Albspirit

Media/News/Publishing

Drilon S. Gashi: Votoni Joe Biden, më të mirin për Amerikën

Drilon S. Gashi

Pothuajse gjithherë që shqiptaro-amerikanët votonin për Presidentin amerikan në 30 vitet e fundit, ata gjykonin se cili President do të ishte “më i miri për Kosovën”, “më i miri për Shqipërinë” apo “më i miri për shqiptarët”. Kjo vlente sidomos kur brenga e secilit ishte ndalja e shtypjes, dhunimit dhe e vrasjeve të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia, liria dhe pavarësia e Kosovës si dhe demokracia dhe stabiliteti i Shqipërisë.

 

Shkruan: Drilon S. Gashi

Tani, një javë para zgjedhjeve më domëthënëse në shumicën e jetërave tona, le ta votojmë ne shqiptaro-amerikanët ish Zëvendëspresidentin Joe Biden, sepse është më i miri për Amerikën. Biden është kandidati demokrat, por vota për të do të jetë një votë thellësisht amerikane.

Në politika të brendshme, Biden ka një plan të mirëfilltë për menaxhimin e COVID-19. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, kanë vdekur më shumë se dyqindmijë amerikanë dhe ende nuk ka plan federal për koronavirusin. Biden ka plan më real të rimëkëmbjes ekonomike, në kushtet e COVID-19, që ofron ndihmë për familjet më në nevojë dhe forcon industritë amerikane. Trump nuk ka ofruar investimin dhe kushtet e duhura që bizneset të mund të përballojnë koronavirusin. Kështu, dështimi në menaxhimin e pandemisë është kthyer në dështim ekonomik.

Në politika të jashtme, Joe Biden do të mund të rifuqizonte marrëdhëniet e SHBA-ve me aleatët më të afërt, t’ia ripërcaktonte kufijntë atyre që sfidojnë SHBA-të dhe ta rikthente udhëheqjen e SHBA-së në çështjet globale. Trump kishte dhe ka të drejtë të rivlerësoj marrëdhëniet e SHBA-ve jashtë vendit, por qasja e tij ka larguar miqtë, ka trimëruar armiqtë, dhe ka krijuar zbrazëti e huti të padobishme tek gjithë të tjerët.

Kosova ka fituar mbështetjen qenësore të Presidentit Trump për krijimin e ushtrisë së saj. Mirëpo, ishte nën presion në dialogun me Serbinë, pjesërisht për shkak të dëshirës së madhe të administratës për marrëveshje, me përmbajtje shpesh të ndryshueshme. Kosova gjithashtu shihte një derë të hapur në marrëdheniet e kësaj administrate me Serbinë, gjë që arrihej pa përfitime të fuqishme për Kosovën: normalizimin Kosovë-Serbi përfshirë njohjen e ndërsjellë.

 

Fushata dhe shqiptaro-amerikanët

Shqiptarët në Amerikë janë të ndarë në të dyja kampet, Trump-Pence dhe Biden-Harris. Kjo vazhdon të jetë strategji e mirë. Pavarësisht kandidatit fitues, shqiptarët do të kenë krijuar marrëdhënie me secilin, që do të mund t’i thellonin pas zgjedhjeve.

Në fushatën Biden, shqiptaro-amerikanët kanë krijuar një grup mbështetës i cili ka publikuar letër mbështetjeje nga udhëheqës të komunitetit dhe ka organizuar tubim virtual me folës senatorë e kongresistë pro shqiptaro-amerikanë. Fushata Biden-Harris ka nxjerë një politikë për vizionin e marrëdhënieve të SHBA-ve me Kosovën dhe Shqipërinë, duke rikujtuar mbështetjen e fuqishme të Biden në çdo etapë të shtetkrijimit të Kosovës dhe nënvizuar planet për sigurinë, zhvilllimin ekonomik dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Fushata Trump ka disa grupe mbështetëse shqiptare, më tepër të përqëndruara në shtetin Michigan, një nga disa shtete përcaktuese për këto zgjedhje. Zevëndëspresidenti Pence vizitoi komunitetin shqiptaro-amerikan të Michigan në mars, Ambasadori Grenell para disa dite, dhe ish këshilltari Steve Bannon në një lidhje virtuale para një jave. Republikanët, sidomos, e duan votën shqiptare në Michigan.

Fushata ka paralajmëruar përfshirjen e shqiptarëve në një tubim virtual këtë javë të “koalicionit të lindjes së mesme” që mbështet Trump. Përfshirja e shqiptarëve në një gjeografi dhe kontekst gjeopolitik tjetër është gjithsesi një gabim. Gabimi edhe mund të simbolizoj se administrata nuk e di saktësisht se ku qendron me shqiptarët, dhe se ku në hartë qëndrojnë ata.

 

Si po përcaktojnë votën shqiptaro-amerikanët?

Sot shqiptarët në Amerikë duket se votojnë më ndryshe. Më tepër si amerikanët në përgjithësi. Mundet se shqiptarët po shikojnë më tepër politikat e brendshme se sa ato të jashtme që përfshijnë vendet e tyre të prejardhjes.

Po shprehin më tepër besnikëri ndaj partive dhe ideologjive të tyre. Disa janë republikanë konservatorë që preferojnë politika konservatore për familjen, apo janë konservatorë fiskalë që duan një qeveri sa me të vogël, ku ata paguajnë sa më pak taksa. Disa janë progresistë demokratë dhe duan një vend më të barabartë dhe më mbështetës ndaj njerëzve të varfër. Të tjerë janë më të moderuar e të pavarur, që duan një President unifikues.

Për të mirën e komunitetit të tyre në SHBA—dhe të Kosovës, Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Ballkan—shqiptarët do të përfitonin duke votuar si shqiptaro-amerikanë. Pra, duke bërë përzgjedhjen në bazë të politikave të brendshme dhe të atyre të jashtme, e sidomos ato që mbështesin shtetet e tyre të prejardhjes në Ballkan.

Kësaj radhe për mua është e qartë se kandidati Biden është më i miri në këto zgjedhje. Për të rikthyer udhëheqjen e nevojshme dhe politikat publike të duhura, brenda dhe jashtë Amerikës. Kjo do të ndihmonte Kosovën në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, por përvoja e Biden na thotë se ai edhe drejtpërdrejt do të ndihmojë dhe fuqizojë Kosovën.

Tek shqiptarët në Amerikë kane evoluar arsyejet pse zgjedhin një kandidat e jo tjetrin. Dhe ka vazhduar vota dypartiake. Mëgjithatë, në këto zgjedhje shqiptarët do të mund të vendosnin kombin amerikan dhe shtetet me shumicë shqiptare në vend të parë e partitë që preferojnë në vend të dyte. Këtë do të mund ta bënin duke votuar Joe Biden për President.

 

(Autori është profesionist në fushën e zhvillimit ndërkombëtar dhe punon në sektorin privat në Washington, D.C. Ka magjistruar në marrëdhëniet ndërkombëtare në Columbia University në New York. Shkrimi u botua së pari nga gazeta “Express”, në Kosovë. Ribotohet në gazetën “Illyria”, me kërkesën e autorit.)

Please follow and like us: