi ca syresh…
Të ngurtë, pa zemër, pa jetë.
Diç thurnin mes lávdesh e himnesh
Mes tyre nuk njoha poetë.

Ç’më zuri ky gjumë i rëndë.
Me fjalë, figura, më flet…
Vegim i frikur sa s’thuhet,
Një ëndrre që syve më shket.

Please follow and like us: