Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi: JO. NUK JE VETËM. As UNË, as TI, as AI, as NE, as JU, as ATA!

 

Xhovalin Delia: “NUK JE VETËM”!

Por këta të fundit, Ata kujtojnë se janë ata që duhet të na udhëheqin, se të gjithë Ne nga unë deri tek Ju, nuk dimë të heqim udhët tona.

O ATA të mjerë që po pëlcisni nga kënaqësia e pushtetit.

O ATA të stilit modern të shfrytëzimit, të fryteve të botës.

O ATA pemë pa koqe, po s’e dini, mësojeni se njeriu e ka fituar lirinë me Sokratin, mësojeni ç’është dituria dhe zbrisni nga pemët e skllavërisë së qejfit tuaj.

Ndaluni dhe hiqni dorë nga udhëheqësirat tuaja barbare, mediokre dhe të pështira.

Mos vazhdoni mëkatet, me të voglin dhe të urtin popull shqiptar.

O ATA mësoni se çdo të thotë i vogël dhe i urtë, pra çdo të thotë David.

Mësoni ç’është Hataja.

Përveç bukës dhe maskës, jepu pension të plotë të gjithë atyre, prindërve, që po plaken, të cilët kanë ndërtuar shtëpi për fëmijët e tyre, me leje apo paleje ndërtimi.

Ata kanë strehuar familje të reja, që janë krijuar në epokën e lejepalejes.

Sepse shteti nuk qe i zoti, të ndërtonte dhe ndoshta nuk e ka për detyrë të bëjë shtëpi.

Një shtëpi e konvertuar në vlerë dobiprurëse dhe në kohë-vite pune, do të qe zgjidhja edhe për ata, që për mungesë të pesë viteve nga tridhjetepesë, paguhen jo për tridhjetë, por fatkeqësisht sa për pesë, të munguar, një paradoks ky në mes të lirisë dhe demokracisë.

Dinjiti i brezit të tretë, është dhe garancia morale e cila për fat të keq ka shkuar në fund fare, në taban të abisit.

Andaj ikin fëmijët nga prindërit e vobektë dhe i lënë në shtëpitë e ndërtuara prej tyre, me katin e parë bosh pa mure, në pritje të ngritjes së ndonjë biznesi, ose në rastin më të keq, bosh pa mure, vetëm me kollona, në hapësirën transparente të të cilave, janë telat me rrobe të njoma pleqsh, për t’u tharë.

Pra çdo njeri që ka ndërtuar një shtëpi edhe për dy breza, duhet të përfitojë pension të plotë, se ka krijuar një të mirë materiale, ani pse pa fatura. Të përfitojnë njëlloj si doktorë-profesorët e të gjitha ngjyrave, të cilët s’kanë vënë asnjë tullë, si për vete dhe për të tjerë, në jetën e tyre të “qep e kripës”. Përjashtohen doktorë-profesorët e vërtetë nga ky gjykim.

Reagim për shkrimin e piktorit Xhovalin Delia i cili në mënyrë permanente merret edhe me problemet e demokracisë lehonë në Shqipëri. Po e publikoj ashtu siç ju përgjigja mikut tim, duke hedhur një vështrim rreth personit tim, për të gjithë ata që nuk më njohin. Në këtë mënyrë sqaroj dhe pohoj vërtetësinë e argumentit të përdorur.

Por e përsëris, nuk janë vetëm unë, ka shumë syresh që vërtiten rreth boshtit.

Të falenderoj Xhovalin Delia!

Tani nuk mundem të shkruaj, siç meroiton fjala dhe thirrja jote, sepse jam duke shtruar me beton, gungat e tokës shqiptare në studion e re, të tretën me qera.

E shtrova në tokën gungaçe të studios që më dhuroi shteti shqiptar, më 1913 dmth në 1993, por ma coptuan fuqitë e mëdha për interesat orientale, sepse duan orientim ata.

Ma dhanë, por ma vodhën prapë hajdutët e pas Luftës së Dytë Botërore, me gjykatoret e tyre.

Unë e falenderoj shtetin për këtë që bëri për mua, edhe për sa më mbeti, por pa masë i jam mirënjohës, që strehoi prindërit e mij, pas tmerrit të “Aushvicit” që ndodhi në Çamëri.

Unë i përkas atdheut, artit, por edhe këtij shteti tavoline, dy të parët janë të mitë, ndërsa shteti pas hajnisë që më bënë, kur unë ndodhesha në Itali, nuk është më i imi, sepse ma dha dhe ma mori nëpërmjet ligësisë ligjore, të cilën e ka në zap sovrania mafie.

Nuk është më i imi sepse më vodhën Akademinë, punova e u përpoqa të bëja departamentin e skulpturës më 1993, por nonkulturnomeklatura nuk donte. Nuk donte themelimin e shkollës shqiptare të skulpturës, nuk donde autoqefalinë se saj.

Kur u ktheva nga Italia e gjeta të kryer, por jo atëherë dhe nga unë, por nga ata, sepse çdo gjë duhet ta bëjnë ata, jo ne shqiptarët. Dhe prapë e bënë si në ’60, por tashmë me Henrin dhe Pikaso, se jam rinovu. Jam korrekt kur them “Unë” Xhove, sepse kjo është historia e akademisë. Ata bënë tjetër histori dhe s’kanë faj sepse kanë modele të gatshme dhe grup të gatshëm, që i mbron për shkrime historiçkash.

Gjithsesi zëri yt nga Firence, më bën më kurajoz dhe më të fortë në përballje me nonkulturën.

Është kjo beteja më e madhe, për të fituar e triumfuar më në fund kultura. Arti dhe e bukura do ta kultivojnë kulturën dhe civilizimin tonë.

Nuk është vota e lirë dhe sistemi demokratik që e dërmon diktaturën dhe mafjen, por është ligji, “dittatura democratica”, por mbi gjitha është arti dhe kultura.

Arma më e mirë për të fituar e mira ndaj të keqes, deri sot në tokë është e Bukura.

Bën mirë që i drejtohesh Edi Ramës, sepse e kuptoj që këto janë kritika dhe sugjerime, që nuk kanë veçse qëllim për ndreqjen e ndonjë padrejtësie, me dashje apo pa dashje, por kanë në esencë qëllimin e rrëzimit nga froni pesëshekullor të mediokritetit.

Kanë gjithashtu humanitet dashamirësi personale, dhe patriotizëm pse jo. Besoj se nëse më në fund do ta lexojë, sigurisht po ia dhanë ta këndoj këngën tënde të përsëritur, dallkaukodallaveraxhinjtë që ka rrotull, përreth rrethit të parë të infernos, që kanë mbrojt ene gjuhën anglishtçe.

Si Arifi dhe Qendro ndjesë pastë, por edhe si unë paça ndjesë, janë shumë artistë dhe njerëz jo të artit, që edhe ti këtë e thua, në këtë britmë të përsëritur e të pasosur.

Vëllai im prej kombit, atdheut, artit dhe shtetit, të uroj shpirt dhe mendje të begatë!

Do doja të shkruaja më gjatë, por ustai i betonit nuk pret se o mësu me teorinë e betonizimit.

Të përshëndes Xhov dhe të uroj për pikturën e bukur që shoqëron ç’burgimin tonë.

Dhe po nuk ngjau që të dalim nga burgu, nga ferri me një llaf, do vazhdoj me Sinanin në parajsën time, të bëj poemën tjetër “Çiftelia e Malcisë” dhe po e zgjatën shumë, do hidhem më përtej të shkruaj:

La Divina Gallata.

Dhe nëse ndodh kjo, ata më kanë bërë nder që më refuzuan çdo gjë, sipas tyre, për të më abandonuar në heshtje, kësisoj ata kanë merita të mëdha dhe prandaj gaditen e mbushin gjokset dhe barqet me medalje arit, me titllin më të lart “Menerkoms”.

Please follow and like us: