Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: NUMRI 5001

Ilustrim nga piktori Buron Kaceli

 

Novelë

Ashtu, me nervat kaçurel, e drobitur dhe e pafuqishme, zvarrë-zvarrë, Meri u kthye në qytetin e saj të lindjes, në Fier. Ra si një lule e vyshkur në prehër të së ëmës dhe ia tregoi të gjitha, fije e për pe. I foli për ish të dashurin dhe historinë se si ishin njohur, i rrëfeu se si e pa atë kryengulthi duke u zhgrryer me aq epsh e zjarr mbi Julin. Nuk di se si u përmbajt e nuk bëri ndonjë të pabërë, desh i fluturoi mendja. Vetëm mbante mend se me sa forcë që pati, u vërtiti mbi kokë librat që iu ndodhën në ato momente në duar dhe iku nga sytë, këmbët.
– Sikur të kisha armë me vete, do t’i kisha vrarë të dy, – i tha së ëmës me sy të përndezur nga urrejtja. Ajo e dëgjoi me qetësi, i lëmoi me gishtërinj flokët e butë si mëndafsh dhe për ta ngushëlluar, i tha:
– Ky mashkull nuk ishte për ty, zemra ime. Në mos me Julin, nesër me një tjetër femër do të ta dridhte. Duket ashiqare, është pa karakter, kurviar. Më mirë që ndodhi tani se sa kur të bëheshe me fëmijë. Unë të kam engjëll, të pastër, të mirë e të bukur si një manushaqe. Shpirti i mamit, kush të lë ty të biesh në tokë?! Hajde tani, mos qaj se të prishet bukuria e syve. Nuk je e para që të ndodh kështu. Burri, shoku i qenit.
Studentja e vitit të dytë për letërsi, Meri Nika, ishte në ditën më të keqe të jetës së saj, e sëndisur sa më s’ka. I dashuri, tre vite më i madh në moshë, e kishte braktisur pa asnjë lloj paralajmërimi. Meri e kishte kapur në flagrancë duke e parë me sytë e saj se si ai i pabesë puthte e shtërngonte në gji shoqen më të ngushtë, Julin, të cilën ajo vetë ia kishte prezantuar. U ndje dy herë e tradhëtuar. Si nuk lojti nga mendja?! U bë tym e bëzhdilë; ta çpoje me thikë, pikë gjaku nuk i dilte. I vinte plasje, sidomos me shoqen, me të cilën ishte rritur e tani në universitet ndanin një dhomë fjetje së bashku. E konsideronte si motër. Midis tyre nuk ruhej asnjë lloj sekreti. Meri u pa në pasqyrë dhe vuri re se brenda një jave ishte tretur e dobësuar. Ajo asnjëherë nuk ka shkëlqyer në mësime, por ka pasur një dhunti tjetër, recitonte bukur. Ka një të folur të ngadaltë, melodioz e të ëmbël. Rrallë e ngre zërin, edhe kur inatoset. Nuk bie fort në sy, por kur zhvishet në plazh, zbulon një kurm të drejtë e të kolm. Ka një raport perfekt midis gjoksit dhe vitheve. Në kësi rastesh nuk ka se si të mos tërheqë vëmendjen. Sikur komplimentat që merr në plazh, t’i vilte edhe në jetën e përditëshme, atëherë vetja do t’i dukej një miss, por jo. Meri është një vajzë e zakonshme, pa bujë e skandale. E dashur e fjalëpaktë. Nuk mund t’ia rrokte mendja atë gjest të ndyrë prej të dashurit të saj tek i cili ndjente siguri. E njihte prej tre vjetësh dhe nuk i mbanin asnjë lloj të fshehte njëri-tjetrit. Aq më tepër që ai të mpliksej me Julin, kjo ishte thagmë. Prej pabesisë u vra e u godit aq shumë shpirtërisht.
Të nesërmen shkoi në leksione me zemër të thyer. Rruga i ngjante e shkretuar, megjithse brenda saj lëviznin njerëz. Pemët anës bulevardit dhe bari i dukeshin si të ziera në tenxhere. Bota e gjithë i ishte errësuar. Nuk deshi sqarime nga Juli, por edhe kur e pa më vonë, jo vetëm që nuk i foli, por ndërroi rrugë. Nuk mund ta falte.
Meri nuk ishte më ajo e para. Gjithë miqtë e shokët e shihnin me habi dhe nuk kuturisnin t’i afroheshin. U dhimbsej dhe u vinte keq për të. Ishte sjellë mirë me të gjithë. Në përgjithësi ajo është tip i mbyllur dhe nuk dëshëronte ta ndante brengën me të tjerët. Gjatë leksioneve ndjehej e përhumbur. Shpesh i shfaqej përpara syve ajo skenë e tupshme në dhomën e saj. Qysh atë ditën e skandalit, iku nga ajo godinë dhe u vendos në një dhomë tjetër, përballë, por edhe aty e mbytnin ëndërrat e frikshme. Herë-herë i shfaqeshin vegime sikur po zhytej thellë në det dhe gati i zihej fryma. Zgjohej e llahtarisur. Binte përsëri për gjumë dhe ndjente se pas shpatullave, tinëzisht i afrohej Juli me thikën e bukës në dorë, por nuk mund ta arrinte nga që ajo gremisej në një hon të errët e të panjohur. U vizitua tek një psikologe dhe ajo i tha se duhet të ndërronte ambient dhe të shëtiste në natyrë, apo të shkonte në disko dhe të përzihej në shoqëri. Tentoi të merrte pjesë në një ditëlindje, por pa kaluar as një çerek ore, njeri prej miqve e pyeti për ish të dashurin dhe ajo u pre në fytyrë. Nuk dha asnjë përgjigje. Iku pa u shuar qirinjtë e urimit të ditëlindjes mbi tortë. Kur nuk e kishin harruar ata, shokët e saj, si mund ta fshinte Klajdin ajo vetë nga kujtesa?!
Vendosi ta humbasë vitin mësimor, ndoshta pas ca kohësh plaga e malcuar në shpirt duhet t’i ishte shëruar. Ashtu bëri, mblodhi rrobat dhe librat në dy çanta dhe siç ju treguam më sipër, pas tri orësh, me një furgon të rastit, u gjend në Fier. Prindërit, të dy rrobaqepës, nuk i thanë asgjë, respektuan vendimin e saj. Në fund të fundit fakulteti aty ishte. U interesonte më shumë shëndeti i bijës së tyre.
***
– Alo, Meri, mirëseardhe shpirt, jam Xhemi – u dëgjua qysh në mëngjes herët zëri i hallës matanë receptorit të telefonit – po vij të të marr për një kafe.
– Okej, po të pres, – iu përgjigj Meri me një lloj përtese.
Xhemi e cila emrin e plotë e ka Xhemile, është motra më e vogël e babait, nëntë vjet më e madhe se ajo në moshë. Punon përgjegjëse e burimeve njerëzore në shkollën e mesme të muzikës. Ka një trup të ngjeshur e të lidhur dhe tregon më e re në moshë se sa vitet që ka mbi kurriz. Në fytyrë ende nuk i është shfaqur ndonjë rrudhë. Thonë se Meri nga pamja i ngjan asaj. Halla është nga ata tipat “ku rafsha mos u vrafsha”, por kjo ndodh edhe sepse jeton vetëm me të shoqin i cili shkon e vjen në Itali, sidomos në Ankona dhe ajo nuk ka obligime familjare. Burri merret me biznes dhe siguron të ardhura të mira, por ka nje defekt, nuk bën fëmijë. Për ditëlindje, në 30-vjetor, Xhemiles, që ai e do aq shumë, i dhuroi një “Mercedez-benz”, akull të ri. Makinën e ka debulesë të madhe. Megjithse ka një vit që e përdor, benzi i saj duket sikur është blerë dje dhe gjithmonë kabina mban erë parfum. E gjora, është e fiksuar pas makinës, e ruan sikundër të jetë një fëmijë. E kur je me fat që ajo të të ftojë për një kafe, dije se do të përfundosh duke ngrënë një drekë diku në periferi ose në bregdetin e Vlorës. Njerëzit, sipas veshjes, i ndan në dy kategori; ata që duhet të mos hipin kurrë në makinën e saj dhe të tjerët që edhe mund të lejohen. Domosdo që e mbesa, është më e privilegjuara për t’u ulur në vendin kryesor. Ajo e ka për mburrje dhe ndjen kënaqësi kur sytë e çunave fiksohen në pasagjerin e parë. Meri ia ngre vlerat makinës së saj.
***
Mbesë e hallë ishin ulur në verandën e një moteli, ngjitur me Kalanë e Ujit të Ftohtë. Atë ditë, syprina e detit ishte më blu se qielli. Eh, deti i Vlorës, me nam për kthjellësi e tejdukshmëri. Poshtë këmbëve të tyre, ca dallgë të vogla lozonjare përplaseshin pas shkëmbinjve të bardhë duke u kujtuar se deti merrte frymë. Ashtu si miliona vjet, dallgët lëpinin papushim gurët në breg. Kujtuan këngën: “Det’ pafund e i paanë/ Që na more djemtë tanë…”. Gotat e verës ishin të mbushura përgjysëm duke pritur të piqej në zgarë levreku i freskët, era e të cilit u çponte hundët klientëve, gjer aty në verandë.
– Meri, nuk të shoh mirë, mos ke diçka për t’i thënë hallës? Ti ke një kahar të madh, e ke të shkruar në ballë. Pavarësisht nga diferenca e moshës, unë më shumë të kam konsideruar shoqe se sa mbesë, – i tha Xhemi me një zë të ëmbël e ledhatonjës.
– Lëre, mos më fol, jam copë e thërrime, ndjehem keq, hallë, kurkush nuk ma mbush synë. Bëre mirë që na solle këtu. Kjo bluja e pafund e detit më ngushëllon, por edhe më thërret të zhytem përgjithmonë në gjirin e tij së bashku me plagën time në shpirt e të mos dal kurrë më.
– Luaj vendit, larg qoftë, ftillou, jeta jote sa ka nisur! – i tha e tronditur Xhemi dhe e prerë në fytyrë kur dëgjoi ato fjalë gjëmëzeza nga goja e saj – po çfarë të ka vrarë e goditur kaq shumë?
– Unë të kam rrëfyer për Klajdin në vit të katërt për arkitekturë, ma punoi keq. E gjeta puq me Julin, në dhomën tonë në konvikt, në qytetin “Studenti”. Kurrë nuk ma rrokte mendja një poshtërsi të tillë.
– Ah, prit të të tregoj, – e ndërpreu Xhemi – Juli më mori mbrëmë në telefon prej Tirane. Kërkon me domosdo të sqarojë një keqkuptim me ty. Nuk donte të fliste më shumë. Më tregoi se ti i je shmangur dhe e ke injoruar.
– Ku ka surrat ajo të më dalë përpara? – kërceu përpjetë Meri dhe faqet iu ndezën prush. Sytë iu mbushën me lot dhe ia tregoi gjithë historinë nga fillimi.
– Sidoqoftë Juli duhet dëgjuar, mund të jetë diçka që ka ndodhur pa vullnetin e saj, nuk ka pse ta linin derën e dhomës hapur. Unë mendoj ta dëgjosh tani që je më e kthjellët, – e këshilloi Xhemi.
Ishte me kokën tym e çdo gjë i shkonte rrokopujë. Tani mendimet iu kokolepsën e ju bënë lëmsh. Rrëmbeu gotën e verës dhe e shkundi me fund. Dalngadalë po kthjellohej. Pse jo, edhe mund të buzëqeshte. Ndoshta këtu në breg ishte efekti i detit dhe pijes që i bënin thirrje të harronte Klajdin. E kaluan bisedën tek shkolla e muzikës dhe Xhemi i tha se ky brezi i ri që po vjen nuk ka parime, është shthurur fare. E kanë hashashin si lëngjet me gaz dhe nuk e kanë për gjë të ndërrojnë dashnorët si vajtë e makinës kur bëhen pesëmijë kilometra. Erdhi fjala tek fakulteti. Meri i tha se kishte vendosur të mos kthehej më. I ishte neveritur kryeqyteti. Do të gjente një mësues gjermanishteje dhe do të vazhdonte të qëndronte pranë familjes, në Fier. Me gjuhë-letërsi nuk mund të punësohesh asgjëkundi, ndërsa me gjermanisht mund të emigrosh drejt perëndimit. “Nuk dua ta ndërtoj të ardhmen në Shqipëri”, i tha e vendosur. Xhemi u gëzua që ajo do të mbetej në Fier për shumë kohë dhe e porositi që çdo ditë kafen e mëngjesit ta pinin së bashku. Benzi ishte në dispozicion të saj. Të mos harronte; nuk duhet të mungonte as të dielën, ishin të ftuar familjarisht për darkë në lokalin “Panorama”. I shoqi kthehej nga Ankona dhe ata kishin planifikuar një darkë të ngushtë ku ishte i ftuar kushëriu i parë, inxhinier Saimi, emigrant në Kanada, i cili po kthehej pas një viti për të parë prindërit e tij pleq.
***
Prej lokalit “Panorama” dukej i gjithë qyteti. Shtëpitë e tij në fushë, atje tej në horizont shkriheshin brenda një tisi mjergulle gri. Dallohej universiteti privat i Fierit, ndërtuar me kollona të bardha mermeri në imitim të Akropolit të Athinës. Sa shumë ishte zgjeruar qyteti këto vitet e fundit dhe Meri nuk e kishte vënë re.
Salla u mbush plot e përplot dhe orkestra ishte duke akorduar instrumentat muzikorë. Merit i qëlloi të ishte ballë përballë me mysafirin nga Kanadaja, inxhinier Samiun. Ishte një burrë rreth të dyzetave, lëkurë bardhë, me sy gështenjë dhe flokë të zez ku tek-tuk cimbiste ndonjë thinjë. Xhemi i tregoi se ai kishte emigruar në Kanada përpara katërmbëdhjetë vjetësh. Ajo u habit kur prindërit e saj e takuan atë me përzemërsi dhe e pyetën për dy fëmijët, por jo për bashkëshorten. Kanadaja, oh, sa herë ish i dashuri i saj e përmendëte nëpër biseda. Ishte i fiksuar me atë vend si Xhemi pas benzit. Ai dinte një më një emra qytetesh, liqenj të mëdhenj si det, miniera ari dhe ujvarën më të madhe në rruzull, Niagarën. Thoshte se Kanadaja është shteti më me përspektivë në botë. Aty ka ende tokë të pa eksploruar nga njerëzit dhe pasuri të pafund, pse jo edhe miniera kobalti të pazbuluara. “Atje kam qejf të jem. Nëse do të emigroj ndonjëherë, dije se atje do më gjesh”, i thoshte Merit me të qeshur.
Orkestara kumboi në gjithë sallën me melodinë e një valleje popullore të Jugut dhe gjindja lëvizi nga vendi, u vargëzua në hapësirën bosh të sallës duke formuar dy rrathë të gjatë. Në njerin prej tyre udhëhiqte Xhemi dhe pas saj i shoqi. Meri dhe “Kanadezi” nuk luajtën vendit. Mirëpo ku të linte Xhemi. Ia kaloi stafetën të shoqit në krye të valles dhe u kthye tek tavolina. Pa pyetur, me njerën dorë tërhoqi mysafirin kanadez dhe me tjetrën, Merin. E papërballueshme kjo Xhemi. Bëri si bëri dhe të mbesën e nxori në krye të vargut. Në fillim ajo i hodhi këmbët me përtesë, por pastaj gjindja e nxiti t’i jepte ritëm valles dhe ajo u shkri brenda haresë së turmës. Xhemi nuk ia ndante sytë dhe ia bëri me shenjë orkestrës të vazhdonte me një valle tjetër.
– Kërcyeke bukur, e qan pogonishten, – dëgjoi një zë mbrapa shpatullave, por muzika e pengoi ta shquajë e ta dallojë se i kujt ishte ai zë komplimentues. Kërcimtarët u ulën nëpër vende duke fshirë djersët nga balli.
– Ja, gëzuar, për shëndetin tënd, Meri, e dogje fare pogonishen, në dasmë të të gëzojmë! – e uroi bashkëshorti i Xhemit duke përplasur gotën e verës me të sajën.
– Ashtu mendoj edhe unë, – tha inxhinier Samiu dhe atëherë Meri mori vesh e kuptoi se po ky zë ishte që e komplimentoi gjatë valles.
Orkestra ia nisi një tangoje të qetë. Xhemi u çua me të shoqin, pas saj edhe të tjerë çifte. E ëma i tha të kërcente me inxhinierin emigrant, por Meri bëri sikur nuk e dëgjoi. Tamam sikur ta kishte nuhatur, Samiu iu faneps përpara syve dhe po e ftonte për vallëzim. Pranoi. Që në hapat e parë ajo e ndjeu se ai ishte një vallëzues i përkryer. Ishte aty dhe s’ishte, i lehtë dhe i shkathët sikur të ishte një balerin. Ranë në sy tek të gjithë. Vallëzuesit e tjerë u hapën vend dhe salla i duartrokiti. Lëvizje plot vrull e pasion. Meri, me bukurinë dhe lëvizjet e saj plot hir, magjepsi jo vetëm sallën, por edhe mysafirin. Ajo, në shenjë falnderimi e pa plot ëmbëlsi partnerin dhe ia bëri me shenjë orkestrës të vazhdonin me një kërcim tjetër. Edhe në atë vallëzim ajo ndriti dhe Samiu kish mbetur i pa gojë. I tha duke iu marrë fryma:
– Përgëzime vajzë, urime, ti je e magjishme, kërcen si një profesioniste, lum kush do të mbajë në krahë.
Asaj iu kujtua Klajdi dhe nuk diti pse i ngjau aq i largët, si një pikë e zezë në horizont. Po ndjehej mirë në qytetin e saj të lindjes dhe me njerëzit e afërt që e rrethonin. Bota nuk qenkishte aq e errët sa kujtonte. Akoma i gjëmonin në vesh duartrokitjet e sallës. Ata e donin dhe e adhuronin, ishte bijë e tyre. Mbi shpatulla ndjeu dorën e Xhemit:
– Shpirti i hallës, e fekse sallën, sa bukur di të kërcesh, por sa mirë të ndiqte partneri, Samiu, duket që ai ka parë botë me sy dhe di të vlerësojë.
– I gjalli me të gjallët, – tha e ëma e saj që po dëgjonte bisedën. Meri e shikoi me habi e sy të zgurdulluar. Mendoi se atij i kishte vdekur bashkëshortja.
– I shkreti, ka tre vjet që është i ndarë nga gruaja. Ajo ka qenë shumë e bukur, balerinë e njohur e Operas dhe Baletit në Tiranë, por ia mbathi. Samiu e kishte njohur kur vazhdonte inxhinierinë. Iku me një dashnor kanadez dhe nuk u kthye më, – shpjegoi babai i saj dhe Merit iu dhimbs. Të gjithë e njihnin Samiun dhe dinin historinë e tij familjare. Nuk i lypsej të bënte pyetje të tjera.
Të nesërmen, në kafen e mëngjesit, Xhemi dha të tjera hollësira për familjen e “Kanadezit”. Ai paskishte një djalë 12 vjeç, Xhejson, dhe një vajzë, Lusin, 8 vjeçe. E shoqja i kishte lënë pendët dhe nuk kishte marrë asgjë nga shtëpia; djalin e vajzën ia la pllup në derë orziut Sami.
– Po pse iku, nuk e ka dashur ndonjëherë burrin?!
– Është habi se gjysmat e çifteve shqiptare që kanë shkuar në Kanada, janë divorcuar. Aty gruaja është mbret, ligji gjithmonë i jep asaj të drejtë. As nuk është celebruar me atë tjetrin. Ajo bashkëjeton me një regjisor filmash, i pasur. Ai e zbuloi si talent dhe e aktivizoi në një rol dytësor duke e shkëputur për fare nga shtrati i Samiut.
– I shkreti ai, paska pasur fat të keq, po ndoshta atë furfulen e merr malli për fëmijët dhe kthehet përsëri.
– Nuk ma do mendja. Im shoq më tha se sikur ti të ishe pak më e madhe në moshë, do të përbënit një çift perfekt. Sa bukur dukeshit duke vallëzuar! – tha Xhemi. Heshti pak dhe vazhdoi – Samiu këtë radhë do të rrijë gjatë, ka hedhur fjalë se do të kaparoset në një martesë të re. Nuk është shumë i madh, 39 vjeç, interesohet të gjejë një grua të mirë, le të mos jetë shumë e bukur. Fëmijët mund t’i marrë edhe e shoqja. Prit kur regjisori të kapë një dashnore më të re dhe ajo është e detyruar t’u kthehet fëmijëve. Jeta atje është si në filma.
– As mos të të shkojë në mendje, unë nuk marr burrë të martuar. Tani po kuptoj pse ai kërcente aq bukur, paska pasur mësuese vallëzimi balerinën. Më vjen për të qeshur.
Emri i Samiut, dashur pa dashur u fut gjatë bisedave në çdo kafe mëngjesi midis hallës dhe mbesës. Xhemi ishte ajo që sillte të rejat nga fronti i hulumtimeve për nusen e re. Në një rast ajo tregoi se ai kishte diktuar një mësuese të re fshati e cila ishte dakord të martohej me të, por ai nuk e kishte pëlqyer nga që ajo në çdo dy tri fjalë thoshte; “E ke parasysh, ti shoku…”, ndërsa një tjetër, infermerje i binte goja erë qepë dhe një tjetër pinte duhan.
– Si shumë mufka ka ky Samiu juaj, – i tha Meri – në fund të fundit ai është një burrë i divorcuar, diçka ka mangut që e braktisi e shoqja, ne nuk i dimë të gjitha.
– E ke gabim, Samiu është një familjar i rregullt, gatuan, lan, shplan dhe mbahet krëk, i hekurosur e i krekosur. Vetë kujdeset për fëmijët. Të dy ata vazhdojnë shkollat dhe nuk u mungon asgjë. Ka një alamet vilë, ia kam parë në video. Balerina nuk ia ka ditur vlerën, ka humbur një thesar.
– Do ta pranoje ti për burrë?
– Me shumë kënaqësi, ku ta kisha atë fat. Vërtetë im shoq më do e më respekton, po pse si mendon ti, jam e kënaqur unë që në tri javë, dy i kalon në Itali? Pajtohem nga e keqja se këtu në vendin tonë nuk bën dot prokopi e katandi. Atë benz e kemi pikërisht nga tregtia me Italinë.
Ndoshta ishte një grackë, të gjithë i flisnin për Samiun dhe befas një mëngjes ai u gjend në tavolinë me të dyja së bashku. Ndjehej një erë parfumi e lehtë. Meri, duke ditur që ai gjuante për nuse, u skuq gjer në rrëzë të veshëve dhe nuk guxonte ta shihte drejt e në sy. Fshehtamadhe qënkej halla e saj e vogël. Nuk e priste. Ai u shërbeu të dy damave me mirësjellje, u shtiu ujë në gota dhe pas kafes kishte porositur akullore për të tre. Ishte një burrë i edukuar, simpatik dhe plot sqimë. Gjithë bisedën e përqendroi tek Meri dhe në fund e pyeti nëse e zotëronte gjuhën angleze. Ajo iu përgjegj se ishte me aq sa kishte mësuar në shkollë.
– Thuajse i gjithë globi flet anglisht, – i tha ai me një siguri absolute – me këtë gjuhë çan kudo, mos shpenzo kot kohën me gjermanishten, të kufizon. Në se dëshiron të fluturosh, të duhen krahë, gjuha angleze do të jenë krahët e tu.
Sa u largua kushëriu i burrit të Xhemit, emigranti, asaj i shkoi mendja tek ato që tregonte Klajdi për Kanadanë. Ai nuk paskishte ditur kryesoren; sado i mirë të jesh, gruas, po iu mbush mendja, të lë pendët në duar, ikën nga shtrati i bashkëshortit si pa gjë të keq, sikur do të shkojë me pushime në Rivierë. Xhemi nuk i la kohë të vazhdojë me përsiatjet, sepse i tha:
– Nuk është kaq e lehtë sot të gjesh bashkëshort për së mbari. Bota përdorin tërë ato marifete për të shkuar në Kanada, ndërsa ti e ke gati. Samiu ty të admiron, nuk e vure re se me çfarë sy të shikonte? Mend të hëngri të gjallë.
– E zemë se unë ia bëj kabull moshën, po fëmijët?
– Ata nuk do jenë tërë jetën me të, me sa di unë ata banojnë herë tek njeri e herë tek tjetri. Aktualisht banojnë me të ëmën, por për pesë gjashtë vjet shkojnë në punën e tyre. Nuk është si tek ne. Pastaj ku ta dish, me martesën e re, e ëma mund t’i tërheqë fëmijët. Budallaqe, i ke të gjitha gati, ik të jetosh si njeri, fundja Samiu një trampolinë është, po nuk të pëlqeu i vë duart. Ti e ke jetën përpara. Aty femra është mbret, jo si këtu që je e varur pas burrit dhe ai të trajton si i do qejfi, top futbolli.
***
Juli, ish shoqja e saj, pjesë e skandalit, kishte mbaruar sezonin e provimeve dhe ishte kthyer tek prindërit në Fier. Disa herë i kishte bërë thirrje telefonike, por Meri nuk kishte nerva ta dëgjonte, aq më tepër që ajo i sillte para syve atë skenë të papëlqyer në dhomën e tyre. Më në fund Juliana i nisi një mesazh në celular ku i shkruante se ka të reja nga Klajdi dhe domosdoshmërisht duhet të takoheshin. Ky mesazh jo vetëm e bëri kurjoze, por edhe e vuri në mendime. E bëri zemrën gur, i la takim tek “Panorama”. Juli, sa e pa së largu, ia shkrepi të qarit, por Meri u përmbajt. Këtë radhë e dëgjoi deri në fund. Ja cili ishte varianti i saj:
– Sa kisha dalë nga dushi. Flokët i kisha të lagur. Kisha hedhur një rrobdëshamber supeve, – po tregonte ajo përmes lotëve e ngashërimeve – Klajdi më tha se po të kërkonte ty. Dera ishte pa çelës dhe unë i thashë të ulej tek krevati yt sepse ti ishe duke ardhur. Befasisht ai më sulmoi duke më puthur, pastaj më shtriu me forcë në krevat. U përpoqa t’i ikja nga duart, por ishte më i fuqishëm se unë, nuk mund të bërtisja sepse nuk doja ta merrnin vesh të tjerët. Në këto momente erdhe ti. Të falënderoj sepse më shpëtove nga përdhunimi.
– E mirë, po të besoj, – i tha më në fund Meri duke e përqafuar – na thuaj, pse na solle këtu? Dhe Juli atëherë lëshojë bombën:
– Klajdi është fejuar me një emigrante në Itali, e kanë shpallur feejsën dhe ai del shëtitje në bulevard me të, ama nga pamja dhe bukuria nuk është as sa gjysma jote.
Meri ndjeu një sëmbim në zemër, por nuk foli. Ishte kjo edhe një përgjigje shfajësimi e Julit për t’i vërtetuar se asgjë nuk kishte pasur me Klajdin. Më në fund ajo e besoi. Ishi i saj ia paskishte arritur qëllimit për të emigruar. Po si i nxjerr kështu këto dashnore ai, sikur i ka pasur në xhepin e vogël të pantallonave? Kurvari i dreqit!
Atë natë nuk po e zinte gjumi. U përpëlit disa herë në shtrat. Doli me këmishë nate në ballkon dhe ngriti kokën në qiell. Ca rreze me dritë hëne i përkëdhelnin gjoksin e gufuar. Disku i argjendtë, butësisht, ndriçonte mbi rrugët, pemët dhe pullazet e shtëpive. Një re e bardhë puplore vinte rrotull dhe hëna herë dukej e herë zhdukej pas saj, ngjante sikur lunate kukamshefti. Thonë se kur hëna është e plotë mund t’i dërgosh një dëshirë dhe ajo do të ta plotësojë. Instiktivisht i shkoi ndërmend të gjendej sa më parë në Kanada, atje ku Klajdi ëndërronte, por ai nuk mund të shkonte kurrë, sidomos tani që kishte marrë drejtimin e Italisë. Ah, sikur ky Samiu të ishte nja dhjetë vjet më i ri!
Zilia e telefonit cingërinte pa ndërprerë duke ia prishur Merit gjumin e ëmbël të mëngjesit. Ishte Juli. U detyrua të anulojë takimin me hallën. Akulli midis tyre ishte shkrirë dhe ato kishin filluar përsëri të këmbënin thashetheme. Pas ca fjalëve të kota, Meri e pyeti mikeshën e vjetër:
– Si do ta prisje një propozim për martesë në Kanada?
– Një dhuratë nga qielli, – iu përgjigj Juli me një vendosmëri çamarroku.
– Po sikur ai të jetë ndarë nga gruaja dhe të ketë dy fëmijë?
– Me fëmijë? Shumë bukur, kjo tregon që ai nuk është steril, fëmijët një ditë shkojnë në punë të tyre, lere më që ata të bëhen si shokë; një motër apo vëlla më shumë.
– Sa vjeçtoleron nëse gjendet një burrë më i madh në moshë se sa ti vetë?
– Është në modë të marrësh sot një burrë rreth të dyzetave sepse ai me siguri ka blerë shtëpi dhe ka bërë para, plus që nuk ta dredh sepse ti e shtrydh me rininë tënde. Në Kanada? Qershia mbi tortë. Ke ndonjë shans?
– Jo, thjesht ashtu kam pasur një diskutim me hallën.
– Budallaqe, po qe se është e vërtetë, siguro jetën, garanto të ardhmen. Unë për vete nuk kam për të marrë një burrë nën të tridhjetat, ata me moshën tonë të plasin buzën duke ta dredhur, duhet të jesh qen kufiri që të rendësh tërë jetën pas bythës së tyre.
E nesërmja qëlloi e dielë dhe kafen e mëngjesit Meri vendosi ta pijë me të ëmën. I tregoi të gjitha bisedat e Xhemit për Samiun dhe të rejat nga Juli. E ëma nuk u habit, por i tha se si ajo, si babai, e dinin se Samiu i vinte vërdallë, por e kishte ajo vetë në dorë. Tashmë ishte vajzë e rritur dhe me shkollë më shumë se ata.
– Po ti mos ki frikë të bisedosh me të, blija mendjen, tashmë je e pjekur dhe mund të vendosësh në mënyrë të pavarur. Ne nuk duam të të largojmë nga sytë, por e sheh se çfarë bëhet, djemtë kanë ikur të gjithë në emigracion dhe shumë vajza, edhe me shkollë të lartë, kanë mbetur pa martuar. Nuk ka më keq. Samiun e njohim si familje, janë njerëz të mirë.
– Po mosha?
– Nuk mendoj se është ndonjë diferencë e madhe, ama familjarët si Samiu janë të rrallë; i dashur e nikoqir, me një barrë mend, inxhinier mekanik.
Ra zilja e derës dhe ja tek u duk postieri. Solli një letër rekomande në emrin e saj. Brenda zarfit ishte një kartolinë me dy zemra të shkrira dhe një letër e qëndisur me një kaligrafi të bukur. Në fund firmosej nga Sami Baltëza. Ishte një propozim martese dhe plot premtime e komplimenta drejtuar asaj. Në fund ishte një shënim ku i thoshte se mund të hanin një drekë së bashku me Xhemin. Vendin ta zgjidhte ajo vetë. Letrën dhe kartolinën ia tregoi së ëmës dhe ajo i tha se mund të takoheshin edhe pa praninë e hallës. Jeta e ardhme u përkiste atyre të dyve. Eh, ja se si rrotullohen punët, sa shumë po e turbullonte kohët e fundit Kanadaja dhe emri i Sami Baltëzës! Bëri një bilanc me veten e vet dhe mendoi se vendosja në Kanada i eleminonte si moshën ashtu edhe martesën e parë të Samiut, por në fund të fundit ajo nuk gjente asnjë të metë tek ky mashkull i cili ishte shumë larg aventurave të ish të dashurit të saj, Klajdit.
Meri e dha fjalën për fejesë dhe tashmë çdo ditë ishte e zënë në takime me të fejuarin. Iu duk më i mirë nga çfarë e kishte përfytyruar. Ai e shikonte me një adhurim të veçantë dhe me një kujdes që nuk e kishte parë kurrë në sjelljen e Klajdit brutal e mendjemadh. Ndjehej e përkëdhelur si një kotele. Vuri re se atij kurrë nuk i mungonin paratë. Sa herë u vinte në shtëpi për ta marrë, asnjëherë nuk ishte duarbosh. Takonte më parë prindërit e saj e pastaj atë. Kishte ca zakone dhe sjellje të ndryshme nga të meshkujve shqiptarë. “Faleminderit dhe të lutem”; i mbante në majë të gjuhës dhe Merin e konsideronte si një princeshë. Në një nga takimet i tha se kishte biseduar me ish gruan në telefon dhe e pyeti në se mund t’i mbante ajo fëmijët. “Patjetër, nuk mund t’ia besoj një studenteje”, i kishte thënë ajo.
– Flet me të? Nuk e ke problem? – e pyeti ajo e habitur.
– Posi jo, na lidhin fëmijët dhe një kohë e shkuar. Është tjetër jetë atje. Mendoj se ajo bëri zgjedhje të gabuar, por unë nuk kam arsye përse ta urrej dhe të hakmerrem duke i mbajtur fëmijët, – iu përgjigj ai sinqerisht.
Ata shpejtuan të bëjnë celebrimin nga që atij po i mbaronte leja. U mblodhën të dy familjet si dhe Xhemi me të shoqin. Meri ishte bërë më e bukur se kurrë. Kur ia tregoi fotot në celular Julit, ajo u mahnit me veshjet e saj të bëra dhuratë nga i fejuari si dhe bizhutë prej floriri.
– Bëj qejf, – i tha – të rrojë Kanadaja, ne na duhet të punojmë dhjetë vjet për të blerë gjithë këto gjëra. Na lër të zhytemi thellë e më thellë në këtë kënetën tonë që quhet Shqipëri. Motër, mos u bëj pishman, je me fat, apo nuk shkoni si çift! Samiu nuk ka një fije floku gri, pa le më të bardhë. Duket më i ri për moshën që ka. Ka jetuar mirë në Kanada, ishte fati yt.
Shpejtuan të bëjnë celebrimin dhe përgatitën dokumentet për bashkimin familjar. Gjithë atë mori letrash me firma dhe vula i nisën në ambasadën kanadeze në Romë. Do të prisnin gjashtë muaj për përgjigjen. Sami Baltëzës i duhej të udhëtonte drejt Kanadasë sa më parë. E priste puna. Në aeroportin e Rinasit e përcollën së bashku me Xhemin. Domosdo me benzin e saj. Merit iu mbushën sytë me lotë kur po ndaheshin, kishte nisur ta dashuronte. Edhe Xhemi u prek, por e mbajti veten. Pritën gjer sa “Lufthansa” u ngrit në qiell, pastaj hallë e mbesë u kthyen nga kishin ardhur.
***
Të nesërmen Meri u regjistrua në një kurs privat anglisht. Ajo fliste në telefon me Kanadanë një apo dy herë në ditë. Samiun nuk e zinte gjumi pa folur dhe pa e parë në video. Ritmikisht, për çdo muaj ai i dërgonte nga 500 dollarë kanadezë. Tashmë ajo nuk ishte barrë për familjen dhe nuk varej ekonomikisht prej tyre. Brenda pesë muajsh nga ambasada kanadeze erdhën dokumentet e aprovuara së bashku me vizën në pasaportë. Ajo mund të bashkohej me Samiun dhe mund të udhëtonte drejt Torontos. Caktuan ditën e martesës. Familjes nuk i interesonte të bënte një dasmë të bujshme, në fund të fundit ajo mori një burrë të divorcuar. Samiu nuk vonoi, mbërriti së bashku me biletat e avionit. “Panorama” gjëmoi përsëri nga këngët e vallet. Të nesërmen, ashtu, të lodhur nga dasma dhe pagjumësia, çifti i ri u nis në Rinas me taksi. Aeroplani u ngrit në ajër dhe Merit iu duk se diçka iu shkëput prej kraharorit. Një botë e panjohur shtrihej përpara saj. Udhëtim shumë i gjatë, ajo e kishte për herë të parë fluturimin me aeroplan. Iu mpinë gjunjët. Duke kaluar nga njeri kontinent në tjetrin, oraret u bënë lëmsh dhe dita me natën u ngatërruan.
Rrotat e aeroplanit “Boing 777” prekën tokën kanadeze dhe gjithë pasagjerët duartrokitën, së bashku me ta edhe Meri. Ishte e para herë që vizitonte kontinentin amerikan, e para herë që shihte Kanadanë. Aeroporti i Torontos ishte i madh sa i gjithë qyteti i Fierit. Meri ishte e hutuar dhe nuk dinte ku hidhte këmbët. U mbajt përkrahu pas të shoqit. Kryen formalitetet në policinë e emigracionit, tërhoqën bagazhet dhe i shoqi njoftoi agjensinë “Uber” për një taksi. Shoferi indian me një xhip të lodhur i priste jashtë, nën një urë ku sipër saj kryqëzoheshin disa rrugë. U nisën drejt shtëpisë. Sa shumë autostrada, të gjitha me më shumë se gjashtë korsi. Qëlloi të ishte vjeshtë, fillim tetori. Pyje të përflakur me lloj-lloj ngjyrash, disa shkurre shëmbëllenin sikur kishin marrë zjarr. Kanadaja i ngjau si një përrallë. Këta edhe flamurin e kanë me një gjethe vjeshte, mendoi. Shtëpitë të zhytura midis pemëve të larta dhe në horizont nuk dukej asnjë mal, veç qiellgërryeseve në zemër të Torontos. Lanë autostradën dhe hynë në lagjen Etobicoke. Ndaluan tek një portë. Shtëpia ishte e ulët, njëkatëshe, mbuluar me katrama, por e rrethuar me kopsht e pemë. Nga jashtë nuk ta mbushte mendjen se kishte tri dhoma gjumi, kuzhinë dhe një dhomë pritje, veç bodrumit. Ishte qetësi dhe një heshtje e frikshme. Asnjë fqinj nuk zgjati kokën për të parë se kush erdhi e kush hyri. As zëra fëmijësh nuk dëgjoheshin gjëkundi. U lidhën në telefon me Fierin dhe ajo u tha prindërve se ishte e lumtur që gjendej në këtë vend të bukur. Sa qartë e mirë që dëgjoheshin zërat! Samiu hapi valixhet dhe i tha të zgjidhte rrobat e shtëpisë, duhet të bënte ajo e para një dush. E mësoi si ta përdorte dorezën dhe i tha të mos e kursente ujët e ngrohtë sepse rridhte në çdo kohë. Përballë ishte dhoma e gjumit dhe ajo vuri re në mur disa foto në kornizë. Cila ishte balerina? Vendin e kujt po zinte ajo? Ishte kurioze për ta njohur; duhet të afrohej për ta parë e dalluar, por i erdhi marre. Kur doli nga dushi, vuri re në tavolinë ca ushqime në dy qese dhe një shishe kokakola. Në kohën që ajo bënte dush, Samiu kishte dalë për të siguruar darkën. Kishte blerë hamburger. Ende ushqimet avullonin nga gryka e hapur e qeseve prej letre. Ishte e uritur, hëngri me shije. Nuk u nginj, por i erdhi zor ta thoshte. Ranë për gjumë. Samiu, sa vuri kokën në jastëk nisi gërhimat, por asaj nuk i flihej. Me mendje tha e ngazëllyer: “Ej, Klajd, ta mora në kthesë, çfarë nuk do të jepje ti të kapje Kanadanë, por unë e bëra ëndrrën realitet për shtatë muaj, bye, bye!”. Dhe mbylli sytë. Kur u ngrit të nesërmen gjeti në tavolinë qumësht të ngrohtë, një tas me seriale, gjalpë dhe bukë të thekur si dhe një shënim: “Mëngjesin e ke gati, për drekë gatuaj çfarë të duash. U ngrita herët, bleva fruta, mish viçi të freskët dhe peshk, i ke në frigorifer. Unë kthehem vonë”. Shikoi rrotull. Gjithë kjo hapësirë bosh kishte diçka enigmatike dhe të mistershme. U ra rrotull dhomave, ishin të pastra dhe të mbajtura mirë. Pikë pluhuri. Kishte foto të fëmijëve dhe të vetë Samiut, por balerinën nuk e ndeshi asgjëkundi. Si ishte ajo vallë? Kaq shumë e urrente?! Ai nuk ia shprehu një gjë të tillë. Dëgjoi një zile telefoni. Nga vinte ashtu tingulli? Ja ku ishte në sergjen një aparat celulari. Nuk deshi ta marrë, por zilja binte me insistim. Një “Samsung” kërr i ri, i sapohapur, ende ekrani ishte i mbështjellë me letër celefoni. Shtypi “yes” dhe e mbajti në vesh:
-Alo, Meri, jam Samiu, ta gëzosh dhuratën, marka e fundit “Samsung”! Përdor “WhatsApp” për t’u lidhur me Fierin. Mos dil vetëm nga shtëpia se humbet. Shplodhu, zemër, dëgjo muzikë, shih televizor, gatuaj për vete. Nuk flas dot më gjatë se jam në punë.
– Po në kopësht të dal? – e pyeti ajo.
– Aty po, por mbaj një bluzë se moti në Kanada të gënjen, ka të papritura, – i tha ai dhe e mbylli celularin. Meri e rrotulloi aparatin e ri nga të gjitha anët. E kishte ëndërruar një të tillë. Dhe ja ku e kishte, u pajis me të qysh ditën e parë në Kanada.
Ditët ishin të njëllojta, ajo lëvizte në dyqind metra katrore truall, dil e hyr në kopësht. Ishte vetëm ajo dhe ketrat. Shikonte përmes gardhit në rrugë dhe askush nuk ecte më këmbë, as bori makinash nuk dëgjoheshin. Iu duk si një vend i shurdhuar dhe i harruar nga bota. Foli disa herë me Shqipërinë. Ketrat, këto kafshë të shkathëta e të vogla, i shikonte për herë të parë. U hodhi thërrime buke, por ata nuk afroheshin, vraponin të gëzuar sipër e poshtë gardhit. Po me çfarë ushqeheshin vallë? Kafshë të vogla, mistrace e të çuditëshme!
Erdhi e diela dhe Samiu i propozoi të bënin një xhiro me makinë në qendër të Torontos. Ajo deshi të vizitonte disa dyqanë, por ai i tha se mund të kontrollonte në internet çdo lloj dyqani dhe mallin e porositnin në “Amazona”, pa qenë nevoja të harxhonin kohën kot. U ngjitën në Kullën CN, 460 metra të lartë dhe Meri u habit me qytetin pa anë e pa fund. U kthye nga lindja e diellit dhe pyeti:
– Det është ai në horizont?
– Jo, është liqeni i Ontarios.
– Ua, sa i madh qenka, aty në mol duken disa vaporë.
– Po, është i lundrueshëm… Ja, e vizitove edhe Toronton, kthehemi në shtëpi. Këtu parkimi është 15 dollarë ora, nuk na leverdis, – tha Samiu dhe zbritën me ashensorin e shpejtë.
Ajo donte të vazhdonin, të ecnin me këmbë nëpër rrugë; t’i shikonte njerëzit nga afër dhe dyqanet, por i shoqi nxori kartonin e çmimit të shtrenjtë të parkingut dhe ajo u përmbajt, nuk kundërshtoi. Do kemi rast tjetër t’i biem qendrës kryq e tërthor, mendoi dhe ndoqi pas të shoqin që nxitonte për të arritur sa më parë tek parkingu.
Të dielën tjetër ishte gallatë e madhe; erdhën për vizitë dy fëmijët dhe e ëma e tyre, Lili, balerina. Qenkishte e gjatë, elegante dhe relativisht e bukur. As mund ta mendoje se ajo kishte lindur dy fëmijë, Xhejsonin dhe Lisën. Kjo e fundit pyeti në anglisht në se këtë shoqen e babit e kemi kushërirë.
– Është nusja e shtëpisë sonë, – iu përgjigj e ëma duke shtrembëruar buzët.
– Pse dy nuse ka babai ynë? – vazhdoi vogëlushja me pyetje të tjera, po i vëllai e kërcënoi fshehtas të mos e zgjaste, duhet ta mbyllte gojën.
– Ku janë fotot e mia, Sem? – kërceu pa pritur Lili duke rrotulluar sytë nga të katër muret.
– Brenda në dollap, – i tha ai. Ajo u tjetërsua, humbi qetësinë dhe një damar blu i kërceu në ballë. Sytë iu përflakën dhe iu bënë të kuq.
– Unë jam pronare e shtëpisë dhe ti nuk ke të drejtë të më heqësh nga muri fotot e mia. Të nxjerr përjashta me gjithë këtë fshataren që më ke sjellë nga Myzeqeja. More vesh, mora, thuaj. Fëmijët do jetojnë këtu dhe unë do hyj e do dal kur të më dojë qejfi, idiot!
Ish burri nuk i ktheu përgjigje, por u tkurr e u mblodh sa një grusht. Nuk ishte më ai i lokaleve të Fierit që hiqej si një bos kanadez, madje as makinën nuk e kishte si të Xhemit. Përdorte një “Tojota” dhjetvjeçare, japoneze. As shtëpia nuk qenkej e tij. Pse nuk ia kishte treguar më parë këtë fakt? Samiu po zvogëlohej në sytë e saj, po hynte në ujë. Pse nuk tregoi më parë se shtëpia nuk ishte e tij? Kur ranë për gjumë, Merit nuk iu durua pa e pyetur të shoqin:
– Vërtetë shtëpia është e Lilit?
– Po, e asaj, e ka me testament nga një plak i pasur kanadez të cilit i shërbeu gjersa vdiq. Po Lili nuk e ka marrë shtëpinë me vete, këtu e ka lënë, tani, siç e di, ajo jeton buzë liqenit në një apartament që ia ka dhënë në dispozicion regjisori. Shpreson t’ia xhvatë, të bëjë si me plakun dhe kjo shtëpi të mbetet e jona.
– A mund të ikim që këtej, nuk e duroj dot. Nuk dua të jemi në mvartësi të saj. Si e ke duruar kaq vjet?! Ajo të fyejti, çfarë artiste qenka ajo pa një pikë edukate? Si e durove? Edhe mua më injoroi e më ofendoi. Mos harro, më takon për herë të parë dhe çfarë nuk nxori nga goja!
– Nuk mundemi, shtëpitë janë shtrenjtuar dyfish, për një banesë si kjo, duhet të paguajmë fillimisht njëqind mijë dollarë e pastaj ta mbulojmë me kredi. Edhe qiratë janë shtrenjtuar shumë. Nuk ia dalim dot.
– Atëherë unë duhet të hyj në punë, të kemi dy rroga.
– Sa të jem gjallë nuk të lë të bësh punë të rëndomta, do të vazhdosh shkollën, ti as diplomë kanadeze nuk ke, as gjuhën nuk e zotëron mjaftueshëm. Mëso anglisht në shtëpi. Për të gatuar, gatuaj unë, edhe rrobat i laj e i thaj në lavatriçe. Të betohem, do të mbaj në pëllëmbë të dorës, si një princeshë, vetëm mëso që të mbarosh universitetin.
– Jo, unë dua të punoj, nuk kam ardhur në Kanada të rri e ngujur në kullë si malësorët për gjakmarrje, – e kundërshtoi ajo për herë të parë. “S’ka faj, mendoi Samiu, e inkurajoi sjellja arrogante e Lilit. Si ta heq qafe atë dreq artiste që m’u bë havale e s’më le të marr as frymë?!”.
Të nesërmen, kur Lili kishte avulluar me të dy fëmijët, Samiu i shpjegoi me durim historinë e tyre. Kishte ardhur ajo fillimisht në Kanada, me një grup artistik të Operas. Atëherë sa ishin martuar. Qëndruan si grup në Toronto dhe Lili bëri dokumentet duke kërkuar strehim si e persekutuar. Natyrisht letra fals, si shumë të tjerë. U aprovua dhe më pas tërhoqi edhe bashkëshortin. Vitet e para kishin jetuar në bodrumin e kësaj shtëpie. Pronari, një plak 73-vjeçar jetonte i vetëm këtu sipër. Ishin miqësuar me të, sidomos Lili, e cila herë pas here kujdesej për plakun, i hekuroste rrobat dhe i bënte “shopingun”. Pas tre vjetësh, i kënaqur nga ndihma e Lilit, ai nuk u mori qira, paguanin vetëm ujin dhe dritat. Shëndeti i pronarit çdo vit e bëhej më keq. Kishte vetëm një djalë që jetonte me familjen e tij, nga ana tjetër e Torontos, buzë liqenit. Si ai, si nusja e tij, plakun e vizitonin rrallë. Dukej ashiqare që marrëdhëniet midis tyre nuk i kishin të mira. Kur plaku u përkeqësua, i biri deshi ta dërgonte në shtëpinë e pleqve, por Lili i tha të mos shkonte atje se do të kujdesej ajo për të. Do ta konsideronte sikundër ta kishte baba. Atëherë plaku lejoi vetëm atë të flinte në dhomën pranë, ndërsa Samiun e lanë në bodrum. Plaku, i zemëruar me të birin që deshi ta çojë në shtëpinë publike të pleqve, u lidh fort me Lilin. Për hir të vërtetës duhet thënë se ajo sakrifikonte nga koha e saj dhe nuk i linte gjë mangut plakut. Atëherë punonte mbasdite si instruktore baleti me fëmijët.
– Sado i kënaqur të ketë qenë pronari kësaj shtëpie, si mund të lesh trashëgimi gjithë këtë pasuri një të huaji? – pyeti Meri e habitur pasi i mësoi të gjitha këto.
– Ka edhe më keq, disa këtu ia lënë gjithë pasurinë kishës, edhe pse kanë fëmijë. Plaku kishte dy shtëpi, veç kësaj edhe një tjetër të lëshuar me qira. Dhe kishte goxha para në bankë. Njerën shtëpi si dhe kursimet ia la të birit, ndërsa këtë ia la me testament Lilit. Ne na u bë mirë, por na hyri sherri në jetën bashkëshortore. Malli dhe paraja të prish, të bren përbrenda si krimbi drurin.
– Hajde balerinë, hajde, i paska bërë magji plakut, e ka hipnotizuar, – tha Meri me të qeshur – çfarë nuk ndodh këtu në Kanada. Marrke edhe shtëpi falas!
Fjalët e fundit i shoqi nuk i dëgjoi. E kishte zënë gjumi. Meri u përpëlit në shtrat si një trumcak i rënë në grackë. Kujtoi për të sajtën herë retorikën e Klajdit për Kanadanë. Kush dreqin ia kishte futur atij në kokë gjithë ato shanse e prioritete për këtë vend të largët e të akullt?! Pse i shoqi nuk ia kishte treguar më parë se shtëpia ishte në emër të Lilit?! Dardha e paska bishtin prapa, kushedi se çfarë molloira të tjera do na dëgjojnë veshët nga Kanadaja, mendoi. Solli ndërmend gjithçka i kishte ndodhur me këtë martesë paksa të dyshimtë. Mos vallë ishte nxituar? Mos e kishte verbuar emri i këtij shteti të madh e të largët?! Ku ta dish. Po si nuk iu ndodh ndonjë i afërt apo shoqe për t’u konsultuar, madje edhe ta pengonte në aventurën e saj. Të gjithë ishin pro martesës, si të orkestruar. Kë shihnin ata, pasurinë, njeriun apo Kanadanë?
***
U kthyen ditët e qeta. Lili dhe dy fëmijët e saj nuk ishin bërë të gjallë. Dimri i egër i Arktikut po vinte me nxitim. Pemët ishin të xhveshura nga gjethet, me përjashtim të halorëve që nuk e lëshonin qyrkun e gjelbër as dimër e as verë. Degët lakuriqe, të kthyera nga qielli dukej sikur luteshin për pak ngrohtësi. Binte vazhdimisht shi dhe fletët e rrëzuara, të cilat çdo ditë e më shumë po bëheshin puq me dheun, kalbeshin në heshtje, shtypur e ngjeshur nga hapat e njerëzve. Sa herë çelej moti e dilte pak dielli, ketrat, sikur e bënin me fjalë, dilnin në kopsht dhe kërcenin mbi gardh. Dukej sikur kërkonin të jepnin spektakël përpara mikeshës nga Shqipëria. Temperaturat shënonin disa gradë nën zero, por brenda shtëpisë i ftohti nuk ndjehej. Kaldaja që punonte me gaz, e mbante temperaturën konstante. Samiu punonte çdo ditë me orar të zgjatur dhe rrallë pushonte të dielave. Nuk i premtonte koha të nxirrte nusen e re nëpër lokale apo qendrën e Torontos. Kishte një vandak dëftesash (billa) për të paguar, taksë toke, gaz, ujë, detyrimin ushqimor për dy fëmijët si dhe interesin e një një kredie 50 mijë dollarëshe të marrë një vit më parë, borxh nga banka. Ai prej vitesh punonte përgjegjës në një servis makinash në lagjen Etobicoke, por riparonte edhe vetë motorë makinash, sidomos të klientëve të pasur. Paguhej mirë, 30 dollarë ora. Duart vazhdimisht i binin erë benzinë dhe graso, pavarësisht që lahej me lloj-lloj sapunësh dhe shamposh. Ishte kthyer në një robot.
Përpara ishin Krishtlindjet dhe Bashkia kishte dekoruar e zbukuruar rrugët e pemët me drita shumëngjyrëshe. Kudo atmosferë festive. Samiu kishte sjellë në shtëpi një bredh të vogël dhe Meri disa kohë u muarr me zbukurimin e tij. Shpikte diçka të re për ditë nga ato “marifetet” që shikonte në televizor. I lutej herë pas here bashkëshortit të blinte aksesorë të ndryshëm dhe ai ia plotësonte një më një. Hyrja, kopshti dhe shtëpia brenda ishin transformuar. Dukej dora dhe shija e saj. Ajo dëshmoi se kishte fantazi dhe gusto.
Së bashku me Krishtlindjet, në Toronto zbriti edhe bora e parë. Meri, gjithë asaj paqeje të bardhë, iu gëzua si një fëmijë. Në kopsht ngriti “Njeriun e Borës” i cili në dorë mbante një shkop, në sup një qese plastike me lodra dhe në vend të hundës kishte një karrotë. Shpresonte të vinin për vizitë fëmijët e Samiut. Sa do të gëzoheshin duke parë gjithë ato zbukurime e ndryshime! Ajo kishte filluar t’i donte ata dy trazovaçë që nuk linin dy gurë së bashku. Dhe vërtetë ata erdhën, por e ëma e tyre nuk hyri brenda dhe as u hodhi një sy dritave të shumëllojmshe. Dukej e merakosur dhe e shpërqendruar. Kishte brengat e saj të udhëtimit. Tek dera tha se do të kthehej pas një jave. Do të shkonin me boyfrendin në një udhëtim me kroçere duke u nisur prej Majamit të Amerikës. Vitin e Ri do ta festonin me një grup artistësh në ishullin Bahamas. Samiu, kur gjeti në shtëpi Xhejsonin dhe Lusin, u gëzua pa masë. Shtëpia u gjallërua dhe Meri ishte e zënë gjatë gjithë ditës. Disa herë i duhej të hynte midis vëllait e motrës që grindeshin thuajse për asgjë, por sidomos për lodrat. Shkatërronin zbukurimet dhe Merit i duhej t’u fliste me zë të lartë e t’i qortonte gjatë gjithë ditës. Ishin fëmijë të llastuar. Sa herë u fliste, ata e kërcënonin dhe i thoshnin se do t’ia rregullonin qejfin kur të kthehej mami. Dhe një ditë asaj i erdhi në majë të hundës kur Xhejsoni kishte fshehur tenxheren me presion nën borë, në kopësht dhe nuk tregonte. Ajo i tërhoqi veshin dhe ai jo vetëm i raportoi të ëmës në telefon, por tha se do të merrte 911-tën e të njoftonte policinë se ajo e kishte dhunuar. Samiu u zemërua keq jo vetëm me fëmijët, por edhe me Merin. Ajo nuk e dinte se në Kanada policia ia merr prindit fëmijën kur vërtetohet se ai ushtron dhunë ndaj tij. Xhejsoni as të nesërmen nuk u qetësua, shkatërronte e bënte rrëmujë duke kërcënuar. Meri u mbyll në dhomën e saj duke qarë. I kishte ardhur në majë të hundës me këta dy fëmijë të përkëdhelur, por nuk i qortonte më dhe ata bënin çfarë të donin. U pa puna, nuk jetohej së bashku me ta.
Lili, kur u kthye, jo vetëm nuk e falënderoi për kujdesin ndaj fëmijëve, por i tha të mos guxonte kurrë t’i prekte me dorë sepse do ta fluturonte me gjithë lecka nga Kanadaja dhe do ta dërgonte fishek në baltën e Myzeqesë.
– Si e ke duruar prej pesëmbëdhjetë vjetësh këtë grifshë që as në lagje nuk duhet ta kesh, jo më në shtrat. Nga është me origjinë?
– Me prindër nga Kardhiqi i Gjirokastrës, prej një familje opozitare.
– Ku je, o Ali Pasha, ngreu dhe njëherë/ Bëje zap Kardhiqin, drizëro çdo derë, – tha me të qeshur Meri duke i dhënë tjetër drejtim këngës popullore. Samiu vuri buzën në gaz. Meri kishte humor, jo më kot kishte qenë studente për letërsi.
Janari ishte muaj i qetë. Lili se nga kishte humbur dhe Samiu kësaj radhe nuk u lut të takohej me fëmijët sipas marrëveshjes. Gjatë shkurtit, ish bashkëshortja kërkoi para shtesë, ndryshe ata duhet të paguanin qira shtëpie. Ajo u rrinte si çekan mbi kokë dhe nuk i linte ta gëzonin jetën. Po u merrte frymën së bashku me ngricat dhe temperaturën e ulët që nuk të linte të nxirrje as hundën tek dera. Meri përsëriti kërkesën për të dalë në punë dhe Samiu përsëri e kundërshtoi.
– Jemi ngushtë, po do t’ia dalim, – tha ai me atë optimizmin e tij karakteristik – ndoshta ata të Shqipërisë bëhen gjallë e na dërgojnë ndonjë lekë.
– Nga Shqipëria lekë?! Po më habit, nga kush pret?
– I kam huajtur burrit të Xhemit 40 mijë dollarë.
– Dhe po ma thua tani?!
– Ju deshën për tregëti me Italinë.
Meri ra në mendime, po kthjellohej. Ja kush ishte arsyeja pse Xhemi u bë copë për t’u bërë kjo krushqi e martesë. Iu duk vetja si ato malësoret që bliheshin dikur me para. Vërtetë të ishte kthyer pa dijeninë e saj në plaçkë këmbimi? Jo, jo, nuk ishte e mundur ta bënin prindërit e saj këtë poshtërsi, por dyshimi i zuri vend në kokë. Pra, edhe prindërit e saj duhet ta dinin për këtë borxh. Martesa e saj paskish qenë biznes në fshehtësi. Ju neveritën të gjithë, edhe vetja. Sa naive kishte qenë!
Papritur, një mëngjes, Lili me të dy fëmijët u mbart aty, tek shtëpia e saj me gjithë orenditë dhe plaçkat e veta. Nuk kishte bërë asnjë lajmërim. Edhe makinën që i kishte falur regjisori, nuk ia lëshuan. Si u tregua aq budallaqe dhe nuk e kish hedhur me dokumente mbi vete?! Bashkëjetesa moderne kishte dështuar dhe ajo u betua se kurrë nuk do të kthehej më tek boyfrindi. Kishte humbur edhe punën. Kaq, nuk jepte shpjegime më shumë. Acarohej për gjithçka dhe shishen e uiskit nuk e lëshonte nga dora. Ashtu, e pa veshur me rroba firmato dhe pa grim, ngjante më e plakur. Kishte bërë kërkesë për t’u kthyer në punën e vjetër si instruktore baleti në qendrën komunitare të bllokut. Ishte në pritje. Samiu nuk merrej vesh, ishte i lumtur apo i hidhëruar nga kjo situatë e re që ishte krijuar në familjen e tyre.
Nuk kishin kaluar as dy javë nga kthimi i Lilit në shtëpi, kur plasi skandali tjetër. Duke u larë në dush, Meri vuri re nga një pikë e derës së xhamit të banjës, një xixëllonjë drite. E hapi pak dhe nga e çara pa Xhejsonin që po largohej me nxitim duke mbajtur në dorë një celular. U kuptua; kishte gërvishur bojën e derës sa madhësia e kameras dhe prej andej po filmonte. Meri u vesh, doli nga dushi dhe iu afrua Xhejsonit me qetësi. I kërkoi celularin. Ai e shtërngoi fort midis gjunjëve dhe pa e prekur fare nisi të bërtasë. Meri u detyrua t’ia rrëmbëjë aparatin me forcë. Zullapi, vërtetë e kishte filmuar nudo, duke u larë. I fshiu filmimet dhe ia përplasi me forcë celularin në dyshemeve. Telefoni u bë copë e thërrime.
– Prap po ma rreh djalin? – i tha Lili duke dalë me nxitim nga dhoma e saj – tani, në moment po marr 911-tën dhe ta ndreq mirë qejfin policia. Të mëson ajo se si trajtohen fëmijët e burrit.
– Nuk po e rrah, pyete se çfarë donte tek dera e banjës ku unë po lahesha. U bë ky surrat petull të më filmojë mua fshehurazi. E keni edukuar keq!
– Avash, avash, mos u zini për një celular, – tha Samiu duke lënë përgjysëm larjen e enëve.
– Ti, burri im, do që fotua lakuriq të bëjë një xhiro andej nga shkolla e Xhejsonit? -i tha të shoqit me shpoti. Dhe Samiu ia priti:
– Po kushedi se çfarë ka xhiruar më parë andej nga apartamenti i regjisorit, pornografi, dyshe, treshe, na tani, ato marifete po bën edhe këtu.
– Mbaj gojën Miu, është djali yt, në se nuk ju pëlqejmë ne, mbathjani, kjo është shtëpia ime.
– Po atë do bëjmë, që kur kam shkelur këtu, vetëm këtë avaz dëgjoj, shtëpia, shtëpia, shtëpia…Më ka ardhur në majë të hundës, – tha Meri me zë të lartë e kumbues. Samiu mbeti i habitur me guximin e saj. E kishte njohur për vajzë të urtë. – unë po mbedh rraqet e mia, ti Sem, po deshe më ndiq. Kam kohë që ta kam thënë. Nuk jam baltë që të më shkelin me këmbë. Dhe as kam ardhur në Kanada për mëshirën e balerinës. Mohova rininë time.
– Presim të gdhijë nesër, pastaj vendosim çfarë do bëjmë, apo jo, Lili? – tha Samiu me një zë lutës e të përvuajtur.
– Cila Lili more, këtu po flas unë, ajo nuk të pyet, vjen e ikën kur i do qejfi, ti vazhdon Lili, Lili. Ku e ke personalitetin si burrë? Po deshe më ndiq, – tha prerë dhe vazhdoi të mbledhë plaçkat e saj në dy baule. Lili bëri sikur nuk dëgjoi. Hyri në dhomën e saj së bashku me dy fëmijët. Meri e paskishte me tërë mend largimin. Ndoshta do të kthehej në Shqipëri, Ja tek doli tek dera duke tërhequr valixhet. Samiu pa ç’pa, veshi xhupin, këpucët me qafa dhe e ndoqi mbrapa.
– Në hotelin më të afërt, – i tha Meri duke hipur në “Tojota”.
– Ikën vërtetë, edhe babi pas saj – i tha Xhejsoni së ëmës duke i ndjekur me sy nga xhami i dritares.
– Prapa diellit shkofshin! – i tha ajo duke kthyer me fund atë pak uiski që kishte mbetur në shishe.
Meri mori frymë thellë. Iu duk se u çlirua prej një ferre të lidhur nëpër këmbë. Ajri i ftohtë i hyri gjer në fund të mushkërive dhe iu duk sikur e freskoi. Qielli ishte i kthjellët dhe dritat e rrugëve ishin të gjitha të ndezura. Ah, sikur ta kishte ditur që në fillim se e kujt ishte shtëpia! Do bënin si gjithë të tjerët. Ajo përkohësisht do të gjente një punë dosido dhe qysh të nesërmen do të kërkonin një shtëpi tjetër me qira. Nuk humbet pazari për gjilpëra.
***
Ishte nata e parë që Meri bëri gjumë të qetë, pa hijen e fantazmës që quhej Lili. Ajo kishte mbetur e largët së bashku me trillet dhe aventurat e çuditshme. Lili Kanadanë e shihte si një lope mallteze që gjithë qumështin duhet ta shkullonte në gojën e saj. Si do të mund të arrihej që Samiu të shkëputej plotësisht prej mvarësisë së saj? Ai kishte dalë nga dhoma herët në mëngjes, kur ajo ishte në gjumë dhe si gjithmonë do të kthehej vonë, në mbrëmje. Pikërisht kur zbriti në restorant dhe po hante mëngjesin, Samiu e mori në celular dhe i tha se hoteli ishte ngjitur me kinemanë. Godina shkruante në muret e jashtme me shkronja të mëdha “Cineplex”. Kishte shumë salla shfaqjesh dhe filma të ndryshëm. Le të ndiqte oraret e të zgjidhte çfarë teme që dëshironte. “Jo, i tha ajo, kam nevojë për ajër të pastër, nga dritarja e hotelit vura re se përballë është një park. Aty do të jem ca kohë. Po marr edhe kufjet për të dëgjuar muzikë”.
Ishte fillim prilli, kishte ardhur pranvera dhe degët e pemëve ishin mbushur me sytha. Disa, ato që ishin të mbrojtura nga era e veriut kishin çelur gjethe sa një këmbë zogu. Ende ishte ftohtë dhe dëbora nuk ishte shkrirë plotësisht, por në park shëtisnin njerëz, apo edhe vraponin. Kujtoi prillin në Shqipëri; në këtë muaj gjelbërimi shtrihej tej përtej dhe kudo ndjehej aroma e luleve, ndërsa këtu akoma dukeshin vatra të bardha bore. Ende njerëzit nuk i kishin hequr xhubat e trashë. Toka ishte e tejngopur me lagështi dhe anës së rrugës këmbësore rridhnin rrëkë të holla uji. Herë pas here zbrisnin nga qielli tufa patash të egra. Ato ecnin në park tufa-tufa, pa u shqetësuar nga prania e kalimtarëve, ishin në habitatin e tyre natyror. Kishin bërë mijra kilomentra që nga Gjiri i Meksikës e gjer këtu, pa pasaportë dhe pa viza. Ishin të lira, toka dhe qiejtë u përkisnin atyre. Nuk kishin frikë nga gjindja dhe njerëzve u kalonin pranë këmbëve të tyre. Bashkëjetesë perfekte, por sjelljet e humanëve midis tyre nuk ishin si ato të marrëdhënieve me shpendët. Ajo mendoi se përpara e priste një jetë tjetër. I mungonte eksperienca kanadeze, ndryshe do të ishin punët po qe se do të gjendej në Shqipëri. Iu kujtua Juliana, shoqja e saj e ngushtë, çfarë bëhej me të vallë?
Samiu mbërriti vonë në dhomën e hoteli dhe Merin gati e kishte zënë gjumi. I kishte sjellë një çokollatë të zezë, por ajo nuk e preku.
– Kam një mendim, – i tha ai – mund të jetojmë në bodrum të shtëpisë sonë. Nuk kemi pse kërkojmë banesë me qira. I bëjmë ca rregullime e mobilime dhe mua më jepet mundësia të mos shkëputem prej dy fëmijëve. Do jemi të fituar.
– Ky është mendimi yt, apo i Lilit?
– Ajo u pajtua, por si ide ishte e imja.
– E kupton ti çfarë do të thotë për mua të kem mbi kokë Lilin dhe birin e saj, Xhejsonin? Ti i duhesh asaj shtrige për paratë e tua, sidomos tani që u shkëput me regjisorin dhe doli prej tij me gisht në gojë. Unë sakrifikova për ty rininë time dhe ti nuk pyet çfarë ndjej, çfarë brenga kam larg vendit dhe prindërve të mi. Jam një e vetburgosur me dëshirën time.
– Po ti e sheh që unë punoj sa për tre vetë dhe me aq sa kam mundur, t’i kam plotësuar dëshirat.
– Pikërisht këtu qëndron e keqja jote, nuk di të rregullosh raportet midis punës dhe pushimit, midis ty dhe fëmijëve, midis meje dhe Lilit. Je fare aut. Më fal që t’i them këto, por duhet të t’i shkoqitja një ditë. Nuk di të bërtas, por kjo nuk do të thotë se nuk mendoj. Unë e shoh botën dhe Kanadanë me një tjetër sy nga yti.
Atë natë Sami Baltëza kuptoi se Meri nuk ishte aq e butë dhe e nënshtruar sa dukej në pamjen e parë. Kujtoi si përplasi telefonin e Xhejsonit në dyshemenë e kuzhinës dhe se si vendosi të dalë nga shtëpia pa e pyetur atë. Duhet të ishte i vëmendshëm. Nuk ishte si Lili që aty bërtiste e aty qeshte. Ajo ishte e programuar për perspektivën e saj dhe e qartë në qëllimet e veta. Duke i zgjatur njëqind dollarë, i tha:
– Nesër mund të bësh një guidë në qendër të Torontos. Përpara hotelit niset një autobus me turistë në çdo tre orë. Zgjidh një orar të përshtatshëm dhe dil të mos mërzitesh.
– Paradite kam ndërmend të flas në telefon me ata të shtëpisë sime. Këtu ka Wi-Fi, do të komunikoj me WhatsApp.
Përsëri i shoqi nuk i kishte dëgjuar fjalët e fundit, e kishte zënë gjumi. Ajo ndjeu pikëllim në zemër. Një rrëke lotësh i rrodhën nga sytë dhe i lagën jastëkun. Nuk e zinte gjumi. Ëndërronte me sy hapur Parkun e Madh në Tiranë. Përfytyronte grupet e studentëve dhe midis tyre dallonte Klajdin me ato supe të ngritur dhe një tufë flokësh që i lodronte mbi ballë. Ndjente mall, ankth dhe stres të paparë. I kishin filluar përsëri ëndërrat e frikshme. Të nesërmen, të ëmën e kapi në telefon qysh me zilen e parë. E pyeti për shëndetin e të gjithve, për Xhemin e pastaj për Julin. I tha se me këtë të fundit nuk mund të lidhej dot. Mos kishte ndërruar gjë numër telefoni? E ëma, kur dëgjoi emrin e asaj vajze, heshti pak, pastaj i tha:
– Mos e kërko më, ajo së bashku me atë djalin që shoqëroheshe ti, ka ikur për punë në Gjermani.
– Por ajo sikur na tha se ai ishte fejuar me një emigrante nga Italia.
– Nuk di çfarë të të them, edhe kaq, m’i tregoi nëna e saj kur e takova në supermarket, para tri ditësh.
Klajdi dhe Juliana kanë ikur së bashku në Gjermani?! Të ishte e vërtetë? Mbeti e pataksur. Rrufe në qiell të kthjellët. Ishin dy numra telefoni që i mbante mend përmendësh. Në fillim i ra telefonit të Julit. “Ky numër është jashtë funksionit” dëgjoi sekretarinë telefonike. Edhe numri i Klajdit po ashtu. Pyeti Xhemin në celular dhe ajo i tha se është e vërtetë çfarë të ka treguar mami, por nuk jap dot shpjegime sepse jam me shoqe në një lokal. Konfirmimi ishte zhgënjimi më i madh në jetën e Merit. Dhe kjo ndodhte për herë të dytë. Kanadaja po ashtu ishte iluzion i madh. U kujtua se midis turistëve të hotelit vërtitej një çun me ngjyrë që shiste narkotikë të fortë. Bashkoi dollarët dhe ata ishin rreth 400. Le të kushtonte sa të donte, ajo vendosi të blejë një apo dy doza.
***
Sami Baltëza, duke ndjerë ato çpimet e gjilpërave që Meri i hodhi një ditë më parë, e la punën më herët dhe u kthye drejt e në hotel. Valixhet ishin aty, por Meri mungonte. Pyeti shërbyeset, recepsionin dhe kamerjerët. I thanë se nuk e kishin parë qysh në drekë. Telefoni i saj dilte i padisponueshëm. E humbi fare toruan, nuk kishte nga t’ia mbante. Njoftoi Lilin. Ajo i tha se duhet të ketë ikur me ndonjë dashnor, sidoqoftë, për të shkarkuar çdo përgjegjësi duhet të raportonte në polici. Ashtu bëri. Një dedektiv i mori gjeneralitet, foton, numrin e celularit, e pyeti në se ishte përdoruese droge, kur ishin ndarë, kush e kishte takuar i fundit dhe me kë kishte konflikte apo grindje. Në fund i zgjati një kartvizitë dhe për çdo njoftim të ri, ai duhet të telefononte. Priti edhe dy ditë të tjera në hotel, plot ankth e padurim, por Meri nuk u duk gjëkundi. Vendosi të kthehej në shtëpi me gjithë dy valixhet e saj, pranë fëmijëve dhe Lilit. Kjo e fundit, duke e parë të brengosur e sterrë të zi në fytyrë, i tha:
– I shkreti Sem, nuk të ecën me femrat, kafshë pune je, ndeq gjithë ato marka makinash, duarflori, po nuk shëron dot shpirtërat. Nuk ka shpikje më të komplikuar se sa njeriu. Është i fituar kush njeh labirinthet e tij.
Pas një jave dedektivi mori në telefon Samiun dhe i tha të paraqitej urgjentisht në departamentin e policisë së Niagarës. Ai u hutua aq shumë, sa harroi të pyesë në se ishte gjallë apo jo. I shkoi ndërmend se ajo mund ta kishte braktisur dhe kishte zënë punë në ndonjë klub striptizmi. Klube të tillë në këtë vend turistik janë me shumicë. Kush nuk e pranonte Merin me atë alamet fiziku që ka. Pas një ore u paraqit në policinë e Niagarës. E shoqëruan drejt spitalit aty pranë dhe ai mendoi se Meri duhet të jetë shumë e sëmurë. Gjithçka t’i kishte ndodhur, ai do ta falte dhe do ta donte si më parë. Policët urdhëruan punonjësin e frigoriferit të nxirrte “Numrin 5001”. Samiut i dridheshin leqet e këmbëve. Ai njohu menjëherë fytyrën e bardhë si letër cigareje të Merit dhe i ra të fiktë. Ajo kishte bërë vetvrasje para një jave. Ishte hedhur nga lartësitë e Ujvarës së Niagarës. Ishte e para shqiptare. Po pse ky numër? Ajo ishte e 5001-ta qysh nga viti 1850 që kishte filluar regjistrimi i personave që bënin vetvrasje në Niagara Fall. Ky numër nuk publikohej e as dihej nga media për shkak të frekuentimit të madh nga turistët e gjithë botës. Ishte ana e errët e Niagarës.

Toronto, tetor 2020.

Please follow and like us: